E shtune, 27.04.2024, 06:24 AM (GMT+1)

Mendime

Fadil Lushi: Tekstet mësimore si dredhkat e arave

E hene, 20.09.2010, 09:58 PM


TEKSTET MËSIMORE SI DREDHKAT E ARAVE

 

Nga Fadil LUSHI

 

Të nderuar lexues të vëmendshëm dhe të paanshëm, këtë shkrim timin të radhës ju betohem se nuk do ta bëj me humor dhe për humor, por thjeshtë do mëtoj që me këtë të bëj një paralelizëm me një barsoletë nga koha e njëmendjesisë së Enver Hoxhës. Një barsoletë e thurur nga hokatarët gjirokastritë për inat të sundimit diktatorial të bashkëvendësit të tyre. Kështu e tregojnë përafërsisht: “Në një ndërmarrje e kishin caktuar ariun roje të objektit, kurse lepurin mbartës. Lepuri i shkretë, nuk e bënte dot punën e mbartësit dhe shkon të ankohet në zyrën e kuadrit që e drejtonte dhelpra. Atë punë e di unë, i tha dhelpra, ti do të jesh mbartës. Lepuri vajti të ankohej te drejtori. Kur hapi derën, në vendin e drejtorit ishte ulur gomari. Iu ankua, ky iu përgjigj: Këtë punë e di dhelpra, se ndryshe këtu duhej të ishte ulur luani, jo unë”!? Dhe e gjithë kjo hallakatje dhe katrahurë sipas logjikës sonë duhet të jetë pjellë e dhelprës.

            Në këtë barsoletë nuk dua të hetoj a të krahasoj apo edhe të perceptoj asnjeri protagonist nga përditshmëria jonë, qoftë ajo politike, arsimore, po nëse doni edhe kulturore. Përkundrazi, do t’i referohem një sërë gjymtimeve që nëpërkëmbin vlerat tona edhe ashtu të pakta që mezi gjallërojnë e frymojnë në pyllin e antivlerave.

            S’do mend, kjo barsoletë kishte reflektuar gjendjen dhe katrahurën sociale, ekonomike, arsimore dhe moralin kolektiv të njëmendjesisë enveriste të viteve 60. Në këtë hallakatje, pa dëshirën e tyre merrnin pjesë edhe  intelektualët e mirëfilltë të asaj kohe, të cilët ishin në betejë të përhershme dhe të hapur me njerëz jomeritorë, joprofesionistë, pa taban kombëtar dhe pa trashëgimi familjare, me njerëz të cilët ishin ulur këmbëkryq-si agallarët anadollakë në kryemindere gjithfarë institucionesh. Intelektualët e atëhershëm ishin të ndërgjegjshëm ndaj kësaj hallakatje, por ja që nuk e kishin forcën ta kundërshtojnë këtë amulli nga njerëz të cilët ishin të veshur me petkun (konfeksionin) e pushtetit apo të diktaturës.  Në këtë barsoletë kishte shumë të vërteta. Dhe kjo barsoletë sot e gjithë ditën e Perëndisë, gjen hapësirë në shtetet e Ballkanit në tranzicion, në veçanti në krye të  institucioneve që diskutojnë çështje nga më të ndryshmet, qofshin ato çështje me karakter politik, ekonomik, social, politik, po edhe arsimor.

            Edhe intelektualëve të sotëm të mirëfilltë u mungon forca për të kundërshtuar këtë katrahurë, të ndërtuar nga njerëzit joprofesionistë dhe jomeritorë. Për këtë dhe shkaqe të tjera, ca intelektualë, duke respektuar deri në fund institucionin e dorëheqjes, i braktisin vullnetshëm edhe ato pak poste në kuadër të institucioneve. Në këtë fenomen jo të zakonshëm, s’do mend se zëri kundërshtues i arsyes së tyre nuk do degdisë dhe nuk dëgjohet larg, nga fakti se, kjo kundërshti pengohet nga njerëz, të cilët lëre që nuk e njohin problematikën, por që edhe hiqen si mbartës të saj. Thjeshtë, perceptimet e tyre janë skajshëm vulgare, por edhe konceptohen si të “drejta dhe të qëndrueshme”, në krahasim me perceptimet e njerëzve gjegjësisht intelektualëve që e kanë jetuar këtë histori, e njerëzve që kanë qëndrim profesional dhe kritik kundër gjymtimeve që dalin nga përditshmëria jonë e zymtë, qoftë ajo politike, filozofike ose edhe nga ndonjë aspekt tjetër.

            Kështu, këta intelektualë duke qenë të ndërgjegjshëm se në vijimësi ballafaqohen me një orientim të çoroditur social, politik dhe arsimor nuk arrijnë dot ta perceptojnë drejt përditshmërinë e tyre stereotipike. Aq shumë janë ngopur me lloj-lloj informacionesh të gjymtuara dhe të shtrembëruara, saqë më nuk i besojnë dot edhe asaj të vërtete që është e shenjtë a edhe kanunore. Në sferën e arsimimit sipëror vërehen një sërë gjymtimesh edhe atë duke filluar nga themelimi dhe akreditimi i tyre. Këtij institucioni i mungojnë standardet dhe kriteret, ndërkaq autonomia e të vepruarit ngujohet nga politika ditore e partive politike, sidomos atyre në pushtet. Vlerat e tyre nëpërkëmben atëherë kur themelohen si universitete fiktive, qofshin ato publike a private dhe po këto institucione, në vijimësi regjistrojnë studentë fiktivë, të cilët pas katër vitesh pajisen me diploma fiktive, diploma këto që nuk mund të projektohen jashtë oborrit tonë akademik, apo siç thotë një analist nga Shqipëria, “Në shkollën tonë, dalin më shumë studentë, sesa futen. Futen 100 dhe dalin 120 vetë”!? Edhe kjo sferë shoqërore ngel jashtë mbikëqyrjes dhe kontrollit të shtetit. Shteti o nuk do ta kontrollojë, o nuk di ta kontrollojë, o në instancë të fundit ka hise në këtë katrahurë. Ndoshta kjo bëhet me qëllim nga njerëz për qëllime abuzive. Ku ta dijë njeri këtë marifet.

            Edhe në kuadër të institucionit që merret me hartimin e teksteve mësimore, qofshin ato për arsimin fillor, qofshin për atë të mesëm, intelektualët ngelin të pafuqishëm. Është një institucion ku gjithsecili “intelektual” i gjen vetes hapësirë për t’u akomoduar dhe ashtu rehatshëm për të bërë politikë plagjiaturash, dhe pa fije turpi të shkelë mbi standardet, kriteret dhe rregullat e hartimit të librit shkollor, qoftë ai shqip a në ndonjë gjuhë tjetër. Ka kohë që në shkrimin e teksteve mësimore dominon një patologji e anarkisë dhe e papërgjegjësisë si selektive, njashtu edhe kolektive. Tekstet mësimore, autorë të të cilëve janë maqedonas, lëre që janë kopje e zbehtë e sistemit arsimor të njëmendjesisë, por dhe si të tilla janë të mbushura me politikë, shovinizëm, toponime (shqiptare) të shtrembëruara, toponime folklorike, joprofesionizëm, diletantizëm dhe shumë pak didaktikë, dokimologji dhe aspekte të tjera. Ato karakterizohen edhe me një mal shtrembërimesh dhe gënjeshtrash, sidomos kur bëhet fjalë për kulturën, gjuhën, historinë dhe gjeografinë amtare të etniteteve  jomaqedonase, që jetojnë dhe veprojnë në Republikën e Maqedonisë. E keqja e këtyre teksteve mësimore (të monopolizuara nga autorë maqedonas) nuk përfundon me kaq, përkundrazi kulmi arrin, kur ato përkthehen në gjuhën shqipe nga njerëz amatorë, nga njerëz të cilët nuk plotësojnë asnjë nga standardet dhe kriteret e përcaktuara qartë. Janë të ashtuquajtur përkthyes që fare pak e njohin gjuhën e sotme shqipe, përkthyes që nuk kanë haber për programet mësimore, nuk e njohin leksikun terminologjik të tekstit mësimor që mëton ta përkthejë dhe një sërë kërkesash të tjera, qofshin ato didaktike a të tjera. Dhe, jo rastësisht gjatë përkthimeve të tilla vërehet një diletantizëm i paparë si në aspekt gjuhësor, përmbajtjesor dhe metodologjik. Thjeshtë përkthehen nga njerëz jokompetentë, jomeritorë edhe atë për pak para. E gjithë kjo bëhet me pak profesionalizëm dhe me shumë papërgjegjësi vetjake, morale dhe materiale.

            Tekefundit, tekstet mësimore nuk mund të politizohen, nuk mund të shtrembërohen dhe në instancë të fundit,  nuk mund të improvizohen. Në oborrin e shtrembërimeve dhe improvizimeve të teksteve mësimore, gjithsesi se ka hise edhe heshtja jonë qoftë ajo selektive, kolektive, politike apo edhe profesionale. Dhe kur hetohen (rastësisht) gjymtimet në ato tekste, atëherë të gjithë reagojnë në kërkim të fajtorit. Çuditërisht, reagimet janë të vonuara dhe nga më të ndryshmet, llafin do ta thotë edhe ai që s’është meritor për këto çështje, respektivisht ai që nuk ka hise në këtë mesele, ndërkaq ai që është më meritor për reagime të tilla do të thotë se është i pafuqishëm ose, tekefundit, do të heshtë!?

            Nuk ka si të konceptohet dhe si të shpjegohet ndryshe e gjithë kjo zallahi në arsimin sipëror dhe, në kuadër të institucionit, të teksteve mësimore burimore ose madje edhe të përkthyer. Kështu, siç perceptohet kjo problematikë didaktike po edhe dokimologjike, të lë përshtypjen se nuk ka asnjë pistë a rrugë që të degdis drejt zgjidhjes së problemit të akumuluar prej vitesh në tranzicion, qoftë ai politik, ekonomik a arsimor. Është e drejta e çdonjërit të reagojë ndaj këtij pështjellimi, dhe ky reagim nuk mund të anashkalohet e as të dhunohet. Ky reagim qoftë i prindit, intelektualit, arsimtarit, nxënësit apo edhe këtij opinionbërësi, do të ishte i paarsyeshëm po t’i mungonte mbështetja institucionale, në radhë të parë, mbështetja e partive politike shqiptare.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora