E enjte, 08.05.2025, 04:32 AM (GMT+1)

Kulturë

Baki Ymeri: Kërçovarët e Bushtenit - Nexhbedin dhe Shaban Bajrami

E diele, 15.08.2010, 09:58 PM


Kërçovarët e Bushtenit: Nexhbedin dhe Shaban Bajrami

 

Nga Baki Ymeri

 

Çuditen disa si nuk e kanë humbur shqiptarët identitetin kombëtar. Njëri ndër ta ishte edhe Nexhbedin Bajrami i Kërçovës, të cilin e solli në Rumani vëllau i tij në periudhën interbelike. Vëllau i tij ishte administrator në Fabrikën e Birrave të Azugës. Si pasojë e një sëmurjeje të rëndë reumatike, para 65 vitesh, Nexhbedini qe internuar në një spital të Bukureshtit, ku mjekët ia kishin prerë këmbën e majtë me sharrë druri. “Aq shumë pat bërtitur babai im, na thot sot i biri i tij, Shabani, sa që edhe sot më rrënqethen flokët”. Shaban Bajrami jeton me familjen e tij atje ku pat jetuar i ati: në Bushten, një qytezë malore tejmatanë kryeqendrës turistike Sinaja. “Babai im ishte një shqiptar i veçantë. Të gjithë e njihnin dhe e respektonin. I tërë qyteti e admironte për dashamirësi, korektësi, ndershmëri dhe sinqeritet.” Joana dhe Shabani kanë katër fëmijë: Andrea, Liana, Nizbudini dhe Eliza. E motra e Shabanit, Rabija, pos burrit ka dhe dy fëmijë: Xhemilen dhe Visarionin.

 

Bajram Shabani me djalin e tij
Bajram Shabani me djalin e tij
Shabani dhe Rabija kishin edhe një motër tjetër, Zulfien. Vdiq e gjora si pasojë e dajakut që hante nga burri i saj, sadist dhe pijanec. Sa herë e gjeja të gjorën të zbathur e të rrahur nëpër oborr, por s’guxoja të ndërhyj ngase bëhej më keq, na thot Shabani sot, dhe ia kris vajin për motrën e tij të paharruar. Nexhbedini ishte i njohur nga banorët e Bushtenit me emrin Nizbudin. Vdiq atë vit kur u vunë bazat e Universitetit të Kosovës në Prishtinë (1969). Prejardhja e tij është nga Novosella e Kërçovës. Nga i njëjti fshat pat ardhur në Rumani edhe Sefedin Maksuti, babai i kryeveteranit të komunitetit të këtushëm shqiptar, Dr. Xhelku Maksuti. Shqiptarë trima, patriotë e të ndershëm ishin edhe Lazim Rexhepi i Piatra Neamcit të Moldovës, edhe Daut Memishi i Sllatinës së Oltenisë, ky i fundit duke ua përcjellë amanetin e fundit fëmijëve që më afër shpirtit ta kenë kombin se paranë, që ta duan atdheun dhe ta mbrojnë nderin dhe krenarinë për të qenë shqiptar. Kërçovari shkon atje ku e ka pajisur Zoti natyrën me bukuri prej Parajse. E din se ç’ka më ka pëlqyer në Kërçovë? pyet zoti Shaban dhe shton:

 

Bushteni me bjeshkët e tij
Bushteni me bjeshkët e tij
“Më ka pëlqyer fakti se pjesa dërmuese e pleqve të atjeshëm, përveç shqipes, e njihnin edhe rumanishten. Ishin të shoqërueshëm, mikpritës dhe të etshëm për muhabet dhe qerasje. Më ka pëlqyer qëndrimi i tyre dinjitoz, i sinqertë, përgjatë ceremonive fetare. Më ka pëlqyer solidariteti dhe pjesmarrja e tye masive në varrim, si dhe mospërdorimi i alkoholit. Me gjithë anët pozitive për shëndetin dhe frymëzimet e atyre që merren me art, alkoholi i ekzagjeruar është mik i djallit që sjell probleme morale, profesionale, shëndetsore, shoqërore, ekonomike, politike, madje edhe ushtarake. Pse? Ngase të krishterët e humbën nga turqit Betejën e Maricës, sepse ishin të dehur. Babain tim e admironin rumunët ngase nuk e humbi identitetin kombëtar, nuk e shiti shpirtin, nuk u depersonalizua në vend të huaj. Ai e dinte se fati i njeriut është karakteri. Derisa ishte i sëmurë, disa herë m’u lut që pas vdekjes ta varrosim në Bukuresht, në varrezat turke, te bashkatdhetarët e tij kërçovarë, dibranë, manastiras e tetovarë. Na vjen keq e na këputet shpirti që këtë dëshirë të tij të fundit nuk arritëm ta plotsojmë por kjo s’prish punë, ngase të parët tanë kanë qenë të krishterë, ngase kurmi i tij tani prehet nën hijet e breut, në varrezat ortodokse të Bushtenit, nja 200 metro tejmatanë shtëpisë sonë.”

 

Kërçovari shkon atje ku e ka pajisur Zoti natyrën me bukuri prej Parajse

 

Pamje nga Bushteni
Pamje nga Bushteni
Dikush që s’e kupton vlerën e simboleve të shenjta (ylli hebre i Davidit, kryqi i të krishterëve, gjysmëhëna e myslimanëve), mund të preket për këtë. Ata që e kuptojnë të vërtetën se Zoti i preferon njësoj, si myslimanët, poashtu edhe të krishterët, mund ta justifikojnë faktin që kërçovari Nexhbedin Bajrami, jo vetëm përgjatë jetës së vet, por edhe para se të japë frymën e fundit, i lutej Zotit, edhe në fenë e Muhamedit, edhe në atë të Shën Marisë. Babai im u shua si një engjëll, na thot i biri tij, Shabani i Bushtenit. Në Bushten jetojnë edhe dy pjestarë të kësaj familjeje me rrënjë kërçovare: Gabriela dhe Roksana. Janë motrat e Shabanit, që kanë tre fëmijë: Mariusi, Kristina dhe një tjetër. Shabani flet me admirim për karakterin e fuqishëm i babait, për  perversitetin e botës ku jetonte, për elementet e përbashkëta që i ka shqipja me rumanishten, për lidhjet farefisnore mes shqiptarëve dhe rumunëve.

 

Edhepse shqiptarët e paguan shtrenjtë kalimin nga feja kristiane në fenë islame, edhepse nuk i ka feja fajet por virusi pansllavist i ksenofobisë konfesionale, shqiptarët dhe rumunët, pavarësisht nga feja, mirëkuptohen dhe bashkëveprojnë si dy popuj vëllezër, duke i dhënë prioritet karakterit, mentalitetit, interesave, afiniteteteve, madje edhe lidhjeve farefisnore. Një numër i konsideruar shqiptarësh me prejardhje nga Kosova dhe Maqedonia u martuan me rumune, pa patur alergji ndaj njërës apo fesë tjetër, edhepse ka edhe raste viktimash të fanatizmit islamik: shkojnë duke e u plakur e duke dekur nja dy

Varri i Bajramit dhe Elenës së tij në Bushten
Varri i Bajramit dhe Elenës së tij në Bushten
motra shqiptare nga Oltenia, pa u martuar, pa e përjetuar dashurinë, pa krijuar familje si pasojë e faktit pse s’gjetën burra myslimanë. Apo disa rastesh familjesh kërçovare që i përgojoinin dhe s’i duronin dot shqiptarët myslimanë. Për të mos anashkaluar temën, po shtojmë faktin se kërçovari i Bushtenit e ndjente veten si në Parajsë, mes do njerëzve me shpirt të florinjtë. Jo më kot, dijetari më i madh i Evropës, Nikolla Jorga, ka shkruar në kohën e Nexhbedinit, se “nga Bushteni dhe Sinaja duket panorama më e bukur e Rumanisë, dhe njëra nga më të bukurat e botës”. Shqiptari kërçovar, për të siguruar ekzistencën e vet dhe të familjes, ka patur fat të jetojë dhe veprojë, atje ku e ka pajisur Zoti natyrën, me bukuri prej Parajse.



(Vota: 21 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx