E premte, 25.07.2025, 12:56 PM (GMT+1)

Mendime

Kastriot Myftaraj: Ilir Meta, zombie i politikës shqiptare

E enjte, 16.09.2010, 08:30 PM


Ilir Meta, zombie i politikës shqiptare

 

Nga Kastriot MYFTARAJ

 

Georges Clemenceau (Klemanso), kryeministri i famshëm francez, thoshte për bashkëpunëtorin e tij të ngushtë, Andre Tardieu: “Është komode kështu, pordhën e bëj unë, erën e lëshon ai”.

Clemenceau e kishte fjalën për deklaratat dhe veprimet në politikën e jashtme, në kohën e Konferencës së Paqes në Versaille, jo për afera korrupsioni. Kur Ilir Meta zgjodhi të merrte portofolin e Punëve të Jashtme, ndërsa dy ministritë e tjera fitimprurëse, atë të Ekonomisë dhe Tregtisë, dhe atë të Shëndetësisë, ia la dy njerëzve të tij, ai i bëri llogaritë si Klemanso me Tardieun. Pra, Ilir Meta mendoi se, nga njëra anë, me portofolin e diplomacisë do të rriste profilin e tij në rrafsh ndërkombëtar, ndërsa në anën tjetër, me anë të dy njerëzve të tij që kishte bërë ministra, do të siguronte të ardhura abuzive nga aferat korruptive, pa u implikuar vetë. Erën e keqe të korrupsionit do ta lëshonin ministrat e LSI, Prifti dhe Vasili. Ilir Meta deklaratat dhe veprimet në politikën e jashtme i bënte vetë, me zell të madh, jo si Clemenceau, në interes të Francës, por duke vepruar si zëvendësministër i Punëve të Jashtme i Serbisë, në kohën që ishte ministër i Punëve të Jashtme i Shqipërisë. Në ndërkohë, “Tardieu”-t e tij do t’ ia mbushnin thesin me para.

Ilir Meta mendonte se ministrat Prifti dhe Vasili qenë për të ashtu siç qe qeni për Titon në filmin “Beteja e Sutjeskës”, për të cilin Meta ka një obsesion dhe e njeh më mirë se programin e LSI. Por Ilir Meta kishte harruar se edhe Tito një qen të bindur kishte dhe jo dy. Ilir Meta donte të kishte dy qen-ministra dhe arriti të kishte vetëm një të tillë. Kur i thanë Ilir Metës për herë të parë se Dritan Prifti po tregonte shenja rebelimi, ai tha: “E dini ju se në Myzeqe ka dalë vetëm një këngë trimërie, dhe ajo fillon me fjalët ‘O bo bo po vijnë gjermanët!’ Unë e bëj të këndojë ‘O bo bo po vjen Ilir Meta”. Me këtë Ilir Meta aludonte se myzeqari Dritan Prifti nuk ishte asi burri që të rebelohej ndaj tij. Kur Ilir Meta e kuptoi se Dritan Prifti nuk kishte ndërmend që t’ i bindej dhe donte të bënte lekë vetëm për vete, atëherë vendosi ta zëvendësonte. Por Ilir Meta nuk kishte aspak ndërmend që të ndryshonte stilin e tij të punës.

Është e vërtetë se Prifti nuk po i bindej Metës dhe nuk po i dorëzonte 50% të fitimeve abuzive të cilat Meta i vjel si taksë qëndrimi në pushtet nga të gjithë të emëruarit e tij në administratë. Por Meta fare mirë mund të vinte një tjetër në vend të Priftit, shumë më të bindur se ai, dhe kështu gjërat do të funksiononin, ashtu siç e kishte menduar Meta. Ilir Meta nuk donte në asnjë mënyrë që të ishte vetë Ministër i Ekonomisë dhe Energjitikës, se ai që kur ishte kryeministër kishte pasur praktikën që të bënte para në mënyrë abuzive, duke firmuar të tjerët për të në karta që ishin mina me shpërthim të vonuar.

Por pati zhvillime të reja. Elita e diplomacisë ndërkombëtare ia bëri të qartë Ilir Metës gjatë qëndrimit të fundit në New York, se ata nuk mund të pranonin që të shtrëngonin duart me një njeri i cili ishte përfshirë në një skemë të mafies ndërkombëtare të narkotikëve, me anë të sekretarit të vet personal. Se ndërkombëtarët e dinë se Ilir Meta e kishte të qartë se kush ishte sekretari i tij dhe me çfarë merrej. Madje pikërisht se e dinte se kush ishte e kërkoi në Shqipëri në kohën e zgjedhjeve. Kështu që Ilir Meta, me t’u kthyer nga New York-u i dorëzoi Berishës portofolin e ministrit të Punëve të Jashtme. Në këto rrethana, Meta kishte dy alternative nëse nuk donte që të mbetej jashtë qeverisë. Ai mund të bëhej ministër i Ekonomisë dhe Energjitikës, ose i Shëndetësisë. Ministër i Shëndetësisë Ilir Meta nuk mund të bëhej, madje edhe sikur të donte të bëhej këtë nuk do ta pranonte  Berisha. Atëherë Metës i mbetej që të merrte portofolin e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës.

Ilir Meta do të jetë kështu përsëri në qeveri, por ai tashmë ka pësuar vdekje politike, pasi ndërkombëtarët e detyruan që të lëshojë portofolin e Ministrisë së Punëve të Jashtme. Në vitin 2001, një ministër i qeverisë së Ilir Metës u detyrua që të jepte dorëheqjen se e dashura e tij, duke qenë në timonin e makinës zyrtare të ministrit, shtypi një njeri, duke i shkaktuar vdekjen. Në vitin 2010 Ilir Metën “e shkeli me makinë” sekretari i tij, tashmë i arrestuar dhe që pret të ekstradohet në SHBA. Siç thotë ajo shprehja e famshme: “Të gjitha ngjarjet e mëdha përsëriten dy here: herën e parë si tragjedi dhe herën e dytë si farsë”.

Me dorëheqjen nga posti i ministrit të Punëve të Jashtme, Ilir Meta konfirmoi vdekjen e tij politike. Por në vend që të shkonte në varrezat e politikës, ai u shndërrua në zombie, në të vdekur që ngjallet si trup pa shpirt, dhe u bë përsëri ministër. Por ai është thjesht një kufomë politike dhe këtej e tutje nuk do të lëshojë erë të keqe politike thjesht si “Tardieu” në Ministrinë e Ekonomisë dhe Energjitikës, por do të lëshojë erë të keqe politike si kufomë politike në putrefiksion, në proces kalbjeje. Kjo kufomë politike do të qelbë politikën shqiptare edhe për disa kohë.

 



(Vota: 12 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx