E shtune, 27.04.2024, 08:28 AM (GMT+1)

Mendime

Selim Hasanaj: Tregime nga Podguri

E enjte, 23.09.2010, 09:58 PM


Selim Hasanaj

 

TREGIME NGA PODGURI

 

Nga dita e sotshme e tutje per disa ditë do shkruej tregime dhe batuta të podgurasve, kryesishtë të Istogut dhe rrethinës. Që ta bajë këtë me nxiten dhe inspiruen disa libra të mrekullueshem të kësaj natyre që u botuen kohve të fundit si ai i Daniel Gazullit " RREFIME ZADRIMORE ", Xhenc Bezhit " TREGIME NGA RRAFSHI I DUKAGJINIT",   Kastriot Mahilaj "ANEKDOTAT MË TË MENÇURA SHQIPTARE", Zef Ndrecaj " TREGIME ODASH NGA LUGU I DRINIT" etj, etj autor të cilet mjeshtrisht mblodhen tregime të popullit dhe i banë libra. Unë këtyne tregimeve ju thamë THESARE TË POPULLIT. Ja tani disa nga to të cilat kanë ndodh në Podgur.

 

JO, JO UNË NUK MUNDEM

 

Në Podgur ishte zakon që kur baheshin vade ( darsma dhe kanaxheqe) të mblidheshin kusherinjet  zakonisht të ejten tri ditë para vades e banin dert se si do mbahet gazmendi, caktonin sherbyesit per gazmend që ishin: akqia ( gjellëbamsi), kafegjia, dhe dy deri në tre sherbyes tjerë që do shperndanin kafet, qajat, cigaret dhe do pastronin taketuket e duhanit si dhe do lanin filgjanat e kafes. Dhe veç këtyne caktohej edhe nji burr me autoritet i cili do rrinte te gjelbamsi dhe do kujdesej që hajlazat mos të shkojnë e të vardisen rreth femnave të gazmendit. Këti i thoshin ndihmësi i akqisë sepse në realitet ku rrinte dhe ndihmonte ate, por edhe mbante synin pishë dhe kujdesej per femnat e gazmendit.

Në lagjen e Smajl Imerve në Lubozhdë me vite këtë detyrë ja kishin caktue Mustafë Hajdinit dhe ai ashtu si ishte i rrept dhe autoritar askush nuk guxonte të sillej rreth lokalit ku ishin femnat e gazmendit.

Në nji darsem nji nipash i Smajl Imerve vjen dhe kerkon të takojë gruen e vetë. Mustafa ja këthen; hajt e prit kur të bahet nata ajo të vjen te shpija e pastaj e takon, tash ik nga këtu. Ky nipashi ishte pak sa donzhuan dhe nuk e kish per gruen e vetë, ai donte të shifte se çka ka në atë darsem dhe Mustafa e dinte këte andaj e ndalon. Nipashi i paftyrë ja këthen fjalen Mustafes dhe perlahen bukur keqas. Gjithçka perfundon me perlamje, por Mustafë Hajdini betohet se ma kurr nuk do rrin ta kryej atë detyrë.

Pas nji viti prap darsem te Smajl Imert dhe prap derti per darsmen. Pasi caktohen sherbyesit Ramë Zeka pisket; ndaluni, mos u shperndani, neve njeriun ma të nevojshem nuk e caktuem sonte.

Po çka , cilin njeri, ja dredhi i vëllai Haxhiu. Kush do rrin te gratë me u kujdesë per to tha Rama. More ti na shtine frigen, neve atë njeri e kemi të perhershem, asht Mustafë Hajdini.

Kur nga mesi i odes dredhet e thotë Mustafa, jo , jo unë nuk muj , por Ramë Zeka si shakaxhi që ishte ja këthen: po per si nuk mundesh po të lanë ty atje se mue nuk më lajnë kurr se me deshirë kisha me pranue. Plasi gazi dhe pas shumë lutjesh e binden Mustafen ta pranojë atë detyrë edhe këtë herë.

 

N`RRUGË E MERR, N`RRUGË TË LEN

 

Sadri Veselt e Lubozhdes ishin shpi në za, mashkuj puntor, të urtë, trima e bujar, por paksa dobtë me idare. Ishin shumë antarë familje dhe kishin pak tokë buke. I zoti i shpisë Ali Sadria i mbante gjallë familjaret e vetë me punen që bante si murator i permendun që ishte. Kishte kjo shtëpi pesë mashkuj që ishin ba per martesë dhe besa nuk ishte lehtë me i gjet nuset. Duhej pas irat, tokë e pasuni per me ta dhanë dikush binë per nuse. Nji ditë derisa Aliu dhe pothuej e tanë familja rrinin ner hije të mollave vjen Veseli djali i vëllaut të Aliut dhe pasi pershendeten ( sepse Veseli pasi kishte krye ushtrinë ishte punsue në Prizren dhe atje edhe banonte , por vinte vikendeve) Veseli ulet dhe pa nji pa dy ja dredhë axhes Ali: Axha Ali kur don me ma gjet nji nuse? Aliu ashti qetë futi doren ner plis, krou kryet dhe me plis në dorë ju dredh Veselit: heu Vesel bre axhë, po a edhe ti po lyp nuse nga unë, unë i kamë këta tjeret këtu që shkojnë me lopë e që punojnë token dhe nuk po di si ja bajë se sa per ty unë të kamë fshi nga tefteri i marteses, ti je djalë i dalun, jeton në qytet dhe gjaje nji nuse vetë. Veseli u skuq dhe pa nji pa dy ja dredhë axhes Ali. Heu axha im po ti nuk qenke kurkun. Unë du nuse nga ti se ashtu si po më thue ti unë nuk martohna kurr. N`rrugë e merr e n`rrugë të lenë o axha Ali.

Të nesermen Ali Sadria shkojë në Kaliqan dhe i gjetë nuse Veselit me të cilen ai jetojë per mrekulli dhe bani familje të mrekullueshme.

 

NAMAZI I TARAVISË

 

Lubozhdasit nuk ishin fetar të disciplinuem, ata i gëzoheshin vetem festes së bajramit sepse gatuhej mirë dhe baheshin lojna e vizita neper tanë katundin. Në katund kurr nuk ka pas gjami, por aty janë gjurmet e nji kishe parahistorike në oborrin e së ciles buron edhe nji krue me ujë langbore. Pra festave dhe rregullave të  tjera fetare islame ata nuk ua varnin fortë. Ramazanin e axhinonin vetem pleqet, dhe ata merrnin hoxhen per ramazan të cilin e shetitnin nga oda në odë së bashku me tupangjinë që ishte magjupi Ali Quni e ma vonë djemet e ti Smajli dhe Bajrami. Rinia e katundit ishte e dhanun pas arsimimit, pas shkollës dhe ishte indiferente per fenë. Mirpo në disa lagje kishte pleq që detyronin rininë të shkojnë per namaze të taravisë dhe per namaze të bajramave. Viti 1968. Ishte dimen i ftoftë dhe kishte shumë borë. Vesel Ramushi ishte i njoftun per shakagji dhe ai pasi ati ju kishin ankue disa të rinjë se si plaku i shpisë po i detyron me shkue neper të ftoftë në fund të katundit me falë taravinë, banë nji plan dhe vendos me shkue edhe ai në taravi. Aty posa hynë shef se Nimon Smajli , nji plak i urtë, bari i dhenve ishte ra në gjujë per ta falë namazin. Nimoni kishte zakon që kurr as mbrend as jasht nuk zdeshke nji mantilë të gjatë të shiut kapoloten e të ciles e mbante në krye permbi plis.

Vesel ramushi del në saf para Nimonit, pra kur Nimoni ulet në sezhde koka e ti bjen te thembrat e Veselit. Posa fillon namazi, dhe posa Nimoni ulë koken , Veseli me thember të kambës ja zan kapoloten dhe Nimoni i shkret plak nuk kishte fuqi ta nxjerr ate nga pesha dhe shterngimi i Veselit që ishte i ri dhe plotë fuqi. Të gjithë ishin ngrit dhe dhe luteshin, vetem Nimoni kishte mbet me kokën posht. Atë moment si krisem pushke ndegjohet zani i Ramush Sadrisë ( baba i Veselit), Vesel qafir, lësho njerin e mos më shtin me folë me e prish namazin. Plasi gazi dhe me namat e mallkimet e hoxhes dhe me qeshjet e të tjerve Veseli iku jasht dhe pas ti edhe rinia tjeter. Kurr ma nuk i muern rininë në namaze taravishë.

 

HAJDARAT

 

Kishin kjen dy miq të mirë, njani nga Lubozhda e tjetri nga Vrella. Të dytë e kishin pas emnin Hajdar. Ishin shakagji, nuk e donin fort punën dhe ma me deshirë rrinin odave te njani tjetri.

Nuk ishin njerz të ligj, por kishin nji dobsi. Rrenen. Ata rrenin edhe pa folë thoshin disa bashkohanik të tyne. Nese ndodhte të mos ishin bashk kur Hajdari i Vrellës takonte dikend ishte e pamundshme mos me ja trusë edhe ndonji rrenë. Dhe posa e perfundonte rrenen i thoshte bashkbiseduesit; per zoten nuk ki rrenë, mos më nxinesh besë mue shko e pyete atë Hajdarin tjeter në Lubozhdë. Kështu bante edhe Hajdari i Lubozhdës. Kur rrente dikend i thoshte: mos më besofsh mue shko e pyete Hajdarin e Vrellës.

 

SHTINI DUERT NË XHEPA DHE EC

 

Sali Sadiku i Morinve të Bajicës ishte rapsod me nam në Podgur, Ai veç kësaj darsmen ta hijeshonte edhe me llafe e mahi , por edhe ishte filozof i vertetë i odes. Mbahet mend si nji nder njerzit enciklopedi e kësaj ane. Njiherë ai ishte kangtarë në nji darsem të njani i Vrellës dhe nusen duhej marr në Radafc.  Salihi ishte kangtarë së bashku me Osman Lajqin e Lubozhdes dhe me veti kishin edhe nji djalë të ri i cili e donte muziken dhe nga maraku ai u barte çifteliat kangtarve. Ishte nji ditë me shi dhe pasi moren nusen dhe dolen krushqit, rruga u binte nji teposhtzje neper nji livadh. Ishte rrezik me rrëshqit. Sali Sadiku shef se ai djali që ju barte çifteliat nuk bante mallë se mund rrëzohej dhe i thotë, o djalo, masi po ecë aq shpejtë, pse more bacë nuk po i shtinë duert në xhepa mos me ti lag shiu? Besa mirë e ke i tha djali, por posa futi duert në xhepa i rreshqiten kambet dhe ra në kokërr të shpinës. U perlloq e ba pis dhe të tjeret per rreth ja nisen me kesh. Ai u skuq dhe ua dredhi, po unë deshta ti ruej çifteliat mos me i thye se nuk isha rrxue kështu. More të shpetojë Zoti se rave në bythë se po të bije në bark do i hante kafsha e zezë jo veq çifteliat tona por edhe ty. Pse më ndegjove more djalë. Unë fola e nuk këndova per me më ndegjue aq rrast.

 

ISHTE E JOTJA, POR TASH ASHT E IMJA

 

 Haxhë Haradini i Lubovës i lagjes Ademaj kishte pas nisë nji luftë me pushtetin e Jugosllavisë së Titos. Lufta e ti nuk ishte me pushkë por me letra, me menquni. Dekreti i mahershem per kolonizimin e pronave shqiptare i kishte eksproprijue famijes Ademaj me disa dhjetra hektar tokë. Atë tok dikur e kishin pas kolonistet e tash në sistemin e ri shteti e eksproprijojë. Haxha si ma plaku i kësaj familje fillon me u ankue per me ja këthye tokën. Ankesat i fillon së pari në Këshillin e Rrethit sikur i kanë thanë atëherë, nga aty shkon në Këshillin Krahinur dhe pasi askund nuk gjanë qare vendos me shkue në Beograd të Tito. Ja arrinë që ta caktojë nji ditë per tu pranue në kabinetin e Titos. Shkon Haxha i ngrat me tren nga Peja deri në Beograd. Ishte dimen i ftofë dhe per mos me u merdhi Haxha pasi nuk kishte gja tjeter vesh dy setra njanen mi tjetren. Perthekon mirë pullat e xhamedanit dhe të setrave, pshtjell mirë veshet me shallin e bardhë që kishte rreth plisit dhe ashtu me nji taksi nga stacioni i trenit në Beograd shkon në palatin qeveritar të Titos në Dedinje.

Pasi pret pak ate e pranon shefi i kabinetit të Titos. Ishte ky nji komunist i ri , nji mizor antishqiptarë dhe ai si me ngut i thotë Haxhes se çka ka që ka ardhë deri në Beograd. Haxha ashtu i urt i spjegon ngadal hallin që kishte i tregon edhe tapiat e pronave që ja kishte uzurpue shteti dhe e lutë shefin e Titos që ti ndihmon e të ja këthej token.

Funsionari çetnik serb qeshet dhe ja këthen Haxhës: Ndegjo këtu, mos u mundo kot, ajo tokë ishte e jotja, por tash nuk asht ma se ta ka marr shteti. Andaj ik nga ke ardhë dhe mos u lodhë me ardhë ma as me u ankue ma.

Haxha që kishte pas shpresa të forta se së paku aty do vlente drejtësia, deshprohet dhe pasi merr frymë thellë i shkojnë sytë pas dere ku funksioneri kishte var nji pallto me nji jake lëkure  dhe ngritet ngadal per të ik. Kur afrohet te pallto ai pa nji pa dy me të shpejtë merr pallton dhe e vesh. Funksionari e shiqon dhe i thotë, ngadal, o njeri ajo asht pallto e imja., por Haxha me za të prem ja dredhë, po ishte e jotja, por tash asht e imja sepse unë e kamë veshë. Nese mundet toka e jeme me u ba e shtetit pse shteti ma zapojë per me ua nda kolonistve dhe kjo qenka drejtësi sipas teje, atëherë edhe palto e jotja tash asht e jemja se unë e vesha dhe bani me dalë pa ju tremb syni. Funksionari u nxu ngusht dhe e kapi ngadal per krahu. Axhë i tha, vertetë ma punove mirë, unë u nxuna në fjalet e mija.

Qenke njeri i menqem dhe unë po të ndihmojë, por ma parë ulu prap e të bisedojmë. Mori makinen e shkrimit dhe me te shkrou nji vendim të cilin e vulosi me vulen e shefit të shtetit. Teksti ishte i shkurt, perafersishtë ky: " Me vendimin e Presidentit të RSFJ-së, Mareshalit Josip Broz Tito i këthehet e tanë prona e tokes qytetarit Haxhë Haradin Ademaj nga fshati Lubovë, Komuna Istog, Kosvë...."

Nenshkrimi dhe vula e shefit të kabinetit të Titos. Tash Haxha zdeshi pallton dhe pasi futi vendimin në gji u ngrit dhe iku.

Sot e asaj dite ajo tokë mbeti ashtu si ishte, pronë e Ademajve.

 

EDHE GABELISHTJA TA SHPETON KRYET

 

Pas perfundimit të Luftes së Dytë Botnore, në Prekallë kishin mbet maleve si kaqak vëllaznit Mushak e Hasan Bajram Hasanaj. Hasani kishte luftue me forcat nacionaliste kunder çetnikve serbopartizan në Dobrushë dhe kerkohej per tu denue, ndersa Mushaku ishte patriot në za dhe ate mezi prisnin ta likvidojnë pushtetaret komunista. Mushaku ishte njeri i shkolluem, kishte krye gjimnazin në gjuhen serbe në kohen e Jugosllavisë së parë, pra mbretnisë SKS ( serbo-kroato-sllovene), fliste paster serbishten, italishten dhe gabelishten, ndersa në nivel të mirë gjermanishten dhe hungarishten.

Nji ditë pasi ishin mbet pa bukë dhe petkat u ishin ba pis msheftas vijnë nga mali në shtëpi per tu ushqye, per ti ndrrue petkat dhe pasi marrin pak ushqim të ikin në mal, por dikush i kishte pa dhe i kishte denoncue te policia në Gurrakoc. Vijn nji çetë policesh dhe i rrethojnë në kullë. Hasani ishte trim i qartun dhe shumë i padurueshem. Vendos me luftue, por Mushaku si ma i vjeter nuk e lejon. Jo i thotë. Qendresa e jonë do na i merr në qafë 40 antarë të familjes dhe do na shohin sherrin edhe kusherinjet per rreth. Po dorzohemi e do shofim se si ja bajmë.

Dalin jasht me duer të ngrituna, por i pabesi nuk njef besen, policia serbo-çetnike jo vetem se i arreston ata të dytë, por i mbledh të gjithë mashkujt e kësaj shtëpie dhe i lidh me litar të gjitë dorë per dore dhe i ofron te nji sanë per ti pushkatue e djeg pastaj kufomat së bashku me sanën. Per fatë të tyne atë mengjes Mushakut i kishte pas lind nji vajzë e cila pas pak kishte pas vdek. Ky me të rrept i thrret rrogtarit Zenun Qelit dhe i flet gabelisht. Shko shpejt te Tomë Zhariqi e thuej se po i pushkatojnë Bajram Hasanet, por Hasani asht në mal ende dhe dije ti se çka të gjanë pastaj.

Zenun Qeli don me ik per te Tomë Zhariqi, por ate e ndalon komandanti i plocisë. Tash Mushaku luen me letren e fatit të vetin dhe të familjes. Ja dredhë me za kumbues komandantit. Shoku komandant, çfar pushteti popullor jeni juve kur as me varros kufoma nuk na lejoni, juve doni ti pushkatoni edhe këta fëmijë këtu që aspak nuk kanë fajë per veprimet e mija e të Hasanit,të lutem le Zenunin te shkon me ble qefinin per vajzen e vogël që më vdiq mbramë dhe ta varros si duhet. Komandanti me vrap futet në kullë dhe aty shef se në mes të odes ishte nji kufomë e nji fëmije të posalindun. Nderkohë Zenun Qeli kishte shkue me vrap te Tomë Zhariqi dhe Toma kur merr vesh lajmin nga frika se Hasani do e vriste qon me të shpejt koririn e vetë dhe i thotë komandantit të policisë ti lëshojë të gjithë e mos ti pushkatojë. Kuriri i Tomes nuk e nifte Hasanin që ishte edhe ai i, lidhun per tu pushkatue  dhe kështu shpetuen të gjithë. I shpëtojë njohja e gjuhes së tjetrit. Sado që ishte gjuha gabelishte.

 

Selim Hasanaj

Sarpsborg

Norvegji



(Vota: 16 . Mesatare: 2/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora