Mendime
Kastriot Myftaraj: Kur Rexhep Meidani shkruan “recension” në vend të “recesion”, “Panorama” pëson recesion në reputacion
E diele, 12.09.2010, 04:32 PM
Kur Rexhep Meidani shkruan “recension” në vend të “recesion”, “Panorama” pëson recesion në reputacion
Nga Kastriot MYFTARAJ
Kur lexova titullin e shkrimit të Rexhep Meidanit, “A ka rrezik rikthimi në një situatë recensioni”, të botuar në gazetën “Panorama”, në 8 shtator 2010, mendova se bëhej fjalë për një lapsus, megjithëse lapsuset në titull ka më pak gjasa të bëhen, pasiqë bien në sy të shkruesit më tepër se në tekst. Nuk ma merrte mendja se edhe profesor Meidani do të bënte gabimin e disa gazetarëve të cilët përdorin gabimisht fjalën “recension” në vend të fjalës “recesion”, kur është fjala për krizën ekonomike. Por kur lexova shkrimin e Meidanit, i cili ishte një analizë e gjatë ekonomike, pashë se autorit nuk i kishte shpëtuar një lapsus në titull. Fjala “recension” përdorej nëntë herë në tekst në vend të fjalës “recesion”. Kjo i jepte krejt tekstit të Meidanit një kuptim të çuditshëm dhe qesharak.
Një njeri që përdor fjalën “recension” për “recesion” tregon se nuk ia di kuptimin as njërës dhe as tjetrës. Fjala “recension”, me prejardhje latine, ka kuptimin e kqyrjes kritike të një teksti. Fjala “recesion” ka kuptimin e rënies, vajtjes pas, dhe në konotacion ekonomik përdoret për të treguar një periudhë rënieje ekonomike. Unë e kuptoj se shkrimet e Rexhep Meidanit redaksia e “Panorama” i merr dhe i boton në mirëbesim intelektual, duke menduar se nisur nga niveli dhe erudicioni i supozuar i profesorit, i cili për një moment na u bë dhe kryetar i Akademisë së Shkencave, nuk ka se çka të ndreqë në to. Por ja që nuk është kështu dhe gazeta më e madhe në vend, çka është “Panorama”, kur ia boton me fotografi shkrimin Meidanit në krye të faqes së parë, pëson recesion në reputacionin e vet.
Që “Panorama” dhe lexuesit e saj ta kuptojnë se çfarë karikature semantike kanë botuar po i sjell të gjitha frazat nga shkrimi i Meidanit ku përdoret fjala “recension” për “recesion”. Meidani shkruan për “një probabilitet jo të vogël të rikthimit të dukurisë së recensionit në skenën globale”. (“Panorama”, 8 shtator 2010, f. 19)
Dukuria e recensionit nuk ka si të rikthehet në skenën globale, se nuk është zhdukur kurrë prej andej. Recensione janë bërë bëhen dhe do të bëhen në të gjitha llojet e artit, shkencave, pavarësisht nga krizat ekonomike. Më tutje, Meidani bën një pyetje e cila bëhet absurde nga përdorimi i gabuar i fjalës: “A ekziston mundësia e rikthimit të recensionit në një shkallë globale”. (“Panorama”, 8 shtator 2010, f. 19)
Recensioni ekziston dhe lulëzon në shkallë globale profesor- që në djall vafshin ata që të bënë ty profesor- kështu që mos e lodh mendjen shumë për këtë. Meidani thotë: “Në të vërtetë vazhdojnë të përplasen dy opsione”. (“Panorama”, 8 shtator 2010, f. 19)
Edhe në mendjen time përplasen dy opsione, apo më saktë hipoteza për përdorimin nga Meidani të fjalës “recension” për “recesion”. Hipoteza e parë është se profesori ka pësuar recesion në tru, gjë që është një fatkeqësi dhe në këtë rast nuk duhet të shkruajë më, ose nëse ai nuk e kupton, së paku “Panorama” nuk duhet që t’ ia botojë. Por nuk më duket se profesori ka pësuar recesion në tru, se punët e veta di t’ i rregullojë mirë, si kur kërkon honorar të madh tek “Panorama”, ashtu edhe kur rregullon djalin në një post të mirë me anë të Ilir Metës. Hipoteza e dytë është se Meidani ka qenë gjithherë një mediokër kur dilte jashtë sferës së fizikës, e megjithatë mendonte se mund të jepte mend për gjithçka. Duke bërë këtë bënte dhe bën gafa të çuditshme, siç është rasti.
Duke shtjelluar në shkrim debatin ekonomik global, Meidani shkruan se njëri krah mendon se “po afron një erë e fortë që po na çon drejt recensionit”. (“Panorama”, 8 shtator 2010, f. 19)
Në të vërtetë Era e Recensionit nuk është dobësuar kurrë që në Antikitet, dhe njerëzimi ka vazhduar që të bëjë recensione dhe do të vazhdojë të bëjë pavarësisht nga recesionet ekonomike. Më tutje, Meidani, duke ardhur në debatin shqiptar, shkruan: “Sipas PD-së, recensioni jo vetëm që nuk ka ekzistuar më parë, por as nuk pritet një gjë e tillë në të ardhmen e afërt… Ndërsa, sipas PS-së, ekonomia po futet në recension”. (“Panorama”, 8 shtator 2010, f. 19)
Imagjinoni sikur një katastrofë e papritur dikur në të ardhmen, të zhdukte të gjitha tekstet e shtypit të kohës sonë, dhe të mbetej vetëm ky tekst i profesor Meidanit, në duart e pasardhësve tanë në vitin 3010. Duke e marrë në mirëbesim intelektin e profesor Meidanit, pasardhësit tanë do të mendoheshin shumë mbi atë se çka kishte qenë ky debat i PD me PS, domethënë i Sali Berishës me Edi Ramën për recensionin. Pasardhësit tanë do të mendonin se përse PD në pushtet donte të ndalonte recensionin, duke pretenduar se nuk ka ekzistuar në të shkuarën. Ata do të lodheshin shumë për të gjetur se përse PS e kishte futur fjalën “recension” në debatin politik, dhe donte ta fuste ekonominë në recension, domethënë të bënte recenzentin e ekonomisë. Me shumë gjasë, pasardhësit tanë në vitin 3010 do të mendonin se Berisha kërkonte të ndalonte recensionin si gjini, dhe opozita, duke dashur që të mbrojë recensionin e kishte zgjeruar përdorimin e kësaj fjale!
Më tutje Meidani shkruan: “Sipas specialistëve që mbështesin opsionin e dytë të një recensioni të mundshëm, problemet priten të jenë më serioze”. (“Panorama”, 8 shtator 2010, f. 19)
Nëse profesor Meidani do të kishte pasur si synim që të prodhonte kuitesencën e absurdes dhe qesharakes, në një fjali të vetme, mund të thuhet se ai ia ka arritur kësaj, duke thënë se një recension i mundshëm pritet të sjellë probleme më serioze. Më tutje Meidani shkruan: “Dhe ndërkohë kushtet konkrete po e ushqejnë mundësinë e recensionit”. (“Panorama”, 8 shtator 2010, f. 19) Në të vërtetë, kushtet konkrete të shkrimit të Meidanit e ushqejnë dhe e nxisin shumë mundësinë e recensioneve mbi të, por ja që në Shqipëri nuk ndodh kështu. Më tutje, Meidani shkruan: “Për më tepër, për t’ i mbyllur ‘historitë me recension’ kërkohet që të zbatohet një politikë buxhetore e ashpër, mbi të gjitha për të pakësuar borxhet e mëparshme dhe për të mos lejuar ata të rinj”. (“Panorama”, 8 shtator 2010, f. 19)
Po ç’ hyn i shkreti recension në historitë e borxheve! Fjala “recension” e ka kthyer tekstin e profesor Meidanit në një fragment nga një antiroman apo një dramë e teatrit absurd. Në fund të shkrimit, Meidani shkruan: “Po ashtu, kthimi i recensionit duket i paevitueshëm”. (“Panorama”, 8 shtator 2010, f. 19)
Ky njeri e ka kapur me fjalën “recension” dhe është i vendosur që të bëjë marrëzitë më të paimagjinueshme me të. Unë mendoj se edhe ata shqiptarë me bindje të kundërta politike me Meidanin, nuk duhet të gëzohen nga ky shkrim i tij, se këto lloj shkrimesh i lexojnë të huajt dhe i komentojnë njëlloj si ata shtetarët perëndimorë letrat e Denizullu Serpes në satirën e Konicës “Një ambasadë e zulluve në Paris”.
Më kujtohet një rast kur Rexhep Meidani ishte President i Republikës, dhe po ecte i rrethuar nga truprojet, duke dashur që t’ u ikte gazetarëve që po insistonin ta pyesnin për një çështje për të cilën ai nuk pëlqente të prononcohej. Por kur dëgjoi pyetjen e një gazetareje që fillonte me fjalët “Kush institucion…” profesori ndali në vend, u kthye, dhe i dha një leksion gjuhësor, duke i thënë: “Mësoni të flisni, në shqip nuk thuhet ‘kush institucion’, por “cili institucion”.
Atëhere, për të parafrazuar pyetjen e asaj gazetares: Cili institucion duhet të merret me marrëzitë e profesorit, që përdor “recension” për “recesion”? Në SHBA fjala “institucion” përdoret më tepër në kuptimin e klinikave psikiatrike.