E enjte, 02.05.2024, 02:52 PM (GMT+1)

Mendime

Fatmira Hajdari: Vrasja e tij e dytë, arkivoli te kryeministria

E enjte, 16.09.2010, 09:58 PM


Fatmira: Vrasja e tij e dytë, arkivoli te kryeministria

 

Nga Anila Basha

Fatmira Hajdari, ka 12 vjet që jeton pa bashkëshortin, deputetin, "Pishtarin e Demokracisë". "Azemi i vogël është bërë 12 vjeç thotë ajo në një rrëfim jetësor në këtë përvjetor të Azem Hajdarit. Unë dua nga historia, ai të mësojë historinë e vërtetë të të atit, dhe jo atë të stisurën nga servilët apo protagonistët, apo ata të cilët nuk e kanë përfshirë fare në historinë e Shqipërisë"...Vitet kalojnë, por momentet e vrasjes së tij, tek Fatmira rikthehen gjithmonë... 
Zonja Hajdari, 12 vjet janë shumë, por janë dhe pak. Çfarë kujtoni ju sot? 
E kujtoj si në ditët e para. Sa herë vjen përvjetori, edhe pse kanë kaluar 12 vjet, gjithçka më duket e njëjtë. Ankthi më kap porsa vjen data 1 shtator, ndjeshmëria është e njëjtë, vetëm thjesht shoh që numëroj, vitet, ditët dhe them 'sa shpejt ikën'. Shoh fëmijët e mi, se Azemi m'i la të vegjël, 11 e 14 vjeç, ndërsa të voglin ende pa lindur dhe sot shoh se Kiri është rritur, është bërë 26 vjeç, Rudina 23 dhe Azemi mbushi 12 vjeç pa e njohur të atin për së gjalli. Vetëm nga rritja e fëmijëve mendoj si kanë kaluar këto vite dhe them sikur e kam prezent në çdo kohë, në çdo moment... Shtëpia ime në çdo kat, në çdo dhomë, ka foton e tij dhe na duket sikur e kemi këtu. Asgjë nuk ka lëvizur nga dita që ai nuk është mes nesh e deri sot. Gjithçka është lënë siç e la vetë ai kur doli nga shtëpia për herë të fundit. Edhe pse shtëpia është e vjetër tani, nuk do të ndryshoj asgjë, do ta lë, ashtu sikurse e la Azemi. 
Çdo përvjetor bëhen organizime, politike sidomos. Sa afër e larg e ndjeni veten me to? 
Faktikisht, në tre data kujtohet Azemi në shtëpinë time. Çdo 28 nëntor, 5 maj e 12 shtator. Tre herë në vit, miqtë e shokët e tij politikë, që nga Presidenti, Kryeministri, Kryetarja e Kuvendit dhe shumë të tjerë miq të tij vijnë na vizitojnë. Të majtët në fillim kanë ardhur ndonjëherë, këto kohë kanë munguar, por shokët e tij të vjetër, nuk e kanë harruar kurrë. Ata mund të bëjnë aktivitete, por ndonjë aktivitet kush e di, i parapragatitur, ndoshta nuk është bërë, por në shtëpi, gjithmonë më kanë kujtuar. 
A i riktheheni dot edhe njëherë momenteve të fundit? 
Momentet e mia të paharrueshme.... ka qenë momenti që ka hyrë në shtëpi, në datën 13 shtator në orën 9.15..Ai hyri në shtëpi. Nuk do ta harroj që nga momenti që u vra në datën 12 deri në datën 13 kur hyri në shtëpi. Hyri me arkivol dhe ishte momenti që doja ta shihja për herë të fundit dhe në shtëpinë e fundit të jetës së tij. Por kur u hap arkivoli, më ra të fikët, nuk e përballova dot se isha shtatzënë dhe më pas, nuk mbaj mend asgjë. 
Varrimi i tij u shoqërua në fakt me një moment tragjik edhe për jetën e shtetit, siç ishte data 14 shtator... 
Më e tmerrshme ka qenë pikërisht kjo, momenti kur devijoi turma. Fillimisht isha mirë, se pashë shumë njerëz nga e gjithë Shqipëria. Nuk e harroj dot kurrë, se binte shi, sheshi ishte nxirë, njerëzit qanin dhe pastaj, në momentin që mbaroi ceremonia dhe doktori i dha lamtumirën, nisjen e turmës s'do ta harroj dot kurrë. Cilët ishin ata njerëz që devijuan turmën dhe nuk e dërguan Azemin ashtu siç duhej dhe siç e meritonte në banesën e fundit, por e dërguan drejt kryeministrisë... Ajo ka qenë gafa më e madhe. Duhet ta respektonin dhe të mos e linin ashtu, ajo ishte e paimagjinueshme... 
Po ju nuk e dinit itinerarin? 
Momentin që devijoi turma, nuk ma mori mendja fare. Mbaj mend se me vajzën kam qenë në një benz të bardhë, ndërsa Kiri mbante arkivolin. Dhe në momentin që dëgjova krisma, po thosha: "mirë Azemi që iku, por kisha hallin e djalit". Dola mes turmës së njerëzve, por ata më kapnin dhe nuk më linin. 
Pastaj ju patë sesi me arkivolin e Azemit i binin derës së kryeministrisë... 
Unë mund të them se kanë qenë njerëz të palogjishëm. Nuk kanë qenë njerëz të mirë. Dhe nuk kanë pyetur askënd për atë që kanë bërë, as vetë nuk di ta shpjegoj. As sot, nuk e di se kush e devijoi turmën dhe pse nuk vazhdoi normalisht ceremonia, kur askush nuk kishte punë të ikte andej. Ajo ka qenë vrasja e dytë për Azemin. 
Ju e dini se kush e bëri atë gjë? Pra 14 shtatorin? 
Unë nuk di sot të vërtetën e vrasjes së Azemit, dhe jo atë të rrugës. As sot nuk e di këtë gjë. 
Për vrasjen e Azemit ka pasur një proces, gjykim, ka dhe të dënuar...Kush ju dhembi më shumë? 
Në vrasjen e parë e eleminuan fizikisht. Por ajo e dyta me arkivolin nuk duhet të bëhej. Ajo ishte çmenduri, ajo ishte jashtë çdo gjëje me zotin. Çfarë donin të bënin, mund ta bënin kur të ktheheshin, dhe jo në ceremoninë e varrimit të Azem Hajdarit. Dikush i kishte futur, apo struktura të ndryshme, nuk di ta përcaktoj as sot. 
Unë doja të ndiqja ritet dhe kam shkuar në varrim. Atje mbaruam dhe unë kisha dhimbjen e Azemit, por edhe të prishjes së ceremonisë, ishin dy gjëra që nuk di ta them, ishin shumë të rënda. 
Por ka pasur hetime.... 
Përsëri kanë kaluar 12 vjet dhe ai proces nuk është bërë. Procesi ka qenë i shpejtë, se kërkohej nga ndërkombëtarët nga pushteti i kohës për t'u gjykuar shpejt dhe e vërteta mbi vrasjen e Azemit se kush ka qenë, nuk ka dalë, është shumë e ndërlikuar. Ata kanë qenë jashtë e brenda dhe gjithçka, unë jam e bindur, ka të bëjë më luftën e Kosovës. 
Pse nuk kërkoni rihapjen e çështjes? 
Nuk është puna të rihapet çështja e Azemit, porn unë e di shumë mirë se gjithcka në ato momente ishte e nderë dhe politika, shtyu kolegët e mi, të cilët kanë pasur presione politike për këtë çështje. Dhe asgjë nuk ka dalë në dritë nga motivacioni kryesor për ekzekutimin e tij. 
Pra, ju mendoni se është vrarë për luftën e Kosovës? 
Nëse e mbani mend, unë kam bërë një deklaratë pas tre viteve në media dhe kam thënë që Azemi ia ka falur gjakun Shqipërisë, nuk ishte një vrasje familjare ajo. Ajo u cilësua si "vrasja e shekullit" se nuk mund të vritej një njeri siç u vra Azem Hajdari. Azemi ishte vënë në shënjestër. Ai e dinte që do të vritej sepse e kishin vënë në dijeni. Një ndër ta, ishte edhe ministri i Brendshëm Perikli Teta, madje e dinte dhe SHIK me Fatosin. Perikliu e donte shumë Azemin, dhe kishte të dhëna. Të gjithë e dinin që Azemi ishte në shenjëstër për tu vrarë, dhe jo kot, nga dy tre halabakë. 
Por ndërkohë celulari i Azemit nuk është gjetur akoma, një provë që mund të tregojë shumë gjëra.... 
Po se mos është vetëm celulari që nuk është gjetur. Aty mungojnë një sërë provash, nuk janë marrë që nga fillimi. Sa kohë kishte Azemi që sulmohej dhe pse nuk u morën me këtë. Dhe informacionet kanë qenë në SHIK e UDB, kanë qenë të gjithë brenda, të gjithë e kanë ditur. Mua nuk ma heq kush nga mendja se Azemi, thjesht në bindjen time, me atë vrullin e tij të sinqeritetit, është vrarë për luftën e Kosovës. Se po të ishte ndryshe, ishte vrarë më parë. Azemi ishte angazhuar për luftën e Kosovës dhe gjithçka për ndihmën e atij vendi. Dhe unë kam bindje të plotë brenda meje për këtë, se në varrim kishte shumë kosovarë, madje në 14 shtator edhe janë burgosur, madje edhe kanë vdekur. Dhe pastaj vrasja e ministrit të Kosovës. Unë e kam bindje të plotë. Dhe prandaj e kam thënë: dikush do vritej për luftën e Kosovës. Këto janë prova e fakte të asaj që ka ndodhur. 
Por ndërkaqë, provat dhe faktet do dalin. Ju si gjyqtare, si mendoni se është gjykuar ajo çështje? 
Nuk është gjykuar fare. Pasi vetë gjyqtari i çështjes më ka thënë se kemi qenë të detyruar nga politika të kryenim atë proces. Nuk janë marrë fare faktet, është bërë një proces i montuar, madje Berisha e ka konsideruar proces "farsë". 
Pse nuk kërkoni rihapjen e procesit atëherë, në dritën e fakteve dhe provave të reja? 
Politika duhet ta kërkojë këtë, PD. Duhet të flasin të gjithë të majtë e të djathtë, sepse ka nga ata në krye të policisë që nuk u intereson ndoshta kjo çështje. Dhe në këtë rast, Gjykata e Lartë vihet në lëvizje. Një mund të jetë motivi, apo prova të reja që nga vrasja e shumë personave pas vrasjes së Azemit, informacione të ndryshme në SHIK që dihen më shumë nga ata sesa nga unë, pra ka shumë çështje, persona të brendshëm apo të UDB, ka shumë njerëz që dinë. 
Por Azemi ka vendin e tij në histori.... 
Ai është vlerësuar gjithmonë, në 2002 ish presidenti Moisiu i ka dhënë 'Nderi i Kombit', në 2007, presidenti Topi 'Urdhrin e Skënderbeut', në 2003, ish presidenti Rugova i ka dhënë Medaljen e Artë 'Lidhja e Prizërenit'. 
Por në tekstin e historisë që mëson edhe im bir, Historinë e Shqipërisë, Azemi nuk përmendej gjëkundi. Në të tjera është cënuar shumë. Sot ne brezat e kujtojmë, por historia duhet edhe për brezat që do të vijnë. Ti jepen kontributet që ka, as të mos ia shtojnë e as të mos ia heqin.



(Vota: 14 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora