Kulturë
Humorin lart, Hyskë Borobojka!
E diele, 22.08.2010, 04:17 PM
Humorin lart, Hyskë Borobojka!
Shënime për krijimtarinë e shkrimtarit dhe publicistit Gaqo Veshi
Nga Vangjush SARO
Me dy librat e tij më të fundit, “Rrëfime të një humoristi” dhe “Ti je i vogël, e dinë të mëdhenjtë” shkrimtari dhe publicisti Gaqo Veshi, i njohur sidomos me pseudonimin Hyskë Borobojka, u shfaq edhe njëherë përpara lexuesit shqiptar si një nga yjet e humorit shqiptar. Në fakt, prej disa kohësh ai po shkruan për gazetën e njohur “Telegraf”, (një nga të paktat botime të përditshme që inkurajon letërsinë dhe artet). Fejtonet dhe skicat e Gaqo Veshit bien në sy menjëherë për koloritin e veçantë, për gjuhën shumë popullore dhe për “peshën” e temave që trajton. Tregimet e tij janë të këndshme dhe nuk e mërzisin lexuesit si (mos o Zot!) shumë lexime të tjera të lodhshme. Gaqo Veshi është një “pikat” e forta të tezës që mbron autori i këtyre radhëve dhe që mund të përmblidhej pak a shumë kështu: “Edhe pse me një barrë të këqija, pengesa e krime, ajo kohë krijoi vlerat e saj. Dhe ato iu përkisnin njerëzve, jo zyrave të mallkuara të PPSH-së.”
Gaqo Veshi është një nga ata shkrimtarë që pothuaj lindin të tillë. Duke folur për jetën letrare në gjimnazin e Gjirokastrës, prej nga erdhën shumë shkrimtarë e poetë të vlershëm, Dritëro Agolli kujton edhe Hyskën: “Gaqua shkruante më shumë tregime humoristike, jo vjersha. Por, iu tek të bënte një vjershë dhe e bëri. E dërgoi te gazeta “Letrari i ri” në Tiranë, dhe i erdhi përgjigjja e botuar po te “Letrari i ri”: “Kjo vjershë nuk bën. Është mirë të mos vazhdoni më me vjersha”. I botuan vetëm nja 3-4 strofa, por ato i analizonin e kritikonin për të dalë në përfundimin se kështu nuk duhet shkruar. Mirëpo, Gaqua ishte qerrata i madh. “Deshën s’deshën, thoshte, me mburrje, ma botuan vjershën. Pavarësisht ç’thonë ata në qendër, vjersha ime është e bukur. Le ta shikojnë njerëzit e të thonë”. Edhe shkrimtari Bardhyl Xhama kujton rrethin letrar të atij gjimnazi me emër, prej nga erdhën Dritëro Agolli e Ismail Kadare. Po në këtë rreth letrar, thotë Xhama, kanë qenë së bashku me ne edhe Agim Shehu, Bekim
Harxhi, Gaqo Veshi e shumë të tjerë, emra të njohur në letërsi.
• • •
Gaqo Veshi është një nga emrat më të nderuar të humorit shqiptar. Ai ka botuar në vite një numër të konsiderueshëm librash me tregime humoristike, që nga “Adashi im i bie borisë” (1959), te librat “Për një firmë”, “Qilimi me rrota” dhe më pas “Ndize njëherë”, etj. Tregimet më të mira të Gaqo Veshit flasin për një penë të sprovuar dhe që e njeh mirë humorin. Autori nuk shkruan me sforcim, por kur e ka të sigurt “gjetjen”. E rëndësishme është të thuhet se ai kurrë nuk merret me çikërrima. Temat që shkrimtari trajton dhe problemet që ai ngre përpara shoqërisë dhe lexuesit, në një kuptim metaforik janë “kallinj kokëulur”. Gaqo Veshi e përdor në mënyrë mjeshtërore frazeologjinë popullore dhe, në të njëjtën kohë, e njeh masën e “kripës” që i duhet tregimit a fejtonit.
Që te “Adashi im i bie borisë”, një nga librat e parë të Hyskë Borobojkës, shkrimtari dhe publicisti i ardhshëm lajmëronte se nuk do të merrej me cic-mice. Në disa nga tregimet e atij libri, me pak kujdes, mund të qëmtosh mesazhe shumë të përparuara për kohën. Ai shkruan me guxim, duke fshikulluar papërgjeshmërinë dhe fodullëkun e drejtuesve mediokër të atyre viteve. Në vëllimet “Qilimi me rrota” dhe “Për një firmë”, autori erdhi duke i rrokur gjithnjë e më mirë temat e rëndësishme. Autori erdhi duke u profesionalizuar edhe nga pikëpamja kompozicionale. Ai e fut lexuesin shumë shpejt në brendinë asaj që do të rrëfejë, e zhvillon subjektin me shkathtësi dhe mandej ofron gjetjen, si një fund i papritur apo si një rrjedhojë dramatike. Veçmas në librin “Ndize njëherë!”, botuar në vitin 1986, tonet e kritikës ngjiten gjithnjë e në sfera më të larta, pavarësisht pengesave (me ligj) të kohës.
• • •
Gaqo Veshi ka shkëlqyer po ashtu, në mos më shumë, si fejtonist. Në vitet ‘70 e ‘80 të shekullit që shkoi - me të mirat dhe të këqijat e tij - Gaqo Veshi ishte një nga penat e para të revistës “Hosteni”. Ky botim është pagëzuar (sipas atyre që kemi dëgjuar) nga Nako Spiru; (në gjuhën popullore, hosteni është shkopi që shpon e drejton “qetë”). Ky “qerata” Hosten, i krijuar herët si fletushkë e gazetës “Bashkimi”, më pas u bë shumë i dashur për lexuesit shqiptarë; mund të themi, është nga të paktët (pothuaj) disidentë të asaj kohe të vështirë. Edhe pse në kopertinat e revistës i bëhej jehonë problematikave të PPSH-së dhe luftës kundër imperializmit dhe revizionimit, në brendësi të saj, vende-vende, shfaqej “qeratai” që përpiqej të gërricej sa më shumë. “Hosteni” tentoi të mos e falte autoritarizmin, tangërllikun, shtypjen e më të vobektëve prej shefave të pashpirt, etj. Dhe ndër emrat që e ndriçuan atë revistë, krahas Dritëro Agollit, Petro Markos, Sabri Godos, Dionis Bubanit, Qamil Buxhelit, Niko Nikollës, Tasim Aliajt, Gjikë Kurtiqit, Zef Bumçit, Ilir Pojanit, etj., ishte padyshim edhe Gaqo Veshi. Kujtoj një nga fejtonet më të spikatura të asaj kohe, “Kryetari vret viçin me kobure”, shkrim në të cilin autori ngrihej kundër autoritarizmit dhe bajraktarizmit; në thelb, shumica e drejtuesve të institucioneve dhe të oganizmave të kohës, ishin komunistë bajraktarë dhe fodullë, që i kishin mbyllur sytë përpara mjerimit ekonomik dhe shpirtëror në të cilin ishte zhytur vendi.
Duke shfletuar sot, “Rrëfime të një humoristi” dhe “Ti je i vogël, e dinë të mëdhenjtë”, shikojmë se pak gjë ka ndryshuar në stilin dhe mënyrën e të ndërtuarit të subjekteve; po ashtu, në gjuhën që veç është pasuruar edhe më tej. Sadoqë tani “me dorë të lirë”, autori është deri diku po ai i shekullit të shkuar. Që ta themi me fjalët e tij, “tabani i tokës ka mbetur ashtu si e ka krijuar natyra” (“Shërbimi i parë”). Zgjedhja e temës nga ana e Borobojkës, është një shkollë për gazetarët e rinj. Gjithashtu, mënyra se si ai e rrëfen ngjarjen, është e thjeshtë dhe tërheqëse, aq sa nuk dallon se ku mbaron fejtoni dhe ku fillon tregimi. Më në fund, serioziteti me të cilin shkruan Gaqo Veshi, është një tjetër shenjë dhe tipar i një shkrimtari e publicisti profesionist, që nuk e “tradhton” kurrë zanatin e tij. Këtë linjë mospajtimi me asnjërën kohë, mund ta gjejmë edhe te “Lajmi i hidhur mori dhenë”, që firmoset plot humor nga Gaqo Veshi: “Hyskë Borobojka. Lindi në ditët e triskëtimit dhe ndërroi jetë në kohën e tallonit”. Për fat të mirë, Gaqo Veshi e kaloi edhe periudhën e tallonit, por edhe atë të tranzicionit, gjithnjë me humor dhe duke i shërbyer shoqërisë shqiptare si pakkush, pikërisht me tregimet dhe fejtonet e tij.
Humorin lart, Hyskë Borobojka!