E premte, 25.07.2025, 09:23 AM (GMT+1)

Mendime

Nexhmedin Saqipi: Platforma shqiptare e Kosovës Lindore

E hene, 13.09.2010, 09:40 PM


Dokumente

 

PLATFORMA SHQIPTARE E KOSOVËS LINDORE

 

Nga Nexhmedin Saqipi

 

Këto ditë nga Lëvizja për Bashkim është shpalosur një platformë politike për zgjidhjen përfundimtare të çështjes shqiptaro-serbe.

Ky dokument programor shtjellon një varg çështjes me interes dypalësh për t’i dhënë fund odisejadës së problemeve shqiptaro-serbe brenda dhe jashtë kufijve shtetëror të këtyre dy republikave.

Kjo platformë politike do të jetë një dokument i mirë jo vetëm për shqiptarët e Kosovës, por edhe për bashkëkombësit  e tyre në krahun lindor dhe për vetë Serbët, të cilët nuk e kanë idenë se si do të dalin nga qorrsokaku dhe ngërçi politik, i cili pamëshirshëm e ka mbërthyer vendin.

 

Opsionet

 

- Çështja e pazgjidhur shqiptare në Kosovën Lindore, aktualisht e mbetur nën Serbi, çështja e veriut të Kosovës dhe çështja e ndarjes së Mitrovicës kanë mbetur si çështje të pazgjidhura në marrëdhëniet shqiptaro-serbe dhe paraqesin një konflikt të ngrirë, por me një potencial të frikshëm për shndërrimin e tij, në rrethana të caktuara ndërkombëtare, në një konflikt të ri të armatosur - janë një nga problemet e mprehta të shtruara në këtë platformë politike..

Dy anët e litarit të tërhequr nga Prishtina dhe Beogradi, përmes opsioneve: ndarja e Kosovës- Shkëmbimi i territoreve - Ruajtje e integritetit territorial, bëjnë që plagët e thelluara gjatë proceseve luftarake, të mos mbyllen kurrë, por të kullojnë gjak në favor të mbajtjes së përhershme të vatrës së krizës e tensioneve ndërkufitare midis Kosovës dhe Serbisë.

- Pa zgjidhjen e çështjes së veriut të Kosovës dhe çështjes së Kosovës Lindore, Kosova jo vetëm që do të jetë me një stabilitet të brishtë politik dhe e kërcënuar në vazhdimësi, por do të mbetet me probleme të theksuara ekonomike e sociale, pasojat e së cilave do t’i vuajnë vetë qytetarët e saj - bëhet e qartë në një nga parimet e platformës politike të Lëvizjes për Bashkim.

 

Reciprociteti

 

- Në këtë situatë, zbatimi i të drejtave në mënyrë reciproke si për Leposaviqin, Zveçanin e Zubin Potokun, ashtu edhe për Preshevën, Bujanocin e Medvegjën do të ishte një hap i madh drejt zgjidhjes së problemit. Zbatimi i parimit të reciprocitetit dhe kthimi i shqiptarëve e i të gjithë të shpërngulurve në pronat e veta do t’ia hapte dyert realizimit të plotë të vetëvendosjes për të dyja palët. Kjo do të çonte në zgjidhjen përfundimtare të konfliktit të gjatë shqiptaro-serb- thuhet mes tjerash në përmbledhjen e Platformës Politike të Lëvizjes për Bashkim.

Partia Demokratike Kombëtare, me seli në Kosovën Lindore, e përgëzon Lëvizjen për Bashkim për hartimin e Platformës Politike, duke i dëshiruar sukses në promovimin dhe afirmimin e këtij dokumenti, i cili vjen në momentin dhe kohën më të dëshiruar.

Klasa politike shqiptare në Kosovën Lindore, ka kohë që nuk është mbledhur për t’i diskutuar opsionet: për ndarjet, bashkimet, shkëmbimet, integrimet, por është mbyllur në kullat e fildishta të pushteteve lokale, duke e rrudhur aktivitetin vetëm në qeverisjet lokale, duke lënë anash problemet madhore kombëtare.

Partitë politike shqiptare të këtij rajoni, ndaras veç e veç i prekin këto probleme në mënyrë periferike, por mungon një qasje serioze e këtyre problemeve, dhe një veprim unik për shtrimin dhe zgjidhjen e këtyre problemeve.

Këshilli Nacional, ose Këshilli për Integrim ishin e mbetën dy iniciativa, të cilat gati se ngelën njëpartiake. Nuk zgjidhen problemet e mëdha kombëtare, pa një unitet mes subjekteve politike, të cilat vuajnë nga inatet, ndarjet, përçarjet, nepotizmi etj.

Këto subjekte nxorën një Platformë Politike, në kohën e Ahtisarit dhe me atë platformë kanë ngelur për të mos u mbledhur deri tash e për ta korrigjuar një platformë të tillë e cila tashmë për shqiptarët e Kosovës Lindore nuk ka ndonjë efekt të madh.

Por, Lëvizja për Bashkim, në momentin më të volitshëm doli me një Platformë Politike, shumë të qëlluar për shqiptarët këndej e matanë kufirit shtetëror me Kosovën.

Shqiptarët e Kosovës Lindore, janë lodhur dhe mërzitur me politikën e liderëve të saj lokalistë, të cilët merren me rregullimin e infrastrukturës, nënshkrimin e tenderëve, punësimin e të afërmeve të tyre farefisnorë e partiakë e i lënë anësha kërkesat me interes kombëtar.

PDK kërkon nga partitë e tjera simotra në Kosovën Lindore, të mblidhen tok, shpejt e së bashku, rreth Platformës Politike të Lëvizjes për Bashkim, në mënyrë që çështja shqiptare e këtij rajoni të shtrohet drejt e qëndrueshëm. Sa më shpejt aq më lehtë, njofton Shërbimi Informativ Kombëtar (SHIK) i Partisë Demokratike Shqiptare të Kosovës Lindore.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx