E premte, 25.07.2025, 12:32 AM (GMT+1)

Mendime

Gjon Bruçi: Si mund të zhbëhet një komb!

E enjte, 16.09.2010, 09:03 PM


Si mund të zhbëhet një komb!

 

Nga Gjon BRUÇI

 

Nëse të vërtetën, faktet dhe gjendjen aktuale e shohim me kurajo dhe siç thotë populli “drejt në sy”, mund të konstatojmë qartë se në ditët e sotme, shqiptarët si popull e si komb, gjenden në udhëkryq, ku është vënë në pikëpyetje prosperiteti dhe e ardhmja e tij. Siç e dimë nga historia, për të paktën dy mijëvjeçarë, ne shqiptarët (më së pari Ilirët e pastaj Arbërit – paraardhësit tanë), mbijetuan në gadishullin Ilirik (Ballkan), buzë Adriatikut e Jonit, bash në “kërthizë” të Mesdheut dhe vetë Europës. Themi mbijetuan, sepse “fqinjët” dhe të tjerë më larg tyre, nuk na lanë të jetojmë. Valës barbare shumshëkullore për asimilim, Iliro – shqiptarët iu kundërvunë me mbijetesë. Ishte e vetmja mënyrë për të siguruar ekzistencën dhe përcjellë gjenezën. Nuk ishin vetëm malet ku iliro-arbëroro- shqiptarët mbështetën shpatullat për të siguruar ekzistencën. Në radhë të parë ishte geni i tyre, një gen që kishte në bërthamë krenarinë, burrërinë, fisnikërinë e mbi të gjitha lirinë, të cilën nuk do ta ndërronin për asnjë lloj pasurie në faqe të tokës. Popuj më të mëdhenj se sa i yni për nga numri e territori u zhdukën në pluhurin e stuhive të kohërave, ndërsa shqiptarët, pasardhësit e drejtpërdrejtë të ilirëve, mbijetuan në hisen e tyre të diellit, në trojet e tyre të lashta.

Po sot, çfarë ka ndodhur e po ndodh? Cili është rreziku që na kërcënon?

Sipas meje, nëse do t’i analizonim situatën dhe gjendjen aktuale me qetësi e durim, do të shihnim se në horizontin e të ardhmes sonë është shfaqur kërcënueshëm, si asnjëherë tjetër rreziku i zhbërjes si popull e si komb. Po i nis argumentet për këtë rrezik me thënien e një plaku të fshatit tim, këtu e disa vite më parë. Ishte një plak pa shkollë, por me mendjen “tel”. “Nëse do t’a qitësh farë (t’i zhdukësh trashëgimtarët) një fis kundërshtar, mos përdor armën, por martesën”, - më pati thënë plaku në fjalë. Sipas tij, me armë nuk mund t’a zhdukësh kundërshtarin. Ndonjëri nga pjesëtarët e fisit të tij mund të ndodhet larg fshatit, ose mund të jetë foshnje në barkun e të ëmës, nga ku nuk ke si e vret. (Le të kujtojmë Mato Grudën tek filmi shqiptar “Njeriu me top”). Ky filiz që shpëton, rritet dhe e ripërtërin fisin e tij. Ndërsa me martesa ndryshon puna: “Futi nuse të liga (të këqija) për djemtë dhe pas disa vitesh ai fis del vetë jashtë doret”, - ishte deduksioni i plakut për “qitjen fare të kundërshtarit”.

Ky deduksion duket arkaik, por ka të vërtetën e tij të provuar. Sigurisht, kur plaku fliste për “nuse e gra të liga”, kishte parasysh shthurjen morale, të cilën ne sot e emërtojmë “degjenerim”. Armë dhe dhunë gjithfarësh provuan barbarët pushtues për të na asimiluar dhe asgjësuar si komb, por nuk ia arritën qëllimit. Por kohët sot kanë ndryshuar. Arma e dhuna janë zëvendësuar me degjenerimin, dhjetë fish më vrastare se të parat. Kjo armë e “degjenerimit” sot është drejtuar në tre pikat më nevralgjike të një populli, në tri pasuritë kryesore që e mbajnë në këmbë e në jetë një komb : Burimet natyrore, pasuritë kulturore dhe vlerat shpirtërore. Këto tri pasuri të shqiptarëve janë sot më të rrezikuara se kurrë.

Dy dekada demokraci pluraliste kanë qenë të mjaftueshme për të patur sot një shtet të së drejtës, një republikë të konsoliduar, një Shqipëri të europianizuar. Aq më tepër që këto dy dekada nuk nisën nga “hiçi”, por nga një stad jo pak i zhvilluar, sidomos në fushën e arsimit e të kulturës, që janë edhe baza e zhvillimit të një vendi. Këta parametra jo vetëm nuk janë realizuar, por Shqipëria gjendet ende në “tranzicion” dhe me probleme të pazgjidhura që shtohen çdo ditë. Pa diskutim përgjegjësia për këtë situatë është tek klasa politike dhe drejtuesit e saj të cilët, ndonëse hiqen dhe vetëquhen “Liderë”, janë thjeshtë “menaxherë” rrufjanë të parave të fituara me korrupsion. Falë këtyre liderëve dështakë, të korruptuar, apo të shitur, “reformat demokratike”, të aplikuara në vendin tonë në këto dy dekada, jo vetëm nuk e kanë çuar Shqipërinë në Europë, por realisht e kanë spostuar atë edhe më larg saj.

Injorimi i resurseve kombëtare të zhvillimit; shitja për pesë lek e pasurive të vendit; lënia në mëshirën e fatit e bujqësisë, këtij sektori jetik për vendin; shkatërrimi i ndërmarrjeve prodhuese dhe për pasojë edhe i mundësisë së punësimit etj., janë disa nga “reform – refirmat”, që kanë realizuar e po realizojnë liderët tanë politikë të “rrotacuar” në karrigen pushtetore. Me këto reforma antikombëtare, realisht ata kanë zvjerdhur tek shqiptarët dashurinë për vendin e tyre, duke shtuar kështu eksodin e rinisë dhe të inteligjencës, pjesës më vitale të kombit. Me të gjitha mjetet e propagandës sot në vendin tonë synohet në tjetërsimin dhe degjenerimin e vlerave kulturore të krijuara nga populli ynë në shekuj. Një “Maratonë e këngës popullore”, apo një “Festival folklorik” krye disa vitesh, nuk mund të përballojnë ofensivën e spektakleve televizive të lakuriqta, filmave pornografikë, reklamave për seksin e jetën liberale , dhe gjithçka që lidhet me krijimtarinë artistike, të cilat, për të siguruar skupin mediatik dhe doemos edhe fitimin, janë kthyer në porno të pështira, që çorodisin mendjet e njerëzve. Mbi të gjitha arma e degjenerimit ka prekur e po shkatërron vlerat shpirtërore të shqiptarëve. Po tjetërsohen doket e zakonet tona të mrekullueshme, duke plazmuar mbi to vese e sjellje në kundërshtim me natyrën e traditën e shqiptarit. Reklamimi i bashkëjetesës, nxitja e lirisë së plotë seksuale, madje të nevojshme për t’u “lëvruar” qysh në adoleshencë e deri tek mbështetja me ligje e martesave të homove e lesbikeve, kanë tronditur në themel familjen shqiptare, këtë institucion të shenjtë e të rëndësishëm të piramidës tonë shoqërore. Duke krijuar hendekun e madh social, është shkallmuar harmonia dhe uniteti midis brezave, klasave e shtresave të shoqërisë, pa të cilat asnjë shoqëri nuk mund të ecë e të përparojë. Korrupsioni galopant, mashtrimi e poshtërsia janë ngjitur në piedestal. Sot ai që punon e jeton me djersën e ballit, quhet budalla, ndërsa ai që vjedh e pasurohet në kurriz të shoqërisë quhet me krenari “zog kurve”. Nën pretekstin e “rishikimit të historisë”, shkohet gjer atje sa të vihet dorë, të trazohet e të degjenerohet memoria historike. Ngritja në piedestale nderi e kriminelëve dhe bashkëpunëtorëve të pushtuesve e nga ana tjetër baltosja e Heronjve të vërtetë; shtrembërimi e përdhosja e të vërtetave historike dhe vlerave të arritura nga brezat, e të tjera kësisoj, kanë goditur rëndë moralisht, psikologjikisht e shpirtërisht njerëzit e ndershëm e patriotë, shqiptarët e vërtetë.

Pa dyshim që këto veprime nxiten nga forca antishqiptare, të cilat kanë synim  të na zhdukin memorien historike dhe vetë historinë tonë, që pastaj shqiptari të humbë fillin e origjinës së tij, të rrugës së tij, të luftës së tij dhe të ardhmes së tij.

Nëse një populli e një kombi i rrëmben pasuritë kombëtare dhe i heq mundësinë e punësimit në vendin e tij; nëse i degjeneron kulturën që ka formuar në shekuj; nëse i nakatos e ia degjeneron vlerat shpirtërore, atëherë ai popull e ai komb, kthehet në popull nomad. Sigurisht edhe popujt nomadë janë popuj, por të shpërndarë nëpër botë, në pamundësi për të patur një komb, një Atdhe. A rrezikohemi ne shqiptarët të bëhemi nomadë? Deri tani gati gjysma e popullsisë është vënë në këtë rol. Mbi një milion shqiptarë enden nëpër botë në kërkim të një jetese më të mirë. Plot njëzet vite dhe ata nuk po japin shenja kthimi në Atdheun e tyre. Pse? Përgjigjen duhet ta japin politikano- pushtetarët tanë, të cilët, në vend që të punojnë për rikthimin e shqiptarëve emigrantë, po nxisin këta që kanë mbetur, të bëjnë si të parët. A nuk është kapardisja e tyre me “heqjen e vizave” një nxitje e tillë?!

Në këta muajt e fundit në vendin tonë kanë ndodhur dy ngjarje-episode, që kaluan pa “reklamë të madhe mediatike”. Në Theth të Dukagjinit, fshatarët janë tubuar dhe kanë lidhur besën me betim se nuk do t’i shesin askujt, që nuk është vendas, tokën dhe banesën në fshat, pavarësisht se mund të jenë larguar e banojnë në Shkodër apo gjetkë. Të njëjtën gjë, por më publikisht, bënë fshatarët e Dukatit të Vlorës. Në tubimin e tyre ata shpalosën parullën: “Dukati i dukatasve”, duke shënuar përbri edhe sipërfaqen ekzakte të katundit të tyre, të cilën do ta mbrojnë me çdo kusht. Këto veprime janë përballje të hapura me shtetin, i cili, në vend që t’u bëhet mburojë shtetasve të tij, i mashtron me “fshatra turistikë”, apo “Resorte”, që në fakt janë një mënyrë e stërholluar dhe e kamufluar për rrëmbimin e pasurive të tyre.

Nëse do të vepronin të gjithë si fshatarët e Thethit e të Dukatit, rreziku i zhbërjes do të kalonte. Në të kundërtën, jo shumë vonë, do ta shohim veten përtej detit. Apo nuk po na fton edhe vetë Kryeministri që “ t’i drejtohemi bregdetit”, i cili qysh tani është “kapicë”, sa do të detyrohet që tepricat t’i përcjellë për matanë.

Sigurisht gjithë ky merak i imi si qytetar shqiptar bazohet tek koncepti “Atdhe”, që mendoj se nuk është kapërcyer. Për globalistët, për kozmopolitët, për “qytetarët e botës” shkrimi im nuk vlen. Por besoj se shumica e shqiptarëve janë për “Atdheun, për Kombin”.



(Vota: 5 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx