E shtune, 27.04.2024, 10:53 AM (GMT+1)

Mendime

Faik Islami: ...Po the Gjirokastra, i ke thënë të tëra!

E merkure, 22.09.2010, 09:57 PM


...PO THE GJIROKASTRA  I KE THËNË TË TËRA...!

- Në pergjigje te shkrimit te K. Miftaraj

 

Nga Faik ISLAMI

 

Shkak për këtë shkrim u bë një artikull në një të përditëshme, ku thuheshin rrukullimat, për Gjirokastrën e merret vesh, për gjirokastritët. Opinioni i artikullshkruesit përfshinte një hark kohor prej... para Skënderbeut e deri tek periudha e.... Kadaresë. Biles me figurën e Kadaresë, e skicuar ashtu komplekse, por nxirosur, ilustrohej “Kompleksiteti” ngjyer në mellan” i gjirokastrite. Në këto pak radhë nuk do të mundohemi t’i vërsulemi autorit, për të mos rënë në të njëjtin gabim me të. Nuk e kemi thjesht me artikullshkruesin se sa më shumë syresh, të cilët pa e njohur Gjirokastrën e gjirokastritët nuk i kursejnë vrejtjet, kritikat, e ca me keq dhe shumë anatemime të pamerituara. Mirëpo, që në fillim, na duhet edhe t` justifikojmë ca të këtyre kohërave. Për të gjitha mbrapsht po flitet e përflitet. Nuk e kanë parë me sy Gjirokastrën, e prap se prape mjafton që Enver Hoxha ishte gjirokastrit dhe i lëshojnë të gjitha. Të tillët, nuk i zë as meraku, të dëgjojnë njerëz stranikë, (gjezdisësa), për të mësuar  të vërtetat për Gjirokastrën.

Në këtë shkrimin e fundit, artikullshkruesi, përgojon mbarë e mbrapsht gjirokastritët, duke marrë për argumenta... pjesëza nga krijimet e Kadaresë. Me mëndjen, krijimin, veprën e Kadaresë, është krenuar e krenohet jo Gjirokastra, por i gjithë kombi. I quajmë mjaft këto të dy fjalë, për të mos bërë “të pakënaqurit” apo “të cingrisurit”,  nga sa lodhet me vite të tëra e faqe të tëra, edhe në këtë shkrimin që folëm të artikullshkruesit, pasi  jashtë çdo dyshimi, është marrë vesh përfundimisht se ai vuan nga fobia “Kadare”. Është punë e objektivave të tij, të gërmojë sa të mos ketë më, në minierën e florinjtë të Kadaresë. Ka aty, flori safi dhe bakër safi. Por kur nga gërmime të atij lloji synohet të funduriset historia e njerëzve të mirë të Gjirokastrës, nuk mund të rrimë pa përmëndur ca të vërteta.

I këndojmë të gjitha sa thonë e thuhen për Gjirokastrën. Nuk jemi indiferentë edhe për sa thonë njerëz jo pa mënd, për gjirokastritin tonë Kadare. Nuk dogëndisemi dhe nuk marrim inat për asnjërën nga ato që na kanë zënë veshët, në adresë të tij. Se e kemi mësuar që në vegjëli, kur bridhnim sokaqeve, që gurët  e poplat lëshohen mbi arrët dhe të gjitha pemët me koqe. Kush u çmënd të hedhi gurë mbi rrapin, shtogun e qelbsin. Na u mësuan veshët dhe na u regjën sytë nga të gjitha ato rrukullima që thanë e thonë akoma për Enverin! Pesëdhjet vite i parë e 20 vite... i sharë..! Gjirokastra është në vëndin e saj. Atje, mbi pllaka guri.

U çmësuam nga siç kemi trashëguar nga të shkuarat. Si sjellje qitetare, si vlerësim  për figurën e njeriut,  krijesë e Zotit. Për t`ja thënë të mirën dhe të keqen, në masën që i ka merituar. Për të dashur dhe dhënë dashuri për gjitonin, e tërë të vëndit. Se e ka ditur fort mirë gjirokastriti që nuk merr dashuri po nuk fale prej saj. Skuqeshin të parët në Gjirokastër, kur për njeriun flitej me urrejtje. Qyteti “i rrethuar” prej katër qëndrave të kulturës së lashtë, e ka patur me pash kutin e vlerësimit të njeriut për njeriun. Vlerësimin e të mirës dhe të keqes. Nuk e ka patur në traditë gjirokastriti të gremiste llafin e keq, kur nuk e ka patur vëndin. Në qytetin me histori të lashtë për prodhimin dhe konsumin më të madh të verës, nuk janë pirë kurrë mëndtë. Përkundrazi, gjirokastriti e ka patur në traditë  jo vetëm të kursente llafin e keq, por dhe ta mëshironte, cilindo që makari të kalonte para sokaqeve të tyre, duke folë me fjalorin e Nondës. Se dhe i sëmuri mendor Nonda, nuk kishte lindur në Gjirokastër, por qyteti e bëri dhe e ushqeu si të vetin, deri ditën që ndroi jetë. ”Sokaku i të marrëve” që përmënd artikullshkruesi, nuk është pjesë e historisë se sa e fantazisë dhe e romuzeve që gjirokatritët kanë ditur t’i përdorin aq mirë. Nuk ka patur asnjë shtëpi në atë sokak dhe nuk është faji i sokakut pa krye që lajthit të shëndoshët e sotëm. Tjetër kund ka qënë arsyeja e përdorimit të atij romuzi marrë për emër dhe jo tek incestet (martesat brenda gjakut) që edhe kanë ekzistuar. Jo vetëm në këtë qytet, por në  plot vënde goxha të kulturuara si  Izraeli i pareve te botës, Franca e kultures se lashte dhe disa të tjera anglosaksone. Arsyet nuk kanë qënë tek injoranca, por tek mbrojtja e pasurisë, e kulturës, etj. Duam të themi, kanë patur rrënjë të thella historike këto punë.

Sot, edhe pse kohët kanë ndrishuar me ndikime për keq, është  për tu theksuar se shumë pak ajo ka ndikuar në ndryshimin e kulturës e mentalitetin e gjirokastrite. Nuk qorrollepsen kollaj gjirokastritët. Këto kohëra, me lloj-lloj të thënash e nxirjesh,  pa kufi e cak, kur sundon jo më e mira, njerëzorja, por boja  qe jep faqen e të  keqes, kur janë  shuar edhe cingërimat e të mirës, në përmasën e figurës njerëzore, në Gjirokastër mbahen akoma traditat. Janë të thella rrënjët kulturore të gjirokastrite. Janë bërë një me pllakat e tabanit të qytetit mbi gurë.

Nuk dogëndisen fare për sa lëshojnë ndaj Kadaresë ca  që më shumë e kanë për kundër vetë Gjirokastrës. Jo për gjë, por në ndonjë rast si shumë, në këtë vëndin tonë të vogël, edhe neve gjirokastrite, mundet të na ketë pëlqyer “të kruhemi pako gjë me të” me djalën e bërë goxha burrë e lagjarin tonë. Jo me  krijuesin, por  me atë vetë, si njeri. Se tek kjo figurë e gjallë, këtej kemi parë dhe shohim akoma dy pamje jo fort të barabarta, jo aq në sinkron. Njëra, ajo e krijuesit, është e madhe, e gjerë. Shumë më e gjërë se vetë... Mali i Gjerë. Tek ajo e njeriut, na është dukur, se hera herës në këto vite, çoku shofim pluhura, të cilat neve gjirokastrite, na vrasin sitë kur i gremisim mbi të. Na vrasin, sepse na duket sikur ai vet i hedh kokërriza e pluhurit per mbi sharm te tija.! Mbase që të duket i dëmtuar nga e shkuara. “Dale mo”!,- themi e thonë këteja. “Që kur kthevi ki”? Si sqimtarë, e këtë nuk na e ka mohuar njeri deri më sot, nuk i shofim dot kokërrizat e pluhurit mbi bronxin e tij... Ja, për këtë kemi thënë edhe nga një llaf.E që na vetë Enveri, kanë qënë po gjirokastritët më të parët në kritikat kundër tij. Se e kemi dashur atëhere me ato që na dha.E duam shumedhe sot e gjithe diten.Por dhe dogendisemi,.. kur na i cingris ato qe na pati dhene. Kemi frikë se nuk o jenë më ato që na dha atëhere mo! Merakosemi...se allahasndëk dhe ai nuk o jetë  më ai që ishte.

Mirëpo kur kënduam gjithë ato rrokullimat, që lëshoheshin për tërë qitetin, për tërë qitetarinë tonë, brezat e brezave gjirokastritë si.. jo luftëtarë, jo atdhetarë, si.. të lidhur me pushtuesin dhe shtypësin turk, kundër të gjitha lëvizjeve e luftrave për çlirim dhe emancipim kombëtar e plot të këputura nga këto si kur ky,  njeriu marsur e marrë mënd sa të këlasës fidhore,  por që i është tiposur të shkretit që me fobinë  ndaj “Kadaresë” edhe  çoç mund të bëhet, thamë: “Allah, Allah! Të mos i ketë rënë udha, për t`i hedhur një si Gjirokastrës ki ? Nuk është gjinah kur sos deri në këta kufij, vetë gjinahu? U pataksëm se nuk ka qënë Gjirokastra e Ismailit edhe në do të ishte për tu sharë Ismaili.Ismaili është nga Gjirokastra dhe doemos, që ka marrë nga madhështia e saj Nuk ishte as e Enverit, që kishte lindur në Gjirokastër e shkolluar në Korçë, që at`hernaj.. e dënonte pederasdtinë me shtatë vite burgu, kur të kohës së këtij, që lëshon kundër Gjirokastrës, na e kthien në shoqatë ...”patriotike, kulturore dhe evropiane”.. domozdo !

Gjirokastra është e atyre burrave që kanë nderuar tërë kombin. Është e Tupollarëve që e morën  emrin prej topit që i lëshuan vezirit Ali Pasha. Dhe  dihet pse, nga ata që dinë e duan të mësojnë të dinë.. Gjatë një darke në Çabeaj, Vezirit i shkuan sitë tek vajza që po u shërbente. E kishin marrë për ta rritur atë bonjake nga Kosova. Dhe i bënin bila(vajza) jetimet gjirokastritët.  I martonin si vajza të tyret.

- “Ma jep mua këtë shërbëtoren” - i tha Ali Veziri, të zotit të shtëpisë. Njihej qejfliu Ali.Pastaj ao vajzë  mali, me faqet si cipë bore mbi Çajup, e ngalasur me dashuri  nëne gjirokastrite  u bë, ku e ku dhe me vet Vasiliqinë.

- “Nuk e kam shërbyese, por bilën time”- ja ktheu rëndë, i fisit të Çabenjve. Aliu u nxi.Vezirët dhe “të shtirët” edhe  për pako gjë përmbisin mirësinë.  Duke njohur huqet e vezirit, Tupollarët që ishin Karagjozatë ne fakt, u vajtën në ndihmë Çabenjve. Zbrazën mbi kala, topin që kishin në shtëpi! Nga ai sebep u mbeti llagapi topollarë. E këta Topollarët, me Bajon e mënçur e Çeçon trim mbi trima, shkrinë pasurinë, në të mirën e atdheut kur ja u kërkoi.Se kanë shkrirë nikoqirinë e venë me aqe kursim gjirokastritët, për të mirën ë atdheut.E dinë këtë ata që dinë të dinë. Nga kjo derë dolën djemtë që ndezë zjarrin e kryengritjeve popullore, të cilat u përhapën deri në Malësinë e Gjakovës. E ata ishin nga Gjirokastra. Është vënd historie Gjirokastra. Jo më kot dega e Lidhjes së Prizërenit, më e para u hap jo gjetkë, por mu në Gjirokastër.

...- “Kanë qënë gjirokastritët të lidhur me pushtuesit turq...”- thotë artikullshkruesi. UI ç`na tha more! Po ore kanë qënë. Gjashtë sadrazemë të Turqisë kanë qënë nga Gjirokastra. Se Perandoria më moderne e kohës nuk u mbajt me budallenj, por me elita. Gjirokastra nuk ka patur pak elita. Njerëzit edhe ndën robëri kanë dashur e kane ditur  të jetojnë. Si njerëz, por dhe sa më mirë.

Gjirokastra, si vëndi i arsimdijes më të madhe, na flet që në të shkuarën. Na e pohon historia. Dhe jo më ajo e viteve të Enver Hoxhës, se atëhere u bë e tërë Shqipëria e shkolluar, por ajo e pas viteve 20-të. Jo më kot aty u ngrit Liceu i parë francez. Në do të dijë dikush gjynahqar, pse është akoma i paditur nga këto visare, ka plot Gjirokastra për t`ja modhoisur.Jo fort larg, por edhe për kohën e prag shpalljes së mbretërisë. Do qe mjaft një sy mbi librin e Teki Selenicës me titull ”Shqipëria më 1927” dhe do të ishte bodhe, për të nxjerrë mësime. Në faqen... CLVI, autori jep shifra kuptimplote...” Gjirokastra kishte 246 kuadro mbaruar universitetet. Jo vetëm në Stamboll, por më të shumtët në Francë, Austri dhe Itali. Tirana, kryeqyteti,  kishte vetëm 2 vetë me universitet, ndërsa Korça kishte 92. Me gjimnaz Gjirokastra kishte 406 vetë, kur në Tiranë kishin mbaruar gjimnaz vetëm 10 vetë. Në Gjirokastër ndiqnin shkollën fillore 21.118 nxënës. Në Tiranë vetëm 113 nxënës. ...”

Kur e deshi puna Gjirokastra nxorri Idrizët, Pandeli Sotirin, Koto Hoxhin, Urani Rumbon, Sevasti Qiriazin, për të arritur te heroi kombëtar Avni Rustemi e plot të tjerë. Kush merr mundimin të lexojë Pukëvilin dhe Çelepinë, merr vesh mirë për Gjirokastrën. Në atë risi e traditë ajo nxorri intelektualët brilantë si vëllezërit Erindi, që nisën punën mbi baza moderne, në të parën qeveri të mëvehtësisë. Po të kuturisnim të vinim deri në ditët e sotme dhe të flisnin me gjuhën e Çabeut të madh, Akademikët e gjallë e të shumtë gjirokastrit dhe mijëra kuadrot e nxjerrë nga gjimnazi i famshëm i qytetit, si  Ismaili, Agim Shehu, Dritëroi me shokë, e kanë për nder ta quajnë veten safi gjirokastritë.

Nuk do mjaftonte letra e prodhuar prej pishave të Siberisë, për t’i përmendur emrat e atyre kuadrove të dalë nga gjiri i gjirokastrite. Se edhe hoxha më i thjeshtë i xhamisë së Qafës të Pazarit”, Mulla Hiqmet Karabina, pat mbaruar shkollën në Francë dhe ishte njëri prej poliglotëve më të mëdhenj që ka njohur historia e Shqipërisë. Fliste rrjedhshëm, frëngjishten, italishten, greqishten, turqishten, arabishten dhe persishten. Pa le po të përmendim myftiun dhe hijerarqinë e lartë brilante të Ortodoksis Autoqefale gjirokastrite. Me Papagulon e Labovës së Kryqit, është krenuar tërë treva, nga Labëria deri në Janinë. Po se mos qe më pak Papafoti e ajo plejadë burrash të mençur të ortodoksisë tonë. Nuk gjendet shembull në mbarë kombin shqiptar, për harmoninë dhe shkueshmërinë vëllazërore mes besimeve, si në Gjirokastër.

Duke qënë Kryeqëndra e Kurveleshit të Sipërm, ka qënë është e do mbetet Kryeqëndra e kundërshtive të shovinizmës së përjetëshme. Historia flet për ato të vërteta të djalërisë e burrërisë gjirokastrite në shekuj. Janë fise të tëra që mund të përmenden si elita e kombit. Nuk mund të mos përmenden fiset gjirokastrite si: Budajt, Selfatët, Karagjozatët që tregëtinë e bënin deri në Amerikë që atëhere. Nuk arrihet as sot, në kohët moderne arritja e asaj të Karagjozate. Po mund të lihen pa u përmëndur Kallajxhiajt, Sinoimeratët, Shtinajt, Putot, Xhikajt, Bejkatët, Babametot, Hoxhajt, Galajxhiajt, Kokalarajt, Xhaxhiajt e plot të tjerë, që me kohë u janë thurur këngë, për bukurinë, trimërinë e patriotizmën.?.

Na duhen netë të tëra  të Shënëndreut, për të numëruar ato thesare që mba Rrëza e Malit të Gjerë. Vëndi ku është pështetur Gjirokastra është si i përzgjedhur nga Zoti. Dhe nuk është kot së koti i ndërtuar në atë vënd. Si të mënçur e kursimtarë në të gjitha kohërat, kursyen çdo pëllëmbë tokë, deri sa.... ja arritën ditës që t’i shikojnë të tëra qersa e lëndina.

Durojnë shumë gjirokastritët sepse shekujt i kanë bërë të vuanin shumë. Nikoqirët e jashtëzakonshëm të këtij qyteti, domosdo i kursejnë llafet që dogëndisin edhe ndaj atyre që i fyejnë. Është thënë e poetizuar:... e vërteta se “....Po the Gjirokastra, i ke thënë të tëra!”



(Vota: 9 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora