E enjte, 02.05.2024, 12:40 AM (GMT+1)

Mendime

Apollon Gjebrea: Përfshirja e bashkësisë në Promocionin e Shëndetit Publik

E merkure, 15.09.2010, 09:58 PM


Përfshirja e bashkësisë në Promocionin e Shëndetit Publik 

Nga Dr. Apollon GJEBREA

Përfshirja e bashkësisë në zhvillimet e Promocionit të Shëndetit, ndër të tjera,   parakupton nxitjen e vazhdueshme të njerëzve për pjesëmarrje në proceset e shëndetit  komunitar, duke forcuar e mbështetur ‘THITHJEN’  në këtë lëvizje shëndetësuese të sa më shumë pjesëtarëve të bashkësisë, me synim për të arritur që të bëjnë shumicën. Përfshirja e bashkësisë  në promocionin e shëndetit me anë të pjesëmarrjes, del të jetë në fakt një “MARRËVESHJE  BASHKËPUNIMI  PËR  VEPRIM në të mirë të shëndetit të bashkësisë   ME  VETË  NJERËZIT   dhe  PËR  VETË  NJERËZIT .

 

Vështrim  i  shkurtër  socio-historik  në Shqipëri

Koncepti i përfshirjes së bashkësisë në zhvillimin shoqëror për mbarëvajtjen e  shëndetit të përbashkët është historikisht i njohur nga njerëzimi.  Për këtë mund të thuhet se në trojet tona, qysh në periudhat e jetesës sipas modelit fisnor e patriarkal, ka patur   tradita të hershme, edhe me disa veçori krahinore. 

Në situatën komplekse të pasluftës së dytë botërore, me vendosjen e regjimit komunist, duke marrë hov nga fryma kolektiviste e ideologjisë sunduese, u përdorën qoftë tradita por edhe entuziazmi i kohës dhe në drejtim të përmirësimeve të mundshme të kushteve tepër të ulta të jetesës, pra edhe për shëndetin e përbashkët. Kjo spikati si imperativ i kohës sidomos në fushatat e luftës kundra një sërë sëmundjesh ngjitëse masive (tifos ekzantematike (të morrit), asaj abdominale, malaries, tuberkulozit, dermatomykozave, dizanterisë, sifilizit etj.etj. si dhe për përmirësime në higjienën e mënyrat e jetesës, si dhe për sa mundej edhe për shëndetin e nënës dhe fëmijës).  Për këtë, duke u shprehur me termat e asaj kohe, u vunë fuqimisht në shërbim “propaganda sanitare” dhe “puna vullnetare” për “aksione shëndetësore”.

Më pas, sidomos gjatë viteve 1963-1975, kjo traditë u riaktivizua shkallë-shkallë në mënyrë të organizuar, në lëvizjet gjithnji e më masive “me goditje të përqëndruar”. U zhvilluan fushata në formë “aksionesh”, veçanërisht për mjaft zona më të prapambetura, sidomos në ato rurale.  Objektivat kryesore të tyre (siç edhe i kemi përjetuar vetë aktivisht) ishin përqendruar në drejtim sidomos të përmirësimit të higjienës dhe të mënyrave të jetesës nëpër familje dhe bashkësi, si dhe për kujdesin e posaçëm ndaj nënës dhe fëmijës. Pjesëmarrja ishte thuajse mbarëshoqërore, me përfshirje të fuqishme të gjithë strukturave drejtuese, me masa organizative edhe për sigurim materialesh të nevojshme – enësh, pajimesh dhe orendish shtëpijake (!) natyrisht sipas mundësive mjaft të kufizuara të asaj kohe, me një aktivizim mjaft frutdhënës veçanërisht të grave dhe të të rinjve, me një propagandë shtetërore të fuqishme dhe me aktivizim të ‘ekipeve’ nga qyteti, apo edhe të ‘vullnetareve’ nga zona me nivele dhe mënyra jetese më të përparuara. (Madje një rapsod popullor, duke i bërë jehonë ndryshimeve, këndonte me çifteli: I kem’ raftat me pasqýr’, me pas’ qef në ta me u kqýr’”…)

Në atë periudhë ekzistonin mekanizma të thjeshta për “përfshirjen e masave” në veprimtari të tilla.  Ato e kishin emëruesin e tyre të përbashkët të ‘parapërcaktuar’ nga vetë natyra e mbyllur, tejet e centralizuar e sistemit politiko-ekonomik e shoqëror; gjërat funksiononin sipas modelit të njohur detyrues “nga lart-poshtë”, duke shfrytëzuar më së miri qoftë kërkesën dhe nevojat e natyrshme njerëzore për një jetesë më të shëndetshme në bashkësi, qoftë edhe mundësitë konkrete të zhvillimeve, sadoqë tepër modeste, socio-ekonomike të  kohës.

Ndërsa lidhur me konceptin ‘përfshirjenë vështrimin e qytetërimit të shoqërive te hapura perëndimore të ekonomisë së tregut (ku ne po vazhdojmë ende “debutimin”)   ka ndryshime kuptimore dhe zbatimore rrënjësore.  Konceptimi i ri, do të lehtësonte disi edhe veprimet konkrete praktike, duke përfshirë edhe strategjitë dhe metodologjitë përkatëse, për përfshirjen e bashkësive me gjithë strukturat e reja të tyre, në trajtimin e shëndetit, veçanërisht të atij komunitar.  Por duhet pranuar se kjo lloj veprimtarije është disi më e vështirë në shoqëritë e hapura, dhe aq më tepër kjo gjatë tranzicionit.

Me ndërrimin e sistemit dhe lejimin e inisiativën e lirë, sikurse dhe me lëvizjen e lirë por masive të popullatës, të grupeve, familjeve dhe individëve; me futjen (sa ka qenë e mundur tek ne) të arritjeve në teknika, teknologji, informacion dhe në infrastrukturën logjistike; ndonëse me një mori faktorësh e kushtesh vështirësuese - ku futet edhe rikthimi (jo vetëm për inercí) i frymës tekniciste të medikalizuar në funksionimin dhe drejtimin e shërbimit të kujdesit shëndetësor - ka lindur natyrshëm nevoja për një konceptim të ri kuptimor dhe zbatimor të nocionit “përfshirje e bashkësisë” për arritjen e ‘pjesëmarrjes’ në zgjidhjen  e problemeve lidhur me shëndetin .

Me zhvillimet konkrete të tranzicionit tek ne, u paraqitën edhe disa vështirësi-shtesë, të lidhura jo vetëm me faktin e shndërrimeve përmbysëse ekonomiko-shoqërore.  Ato lidhen edhe me rrënimin e ish-ekonomisë ekzistuese e jo thjesht me kolapsin e saj;  me krizat dhe kaosin social si ‘me telekomandë’; me çoroditjen (gjithsesi të çuditshme) të rendit; me mosfunksionimin e institucioneve; me shkatërrimin dhe degradimin e dhunshëm (çka nuk mund të ishte e pritshme!) për infrastrukturën e institucioneve shëndetësore ;  etj.,  etj.,  etj. 

Në këto kushte lindën tashmë bashkësi të reja të përziera (në zona urbane,  suburbane e rurale) të krijuara në mënyra spontane dhe me një përbërje krahinore- kulturore  heterogjene.  U uzurpuan ‘ad libidum’ troje e ngrehina nga shumë familje të ardhura sidomos nga zonat verilindore. Mund    thuhet se këto bashkësi të reja janë ende në një proces kërkim-zbulimi të dyfishtë:

Së pari,  për gjetje mënyrash e mjetesh për MBIJETESË (tashmë tepër të kufizuara për punësimin në vend) në kushtet dhe në zonat e reja të vendosjes;      dhe

  dyti,   për gjetjen e një IDENTITETI  të ri, dhe mënyrash të përshtatjes.

Si të tilla, në këtë fazë mund të pohohet se ato nuk funksionojnë ende si  bashkësi të mirëfillta dhe aq më pak për të qenë të konsoliduara dhe apo të  qytetëruara .  Megjithatë, janë krijuar edhe zhvillime konkrete në sensin pozitiv, të cilat kanë të bëjnë  me disa përmirësime (të diferencuara) në nivelin dhe mënyrat e jetesës.  Këto janë te  lidhura më shumë me hapjen e vendit, sidomos me emigracionin masiv.  Eshtë fjala jo  vetëm për ndryshime në infrastrukturën dhe logjistikën familjare të kushteve të jetesës të shumë  familjeve,  në fshat e në qytet, por edhe për disa përmirësime të dukshme të mënyrave të jetesës.  Dhe të tilla ndryshime duken dhe preken jo vetëm në familjet që kanë pjesëtarë në emigracion, sepse filloi menjëherë inisiativa private e tregut të lirë, me një boom të vërtetë pajisjesh, orendish e pajimesh nga më të dryshmet. Bëhej fjalë për një uri dhe etje të vërtetë masive për të gjitha llojet e tyre, deri te veshmbathja, që ishin aq të munguara e të kërkuara, duke përfshirë doemos ‘industrinë e rëndë’ familjare, të gjitha llojet e pajisjeve elektro-shtëpijake. Gradualisht filluan edhe ndërtime e ndërtesa të reja, ndonëse edhe me projekte, por, fatkeqësisht pa plane as sistemime urbanistike, dhe sidomos pa infrastrukturën e përbashkët ‘komunale’…Gjithsesi procesi vazhdon!

                                   

Ç’thonë  studiuesit   për  përfshirjen ?

Ka  patur dhe vazhdojnë përpjekjet si për përcaktimin e përkufizimin ashtu edhe  për interpretimin e konceptit të përfshirjes nëpërmjet pjesëmarrjes. Vetë pjesëmarrja  është bërë terren rrahjeje mendimesh, me synimin për një përqasje të re bashkëkohore,  lidhur me nevojën për zhvillimin e ndërhyrjeve të duhura shëndetësuese, duke u bërë   këto sa më shumë të jetë e mundur,  të orientuara me epiqendër tek njerëzit .

Ja  disa  interpretime :

 

(a)  Pjesëmarrja   si  bashkëpunim  përfitimi

Njerëzit në vendet më pak të zhvilluara, qoftë vullnetarisht apo si rezultat i   ndonjë shtytjeje apo përfitimi, zakonisht priren për të rënë dakord për bashkepunim në  vënien në jetë të ndonjë programi apo  projekti të caktuar (për shëndetin në rastin  tonë) .  

Dora-dorës flitet kryesisht për programe apo projekte ndihme nga organizma të  huaja. Zakonisht njerëzit e bashkësive vendore kontribuojnë me punën dhe ndërmjetësinë e  tyre, ose dhe me ndonjë burim tjetër të vetin (godina, pajisje, mjete, etj.) në këmbim të   përfitimeve që nxjerrin.  Këta lloj pjesëmarrësish në këtë bashkëpunim (individë apo  grupe) përllogarisin paraprakisht edhe rezultate të pritshme shtesë për vete, përveç  përfitimeve eventuale të përbashkëta, që mund të sjellë programi konkret për të gjithë.

(b)  Pjesëmarrja  si  qëllim  përfitimi    përbashkët

Në këtë lloj të pjesëmarrjes zakonisht aktivizohen sidomos grupet shoqërore të konsideruara  si “të përjashtuara” të bashkësisë apo ata më në nevojë, me burime më të kufizuara ose fare pa burime.  Këto grupe pjesëmarrësish janë pikërisht ata që, krahas kontributit që japin për të gjithë bashkësinë, bëhen edhe objekt i përfitimeve nga programet e  zhvillimit, të lidhura drejtpërdrejt  me shëndetin .

Kjo lloj pjesëmarrjeje është definuar qysh më 1987 (Paul) si “proces aktiv, ku   përfituesit ndikojnë në drejtimin dhe zbatimin e projekteve të zhvillimit, dhe jo vetëm  marrin  përfitimin (e përbashkët –AGj)  që del  nga  zbatimi  i  projektit” .

(c)  Pjesëmarrja  si  fuqizim

Në këtë përqasje të pjesëmarrjes, fuqizimi i grupeve që janë zakonisht më të pambështeturit (dhe që gjithsesi ndihen të përjashtuar nga zhvillimi) nxitet edhe ngase marrja pjesë e tyre në këto procese, vështrohet jo veç si një mundësi për të arritur aksesin e munguar, por në një farë mase, edhe për të rritur sadopak ‘kontrollin’ e tyre në vetë burimet e mundshme të zhvillimit .

Gjithashtu ky term përdoret për ta paraqitur fuqizimin si proces, nëpërmjet rritjes  njohurive, shprehive dhe aftësive me anë të trainimit të nevojshëm, për teknikat e menaxhimit të zhvillimeve të shëndetit ose për “capacity building”.  Të gjitha këto veprime në procesin e pjesëmarrjes, i rrisin mundësitë e ndikimit të njerëzve mbi sistemet e ndryshme politike, mbi administrimin, sikurse edhe në vendim-marrje; duke i aftësuar njerëzit e bashkësisë për t’i përballur më mirë edhe kërkesat “burokratike” të projektit  përkatës .

Ndërsa Friedman (1992) e sheh këtë fuqizim jo vetëm thjesht si aktivizim, por  edhe në sensin e vlerësimit dhe të rritjes së peshës specifike politike të vetë bashkësisë, me  përfaqësuesit e saj  pjesëmarrës në proceset e zhvillimit .

Në përmbledhje mund të thuhet se, përsa i takon pjesëmarrjes, dy janë interpretimet me përhapje më të gjerë:

1 -   Pjesemarrja si mjet - ku procesi vështrohet si mënyra apo mjeti që siguron  bashkëpunimin ose bashkëveprimin e njerëzve vendorë në programin apo projektin që   ofrohet  (zakonisht nga qendra, ose nga jashtë vendit).  Kjo përqasje mjaft e përhapur, e kundron në përgjithësi pjesëmarrjen si mjet për të siguruar arritjen e disa rezultateve të dëshiruara nga zbatimi i projektit të dhënë.

2 -   Pjesëmarrja si përfundim  -  si qëllim në vetvete, për të fuqizuar njerëzit e  bashkësisë nëpërmjet përfitimit të njohurive, shprehive dhe përjetimit të përvojave të  reja,  për të rritur ndjenjën e përgjegjësisë dhe shkallën e përgjegjshmërisë së strukturave   përkatëse ndaj publikut, për zhvillimet e pritshme përmirësuese në mbarëvajtjen e shëndetit të përbashkët.

Thelbi i pjesëmarrjes së njerëzve në proceset e zhvillimit, ka të bëjë edhe me dy aspekte  të natyrës metodologjike :

I  -  marrëdhëniet e njerëzve me strukturat e ndryshme të bashkësive si dhe me vetë brendinë dhe rëndësinë që ka zhvillimi i aftësive dhe shprehive të pjesëmarresve ndër bisedime (sa më multisektoriale) të lidhura këto me burimet e tyre konkrete për mbarëvajtjen e shëndetit, si dhe me ndryshimet që kërkohet të bëhen për përmirësimet  e duhura .

II – Në metodat dhe teknikat e përdorura për të lehtësuar sa më shumë që të jetë e mundur, përfshirjen e pjesëtarëve të bashkësisë vendore, në vënien në jetë të vetë programeve dhe projekteve shëndetësuese, në të githa etapat e këtyre proceseve.

 

Ç’thotë  përvoja  e    tjerëve ?

Organizata Boterore e Shendetesise (OBSh),  më 1985 zhvilloi në Brioni (të Kroacisë) një takim ndër-rajonal për të rishikuar teorinë e përfshirjes së bashkësisëzhvillimet e shëndetit. Në takim u vu theksi në konceptin se përfshirja nuk është në vetvete program shëndetësor, por PARIM  THEMELOR për zhvillimet e shëndetit. Mbledhja e Brionit studjoi gjerësisht problemet e përfshirjes me argumentet e tyre, dhe sugjeroi që ato të mund të përmblidheshin si vijon:

1 -    Përfshirja e bashkësisë në zhvillimet e shëndetit është një e drejtë themelore  e të gjithë njerëzve.  Kjo përfshirje  në marrjen e vendimeve dhe në veprime që prekin shëndetin e njerëzve, iu rrit pjesëmarrësve ndjenjën e respektit për veten dhe të përgjegjësisë edhe ndaj të tjerëve.  Si një vlerë intrinsike në proceset e zhvillimit të përgjithshëm të bashkësisë, ajo duhet nxitur për tu përdorur gjerësisht  për shëndetësinë.

2 -   Shërbimet shëndetësore në vendet në zhvillim kushtëzohen nga burime mjaft të kufizuara, prandaj kërkohet që përfshirja e bashkësisë të ndikojë që burimet  ekzistuese të mund të përdoren për t’iu përgjigjur më mirë nevojave themelore të shëndetit të vetë bashkësisë.  Por kjo, në asnjë rast nuk duhet kuptuar që të rriten shpenzimet e popullatës për koston e shërbimeve .

3 -   Pjesëmarrja e publikut në vendim-marrje e në vënien në jetë të programeve  dhe të projekteve për përmirësime në shëndet, rrit mundësinë që këto programe të jenë më të përshtatshme dhe njëkohësisht të suksesshme, për nevojat konkrete të përcaktuara  nga vetë bashkësia vendore. Pjesëmarrja jep mundësi për t’u vendosur një frymë mirëkuptimi, por edhe oponencë konstruktive nga pjesëmarrësit, ndaj shërbimit shëndetësor . 

4 -    Përfshirja e bashkësisë në zhvillimet e shëndetit komunitar e thyen kufirin e vartësisë (nga shëndetësia) që karakterizon shumë nga punët që kryhen për zhvillimet e shëndetit. Kjo përfshirje njëkohësisht e rrit më shumë vetëdijen e anëtarëve të bashkësisë,  për potencialet që kanë ata vetë, me anë të përfshirjes në këto procese.

               Më 1989, një grup studimor i OBSh-së në Gjenevë, rishqyrtoi nga lartësitë e  kohës, një sërë interpretimsh për përfshirjen (rikujtojmë këtu zhvillimet madhore me Strategjinë ‘Shëndet për të Gjithë’ (ShpGj), Kujdesin Shëndetësor Parësor (KShP) si dhe ‘Kartën e Ottaëa-s për Promocionin e  Shëndetit’, të cilat do t’i trajtojmë më me hollësi në materialet pasardhëse).  Atje u ra dakord që Përfshirja e bashkësisëçështjet e shëndetësisë është në thelb një proces ku njerëzit, qoftë  individualisht edhe në grupe, ushtrojnë të drejtën e tyre për një rol aktiv dhe të drejtërdrejtë ne zhvillimin e përshtatshëm të shërbimeve shëndetësore, në sigurimin e kushteve për zhvillimin më të mirë e të qëndrueshëm të shëndetit, dhe në mbështetjen e fuqizimit të bashkësive për zhvillimin e shëndetit.  Përfshirja e bashkësisë në çështjet e shëndetit, rrit në mënyrë aktive pjesëmarrjen e njerëzve dhe i inkurajon ata që të shfaqin interesimin e vet, të kontribuojnë dhe të marrin përgjegjësitë e veta, qoftë për ofrimin e shërbimeve shëndetësore, si edhe për Promocionin e Shëndetit .

Ndërsa  më 1990, në kuadër të KShP-së na ofrohet, ky definicion: “Përfshirja  e bashkësisë në zhvillimet e shëndetit është një proces me anë të së cilit është vendosur  një partneritet ndërmjet qeverisë me bashkësitë vendore për planifikimin, në vënien në jetë dhe në përdorimin e veprimtarive për shëndetin, në mënyrë që të përfitohet nga rritja e vetëmbështetjes vendore, si edhe nga kontrolli social mbi infrastrukturën dhe teknologjitë  e  KShP-së” .

Kur thellohesh më tej në zbërthimin e këtij përcaktimi, del se përfshirja si part-neritet, përmbledh individët, familjet, grupet, segmente të ndryshme, strukturat qeverisëse  vendore, organizimet e ndryshme të bashkësisë (OJQ-të dhe struktura private e bamirëse) si edhe punonjësit dhe institucionet e shëndetësisë – por doemos edhe bashkëpunimin ndërsektorial - në funksion të shëndetit të bashkësisë.

Në një reflektim 10-vjeçar të vrojtimeve mbi përvojat praktike të përfshirjes  (Rifkin, 1996), paraqiten të përmbledhura nga autorja ato që priteshin për t’u sjellë në  programet e KShP-së,  lidhur me përfshirjen e bashkësive në proces :

·                     Nëse njerëzit do të ishin përfshirë më mirë në vendim-marrjen për zhvillimin e shërbimeve shëndetësore, ata do t’i kishin bërë më të mira vetë  shërbimet ekzistuese dhe me një qëndrueshmëri më të plotë .

·                     Njerëzit do të duhej të ishin aktivizuar më tepër për të kontribuar në  sigurimin e burimeve të nevojshme për shëndetin, qoftë përsa u takon fondeve, qoftë kontributit me veprime (në dobi të shëndetit-AGj) ashtu si  edhe për bazën materiale të KShP-së.

·                     Njerëzit do të kishin ndryshuar edhe më shumë sjelljet e tyre jo të shëndetshme, nëse do të ishin përfshirë më mire në zbulimin e pasojave të tyre  (të sjelljeve të pashëndetshme) mbi shëndetin.

·                     Njerëzit do të kishin grumbulluar më shumë përvojë e të dhëna, për t’u  ndihmuar më tepër në rritjen e aftësive të veta, për një kontroll më të  plotë të vetin mbi sfidat e sistemit shoqëror, politik dhe ekonomik, të  cilat ia kanë privuar kontrollin e mundshëm njerëzve mbi to.

Ndonëse pjesëmarrja e bashkësisë në problemet e shëndetit nuk vepron në një  vacuum, specialistët e OBSh-së kanë identifikuar një numër faktorësh të rëndësishëm që  ndikojnë për vënien sa më me sukses në jetë të përfshirjes së njerëzve, si faktori themelor  për zhvillime pozitive të shëndetit komunitar.

 

1 .    Mirëkuptimi si dhe marrëveshja politike brenda vendit për konceptin e pjesëmarrjes së publikut.  Nga kjo rrjedh logjikisht mbështetja e domosdoshme që pritet nga shprehja e vullnetit politik, i cili merr rëndësi konkrete në praktikat e punës, sidomos në nivel të KShP-së në çdo bashkësi. Ky faktor çmohet gjithashtu si vendimtar, sidomos përsa i takon konceptimeve bashkëkohore, ashtu si edhe nëpërmjet decentralizimit të përgjegjësive  për shërbimet, me afrimin më pranë bashkësisë, dhe për fuqizimin e procesit të menaxhimit drejt rritjes së efektivitetit të këtyre shërbimeve.

2 .    Kërkohet dhe pritet të bëhet më tepër për riorientimin e veprimatrisë të  vetë instancave zyrtare që drejtojnë shëndetësinë, si edhe nga organizmat jo-qeveritare 

3 .    Kurdoherë, veçanërisht për vendet në zhvillim, situata ekonomike e vendit është ajo që i dikton burimet që vihen në dispozicion të shëndetit të bashkësisë.  Nga kjo varen drejpërdrejt, qoftë disponimi për plotësimin e kërkuar të ekipeve komplekse të nevojshme, qoftë  mbështetja e duhur me infrastrukturën logjistike, ashtu sikurse edhe përballimi i nevojës  (aq të madhe sidomos tek ne -AGj) për trainimet e domosdoshme dhe gjithë bazën e duhur përkatëse materiale (përfshirë edhe literaturën).

4 . Niveli i zhvillimit dhe nevoja e rritjes të kapaciteteve drejtuese të shëndetësisë, veçanërisht nëpër rrethe. Eshte me vend të kujtohet se sistemi shendetësor  në një rreth, sot për sot, përfshin :

(a)    strukturat e shërbimeve shëndetësore (kryesisht mjekësore) ku futen spita-let e ndryshme, poliklinikat, qendrat shëndetësore, farmacitë, ambulancat e mjekimit, klinikat dentare, laboratorë të ndryshëm, dhe klinika, kabinete, këshillimore, optika, fitnesse, etj. (duke filluar qysh nga farmacitë e më poshtë, të cilat janë thuajse që të gjitha shërbime private).

(b)   strukturat drejtuese  dhe  menaxhuese  të shërbimit  shëndetësor  ku  futen   Drejtoritë e Shëndetit Publik (ku përshihen shërbimet e parandalimit) me administratën e vet,  si edhe degët e Institutit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor (për sigurimet përkatëse me kontribute nga qytetarët).

Por me vizione demokratike, tashmë ka ardhur vërtet koha, që në problemet më kryesore të ecurisë sa më mbarëvajtëse të shëndetit të përbashkët, të fillohet gradualisht përfshirja e duhur e vetë bashkësive, për problemet e shëndetësise edhe tek ne, duke filluar nga komunitetet më të stabilizuara.  Kjo do të shërbente si model veprimi, për të tjerët.  Gjithsesi, nëpërmjet një pune tepër të menduar dhe të përgatitur më së miri, me specifikat përkatëse për çdo kontingjent e bashkesi, do të duhen aktivizuar:

            *strukturat qeverisëse vendore dhe ato drejtpërdrejt të bashkësive,  ku besoj se duhen përfshirë që nga këshillat e qarqeve e të rretheve, komitetet  (komisionet) përkatëse të zhvillimit, komisionet e përhershme të tyre dhe komisione  ad  hoc, këshillat bashkiake dhe ato të komunave (me stafet drejtuese dhe strukturat e tyre shëndetësore, arsimore, kulturore, të bujqësisë dhe ushqimit, të mjedisit, sportive, etj.);

*organizma relevante jo-qeveritare (të  rrethit, të bashkive e të komunave) duke përfshirë doemos edhe strukturat religjioze me organizmat e tyre bamirëse;

*mass-mediat qendrore e vendore,

*specialistët ekzistues të shëndetit publik, sociologë, pedagogë, psikologë, gazetarë, artistë, sipërmarrës privatë, vullnetarë të ndryshëm, etj. Po kështu doemos kërkohet *përfshirja totale e politikanëve të niveleve nga më të lartat e deri tek vendorët (me të cilët kërkohet të zhvillohet një punë e veçantë dhe e vazhdueshme, për t’i motivuar që problemet e shëndetit të bashkësisë, të përfshihen si përparësore ndër axhendat e tyre të punës.) Dhe zëri i tyre më përfaqësues, kërkohet të “koncertohet” dhe duhet bërë që     jetë  sa    ndikues,  madje  vendimtar !

            Në vitet 1994-‘95 Asamblea Botërore e Shëndetësisë (ABSh) e ngriti më lart domethënien e partneritetit ndërmjet strukturave shëndetësore me strukturat e tjera të ba-shkësive.  Atje u  pranua  solemnisht se nuk është bërë sa duhet as nga qeveritë,  as nga politikëbërësit dhe as nga drejtuesit kryesorë kombëtare, për përfshirjen në veprimet e lidhura me shëndetin dhe shëndetësinë. U theksua kërkesa për këto instanca që, në këtë drejtim, të mbajnë qëndrimet e duhura dhe të luajnë kurdoherë  ROL  PROAKTIV .   

Natyrisht që tek ne, me traditat e mirënjohura centralizante, ka shumë vend për  përpunimin e mentalitetit drejtues demokratik  edhe në shërbimin shëndetësor në qendër e nëpër rrethe, ku koncepti dhe praktika e PËRFSHIRJES SË PUBLIKUT - që duhet kthyer në conditio sine qua non - të bëhet normë e detyruar për zbatim. Kjo vështirësohet aq më tepër tek ne kur ende, në caktimin e drejtuesve të shëndetësisë, si në qendër dhe për rrethet, funksionojne mekanizma e kritere (të dukshme e më shumë të padukshme) që nuk kanë të bëjnë fare me profesionalizmin në SHËNDET PUBLIK.   Fatkeqësisht ende po vazhdohet të caktohen si drejtues kombëtarë dhe të rretheve për shëndetësinë, mjekë klinikash (sipas përkatësisë politiko-partiake), dhe jo mjekë të specializuar më së paku,  për ndonjë nga  profilet  e  SHËNDETIT  PUBLIK (!).

 

                                                                        *     *     *

                E konsiderojmë tepër instruktiv dhe domethënës të paraqesim për kolegët tanë të sotëm dhe të së ardhmes, edhe një kontribut të rëndësishëm nga një komunitet i madh botëror,  lidhur me përfshirjen.  Fjala është për një përgjithësim të bërë nga Këshilli Botëror i Kishave  (1994), që ka trajtuar përvojën përkatëse të bashkësive të veta nëpër botë për shëndetin, por dhe të bashkësive të tjera.  Po sjellim më poshtë parimet e përqasjes për aksione në dobi të zhvillimit të shëndetit që ofrohen në atë studim :

1.Nevoja për krijimin e opinionit të shëndoshë se statusi i shëndetit nuk lidhet vetëm me punonjësit e shëndetësisë.

2.Nevoja për kuptimin se përmirësimet në zhvillimet në shëndetësi, lidhen  me përmirësimet e përgjithshme shoqërore, në arsimimin bazë (të njerëzve –AGj),  për nivelin e  kushteve    jetesës  dhe të  mënyrave të  jetesës .

3.Punonjësit e shëndetësisë duhet të ndërgjegjësohen se roli i tyre në përfshirjen e bashkësisë (për veprim shëndetësues) është mbështetës (theksimi im-AGj) dhe  jo direktiv,  por sidomos qartësues, orientues dhe (gjithashtu) lehtësues.

4.Është e rëndësishme të kuptohet dhe të pranohet nevoja e partneritetit dhe  bashkëpunimit  të ngushtë ndërsektorial (për shëndetin) .

5.Veprimi i bashkësisë e merr plotësisht kuptimin dhe vlerën, vetëm kur  (nënvizimi -AGj)  njerëzit vetë  t’i kenë përcaktuar përparësitë e tyre lidhur me shëndetin, si dhe  të kenë vendosur  si do të reagojnë  për to .

 

Ja dhe mësimet më kryesore nga pikëpamja metodike, të nxjerra nga studimi i përvojës n fjalë:

I.-   Zhvillimi i ‘grupit udhëheqës’ për veprimin konkret shëndetësues në bashkësi. Këtu mbahen parasysh krijimi i këtij grupi, informimi i duhur dhe motivimi i tij për veprim.  Në grupe të tilla, kujtojmë se duhen konsideruar më me veçori dy kritere:  multisektorialiteti  i përfaqësimit në grup, si edhe  prestigji  e  reputacioni  individual  i  anëtarëve.

II.-    Rritja e numrit të mbështetësve dhe veprimtarëve (sa më me ndikim publik) përrreth grupit udhëheqës. Edhe për këtë kontingjent është i domosdoshëm motivimi (me qëndrimet e duhura) dhe aftësimi (me shprehitë e  nevojshme)  për të mobilizuar pjesëtaret e tjerë të komunitetit  për  veprim .

III.-   Rritja e aftësive të njerëzve. Kjo bëhet duke shtuar dhe përforcuar njohuritë e tyre, shprehitë, dhe   zotësitë për të vepruar  konkretisht  me efikasitet në drejtimet e kërkuara. Këtu doemos përfshihet kërkesa për aftësimin e njerëzve që të punojnë në ekip, në partneritet me të tjerët.  Bëhet fjalë edhe për vetë punonjësit mjeko-shëndetësorë, sikurse edhe për veprimtarët nga sektorët e tjerë të jetës ekonomiko-shoqërore në bashkësi. Qëllimi është që të aftësohen njerëzit për të bashkëvepruar me njeri-tjetrin me efikasitet,  në funksion të promocionit të shëndetit në bashkësinë përkatëse, duke i kapërcyer gjithsesi pengesat ekzistuese  psikologjike.

IV.-   Ngritja e “rrjeteve” të bashkëpunëtorëve (për vënien në jetë të programit shëndetësor). Flitet për aktivizimin e njerëzve të grupuar nëpër “rrjete” me përfaqësues nga pushteti vendor, nga OJQ-të, njerëz sa më me influencë, intelektualë të bashkësisë: pensionistë e veprimtarë shoqërorë me reputacion, mjekë, mësues, sociologë, psikologë, gazetarë, juristë, afaristë, ekonomistë, shkrimtarë, veterinerë, agronomë, arkitektë, ushtarakë,  etj.  Veprimtaria e tyre në funksion të bashkësisë nevojitet të mbështetet me mekanizmat  dhe  instrumentet  e  nevojshme. Shënojmë se në të gjitha hallkat e këtij zinxhiri të bashkësisë në funksion të shëndetit, kanë vendin e tyre të patjetërsueshëm GRATË  (barazia gjinore) si edhe, e përsëris, bashkëpunëtorë sa më të përshtatshëm e të përkushtuar ndaj problemeve social-shëndetësore të MAS-MEDIAVE  (të cilët gjithsesi nevojitet të trainohen për problemet e Promocionit të Shëndetit - AGj).

V.-    Krijimi i të ashtuquajturës “masë kritike” në bashkësi. Edhe kjo duhet kuptuar si synim dhe si metodë, që mund të arrihet me anë të përfshirjes së njerëzve në grupe gjithnjë e më të gjëra. Këto grupe i përçojnë më tej mesazhet shëndetësuese dhe ngrenë më lart opinionin shoqëror në dobi të veprimeve shëndetësuese të parashikuara.

                                                            

                                                           *     *     *     *

          Në veprimet dhe veprimtaritë e bashkësisë dhe me bashkësinë, për të çuar më  përpara mbarëvajtjen e shëndetit komunitar, duhen patur kurdoherë në konsideratë edhe këto  momente :

1.- Pasja e QËLLIMIT TË PËRGJITHSHËM TË PËRBASHKËT PËR SHËNDETIN si nga vetë popullata vendore edhe nga shërbimi shëndetësor. Kjo i lehtëson shumë veprimet e përbashkëta për  SHËNDETËSIM .

2.-  Ështe i nevojshme kurdoherë  KËMBIMI I INFORMACIONIT DHE I TË DHËNAVE që lidhen me shëndetin dhe zhvillimin shoqëror, që disponohen nga palët në partneritet për shëndet.  Kjo lehtëson shumanëshmërisht dhënien më me efiçiencë edhe të  kontributit të veçantë nga  pala/palët e tjera .

3.- Ështe e domosdoshme që, jo vetëm nxjerrja e problemeve shëndetësore   dhe e përparësive të ndërhyrjeve, por edhe ngritja e qëllimit, e synimeve dhe objektivave të kryhet bashkërisht e në partneritet.  Kjo do të bëjë që edhe përmbushja e tyre të bëhet  sa më cilësisht dhe në kohën optimale të mundshme.

 

4.-   Ështe DOMOSDOSHMËRI TË KUPTOHET DHE TË VLERËSOHET  nevoja e vazhdueshme për TRAINIM TË VEÇANTË (specifik) lidhur me veçoritë e punës sociale dhe të metodikave të komunikimit të suksesshëm në bashkësi dhe me bashkësinë.Kjo sidomos për punonjësit  MJEKO-SHËNDETËSORË të KShP-së  për sa  u takon njohurive, qëndrimeve dhe shprehive që kërkon ky aspekt i veprimtarisë,  sikurse  edhe për përmbushjen me performancë të lartë të këtyre detyrave.  Këto duhen kryer me të njëjtën shkallë përgjegjshmërie sikurse edhe detyrat në fushat e zakonshme të  diagnostikim-trajtimit të të sëmurëve, edhe në ato administrative .Po kështu trainimi nevojitet për partnerët e tjerë në proces, ndonëse drejtimet e këtij trainimi kërkojne që aty të ofrohen të përfshira doemos, edhe të dhëna të veçanta të përshtatura sipas përkatësisë, edhe për shëndetin.

5.-  Të sigurohet MBËSHTETJA POLITIKE si brenda sistemit shëndetësor e  më gjerë në strukturat e tjera vendim-marrëse të bashkësisë, për të gjitha llojet e veprimtarisë, në funksion të Promocionit të Shëndetit .

                                                                *      *      *

Kështu që përfshirja e publikut me pjesëmarrje për mbarëvajtjen e shëndetit,  duhet vështruar në kompleksitet. Ajo nevojitet të shihet jo vetëm si PARIM  THEMELOR  dhe  TIPAR,  por edhe si  SYNIM  dhe  SFERË  PRIORITARE, si një STRATEGJI e përherëshme, si një PROCES i vazhdueshëm dhe një METODOLOGJI e patjetërsueshme  e  vetë  PROMOCIONIT    SHËNDETIT.  Dhe si i tillë, vetë PROMOCIONI në vetvete bëhet në praktikë shprehja shumë e lartë e zhvillimit të DEMOKRACISË   PARTICIPATIVE  (pjesëmarrëse) në problemet e shëndetësisë.

 

 

           

PËR PROMOCIONIN E SHËNDETIT NË SHQIPËRI

 

Duhet rikujtuar se Edukimi Shëndetësor (ESh) ose Edukimi për Shëndetin (EpSh)  konsiderohet si nderhyrja sociale që synon të ndryshojë në mënyrë të vetëdijshme e të qëndrueshme faktorin subjektiv, kryesisht sjelljen njerëzore dhe mënyrat e jetesës, në dobi të shëndetit. Dihet se ky proçes përfshin njohuritë përkatëse, perceptimet, qëndrimet, bindjet, sjelljet si edhe veprimet dhe praktikat jetësore individuale dhe ato të familjeve, të grupeve, të bashkësive dhe të të gjithë shoqërisë, të lidhura këto me synimin sa më mbarëvajtës për shëndetin.

Vetë EpSh-ja është në epiqendër të strategjisë së Promocionit të Shëndetit (PSh).  Vokacioni i këtij të fundit është që të lehtësojë dhe të mundësojë ndërgjegjësimin dhe aftësimin e bashkësive drejt gjenerimit të një lëvizjeje shoqërore me synime gjithintegruese për të vepruar në të mirë të shëndetit, duke filluar qysh nga niveli individual, i familjes e i grupit, ai i bashkësive, e deri në nivel mbarëshoqëror. Për këtë kërkohet që të ndërgjegjësohen e të përfshihen patjetër në këtë proces edhe strukturat qeverisëse, ato jo-qeveritare dhe ato opinion-formuese, ata që ndërmarrin politika të ndryshme zhvillimesh  ekonomiko-shoqërore,  si edhe kushdo tjetër që ka kompetenca, qoftë edhe si individ privat, për të marrë vendime, të cilat lidhen me zhvillime që gjithsesi e prekin, në një mënyrë  apo në  një tjetër, shëndetin ose mjedisin.

           

Si  maten  ndryshimet    Edukatën  dhe  Kulturën  Shëndetësore

Kujtojmë se ndryshimet e pritshme në edukatën dhe në kulturën shëndetësore të njerëzve e të bashkësive, për fuqizimin e ndikimit të faktorëve socialë e komportamentalë (të sjelljes dhe të mënyrave të jetesës) në të mirë të shëndetit,  pasqyrohen  :

(a)   rritjen e njohurive të njerëzve lidhur me shëndetin dhe ndikuesit mbi të;

(b) përmirësimin e interesimit, bindjeve, gjykimeve dhe qëndrimeve (jo vetëm vetjake) rreth mbarëvajtjes së shëndetit,     si edhe në (c) ndryshimet në kahun pozitiv të sjelljeve, shprehive, veprimeve dhe të praktikave jetësore lidhur me shëndetin.

Këto vështrohen në lidhje me vendimet konkrete që merren nga njerëzit në cilindo rast (edhe në rastet e mëdyshjeve të ndryshme) rreth asaj çka duhet apo nuk duhet kryer në jetën e përditëshme, ashtu sikurse edhe të normave shoqërore dhe të zhvillimeve të jetës social-ekonomike – të lidhura këto me ndikimet e mundshme mbi ecurinë e shëndetit vetjak, familjar dhe të përbashkët.

Kësisoj, EpSh nuk ka të bëjë vetëm me përhapjen e njohurive të duhura për të ndikuar në mbarëvajtjen e shëndetit, siç kuptohet rëndom nga shumëkush; aq më tepër ky edukim nuk mund të konsiderohet e të trajtohet si propagandë e regjimeve apo forcave të caktuara politike, qeverisëse ose jo.  EpSh  ka të bëjë me aftësimin e njerëzve dhe të bashkësive (me të gjitha strukturat e tyre) për të vepruar secili, aq sa i përket atij vetë, kudo e kurdoherë, për të përmbushur përgjegjësitë që i takojnë në dobi të shëndetit të vet, ashtu si edhe të të tjerëve, duke u nisur kryesisht nga parimi i mosdëmtimit.

           

OBJEKTIVAT:

Objektivat  thelbësore    këtij  proçesi janë që, të lehtësohet dhe mundësohet për të gjithë ky lloj aftësimi për marrje përgjegjësish nga çdokush për shëndetin, që të arrihet:

·                     përcaktimi sa më drejt nga vetë njerëzit dhe bashkësitë e tyre, i proble-meve të ndryshme dhe i nevojave që ata kanë lidhur me mirëmbajtjen dhe mbarëvajtjen e shëndetit vetjak dhe të atij të  përbashkët;

·                     veçimi i detyrave që mundet dhe duhet të kryhen prej vetë njerëzve për mbarëvajtjen e shëndetit të tyre, si dhe i atyre detyrave që duhen përm-bushur prej strukturave të ndryshme vendore e qendrore të pushtetit dhe të vetë organizmave social-ekonomike të bashkësive;    si dhe

·                     vendosja drejt përsa u përket veprimeve që duhen kryer apo moskryer, për të mos cënuar as shëndetin vetjak dhe as atë të bashkësive, si për të sotmen edhe për të ardhmen.

Ndërsa Promocioni i Shëndetit konsiderohet si proçesi që u krijon njerëzve mundësitë për të rritur kontrollin e tyre ndaj shëndetit të vet dhe ta përmirësojnë atë,  duke u aftësuar për t’i përcaktuar dhe përmbushur vetë, në mënyra e rrugë të  shënde-tshme  nevojat e veta të shëndetit,  ashtu  si  edhe    zhvillohen  sëbashku  me  mjedisin rrethues, duke iu përshtatur atij. (Karta e Ottaëa-s për Promocionin e Shëndetit,  1986).

Pra ky proces, me në epiqendër EpSh, ndikon fuqishëm jo vetëm për shënde-tësimin e faktorëve SUBJEKTIVË vetjakë dhe shoqërorë, por edhe në atë të   faktorëve  OBJEKTIVË  mjedisorë.  Kështu që, në fund të fundit, PSh duhet kuptuar në praktikë si  veprimi dhe veprimtaria shëndetësuese e njerëzve dhe bashkësive në të mirë të mbarë-vajtjes    shëndetit  për    tashmen  dhe    ardhmen.

Pak  historik

Në Shqipëri, pak e nga pak qysh në vitin 1989, me shqyrtimin e shërbimit shëndetësor në Kuvend (Vendimi Nr.189 dt.21.6.89), gjithsesi iu hap rrugë më tej fuqizimit të veprimtarive edukativo-shëndetësore, që realisht çonin drejt promocionit të mëtejshëm të shëndetit. Kjo u bë fillimisht brenda vetë sistemit ekzistues të shëndetësisë, brenda vetë dikasterit, sidomos nga titullari kryesor i saj, ndonëse me kapacitete institucionesh mjaft të brishta sidomos për ESh-në (ish-Drejtoria e Edukimit Shëndetësor e Ministrisë së Shëndetësisë dhe nga ish-Shtëpitë e Edukimit Shëndetësor të rretheve). Por, sidomos me ndërrimin e sistemit eknomiko-shoqëror me aspiratën drejt një shoqërie të hapur, u fillua një përpunim më i veçantë shkallë-shkallë i opinionit drejt koncepteve të PSh-së, me asis-tencë teknike sidomos nga Organizata Boterore e Shendetesise (OBSh-ja).  Në kushtet e reja ekonomiko-shoqërore të krijuara, u punua edhe për (ri)vendosjen sa më solide të një bashkëpunimi të posaçëm sa më integrues, veçanërisht me partnerët ‘tradicionalë’ më kryesorë për edukimin shënde-tësor: sistemin arsimor dhe mass-median. U bashkëpunua fuqishëm në këtë drejtim, sidomos për futjen në shkolla të programeve të Edukatës Seksuale. Duhet pranuar fakti se kësaj i shërbeu në mënyrë të veçantë, sidomos nga gjysëmviti i dytë i 1990-ës, situata tepër rrezikuese dhe kërcënuese për përhapjen e infeksionit VIH/SIDA (HIV/AIDS) tek né (të cilën e kemi trajtuar shumë herë edhe në mediat e ndryshme të kohës).

            Megjithatë, për  fat të keq,  pavarësisht përpjekjeve të njëpasnjëshme të bëra  me drejtues të ndryshëm pasardhës në dikaster (e madje më lart), për institucionalizmin në politikën e re shëndetësore shqiptare Promocionit si frymë, ky synim nuk u arrit dot;  edhe pas Konferencës Ndërkombëtare të G-24  prill 1993. Kjo nuk u arrit dot as dhe pasi u zhvillua edhe në vetë Ministrinë e Shëndetësisë Seminari Kombëtar për Promocionin e Shëndetit në Shqipëri (me mbështetje e ndihmë teknike nga OBSh) në prill ’94, por mjerisht  kjo nuk u bë as edhe më pas  (!)...

Por ndërkohë, 

a)  Në vitin 1994-95, si idé e kristalizuar qysh 3-4 vitet paraardhëse arriti që, qysh në kurrikulumin e formimit të mjekëve specializantë më të parë 3-vjeçarë pasunive-rsitarë për Shëndet Publik, të përfshihej një hapësirë për zhvillimin e një lënde të re krejt të veçantë: Edukim Shëndetësor dhe Promocion Shëndeti”; ndonëse qysh në fillim kjo hapësirë ishte e vogël. Aty, me mbështetjen të gjithë kolegëve në ish-Katedrën e Higjienës (tani Departament i Shëndetit Publik) të Fakultetit të Mjekësisë, kjo lëndë mu ngarkua personalisht deri në vitin akademik 2002-03... Por megjithatë, tendencat medikaliste të shfaqura edhe me vështrimin rëndom mjaft ngushtë të ‘shëndetit publik’, (konkretisht vetëm me sytë e profileve tashmë tradicionale të parandalimit: higjienës, epidemiologjisë (anti-infektive) e mikrobiologjisë) për fat të keq, vazhdojnë të ndikojnë në një masë a një tjetër, heshtazi por edhe dukshëm, edhe në praktikat konkrete të institucioneve të mirëfillta të shëndetit publik.

            b) Me përpjekje të shumta vërtet shumëvjeçare, përballë mbisundimit thuajse absolut të mentalitetit medikalist në shëndetësinë e pas-hapjes së vendit, u zhvilluan disa seminare me OBSh-në, UNICEF-in, IPPF-in dhe UNFPA-në (1991-1994), si dhe më pas (1995-1997) në një mënyrë shumë komplekse dhe eksplicite me UNICEF-in edhe me Qendrën Italiane Eksperimentale Ndëruniversitare për Edukimin Shëndetësor (CSIES) të Peruxhias - institucion ekspertize ky i OBSh-së për EpSh-në. Më në fund, sipas përvojës sonë sado modeste me lëndën e filluar më së pari me specializantët pas-universitarë në shëndet publik, ndonëse me një program mjaft të reduktuar, arriti që lënda e Edukim-promocionit, të futej dhe për studentët, në kurrikulën e Degës së Mjekësisë të Përgjithshme të Fakultetit të Mjekësisë (ndonëse kjo nuk u arrit dot për degët e tjera: infermieristikë, stomatologji, dhe as në farmaci).

c)  Po kështu, pas një pune mjaft të veçantë e të zgjeruar me gjithë faktorët dhe aktorët politikë-bërës dhe ata vendim-marrës, u arrit më së paku formalisht të hidhej një hap përpara, me ngritjen e statusit të ish-Drejtorisë së Edukimit Shëndetësor të Ministrisë së Shëndetësisë - si institucion qendror i profilizuar metodiko-organizativ i Ministrisë së Shëndetësisë për organizimin dhe drejtimin e EpSh-në në shkallë vendi.  Ky institucion u  arrit të kthehej në Qendër Kombëtare të Edukimit dhe të Promocionit për Shëndetin (1997),  me synimin për të ecur në të ardhmen më mirë, më shpejt dhe me sa më shumë dinjitet, profesionalizëm por edhe me performancë, drejt krijimit të një Instituti kombëtar të mirëfilltë e kompetent, për zhvillim të fuqishëm të Promocionit të Shëndetit. 

(Por fatkeqësisht, se sa e si arriti ta ‘justifikojë’ veten kjo qendër kombëtare, sidomos me drejtues, por deri diku dhe me personel të emëruar me mjaft subjektivizëm, pse jo edhe me mediokritet e naivitet bashkë, dhe sa u vlerësua apo sa e si vazhdon edhe sot të vlerësohet realisht edukimi shëndetësor dhe promocioni i shëndetit në kompleksitetin e tyre, mund të deduktohet edhe fare thjesht nga fakti se si institucion, ky u suprimua fare pas tre vjetësh, qysh në vitin 2000 (!?).  Kjo ‘Qendër Kombëtare‘ nuk arriti dot as ‘të ngrohë vezët për vete’- pa lé më të drejtonte siç duhej strategjikisht e siç kërkohej realisht, me profesionalizëm të lartë edhe metodikisht e organizativisht në shkallë vendi, tërë veprimtarinë e duhur kaq të nevojshme edukativo-shëndetësore. Tek ne, për vetë specifikat e zhvillimeve historiko-shoqërore në vendin tonë, do të ishte dashur të zhvillohej për gjithë këto kaq e kaq vjet, një veprimtari progresivisht vërtet tepër e madhe dhe shumë e fuqishme edukativo-shëndetësore, e programuar dhe menaxhuar më së miri e me profesionalizëm dhe në mënyrë të vazhdue-shme me publikun (!).  Por ky institucion kombëtar më se i domosdoshëm dhe krejt i patje-tërsueshëm (e jo thjesht e vetëm për vetë sistemin tonë të institucioneve të kujdesit shëndetë-sor); u përfshi administrativisht, thjesht si një shërbim shtesë në Institutin e Shëndetit Publik (IShP)! U bënë kështu menjëherë me kaq naivitet dhe amatorizëm, këto hapa kaq regresivë !)

                     

    Insinuata  

Duke marrë shkas nga kjo (le ta quajmë me eufemizëm ‘gabim’), e konsideroj me vend që të ritheksohet përsëri se, veçanërisht për kushtet konkrete të vendit tonë, ku:

·                     megjithë ndryshimet e ndodhura e të tjera që po ndodhin, sidomos në kushtet materiale të jetesës, dihen se në ç’nivel të ulët janë si edukata edhe kultura shëndetësore, sikurse përgjithësisht edhe vetë traditat në mënyrat e jetesës  (si faktorë subjektivë, së bashku me ata socialë !);

·                     dihen njëkohësisht edhe kushtet higjieno-sanitare dhe ato mjedisore realisht  të ulëta  të jetesës dhe të vend-banimeve tona (dmth  faktorët objektivë);

·                     shoqëruar këto me formimin aq të dobët e shumë të mangët social-preventiv të vetë personelit mjeko-shëndetësor të të gjitha niveleve e kategorive (duke përfshirë doemosdo këtu për fat të keq, edhe vetë drejtuesit e shëndetësisë në të gjitha nivelet - ta themi me dashamirësi - pak profesionalë në shëndet publik dhe në menaxhim);

·                     një shoqëri ende të pastabilizuar  si shoqëri e hapur e mirëfilltë (as sa i takon mentalitetit;  as ndjenjës së komunitetit - ku edhe niveli për marrje përgjegjësish e vullnetarizëm në dobí të komunitetit, është realisht ende tepër i ulët;  as niveli i interesimit të duhur të shtetit dhe të pushtetit për shëndetin si prioritet;  as sa i takon ndërgjegjësimit dhe bindjes reale të drejtuesve të organeve të pushtetit për këto probleme, sikurse dhe strukturave të shoqërisë civile - as aktive sa duhet dhe aq më pak të fuqishme ; - etj.etj)

del se detyrimisht është më se e domosdoshme që të punohet shumë seriozisht që të perceptohet shumë më tepër, më mirë e më drejt, vetë roli i EpSh-së dhe i PSh-së, për mbarëvajtjen (në mënyrë multisektoriale) të shëndetit, qoftë të atij individual dhe aq më tepër për nivelet komunitare dhe shëndetin e përgjithshëm.

Lidhur me këtë, nga njëra anë vlerësohet se, për një mbarëvajtje cilësisht shumë më të plotë dhe më efikase të të gjitha programeve të IShP-së, që lidhen me pjesëmarrjen e publikut - kërkohen doemos edhe specialistë metodistë ekspertë të aftësuar mirëfilli lëmenjtë e pafund të EpSh-së & PSh-së.  Me kontributet e tyre (është fjala për nivel profesional!) mund të rritet vërtet ndjeshëm performanca në publik e cilitdolloj programi shëndetësues.  Prandaj gjykohet dhe duhet vështruar si një domosdoshmëri e kohës, përfshirja në IShP e specialistëve të EpSh-së. Por po kështu do duhet bërë edhe në të gjitha institucionet e tjera kombëtare shëndetësore e social-shëndetësore, si qendrat spitalore universitare, institucionet e sigurimeve social-shëndetësore, etj., të cilat kanë (ose më saktë duhet të kenë!) programe komplekse përkatëse të vazhdueshme ndërgjegjësuese, kryesisht për parandalimin por edhe për organizimin, për informimin e duhur dhe kompetent, si dhe për aktivizimin sa më pjesëmarrës të publikut në problematikat e topikat përkatëse, të cilat nevojitet të mbulohen në mënyra fuqimisht parandaluese prej atyre institucioneve, për të arritur zgjidhje më të plota e sa më ‘gjithëpërfshirëse.

Ndonëse nga ana tjetër, edhe sikur të ishin kompletuar në të gjitha institucionet tona kombëtare të tilla struktura të EpSh-së sado të thjeshta por me nivel profesional (për programet e veta shëndetësuese sipas përkatësisë së problematikave me publikun të vetë secilit institucion), nuk mund të pranohet kurrsesi suprimimi i Qendrës Kombëtare të Edukimit dhe Promocionit të Shëndetit, sado me mangësi të theksuara të ishte ky institucion i drejtimit kryesisht metodologjik të EpSh-së në shkallë vendi. Ai, në as edhe një rast, nuk duhej fshirë ‘me një të rënë të lapsit’, sikur të ishte ndonjë shtojcë krejtësisht burokratike e natyrës së mirëfilltë administrative. Këtë veprim do të dëshiroja ta konsideroj thjesht si të nxituar apo ‘keqkuptim’, ndonëse duket haptas se është naivitet dhe moskuptim, e për rrjedhojë mosvlerësim. Aq më tepër, vështruar tashti pas disa vjetësh, del qartë se kemi të bëjmë me një “shkurtim” krejtësisht pa vend. Ky veprim i paprecedent edhe në monizëm, madje përkundrazi, është pasuar me rrjedhoja shumë të mëdha e të rënda regresive nga mosvënia në jetë me efiçiencën më të plotë të mundshme, të programeve shëndetësuese parandaluese, aq të domosdoshme tek ne. Është fjala për programet e munguara, që duhet të ishin konceptuar dhe implementuar hap-pas-hapi në shkallë vendi, me kompetencë vërtet të plotë profesionale organizativo-menaxheriale të EpSh-së, për të arritur sensibilizimin, informim-komunikim-edukimin, ndërgjegjësimin, bindjen, motivimin dhe aktivizimin multisektorial të gjithë strukturave dhe të publikut, në dobi të shëndetit. Duhet pranuar se mjerisht është thelluar edhe më tej dëmi i pallogaritshëm që është shkaktuar nga mosveprimet e duhura institucionale e profesionale edukativo-shëndetësore në shkallë vendi, të prejardhura këto nga uzurpimi i shëndetësisë prej mentalitetit medikalist. Kjo është më se evidente, dhe fjala është jo vetëm dhe thjesht për punën përkatëse në sistemin e institucioneve të kujdesit shëndetësor, por edhe në moskoordinimin e duhur institucional dhe me nivele vërtet profesionale, kaq të domosdoshëm si në qendër dhe në bazë, sidomos me sistemin arsimor dhe me atë të masmediave. Një gjë e tillë ka sjellë dhe sjell përditë ndikime negative për të tashmen, por dhe me reperkutime të dëmshme ndër breza, madje deri edhe në të tilla të pariparueshme në kohë, për të ardhmen e të gjitha komuniteteve tona, në të gjitha segmentet përkatëse të popullatës.

            Mund të thuhet pa asnjë hezitim se, në qarqet serioze akademike e profesionale të mirinformuara për këtë subjekt (sado që duhet pranuar se - për arsye subjektive jo të pa- njohura në realitetin tonë fluid - prej tyre artikulohet pak) ekziston bindja e plotë që, ish-Qendra Kombëtare e Edukimit dhe Promocionit të Shëndetit, do të duhej riorganizuar dhe fuqizuar seriozisht dhe me një ndjenjë shumë të lartë përgjegjësie, për ta kthyer realisht atë në një institut vërtet profesional dhe prestigjioz, të paktën po aq sa IShP, në mos edhe më shumë; Kjo kërkohet për të mundësuar plotësisht kthimin e tij në një promotor përherë aktiv dhe sa më efektiv, sëbashku më të gjithë shërbimin e filialeve përkatëse në shkallë vendi. Kjo do të bënte që problemet e EpSh-së dhe të PSh-së nga këto institucione, të ndiqeshin e të trajtoheshin en bloc dhe, jo thjesht e vetëm për disa programe të veçanta e me hapësira të kufizuara, të sponsorizueshme nga donatorë të ndryshëm (pse jo dhe me përfitime partikulariste të ndokujt). Prandaj edhe në asnjë mënyrë nuk mund të pranohet më që ky shërbim i patjetërsueshëm, sa profesional aq dhe politiko-socio-shëndetësor, me rëndësi strategjike për mbarëvajtjen e shëndetit të popullatës e të brezave, të kundrohet edhe më tej si një nëpunësí e thjeshtë. Ka ardhur koha që ky shërbim të rivlerësohet seriozisht e me shumë përgjegjësi para kombit, mbasi, krahas së qëni shërbim tepër i profilizuar e i specializuar, është njëkohësisht edhe po kaq gjithëpërfshirës e tepër multidisiplinor e intersektorial, prandaj ai nevojitet që të përfshijë në rikonceptimin e tij, veç të tjerash edhe aspektet social-psiko-pedagogjike, ato moralo-etiko-deontologjike, antropologjike kulturore, social-juridike, madje edhe një mori aspektesh mirëfilli artistike, përveç aspekteve thjesht mjeko-shënetësore. Kuptohet që në një shoqëri të hapur e vërtet demokratike, nuk mund të jetë më e pranueshme që, nëpër role të specialistëve kombëtarë metodistë të mirëfilltë për EpSh, role le të themi profesionalisht me kërkesa tepër të larta (nga vështrime të shumanëshme) të punësohen, dhe të mbahen ende, aq më pak akoma edhe si drejtues, njerëz pa ndonjë performancë specifike profesionale të spikatur në këtë profil; apo as qoftë edhe për komunikimin publik, që eshtë më se i domosdoshëm për IEK për shëndetin, pra gjithsesi jo të përshtatshëm! Cilitdo, me shumë të drejtë i lind pyetja: mos vallë ndodh kjo për shkak të ndikimeve të lidhjeve të ndryshme me qarqe që u qëndrojnë afër, apo që kanë qenë ose vazhdojnë të jenë drejtpërdrejt të lidhur me individë në pushtet?! Kjo gjithsesi nuk mund të mos përbëjë një fatkeqësi me dëme të pallogaritshme të interesit të mbarëvajtjes së shëndetit publik në mbarë vendin dhe, e përsërisim, edhe për brezat e ardhshëm…Déjà vécue!

                                                                  

Cilat  janë  kushtet  tek  né ?

  realitetin  specifik  shqiptar  të viteve të fundit (1991 e këtej), mbi shëndetin vazhdojnë të mbizotërojnë ende dhe të ndërveprojnë dukshëm e padukshëm, në një masë a në një tjetër, një sërë sfidash me faktorë e rrethana me tendeciozitet haptas përkeqësues mbi shëndetin dhe në treguesit realë të gjendjes shëndetësore të popullatës.

Të tillë janë :

·                     niveli ekonomik i jetesës tepër i ulët dhe i acaruar nga tranzicioni  i stërzgjatur dhe i vështirë, papunësia, varfëria, elemente imanente korrupsioni  si edhe  nga  krizat e herëpasherëshme dhe kaosi  social ;

·                     opinioni shoqëror i tronditur dhe ende i çoroditur, i pastrukturuar në mënyrë të qëndrueshme si shoqëri me bashkësi civile ;

·                     kushtet e ulëta higjieno-sanitare të jetesës dhe ato të mbrojtjes e të ruajtjes së mjedisit të përbashkët dhe të atij natyror ;

·                     edukata dhe kultura shëndetësore e njerëzve tepër e mangët, me shumë koncepte, sjellje, praktika jetësore dhe mënyra jetese jo të shëndetshme ;

·                     situata epidemiologjikisht kërcënuese për përhapje të mëtejshme  valësh me sëmundje ngjitëse, sodomos ato me rrugën fekalo-orale, në atë seksuale,  antropozoonozat, etj. ;

·                     interesimi social tepër i pakët për shëndetin e përbashkët apo qoftë edhe nga vetë njerëzit për shëndetin e bashkësisë së vet, apo për parandalimin, me mbizotërim të plotë të interesimit të tyre vetëm për cënimet, sidomos ato më imediate, të shëndetit të vet dhe të familjes së tyre ;

·                     valët e shumta të emigracionit masiv ilegal jashtë vendit dhe në  kushte  tejet    vështira  për njerëzit ;

·                     valët e shumta të migracionit të brendëshëm spontan të popullsisë dhe vendosja për banim familjar në kushte shëndetësisht të papërsh-tatshme, nëpër zona kryesisht suburbane e rurale, por dhe urbane, pa infrastrukturën sanitare, ose edhe në zona mirëfilli të ndotura ;

·                     niveli tepër i ulët i përgatitjes dhe formimit social, preventiv dhe menaxherial i drejtuesve të emëruar (fatkeqësisht jo për merita profesionale) thuajse në të gjithë sistemin e drejtimit të shëndetësisë nëpër rrethe, ku do të duheshin doemos njerëz me specializim në Shëndet Publik, pa folur edhe për institucionet shëndetësore ;

·                     cungimi dhe reduktimi drastik i shumë institucioneve shëndetësore, sidomos i atyre të kujdesit shëndetësor parësor, veçanërisht në zonat rurale e sidomos në ato malore, dhe përgjithësisht herë-herë, deri edhe në dalje të gjendjes nga kontrolli;  

·                     tendenca masive e biznesit për zhvillim veprimtarish ekonomike, të ethshme për fitime të menjëherëshme e të shpejta, pa vlerësuar aspak sigurinë për mosndikim dëmprurës mbi jetën dhe shëndetin e të tjerëve, apo aq edhe më pak, mbi mjedisin ;

·                     mungesa në praktikën jetësore e normave shëndetësore të konsolidu-ara ose të kodifikuara me akte normative të rëndësishme, shoqërisht  të justifikueshme dhe publikisht të pranueshme, por edhe realisht vepruese në jetesën e bashkësive ;

·                     kapacitete (njohuri, aftësi, cilësi, shprehi, shkathtësi dhe mundësi) edukativo-promocionuese për shëndetin krejtësisht të kufizuara, thuajse të papërfillshme në shkallë vendi, për bashkëveprimet kaq të nevojshme ndërsektoriale, për të mundur që të ndikohet vërtet fuqimisht mbi faktorët objektivë dhe mbi kushtet subjektive (sociale e komportamentale), të cilat janë përcaktuese mbi ecurinë dhe mbarëvajtjen ose jo të shëndetit të përbashkët ;

·                     infrastruktura e brishtë e mbrojtjes shëndetësore parandaluese si dhe kryesisht kjo për EpSh-në në mënyrë të munguar ose tepër të mangët, me shumicën e personelit të shëndetit publik të paformuar thuajse krejtësisht për promocionin, fatkeqësisht, në një farë mase, edhe mjaft të pamotivuar për ndryshim të stereotipit të kryerjes së detyrës ;

·                     keqadministrimi me mbizotërim të mentalitetit medikalist dhe në praktikat e konceptimit, të menaxhimit dhe të vënies në jetë të shërbimit shëndetësor, sidomos të kujdesit parësor, duke filluar qysh në vetë Ministrinë e Shëndetësisë, e cila nuk po arrin dot ende të kryejë siç duhet misionin dhe funksionet e duhura, për vënien në jetë realisht të veprimeve të kërkuara, për strategjitë dhe për politikat shëndetësore parandaluese;

·                     mosinteresimi institucional as për sigurinë e cilësisë të kujdesit shën- detësor me standarde, as për informatizimin e të dhënave nëpër institucione, si dhe as për akreditimin e domosdoshëm e sistematik të institucioneve shëndetësore të vendit ;

·                     nivel ende tepër i pamjaftueshëm i formimit universitar si dhe i kualifikimit të mëtejshëm e të vazhdueshëm, të kërkuar veçanërisht në fushat e përgatitjes social-preventive jo vetëm për mjekët dhe infermieret në KShP, sikurse edhe për të gjitha kategoritë e personelit tjetër të lartë mjeko-shëndetësor të vendit ;

·                     nivel ende tepër i pamjaftueshëm i formimit dhë përgatitjes së duhur me kompetenca të mirëfillta pedagogjike apo edhe metodiko-pedagogjike, të vetë stafit mësimdhënës universitar, veçanërisht kjo përsa u përket fushave multidisiplinore të profileve të lëndëve të ndryshme socio-edukativo-shëndetësore ;   

·                     bazimi i pamjaftueshëm ligjor e normativ (për kushtet e reja) si edhe reforma shëndetësore ende e papërfunduar, e pastabilizuar, dhe e paimplementuar, ndonëse me shpërpjesëtime mjaft të pafavorshme për mjekësinë parandaluese e sociale dhe, në mënyrë veçanërisht të mangët dhe anashkaluese, pse jo edhe realisht denigruese, përsa i përket Edukimit për Shëndetin dhe Promocionit të Shëndetit ;

·                     nivele shumë të ulëta të GDP për shëndetësinë dhe mospërfshirja e kujdesit spitalor (dytësor dhe tretësor) endé në skemën e sigurimit të kujdesit shëndetësor ;    si dhe

·                     mosdhënia e autonomisë së menaxhimit financiar institucioneve shëndetësore, që ka të bëjë edhe me mbajtjen jo-dinjitoze dhe arbitra-re të pagave të ulëta të personelit mjeko-shëndetësor, çka lidhet edhe me rritjen gjithsesi të mundësive për shfaqje abuzive e korruptive,  etj.

Por gjithsesi, në këtë trajtesë nuk mund të pretendoj të kem qenë krejtësisht gjithëpërfshirës dhe aq më pak shterrues, sidomos kjo sa u takon: perceptimeve të publikut për shëndetësinë; atyre të publikut dhe të pacientëve për shërbimet e kujdesit shëndetësor;  as dhe perceptimeve vetë personelit përkatës;  gjithashtu as edhe përsa i takon problemeve të informatizimit të shërbimeve; apo problemeve të shumta të mungesave të tjera të gjithfarëllojshme në infrastrukturë e në logjistikën mjeko-shëndetësore  (sidomos kjo mjaft e shprehur ndër institucionet publike të shërbimeve të kujdesit shëndetësor)  për teknologjitë bashkëkohore për shëndetin; etj. etj.

 

Mangësi  tonat    formimin  social-preventiv.  

Për rrethanat që lidhen me faktorët subjektivë, vlen të evidentojmë sërish, si edhe të veçojmë një ndikues mjaft    rëndësishëm.  Me tranzicionin drejt një vendi të shoqërisë së hapur demokratike,  brenda vetë sistemit shëndetësor,  ka rënë dukshëm në sy fakti se personeli mjeko-shëndetësor i të gjitha kategorive dhe niveleve, qofshin ato drejtuese  por edhe në të gjitha nivelet zbatuese të kujdesit shëndetësor, kishte dhe ka mangësi të dukshme formimi në drejtimin shumëdisiplinor të komponentit social-preventiv e promocionues, si edhe të atij menaxherial.  Mangësitë dhe mungesat, që përbëjnë më së shumti objekt për lëndët me karakter të mirëfilltë integrues si “Edukimi Shëndetësor dhe Promocioni i Shëndetit” apo “Etika dhe Deontologjia Mjekësore”, kanë të bëjnë kryesisht me :

·                     Sferën filozofiko-konceptuale të marrëdhënieve shëndet-mjedis-shoqëri (e hapur) dhe të atyre shëndet-promocion-edukim-mbrojtje shëndetësore ;

·                     Problematikën përkatëse social-psikologjike dhe antropologjike kulturore të shëndetit, me atë të sferës emotivo-komportamentale si dhe të konstitucionit shpirtëror  të bashkësive tona (që janë tashmë tepër heterogjene nga lëvizjet e brendëshme migratore);

·                     Sferën etiko-deontologjike profesionale të shërbimit shëndetësor në përgjithësi, si nëpër vetë institucionet mjeko-shëndetësore publike apo private, por veçanërisht kjo rreth veprimtarisë  parandaluese, dhe  sidomos    asaj  edukativo-promocionuese për shëndetin ;

·                     Njohuritë, aftësitë, shprehitë dhe kompetencat menaxheriale dhe metodologjiko-organizative, ato edukativo-pedagogjiko-didaktike, si dhe për ato informuese-edukuese-komunikuese, lidhur sidomos kjo me shëndetin komunitar;

·                     Sferën politiko-promocionuese shumësektoriale ndaj shëndetit të bashkësisë, mjedisit mbështetës dhe të zhvillimeve ekonomiko-shoqërore (por dhe mjedisore) sa më të qëndrueshme;     ashtu si edhe

·                     Aftësitë organizativo-administrativo-menaxheriale mbi baza shkenco-re, metodike  e juridike për konceptimin, hartimin, vënien në jetë dhe monitorimin profesional të strategjive shëndetësuese - të diskutuara doemos paraprakisht më së miri me të gjithë partnerët: qofshin aktorë e faktorë (grupet e interesit) dhe ekspertë të pavarur, e jo thjesht me ‘grupe pune’ të ngritura nëpër institucione vetëm mbi njohjet personale të titullarit, apo qoftë edhe mbi ‘detyrat funksionale’, të përcaktuara njerëzve s’dihet se si. Fjala është sidomos sa u përket ndërhyrjeve komplekse të nevojshme sa më të fuqishme e sistematike edukativo-shëndetësore, kaq të nevojshme për faktorin subjektiv, sidomos në vende si nè, që vijnë në shoqërin’ e hapur nga sisteme e shoqëri me prapambetje të theksuara në nivelin dhe në mënyrat e jetesës të popullsi

Kjo vjen edhe ngase në të kaluarën, ndër Fakultete dhe në shkollat mjekësore, nuk janë zhvilluar fare lëndë formuese në shkencat social-psikologjike, pa le më në ato pedagogjike dhe metodologjike,  as në ato juridiko-menaxheriale, madje as edhe në disa prej disiplinave social-preventive.  Megjithë disa përmirësime të bëra vitet e fundit në kurrikulumin mësimor të Fakulteteve e shkollave mjekësore (me futjen sado shkurt të lëndëve të tilla si Sociologjia, Psikologjia, Antropologjia kulturore, Etika dhe Deon-tologjia Mjekësore, Edukimi dhe Promocioni i shëndetit, Menaxhimi dhe Ekonomia e Shëndetit etj. – ku vlen të vihet në dukje se fakultetet e Infermieristikës, falë bashkë-punimit përkatës ndërkombëtar - janë më përpara se Fakuteti i Mjekësisë); tek ne ka ende mjaft mangësi themelore në formimin përkatës social jo vetëm të mjekëve dhe specialistëve të tjerë të rinj në fushat e shëndetit, ashtu sikurse bie mjaft në sy për fat të keq, edhe në të gjitha nivelet e drejtimit të institucioneve. Kjo, në masën e vet, nuk ka kontribuar për mirë që të mundësohet me kompetencën e duhur përballimi i detyrave shumëplanëshe të drejtimit të ecurisë mbarëvajtëse dhe të menaxhimit të problemeve madhore të shëndetit të bashkësive, aq më pak kjo sa u përket vizioneve bashkëkohore të Promocionit të Shëndetit.

 

Ç’ka  ndikuar  për  këtë ?

Përballë kësaj situate, cila është tek nè, gjendja e shërbimit të edukimit shënde-tësor për promocionin e shëndetit, dhe ç’ka ndikuar për këtë ?

Me shumë keqardhje duhet pranuar pa asnjë iluzion se deri më sot, me disa përjashtime të vogla - që më së shumti i përkasin nismave (por dhe interesave) indivi-duale ose ndihmave mbështetëse me programe të veçanta, kryesisht nga organizma ndërkombëtare dhe OJQ të ndryshme - mund të thuhet pa ndrojtje se  kemi patur vetëm një  vegim    këtij  shërbimi. Kjo kryesisht sepse :

Së pari, nga vetë drejtuesit kryesorë të shëndetësisë dhe të arsimimit mjeko-shëndetësor, ka munguar konceptimi me realizëm dhe vizion për vlerat që bart EpSh-i dhe filozofia e strategjia e PSh-së sidomos për shoqëritë në tranzicion, drejt shoqërive të hapura në kompleksitetin e tyre.  Kjo ka ardhur kryesisht nga mosnjohja (ndonëse është botërisht e njohur aforizma ignorantia non est argumentum) sepse padija nuk mund të pranohet asnjëherë si arsyetim, e aq më pak si justifikim, për moszhvillimin e duhur të shërbimit ; por edhe ngase në të kaluarën, EpSh-i gjithsesi është konsideruar në një masë a në një tjetër, si pjesë e propagandës politike ; më pas u konceptua shpesh shumë-shumë vetëm si pjesë e funksionit të zëdhënësit të organeve drejtuese të shëndetësisë;  e më pas akoma edhe më e shumta – deri si funksion plotësues, nëmos si dekor, i ndonjë apo disa fushatave (si lufta kundër infeksionit HIV/AIDS, apo ajo kundër duhanit, ajo për problemet e shëndetit riprodhues, etj.) ose  për  situata  emergjence - sidomos  në raste shpërthimesh epidemike.

Së dyti, ka munguar dhe vazhdon të mungojë statusi i specialitetit të mirëfilltë  të këtij shërbimi dhe përgatitja e mirëfilltë në mënyra institucionale, e specialistëve të kësaj fushe social-shëndetësore, sikurse edhe përfaqësimi sado minimal i tij në dikaster me specialistë metodistë realisht të përgatitur, njëmendësisht të aftë dhe të përkushtuar për EpSh dhe PSh (të paktën siç i kanë në ministri profilet e tjera të parandalimit dhe shëndetit publik, epidemiologjia antiinfektive, biostatistika, profilet e shërbimeve ndaj nënës e fëmijës, politikat shëndetësore, etj.). Kjo do të ishte e nevojshme për të ndikuar sa mundet me më shumë përgjegjshmëri dhe, në përmbushjen cilësisht më të mirë, me më shumë profesionalizëm e me vizion më të kompletuar, të misionit dhe të funksioneve të vetë dikasterit, në të gjitha llojet e drejtimeve përkatëse të veprimtarisë së vet, ku  komponenti kompetent edukativo-shëndetësor dhe promocionues për mbarëvajtjen më të mirë të mundshme të shëndetit të përbashkët është, jo vetëm më se i domosdoshëm,  por dhe krejtësisht i patjetërsueshëm.

Së treti, ka munguar edhe dëshira, në dukje si e pamotivuar, për t’a njohur realisht drejtuesit e njëpasnjëshëm të shëndetësisë problematikën kaq madhore – objekt i këtij shërbimi, për pasojë dhe vullneti politik për të kërkuar, hartuar, konsultuar gjerësisht, miratuar dhe implementuar, qoftë edhe një rregullore sado të thjeshtë, për funksionimin në shkallë vendi, në kushtet e reja (pas hapjes së pluralizmit dhe ekonomisë së tregut) të shërbimit të EpSh-it. Po kështu edhe sot nuk është bërë ende as ristrukturimi kaq i nevojshëm i këtij shërbimi, që do ta quaja jetik, përshkallëzuar në përshtatje me nivelet dhe hallkat e sistemit të kujdesit shëndetësor, sipas ndarjes / rindarjes administrativo-territoriale të vendit,  përkundrazi!…

Së katërti,  ka munguar kompetenca profesionale për përballimin kompleks e me vizione largpamëse të sfidave të parandalimit në përgjithësi dhe veçanërisht sa i takon promocionit në shoqëritë e decentralizuara (kryesisht ngase në të kaluarën, formimi përkatës ka qenë në vazhdimësi fare i papërfillshëm).  Por gjithashtu, ka munguar jo vetëm njohja, por edhe dëshira dhe motivimi i drejtuesve kryesorë (që duket sikur kanë menduar më shumë se si të mbisundojnë, sesa për t’iu futur me themel ndryshimeve të duhura drejt riorientimit dhe reformimit realisht fuqizues të këtij shërbimi në funksion të së mirës publike). Ndryshimi do të kishte sjellë përshtatjen në kohën e duhur të shërbimit të edukimit shëndetësor përballë kushteve të reja të krijuara (sfidave të sistemit ekonomiko-shoqëror të hapur, për t’iu paraprirë konceptualisht e organizativisht, zhvillimeve konkrete e atyre të pritshme në vend).  Kjo do mund të sillte që ky shërbim të mund të merrte përsipër, së paku doemos me përgjegjësinë e duhur (në mos që në fillim edhe me tërë bagazhin e kompetencave të nevojshme profesionale – që dihet se janë të katërfishta: njohuritë, aftësitë, shprehitë dhe doemos komunikueshmëria, që në këtë lloj shërbimi, kërkohet për të qenë më se e shkëlqyer; dhe që kërkohet të shoqërohen me mundësitë e mëdha të teknologjisë bashkëkohore të informacionit); gjë kjo që, do të kishte çuar në përmbushjen shumë më mirë të funksioneve të patjetërsueshme dhe të detyrave konkrete të këtij shërbimi, kaq të domosdoshëm për të ndikuar sa më fuqishëm pozitivisht mbi faktorët socialë dhe social-komportamentalë të shoqërisë shqiptare, që janë kaq determinantë mbi shëndetin publik, gjatë tranzicionit kaq të rrëmujshëm e të zgjatur, dhe doemos për më  tej.

Këto erdhën duke u thelluar ngaqë vetë Ministria e Shëndetësisë, mjerisht nuk mundi ta kapërcejë dot ende plotësisht nivelin e mentalitetit medikalist e centralizant dhe ka adoptuar (thuajse vazhdimisht) si në heshtje, një metodë pune krejtësisht autoburokratike. Madje dikasteri nuk arriti dot të vlerësojë me realizëm as ndihmën e dhënë posaçërisht nga organizma të specializuara ndërkombëtare, për rritjen e kuptimit të vlerave të EpSh-së dhe të PSh-së, për të arritur pastaj në një konceptim shumë më të drejtë e me vizione më bashkëkohore të vetë reformës shëndetësore dhe të strategjisë gjithintegruese, nëpërmjet frymës dhe vizioneve të promocionit të shëndetit. Kuptohet që edhe sugjerimet dhe mendimet profesionale të dhëna prej ekspertëve dhe specialistëve të EpSh të huaj e të vendit, për fat të keq, as që do të merreshin ndonjëherë seriozisht në konsideratë, përkundrazi…

 

Ç’pritet    bëhet ?

Në fakt pyetja nevojitet që të shtrohet se çfarë duhet bërë për kapërcimin e këtij impasi ndaj shërbimit të EpSh-së për PSh-në, për gjallërimin e ristrukturimin cilësor të tij dhe për t’iu hapur rruga vënies në jetë realisht dhe funksionimit të vizioneve e parimeve të promocionit të shëndetit tek ne? Natyra me karakter integrues sa më mbarëshoqëror që kanë funksionet e PSh-së, të kësaj filozofie bashkëkohore sa shëndetësore, po aq më shumë edhe sociale, si edhe vetë gjendja e deritanishme gjithsesi e papranueshme, kërkoj-në që shërbimi i edukimit për shëndetin (por edhe fryma promocionuese) të fuqizohen doemos; Kjo nevojitet doemos për të zënë vendin që meritojnë, por doemos me dinjitet profesional EpSh dhe PSh, për të kontribuar sa më fort në përmirësimin drejt fuqizimit të ndikimit sa më pozitiv në faktorët subjektivë, për mbarëvajtjen e shëndetit të bashkësive dhe në parandalimin më kompleks të mundshëm të sëmundjeve, me pjesëmarrjen sa më aktive të publikut dhe të segmenteve përkatëse të tij.

Ndërsa lidhur me këtë, bashkëngjitet pyetja tjeter ç’pritet të bëhet, që shpresoj se shtrohet në një kontekst për t’u marë seriozisht në konsideratë.                  

Situatat kërkojnë që të vlerësohet seriozisht se nevojitet përfshirja e duhur, e gjerë dhe e institucionalizuar si vizion përparësor i EpSh-së për PSh-në, në politikën shëndetësore kombëtare, duke çvendosur politikisht përparësine e saj nga sëmundja dhe i sëmuri (me të cilat për fat të keq merret ende sipas ‘traditës’ sempliste edhe sot, në mënyrë krejt medikaliste, thuajse tërësisht sistemi i kujdesit shëndetësor parësor). Prandaj kërkohet që të ecet drejt përkujdesjes sa më plotësisht të integruar të shërbimeve dhe kujdesit për mbarëvajtjen e shëndetit të bashkësive. Ky orientim do të duhej të përbënte shtyllën kurrizore vizionare të reformës, që mendoj se duhet vlerësuar ‘shëndetësuese’ shëndetësi dhe të vetë politikës shëndetësore. Dhe kjo do të kërkojë së pari, reformimin konceptual të burimeve njerëzore ekzistuese në shërbim (përfshirë doemos vetë drejtuesit e shëndetësisë në të gjitha nivelet !); së dyti, thellimin akoma më të madh në komponentin social-preventiv të formimit të gjithë profesionistëve të rinj të shëndetësisë, me reformimin përkatës të tërë sistemit të arsimimit mjekoshëndetësor, ku çdokush që dëshiron, e kupton se mbizotëron medikalizmi (i nxitur edhe nga specializimi dhe profilizimi i skajshëm i shërbimeve mjekoshëndetësore) dhe shpesh herë formalizmi burokratiko-pedagogjik (gjatë formimit universitar e pasuniversitar); dhe së treti, revizionimin e praktikave rutinë në kujdesin shëndetësor, sidomos në atë parësor, duke integruar realisht funksionet edukativo-promocionuese, për t’u bërë ato vërtet përparësore në veprimtarinë praktike profesionale të katërfishtë, sidomos të institucioneve dhe personelit të Kujdesit Shëndetësor Parësor, por dhe të personelit tjetër mjeko-shëndetësor.

                                                            *   *   *

Duke vlerësuar seriozisht me këtë frymë situatën, mbështetur në:

                *Strategjinë e OBSh-së “SHËNDET  PËR    GJITHË” (ShpGj) dhe Deklaratën Botërore të Shëndetit në shek. XXI   të njohur si  ‘SHËNDETI 21’ ;

                *Objektivat Europiane të ‘ShpGj’ ;   dhe në

                *Synimet e Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) për Zhvillim gjatë Mijëvjeçarit ;

                *duke mbajtur parasysh parimet bazë të Kujdesit Shëndetësor (KSh) Parësor dhe filozofinë e Promocionit të Shëndetit ; 

                 *në kushtet konkrete (si më sipër) të vendit tonë,

ka lindur prej kohësh nevoja për të realizuar riorientimin dhe riorganizimin e duhur të shërbimeve.

Për këto kërkohet që, nëpërmjet strategjish të menduara e konsultuara më së miri dhe doemos me nivel profesional, kolegjial e multisektorial sa më gjithëpërfshirës, të arrihet :   

(a)                   Të institucionalizohet veprimtaria edukativo-promocionuese si detyrë             përparësore e parandalimit në kujdesin shëndetësor parësor. Të mbështeten fuqimisht dhe të riorganizohen e të reformohen strukturat e Edukimit për Shëndetin, si në qendër dhe në bazë, për të mundësuar  dhe  lehtësuar  arritjen  e  niveleve sa    efektive  të promocionit, me synimin për të arritur deri tek çdo individ; 

(b)                  Të punohet që të integrohet veprimtaria parandaluese e sidomos ajo promocionuese, nëpërmjet fuqizimit të bashkërendimit, bashkëpu-nimit e bashkëveprimit ndërsektorial, sipas përkatësisë të të gjithë strukturave të shoqërisë: organizmave qeverisëse qendrore e vendore, organizmave të shoqërisë civile, mass-mediave, arsim-kulturës dhe sporteve, si edhe sipërmarrjes private (pra, jo vetëm të strukturave të kujdesit dhe të mbrojtjes shëndetësore !) për të arritur vetëdijesimin dhe përfshirjen publike në veprime shëndetësuese, deri në nivel  bashkësie,  familjesh,  grupesh  dhe  individësh;     si  edhe

(c)                   Të forcohet në tërësi KSh Parësor, për të qenë realisht fokusi qendror dhe më kryesori në gjithë sistemin kombëtar të shëndetësisë, dhe me veprimtarinë edukativo-shëndetësore të detyrueshme e të normuar me akte përkatëse ligjore e nënligjore, me frymë e vizione mbështetëse për PSh-në.

                 Me këto vizione, për të kapur sado pak që të mundet kohën e humbur, mendohet se dalin në pah më së paku disa detyra të shpejta dhe në vazhdim, për fuqizimin e domosdoshëm tek ne, do ta quaja të filozofisë, frymës dhe vetë Sistemit të Institucioneve    Edukimit  për  Shëndetin.  

Këto detyra, ne veshtrimin tone, do të ishin :

1.Strukturimi sa më parë në vetë aparatin e Ministrisë së Shëndetësisë i një sektori të veçantë metodistësh kompetentë, vërtet të kualifikuar posaçërisht në edukim shëndetësor, që të mund të ndiqen me këto vizio-ne dhe me profesionalizmin më të mirë të mundshëm, të gjitha drejtimet shumëplanëshe të promocionit të shëndetit për përmbushjen e misionit, funksioneve, programeve dhe e detyrave të mëdha të vetë dikasterit.

2.Fuqizimi i vizionit të PSh-së në të gjitha strategjitë dhe politikat shënde-tësore si dhe monitorimi në nivel profesional edhe për promocionin e domosdoshëm, të cilitdolloj programi a ndërhyrjeje edukativo-shëndetë-sore me publikun e gjerë apo segmente të veçanta të tij.        

3.Rikonceptimi, riorganizimi dhe ristrukturimi fuqizues për strukturën qen-drore kombëtare, si dhe përforcimi i përshkallëzuar nëpër rrethe i ins-titucioneve dhe shërbimeve të EpSh për PSh, duke përzgjedhur vërtet mbi kritere konkuruese vetëm cilësore stafin më të kualifikuar, për të arritur prej  tij  performancën      mirë.

4.Përzgjedhja cilësore mbi kritere objektive, me transparencë dhe sistem të hapur konkurrimi, për drejtuesit dhe personelin e EpSh-së për:  kapaci-tetet e tyre (njohuritë, aftësitë, cilësitë, shprehitë dhe mundësitë); meritat profesionale (kontributin konkret studimor dhe komunikues e popullari-zues, si dhe produktin intelektual); si edhe për performancën konkrete (me rezultate të vlerësimeve objektive të punës).

5.Lidhja me institucionet e huaja relevante të EpSh dhe PSh në vendet më të zhvilluara dhe me përvoja në këto drejtime si psh. Italia (CSIES), dhe nëpërmjet saj edhe me organizmat përkatëse ndërkombëtare.

6.Miratimi i Status-it të specializuar të personelit të lartë e ndihmës (specia-listë të shëndetit publik, mjekë, infermierë, sociologë, psikologë, specia-listë të menaxhimit etj.) të shërbimit Informim-Edukim-Komunikimit (IEK) për shëndetin, dhe organizimi i kualifikimit të tij të plotë e të shumanëshëm (madje me specializim ose Master – së paku në Shëndet Publik, meqë aktualisht endé nuk kemi mirëfilli të specializuar asnjë Metodist IEK për Shëndetin. Prandaj mendohet se kjo duhet monitoruar dhe shoqëruar me kualifikim dhe ritestim profesional periodik të domosdoshëm të gjithsecilit, si dhe me tregues të matshëm për rezultatet teoriko-praktike, si edhe (çka është tepër specifike) për kompetencat profesionale në ushtrimin e veprimtarisë praktike; Është fjala konkretisht për sa i përket përshtatshmërisë lidhur me standardet e kërkuara për vendin e punës dhe kurdoherë me kritere të shumanëshme shumë të larta cilësore, veçanërisht kjo doemos e aq më tepër, për çdokënd që punësohet në sistem rishtas. 

7.Diskutimi, hartimi, konsultimi i gjerë, miratimi dhe vënia në funksionim e  Rregullores-bazë të punës së të këtij shërbimi e profili të domosdoshëm, si edhe për institucionet-filiale në shkallë vendi.

8.Vendosja në organigramën e çdo institucioni shëndetësor kombëtar dhe kompletimi i saj me specialist metodist të aftësuar për informim-edukim-komunikim lidhur me shëndetin, për vënien në jetë me vizionet e PSh-së, të  programeve të tyre parandaluese për problematikat e veta, në shkallë vendi.

9.Organizimi i bashkëpunimit, bashkëveprimit dhe bashkërendimit të insti-tucionalizuar me organizmat qeveritare të niveleve të ndryshme, ndërmjet sistemit shëndetësor publik e privat, me sistemin arsimor publik e jo-publik, si edhe  me organizma të tjera të shoqërisë së hapur, në përputhje me përkatësinë e problematikës edukativo-shëndetësore të përbashkët me to, për Promocionin e Shëndetit.

10.Organizimi i një bashkëpunimi të përhershëm të institucionalizuar dhe për rritje e arritje të nivelit të plotë profesional edukativo-shëndetësor, në lidhje sa më të ngushtë me masmediat, në qendër dhe nëpër rrethe, për botime dhe sidomos për emisione të vazhdueshme sa më cilësore, për problemet e mëdha të mbarëvajtjes së shëndetit publik dhe të rritjes së edukatës dhe kulturës shëndetësore të publikut, dhe jo vetëm për të trajtuar probleme të veçanta thjesht mjekësore.

11.Fuqizimi dhe rritja më e zgjeruar e hapësirave për studimin dhe përvetësimin e lëndës sa gjithëpërfshirëse aq edhe të veçantë “Edukim Shëndetësor dhe Promocion Shëndeti” në kurrikulat mësimore univer-sitare dhe pasuniversitare të të gjitha degëve të Fakulteteve ekzistuese të Mjekësisë, të atyre të Infermierisë, të Stomatologjisë dhe të Farmacisë. Këtu është fjala edhe për të gjitha kurset e trajnimeve, specializimeve dhe kualifikimeve të ndryshme pasuniversitare (përfshirë ato klinike!), duke konceptuar drejt dhe vënë në jetë edhe formimin e vazhdueshëm e të pandërprerë (continuous education), sikurse edhe një formim shumë më të fuqizuar për EpSh dhe PSh në vetë Departamentin e Shëndetit Publik të Fakultetit të Mjekësisë, ashtu si edhe në Institutin e Shëndetit Publik, nëpërmjet formimit dhe (ri)kualifikimeve të mirëfillta edhe për PSh-në, të çdo specialisti të tyre.  Për këtë nevojitet të kërkohet bashkëpunim dhe me partnerë të profileve të tjerë, institucione, departamente, sektorë dhe specialistë të spikatur socio-psiko-pedagogjikë.

12.Të futet në praktikën e punës në institucionet e KSh, kryerja e studimeve kualitative për vlerësimin e perceptimeve të publikut dhe të segmenteve të ndryshme të tij, lidhur me problematikat më madhore të shëndetit, të parandalimit dhe të KSh, me topika sipas prioriteteve përkatëse konkrete.

13.Plotësimi me seriozitet i kurrikulës të specializimit në Shëndet Publik, ku të fuqizohet konsiderueshëm formimi teoriko-praktik i specialistëve të Shëndetit Publik në drejtimet e kërkuara për konceptimin, përfshirjen dhe ndjekjen me kompetencë edhe të problemeve përkatëse Edukimit Shëndetësor dhe Promocionit të Shëndetit në çdo problem të Shëndetit Publik, në cilindo program dhe cilëndo bashkësi qoftë. Në këtë drejtim ka vend për të konsideruar seriozisht mundësinë e hapjes të një profili apo edhe dege të mirëfilltë për Shëndetin Publik në Fakultetin e Mjekësisë.

14.Botimi i literaturës përkatëse me materiale  ideo-teorike dhe praktike, në funksion  të formimit (dhe reformimit) përkatës të gjithë punonjësve mjeko-shëndetësorë, si dhe botimi i programuar e sistematik i materialeve cilësore edukativo-shëndetësore për publikun e gjerë dhe segmente të tij.

15.Përfshirja doemos në organizime të programuara të  formimit minimal në drejtimet e shumta të edukimit shendetësor dhe promocionit të shëndetit, i të gjithë drejtuesve dhe specialistëve ekzisues në të gjitha nivelet, në institucionet zbatuese të shëndetit publik.

16.Formimi i nevojshëm e në vazhdimësi i drejtuesve të niveleve të ndryshme të bazës të shërbimeve të KShP, edhe për konceptet dhe praktikat e edukimit shëndetësor dhe të promocionit të shëndetit në përgjithësi, edhe për vlerat e tij tepër të mëdha e të veçanta, sidomos për kushtet tona reale të faktorit subjektiv.

17.Të (ri)botohen edhe dokumentet më kryesore politiko-strategjike përka-tëse të OBSh-së dhe të organizmave të tjera ndërkombëtare, sidomos ato për problemet e mbarëvajtjes së parandalimit dhe të promocionit të shëndetit, për t’u disponuar e përdorur në vazhdimësi, në çdo institucion të kujdesit shëndetësor.

18.Dhënia nga buxheti në dispozicion të secilit institucion drejtues të shërbi-meve shëndetësore në rang rrethi (DShP) dhe sigurimi i fondeve shtesë (edhe nga donatorë) për zhvillim veprimtarish edukativo-shëndetësore e promocionuese dhe trainuese, për kryerje studimesh e kërkimesh të nevojshme, si dhe për realizimin cilësor të materialeve përkatëse.                  

19.Te merren te gjitha masat e duhura per fillimin sa me pare te studimeve universitare te plota, per te pergatitur ne Fakultetin e Mjekesise, specialiste te mirefillte ne Shendet Publik, duke hapur Degen e Shendetit Publik.

                  Sidoqoftë,  për nevojat kaq tepër të theksuara tek ne, reflektimi seriozisht mbi sa më lart, për një REFORMË të thellë shëndetësore në vend – me synim kryesor zhbërjen e mentalitetit dhe praktikave tradicionalisht medikaliste - besoj dhe shpresoj se do të shënonte vetëm  fillimin  e  fundit    një  nonsensi  shumë të  madh, me ndikim të jashtëzakonshëm në faktorët subjektivë, për rritjen kaq të munguar të edukatës e të kulturës shëndetësore të jetesës dhe përmirësimin e vazhdueshëm aktiv të mënyrave të jetesës. Përmbushja e gjithë këtyre ndryshimeve shumë të nevojshme, do të përbënte një fillim vërtet të mbarë dhe me vizione bashkëkohore e largpamëse PARANDALUESE të shëndetësisë për të gjithë shoqërinë tonë. Kjo, në vështrimin shumëplanësh, do të krijonte premisat më të favorshme, duke shkuar edhe më tej akoma me kontributet multisektoriale (qeveritare e jo-qeveritare) për një ecuri përshtatshmërisht më mbarëvajtëse edhe të Kujdesit Social-Shëndetësor. Gjithsesi në këto drejtime, do të mund të shmangej hap-pas-hapi dhe konceptimi edhe ushtrimi i ngushtë tepër ‘medikalist’ i profesioneve mjeko-shëndetësore (sipas ndarjes së sotme të specialiteteve) që ekziston fatkeqësisht edhe në vetë specialitetet e profilet e shëndetit publik. Kështu do të mund të vihej në jetë me sukses investimi aq madhor i edukimit shëndetësor për promocionin e shëndetit, me përfitime të pallogaritshme në dobi të mbarëvajtjes më të mirë e afatgjatë për shëndetin vetjak e të përbashkët të të gjithëve. Kjo do t’ua lehtësonte dhe mundësonte njerëzve pjesëmarrjen, gjithnjë e më të ndërgjegjësuar dhe kurdoherë e më aktive, në proceset e ‘krijimit dhe ruajtjes të shëndetit’, jo vetëm për të sotmen, por edhe për të ardhmen e tyre më të shëndetshme dhe për të gjithë brezat e vendit e të kombit. 



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora