E enjte, 08.05.2025, 06:19 AM (GMT+1)

Kulturë

Luan Çipi: Përkujtojmë Ilia Panozaqin

E diele, 15.08.2010, 09:50 PM


LILUA

 

Përkujtojmë Ilia Panozaqin, nga Luan Çipi

 

Nuk e shmang dot Lilon, mikun tim krejt të veçantë e të pavdekshëm. Ai më shfaqet përditë, më zë rrugën e sikur më thotë: Jam unë Lilua. Ti përditë me “Triçin” (nofka e tij për një shokun tonë të hershëm, Niko Vangjeli)) dhe me shokë të tjerë, bën deri këngë dhe shaka, ndërsa për mua nuk kujtoheni, thuajse fare?

Po pse vallë, nuk kam shkruar për të asnjë fjalë, deri më sot? ... Edha tani jam në mëdyshje, se nuk kam siguri te vetja, për ta paraqitur siç e meriton, në përmasat e madhështisë së tij, njeriun e mirë, Ilia Panozaqi.

 

Ilia, ishte i vitlindjes 1928. Kishte lindur në Vlorë, në familjen e dëgjuar të Panozaqëve, pastiçerë me origjinë Përmetare.

Lilon, siç i thërrisnin të gjithë, për afërsi e dashuri, e njoha nga afër në vitin 1953, në zyrat e Ministrisë së Financave në Tiranë, kur na bashkoi fati në një punë, si financierë të rinj. Ai, gati gjashtë vjeç më i madh, u bë mësuesi dhe shoku im më i mirë. Si vlonjatë dhe beqarë, të sapoardhur në kryeqytet nga larg, për të ndarë shpenzimet dhe për bashkëjetesë më të lehtë, u strehuam në një dhomë të përbashkët, pronë e Teknikumit Financiar aty. Punonim ditën si financierë dhe në mbasdite, ndiqnim Institutin e Lartë Ekonomike, të porsa çelur. Lilua kishte mbaruar Shkollën Tregtare të Vlorës me rezultate të mira. Ai kishte ndjekur në këtë shkollë, gjatë 6 vjetëve edhe kurset e detyruara të gjuhës italiane dhe frënge dhe dy vjetet e fundit (pas çlirimit) gjuhën jugosllave. Ndërsa zotëronte më mirë gjuhët perëndimore, gjuhën sllave, nuk e pëlqente. Ne, në Institutin Ekonomik, shumicën e lëndëve profesionale i ndiqnim me pedagogë rus dhe në gjuhën ruse. Lilua, që nuk kishte asnjë njohuri për këtë gjuhë, madje edhe gjuhën tjetër sllavo jugosllave e kishte nënvlerësuar, e pati vërtetë më të vështirë ndjekjen e studimeve, por fal vullnetit dhe zgjuarsisë së tij të veçantë, shpejt i arriti dhe i kaloi shokët.

 

Duke banuar në të njëjtën dhomë, në shoqëri e dreka e darka të përbashkëta, unë u njoha dhe me shokët e tij të vjetër, që shpejt u bënë edhe miqtë e mi më të mirë: Pandeli Janina (Mërkuri), Bardhyl Bino, Laver Hasani, Foto Sava, Ksanthipi Lito, Tahire Reka, Jani Papa, Anest Bezhani, Fatos Xhyheri, Patrokli Suli, Refit Hoxha, Ismail Xhyheri, Filip Isaija, Hajdar Verdeniku, Agathokli Adhami.

Ishte kënaqësi e madhe shoqërimi me Lilon. E ndjeje veten të qetë e të afruar, pavarësisht nga diferenca e moshës. Bisedat e tij ishin gjithnjë me kuptim, me fjalë e mendime të zgjedhura, të dobishme e të moralshme dhe gjithnjë me humor të këndshëm dhe shprehje optimiste. Ishte me durim dhe këmbëngulje për të zgjidhur, ndjekur e çuar, deri në fund, çdo vështirësi e problem. Në këtë drejtim përfshihej i gjithi me shembullin personal dhe me aftësitë për të kryer cilësisht çdo lloj pune nga ato të rëndomtat e deri më të vështirat, që kërkonin kohë e mund, studim e njohuri. Çuditeshe sa me cilësi e shije gatuante, lante, pastronte, bënte hekurosjen e rrobave dhe deri arnimin e tyre, si një shtëpiake dhe nikoqire e mirë. Mrekulloheshe nga prirja e tij për teknikën e deri mirëmbajtjen, riparimin dhe drejtimin e motoçikletës dhe automjetit.

Ndërkohë vitet ikin dhe ne jeta na ndan, secilin në hallet e veta. Lilua e përfundon ditën, me rezultate të mira, Fakultetin Ekonomik të Universitetit Shtetëror të Tiranës dhe riemërohet në Ministrinë e Financave. Ai, tani përcjell atje edhe përvojën e Seksionit të Financave të Komitetit Ekzekutiv të K.P. Rrethit Vlorë, ku punoi gjatë dhe cilësohet, pa qenë në parti, si punonjës i ndershëm, i aftë dhe me të ardhme. Unë erdha të punoja, si ekonomist në ndërmarrjet e rrethit të Vlorë, ku edhe banoja familjarisht.

Një ditë vëllai im, Bektashi, që ishte shofer autobusi në linjë Vlorë Rrogozhinë, pasi ishte kthyer në shtëpi nga udhëtimi, më thotë:

- Luan, sot në mëngjes, u kryqëzova me një shofer kamioni tjetër soj, që më tërhoqi vëmendjen, jo vetëm se ishte shoku yt. Ai ishte Lilua.

- Po, e di. Ka ardhur, pasi shprehu vullnetin dhe nismën për të punuar në prodhim, sipas thirrjes që u është bërë nëpunësve të administratës qendrore. Ai e la nëpunësinë dhe duket ka filluar, pa qibër si shofer, profesion që e njeh mirë dhe e ka për zemër. Me këtë rast erdhi edhe në Vlorën e tij të dashur, ku, besoj se edhe do zgjidhë edhe probleme të tjera të jetës, si strehimin, martesën dhe krijimin e familjes.

-E kuptoj dhe mirë ka bërë, po unë mendoj se nuk do të vazhdoj gjatë me këtë zanat, më thotë im vëlla me intuitën e një profesionisti të vjetër, se ai nuk e ka hequr ende kravatën nga qafa dhe unë, 30 vjet që drejtoj automjete, deri tani, nuk kam parë ndonjë shofer me kravatë.

Dhe vërtetë pak muaj e lanë Lilon shofer dhe pas kësaj e caktuan Shef Finance, në TEC.-in e Vlorës. Shoferë gjeje me bollëk po një specialist kontabël, si Ilia Panozaqi, nuk e gjeje lehtë në mbarë Vlorën. Pas kësaj, ai edhe e zgjodhi shoqen e tij të jetës, një mësuese të re e të bukur, po, për fatin e tyre, pa u trashëguar me fëmijë.

Në Vlorë Lilua u gjend sërish, midis nesh, shokëve të tij të vjetër të fëmijërisë, shkollës dhe të qytetit të tij të lindjes. U bë prapë bashkë me Pandeli Janinën, padyshim shokun më të dashur, si të ishin binjak, jo vetëm në moshë, shkollë, profesion po dhe në urtësi e mirësi. Ata i gjeje gjithnjë bashkë në bibliotekën e qytetit duke lexuar, në bar lulishtet, duke pushuar, pranë radios apo televizorit, në teatrot apo kinematë e qytetit, për të soditur të parët çdo premierë, apo buzë detit duke marrë diell, apo duke notuar.

Lilua, pa fëmijë, gjithë dashurinë, kujdesin dhe vëmendjen ua kushtoi nipave të vet të shumtë e të mbarë, që e rrethonin dhe e gëzonin, deri në çastet e fundit të jetës, si të ishin bijtë e tij.

Kaluan vite dhe Lilos iu dha rasti të dilte sërish “vullnetar” këtë radhë për të shkuar në fshat. Ishin kohë të çuditshme, kur nga Partia e Punës, e vetmja drejtuese e Shtetit, kërkohej popullimi i fshatit të ri socialist, me kuadro qytetare. Ata, sipas tyre, në fshat do shkundeshin prej ngarkesave “borgjeze”, do lidheshin më mirë me njerëzit e thjeshtë dhe do kontribuonin, që “fshati, të bëhej njësoj si qyteti”. Lilon, këtë radhë, e caktuan Shef Finance në Kooperativën Bujqësore të fshatit Armen.

Lidhur me këtë periudhë të vështirë të jetës së tij në fshat, kur Lilos i duhej të lëvizte çdo ditë për në qytet me një motoçikletë rrangallë, ai gjithnjë me humor të pashuar tregon ngjarje të shumta gazmore e qesharake, siç ishte më së shumti jeta aso kohe. Për të paraqitur, sadopak, karakterin e tij të gëzueshëm, po paraqes më poshtë një nga tregimet e tij me humor, që ka lidhje me një prej bashkudhëtarëve të tij nga qyteti.

Në fshat, tregon Lilua, prunë, bashkë me qytetarë të tjerë edhe xha Bazon, larguar prej shumë vjetësh nga Armeni. Meqë xha Bazua, “ beqar i staxhionuar”, duket se e kishte harruar jetën relativisht më të vështirë të fshatit, se ish mësuar, në shumë vite, me lehtësitë e jetesës në qytet, ku, si beqar hante në restorant, punonte në fabrikë, frekuentonte hera herës teatrin, kinemanë, ndeshjet sportive, kërcimet në pistat publike, etj, atje në Kooperativë, si fshatar i vetmuar, duhet të punonte me bel në ugaret, apo të kujdesej për të ushqyer dhe mjelë çdo ditë një dhi, që ia dhuruan nga kooperativa, siç ishte rregulli. U mërzit shpejt xha Bazua dhe një ditë, qysh në mëngjes, mblodhi ato pak rraqe vetjake, në një valixhe druri dhe drejt e te autobusi i linjës urbane, te stacioni në brinjë të kodrës poshtë Zyrave të Kryesisë së Kooperativës. Një shoku i tij, që kish mësuar për ‘’dezertimin” e mundshëm dhe rikthimin në qytet të xha Bazos, nga zyrat e Kryesisë 20 metro më larg, i bërtet zëlart:

-Ku vete, xha Bazo?

-Ika, ika..., nuk dajandis dot më, po ri kthehem në qytet.

-Po me dhinë, çdo bëhet? Ajo, sipas zemër gjerësisë së Partisë, të është dhuruar dhe tani është prona tënde.

-E lash dhinë, nuk më intereson më. Le ta theri e ta hajë Kryesia.

 

Lilua i gëzueshëm, i rrethuar përherë me dashamirës e i shkueshëm me shokët dhe miqtë e shumtë, gjithnjë buza gaz dhe optimist, ishte kërkues dhe i vendosur në punët dhe në detyrat e tij. Ai, edhe në fshatin Armen, punoi fort, pa u kursyer dhe me ndershmërinë e aftësitë e tij drejtuese, organizuese, teorike dhe praktike, si ekonomist dhe financier i shquar, vuri dorë të hekurt në ruajtjen prej keqbërësve dhe shtimin e pasurisë së përbashkët, kontribuoi për shtimin e të ardhurave dhe pakësimin e shpenzimeve të tepërta, që shpejt të ngrihej vlera e ditës së punës dhe të ardhurat vjetore të çdo kooperativisti, duke fituar dashurinë dhe simpatinë e të gjithëve.

 

Erdhën ditët e përmbysjes së madhe. Triumfoi polipartizmi dhe u shemb, njëherë e përgjithmonë diktatura komuniste, me luftën e klasave dhe përpjekjet “donkishoteske për të ruajtur dhe forcuar “pronën socialiste”. Lilua u vendos, qysh në fillim krahë lëvizjes demokratike dhe ishte ndër intelektualët e parë vlonjat që përkrahën pa rezerva ndryshimet progresiste, për kthimin e pronës private dhe të besimit fetar, duke qenë aktiv edhe pas daljes në pension e deri në ditët e fundit të jetës së tij.

Gëzimi i Lilos ishte i pafund, sidomos kur mori vizën dhe udhëtoi jashtë kufirit shtetëror te motra dhe njerëzit e vet të mërguar në Amerikë. U kthye prej andej i përtërirë dhe i rinuar me besimin e patundur se Shqipëria jonë e dashur tashmë i ka të gjitha hapësirat për të shkuar shpejt drejtë qytetërimit perëndimor.

Po vitet ikin pa u ndalur dhe sa i kish mbushur 80 vjetët, Lilua u sëmur pa shpresë shërimi dhe ndërroi jetë, i përcjellë nga mijëra bashkëqytetarë të dëshpëruar, për në banesën e fundit, në varret e Babicës, i nderuar me madhështinë dhe solemnitetin që krijon Vlora, për burrat e saj të shquar.

Qytetarët e Vlorës, kujtimin dhe modelin e Ilia Panozaqit, do ta ruajnë të gjallë ndër breza.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx