E shtune, 27.04.2024, 10:06 AM (GMT+1)

Mendime

Mentor Nazarko: Qeveria, sa servile para grekëve

E enjte, 23.09.2010, 08:45 PM


Qeveria, sa servile para grekëve

 

Nga Mentor Nazarko

 

Në përfundim të shkrimit mbi vrasjen tragjike të të riut himarjot Aristotel Guma, kisha lënë një varg pikëpyetjesh në lidhje me atë se çfarë kërkonin grekët, ndërsa zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Delavekuras, trashte zërin duke politizuar atë që ndodhi. Me ardhjen e sekretarit të përgjithshëm të Ministrisë së Jashtme greke, Zepas, pas rrufeve të Zeusit të dobët nga kriza e brendshme ekonomike, Papandreu, shumë gjëra po qartësohen në lidhje me këto qëllime.

Greqia po përpiqet të shfrytëzojë momentin e veçantë që po kalon Shqipëria me procesin e liberalizimit të vizave dhe marrjen e statusit të vendit kandidat, për të rritur përkulshmërinë e saj, duke i hapur disa çështje njëherësh. Në përpjekje për të ulur përkulshmërinë e Shqipërisë, gjegjësisht të Qeverisë shqiptare drejtuar nga Sali Berisha, Greqia po politizon skajshmërisht  çështjen "Guma", siç vërente me të drejtë Elefterotipia dhe po shpik një çështje tjetër, siç është dërgimi në OKB i të ashtuquajturës çështje të grabitjes së pasurive greke në Jug të vendit. Përballë një Shqipërie të përkulur realisht, në fyerje të plotë të institucioneve të pavarura të shtetit shqiptar siç është Gjykata Kushtetuese, Greqia kërkon zgjidhje të çështjes së ujërave, ndërkohë që vendi ynë është i detyruar me ligj të rinegociojë marrëveshjen. Greqia po kërkon, siç njoftonte Elefterotipia, të ndryshojë modelin e regjistrimit etnik të popullsisë sonë, duke imponuar eventualisht dhe ardhjen e emigrantëve të "homogjenizuar" në atë rast në përpjekje për të rritur numrin e minoritarëve artificialisht.

Përballë absurditetit të kërkesave të Greqisë, me synim mbajtjen në presion të Shqipërisë që të mos ngrejë nga ana e vet çështje reale, nuk na intereson të interpretojmë nga këndvështrimi etik sjelljen e fqinjëve. Greqia është brenda historisë së vet, brenda stilit të vet të të bërit politikë të jashtme. Por ne duhet të merremi me përkulshmërinë e Qeverisë shqiptare, drejtuar nga njeriu që s'dihet pse arrin të bindë një pjesë të elektoratit shqiptar si patriot i madh.

Përkulshmëria e kësaj Qeverie u duk nga pikëpamja vizive, nga mënyra sesi Kryeministri i një vendi sovran takon një sekretar të përgjithshëm të Ministrisë së Jashtme të një vendi fqinjë, duke e përqafuar. Ishte me siguri një akt servilizmi, që duhet ta ketë habitur diplomatin që sipas traditës së vendeve serioze, përfaqëson vazhdimësinë e politikës së jashtme.

Përkulshmëria e kreut të kësaj Qeverie u duk tek dyfaqësia e tij në lidhje me statusin e Himarës. Ndërsa tek "Klan" disa ditë më parë Berisha nuk e quajti Himarën minoritet, përballë zyrtarit të lartë grek, Berisha jo vetëm e quajti, siç del nga njoftimi i shtypit i Kryeministrisë sonë, por dhe e afishoi këtë qëndrim në publik. Me këtë afishim, Kryeministri ynë pranoi që Greqia t'i kërkojë llogari për vrasjen e Aristotel Gumës. I inkurajuar prej këtij servilizmi, kryetari i bashkisë, Bollano, e ka shndërruar Himarën në një principatë greke, ku nuk zbatohen ligjet e shtetit shqiptar, ku nuk veprojnë gjykatat, përmbarimi, nuk pranohen biznese jashtë Himarës, ku nuk shpërndahen pronat, duke shkelur po vetë 55 ligje të shtetit shqiptar sipas KLSH-së. Tutori i Bollanos, Kryeministri i këtij vendi me pasion të fshehtë letërsinë, nuk nderoi minimalisht familjen himarjote, të patriotit të madh shqiptar, themeluesit të prozës moderne shqipe, Petro Marko nga Dhërmiu. Kjo figurë e shquar, familja e tij dinjitoze, që dergjet në varfëri është dëshmia më e ndritshme e shqiptarësisë së Himarës, që nuk gjunjëzohet para pensioneve të turpshme greke. Me këtë injorim ndaj lapidarit të shqiptarësisë himarjote Kryeministri Berisha tregoi dështimin e Qeverisë së tij në zgjidhjen e një çështjeje si ajo e Himarës, dështimin në trajtimin e të persekutuarve të vërtetë të regjimit komunist si familja Marko dhe mungesë humanizmi të theksuar. Por mbi të gjitha servilizmin e tij, frikën e tij nga Greqia që prej 1995.

Realisht e gjitha kjo s'duhet të na habisë. Ashtu siç nuk duhet të na habisin meshat politike të organizuara në Himarë me një prani aq të dendur politikanësh grekë. Prej ardhjes së Sali Berishës në pushtet, Himara ju shtua me vullnetin e Qeverisë shqiptare hartës së minoritetit grek në Shqipëri. Dhe meqenëse minoriteti real nuk ka probleme, "kryeqendra" e grekëve edhe me lejen e Kryeministrit u zhvendos në Himarë, ku filluan problemet siç thoshte qartësisht, himarjoti i vërtetë, ish-deputeti Nikolla Neranxi në një editorial të vetin në Panorama.

Ne kemi akuzuar qeverisjet e majta, veçanërisht Nanon si i përkulshëm ndaj grekëve, por për sens drejtësie duhet ta rishikojmë qëndrimin. Qeverisja e PS me Nanon në krye i ka refuzuar sistematikisht vizitat e zyrtarëve grekë në Himarë dhe kjo Qeveri i lejoi. Të majtët refuzuan regjistrimin e popullsisë mbi baza etnike, Berisha e lejoi. PS refuzoi ndërtimin e varrezave të ushtarëve grekë, ndonëse në mënyrë fyese toleroi ndërtimin e tyre pa leje, kurse Qeveria e djathtë i legalizoi. Qeveria e majtë refuzoi miratimin e një marrëveshjeje ujërash territoriale pa negocim, sipas draftit grek ndërsa qeverisja e djathtë e pranoi menjëherë. Qeveria e majtë - s'po përfshijmë këtu Presidentët Meidani dhe Moisiu apo edhe Presidentin Topi, e ngrinte ndonjëherë çështjen e ligjit të luftës dhe të pasurive shqiptare, ndërsa kjo Qeveri prej 2005-ës nuk e ka ngritur kurrë.

Kjo Qeveri pra është Qeveria më e përkulshme dhe më e përkulura para interesave greke në vendin tonë. A është kjo një diçka e çuditshme? Jo, madje ka edhe një provë tjetër. Nën indiferencën e kësaj Qeverie, e ashtuquajtura Kishë Autoqefale e Shqipërisë ndryshoi statutin duke shkallmuar edhe më tej shqiptarësinë e kësaj kishe. Vepra greke që nisi me pranimin e hirësisë së tij Janullatos në krye të kishës së Fan Nolit, pikërisht prej qeverisjes së PD kur Berisha ishte President, duhej të çohet deri në fund. Dhe më e keqja është, se para këtyre lëshimeve, PS-ja e Edi Ramës rri dhe vështron.

 



(Vota: 3 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora