E shtune, 27.04.2024, 12:35 PM (GMT+1)

Mendime

Gazi Buxheli: Kujdes nga momenti i gjaknxehtësisë

E shtune, 25.09.2010, 04:17 PM


KUJDES NGA MOMENTI I GJAKNXEHTESISE

 

Nga Gazi Buxheli

 

Një ndodhi, shumë e largët, gati gjysëm shekullore, e kohës studentore, mu zgjua ditën që mësova ndarjen nga jeta të Dr. Ulvi Vehbiut. Një përplasje mes natyrës së tij të qetë, e durues, me një moment shumë revoltues, në të cilin Ai u ndodh një ditë, është tërësia e asaj ndodhie, që përcjell mesazhin: kujdes nga momenti i gjaknxehtësisë!

    Në vitn 1964 isha student i vitit të pestë, në Fakultetin e Mjekësisë. Në muajin Maj të atij viti, u organizuan disa ekipe depistues, me studentë dhe mjekë. Detyra ishte të zbulonim raste të sëmudshmërisë nëpër fshatrat e Shqipërisë, e njëherësh të bënim atje propogandë mjekësore. Grupi ynë, i përbërë nga tre studentë, pati në krye Dr. Ulviun. Ishim caktuar për të shkuar në Farkë të Tiranës, një fshat me probleme  të shumta shëndetësore, e sidomos hygjenosanitare. Kontaktin  e parë, ditën që mbritëm në atë fshat, e patëm me ndihmësmjekun e zonës, Kujtim Asllani. Që në fillim të takimit me të u ndeshëm me të papriturën: ndërsa prisnim të na informonte për problemt me të cilat duhet të merreshim, Ai i’u drejtua Dr. Ylviut: - Dr. të lutem shpëto nga llahtara dhe vdekja e sigurt një djalë të ri! Asgjë më shumë se kaq nuk u desh që të niseshim për te shtëpia e të sëmurit. Sa hymë në atë shtëpi mbetëm të shtangur  nga një pamje të cilën, për të mos kërkuar efekte psikologjike mbi lexuesin, po e jap ashtu siç e pamë: në një dhomëz, gjysëm të errët,  një djalosh i ri, i lidhur me litar te këmba e majtë, mbuluar me disa rroba të shumta, rënkonte me një zë të shurdhët, që mezi dëgjohej. Mbi kokën e tij, varur në një tra të shtrëmbër të dhomëzës, lëkundej, sa majtas djathtas, një kusi e zezë e mbushur me  nje sasi uji ngjyrë gurkali. heshtja e frikshme dhe gjysëm errësira, plotësonte kuadrin çnjerëzor të ambjentit, ku djaloshi, i konsideruar i çmendur, kishte gati një muaj që jetonte dhe mjekohej nga një “shërues popullor”

   Isha shumë pranë Dr. Ulviut dhe e dëgjova mirë kur pëshpërit: O Zot, si ka mundësi! U tur drejt  një sergjeni ku mori një thikë. Ishte tejet i nervozuar. Fillimisht nuk e kuptuam përse i duhej ajo thikë, por pastaj pamë qëllimin: me duar që i dridheshin nga nervozizmi preu litarin që mbante të lidhur atë djalosh. I flaku tej mbulesat e shumta dhe tentoi ta nginte ndejtur. Djaloshi  nuk lëvizi. Ndejti për pak çaste në heshtje, vështroi rreth e qark me një shikim të papërqëndruar, pastaj mbylli sytë, e ra  në një gjum të thellë.

   Koha e qënies sonë atje koincidoi me atë të ardhjes së njeriut që e “mjekonte” djaloshin. Ishte “Shëruesi Popullor”, që në ato anë njihej me nofkën “Shërues Shabani”. Hyri nga deriçka prej drrase, por u shtang nga e papritura e qënies sonë atje. Pas hutimit fillestar, sikur të mos kishte ngjarë asgjë, gjakftohtësisht, u  nis për  të bërë ritualin e mjekimit: nga ena e zezë që lëkundej mbi kokën e të sëmurit, do të mbushte një filxhan me lëngun e saj për t’ia dhënë ta pinte. Pastaj do t’ì zgjidhte litarin, do t’i këndonte me mërmërim diçka te koka , dhe do ta rilidhte. Ishim të rinj atëhere, dhe nuk frenoheshim lehtë në nervozizmin tonë. I’u turrëm “shëruesit”, me sharje e mallkime, gati për ta nxjerr jashtë, qoftë edhe me shqemba.

  – Pushoni dhe rrini urt! dëgjuam zërin e nervozuar, gati uluritës, të Dr. Ulviut. U stepëm me një vetpërmbajtje të mundimshme. Pamë pastaj doktorin t’i afrohej shëruesit të porsaardhur. Përkundër natyrës së tij tejet të qetë e të përmbajtur, në ato momente ai u shfaq krejt i ndryshëm:  i acaruar, dhe gati i papërqëndruar. U afrua tek “ shëruesi”, dhe shumë parnë tij, në një moment kujtuam se do ta godiste, i tha:  - ti , nuk je shërues, por një kriminel. Ik dhe mos u duk më këtu! Mos u duk kurën e kurrës as këtu, e as gjëkudi! Dëgjove? Kaq i tha shëruesit dhe u kthye nga ne: për sot depistimin do ta ndërpresim. Do të merremi vetëm me këtë djalosh. Nesër do të vimë prap këtu, për të vazhduar programin. Bashkë me të sëmurin u nisëm për në spitalin psikiatrik, ku edhe u shtrua, për t’u mjekuar gjatë, shumë gjatë, nga Dr. Ulviu, deri në shërim dhe aftësim të plotë .

   Të nesërmen u kthyem përsëri në Farkë, për të ndjekur programin e depistimit. Por përsëri u gjëndëm të befasuar, por kësaj here në një tjetër drejtim: doktor Ulviu kërkoi të takohej domosdoshmërisht me shëruesin mashtrues! Ndoshta, thamë, e do për t’i thënë se do ta  padiste  për atë krim që, nga injoranca, kishte bërë. Por nuk qe ashtu. Dr. i kërkoi falje shëruesit mashtrues: - të kërkoj ndjesë për fjalët e rënda që të kemi thënë dje, i tha, qetësisht! Gabimin e rëndë që ke bërë me atë djalë mos e bëj më! Dhe tani mund të shkosh. Të habitur pamë njeritjetrin në sy! E pikasi edhe doktori habinë tonë: – djema,  si ju edhe Unë, me nervozizmin e djeshëm, edhe pse i justifikuar, gabuam. Nervozizmi nuk është as argument, as zgjidhje, kurse në jetë  ai është vetëm një këshilltar i keq. Ishte një moralizim që u bë shinë ecurie në karierën tonë të  mjekut, ajo mbyllje që doktor Ulviu i bëri asaj ndodhie. Pas saj, të qetë vazhduan depistimin e programuar, nëpër fshat.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora