E enjte, 08.05.2025, 06:51 AM (GMT+1)

Kulturë

Zenun Gjocaj: Opinionet dhe komentet e një publicisti për problemet aktuale të Kosovës

E diele, 15.08.2010, 07:41 PM


         Recension

 

Opinionet dhe komentet e një publicisti

për problemet aktuale të Kosovës

 

Hilmi Saraçi: Opinione dhe komente – Prishtinë, 2010

 

Prof. Dr. Zenun Gjocaj

 

Shkrimtari, i disa veprave, gazetari dhe publicisti Hilmi Saraçi, doli edhe me një vepër shkrimesh publicistike me titull “Opinione dhe komente”, ku janë të përmbledhura disa nga shkrimet me karakter publicistik që trajtojnë çështje të ndryshme aktuale të Kosovës së pavarur, të botuara në gazeta të ndryshme (Kosova Sot, Zëri, Lajmi, Inforpress, Bota Sot etj.). Janë shkrime për çështje të domosdoshme të karakterit politik e institucional e shtetëror, që duhet ndërrmarrë masa të ngutshme.

   Vepra ka shkrime të karakterit përtej ditor që kalojnë caqet e informacionit të zakonshëm informativ dhe trajtojnë tema të karakterit të diskutueshëm analitik, duke dhënë mendimin e kontributin e vet për çështje aktuale politiko-shoqërore, institucionale e kulturore, që kombëtarisht e ndërkombëtarisht, duan zgjidhje të drejta e të domosdoshme për  funksionimin e mirëfilltë të Kosovës së pavarur, së paku për formimin e një opinioni të drejtë për çështje të caktuara të politikës e shtetësisë aktuale. Aty prekën çështjet thelbësore, pa të cilat nuk ka zhvillim normal të shtetësisë kosovare..

   .  Me këto shkrime publicistike, autori merret me çështje aktuale të karakterit politik, ekonomik e kulturor të Kosovës së re, duke u munduar të jape kontribut në zgjidhjen e çështjeve me rendësi jo vetëm politike, mbi baza të së drejtës kombëtare e më gjerë, siç është çështja e veriut të Kosovës (“Strategjia e Qeverisë së Kosovës për veriun e Mitrovicës”, “Mjaft kemi qenë tolerantë”), shtimi dhe kristalizimi i kompetencave shtetërore në planin kombëtar e ndërkombëtar, duke ngritur probleme të domosdoshme e shpesh të diskutueshme për (mos)angazhimin e ndërtimit të shtetit të pavarur të Kosovës, sidomos në shtimin e kompetencave shtetërore, institucionale e politike në mbarë territorin e shtetit të Kosovës (“Sa po angazhohemi në ndërtimin e shtetit të pavarur, sovran dhe demokratik të Kosovës?”), sidomos të anës veriore të saj, por edhe tema të tjera madhore, siç është autostrada Kuks-Prizren-Merdare, liberalizimi i vizave etj. Pos tjerash, autori përpiqet të japë zgjidhje të drejta, fakte e vlerësime vetjake, në bazë të realitetit objektiv, që synon formimin e opinionit normal. me qëllim të ndihmës së ndërtimit të shtetit të mirëfilltë në baza të shëndosha,

Dihet se funksioni bazë i publicistikës është formimi i opinionit të përgjithshëm shoqëror, juridik dhe institucional të një shteti. Me të drejtë, autori ka guximin t’i vë në spikamë edhe plogështitë e disa liderëve partiakë e shtetërorë, veprimtarëve që u mungon vullneti, guximi, ndjenja patriotike, humanizmi për zgjedhjen e problemeve kyçe të Kosovës së lirë në kornizat e mundësive kombëtare e ndërkombëtare, bashkëpunimi i institituteve tona me Bashkësinë Ndërkombëtare në suazat e kompetencave ligjore. Në këtë kontekst, autori nuk nguron t’i kritikojë, qoftë institucionet kombëtare (parlamentin, institucionet, qeverinë, partitë), qoftë ato ndërkombëtare, si:UNMIK-un, EULEX-in, dhe ICO-n. (“Bashkëpunimi i institucioneve tona shtetërore me Bashkësinë Ndërkombëtare?”)

Artikujt  prekin edhe dobësitë e disa partive, mosdalja e serbëve në zgjedhje dhe mënyra e zgjidhjes së këtij problemi. Në një shkrim tjetër, ai kërkon kujdes të shtuar ndaj krimit  dhe korrupcionit të organizuar, që e pengojnë zhvillimin normal të shtetësisë. Në veçanti e trajton çështjen e Kosovës në rrjedhat e BE-së, si kristalizimin e kompetencave kombëtare-shtetërore në raport me instancat gjegjëse ndërkombëtare. (“Pse mungon bashkëpunim i Bashkësisë Ndërkombëtare me Qeverinë e Kosovës?”)

Vepra ka edhe tema të karakterit kulturor, si kriteret e zgjedhjes së veprave cilësore për botim etj.

Sipas tij, me të drejtë, mjaft kemi qenë tolerantë, sa i përket sjelljes joparimore politike e institucionale të minoritetit serb, sidomos rreth veprimtarisë destruktive të Beogradit në territor të Kosovës, që përpiqet të krijojë situatë konfliktuoze, sidomos në veri të Kosovës. Në këtë kontekst, autori merr guximin t’ia tërheq vërejtjen edhe KFOR-it, UNMIK-ut, ICO-s dhe strukturave politike e institucionale të Kosovës

   Përgjithësisht, vepra prekë tema të ndryshme aktuale të domosdoshme që duan zgjidhje të drejta, logjike, parimore e konstruktive, siç janë: kritika ndaj mungesës së strategjisë qeveritare së Kosovës për veriun e saj, mungesa e koordinimit dhe nisjativat e vonuara për shuarjen e institucioneve paralele e programeve politike në Kosovë (dy sisteme paralele të qeverisjes lokale: serbe e shqiptare, dy universitete me programe të veçanta arsimore, dy programe arsimore serbe e shqiptare, dy sisteme institucionale (shqiptare në zonat e veta dhe serbe në enklava, etj.)

Në këtë kontekst, sipas autorit, kërkohet riformatizimi politik dhe institucional, politik, kushtetues, shtetëror e diplomatik, si dhe korrigjimi i tyre në kufinjt e së mundshmes ndërkombëtare (“Riformatimi dhe Korrupsioni”). Pos këtyre, autori e ngrit edhe çështjen e kompetencave vendore e ndërkombëtare në disa zgjidhje të çështjeve vitale për Kosovën..

Pos këtyre, herë në mënyrë parimore, here në mënyrë kritike autori trajton edhe çështje të brendshme institucionale, si çështjen e debateve parlamentare, qeveritare, partiake e zgjedhore, paqartësitë ligjore, që po shkaktojnë huti e parregullsi në zbatueshmërinë e sistemit zgjedhor, si pasojë edhe në zhvillimin e mirëvajtjes qeveritare-shtetërore. Aty preket edhe efekti dhe pasojat e privatizimit (“Çfarë efektesh na  solli privatizimi në Kosovë?”), ngecja e prodhimtarisë, punësimit, shtërpësia e gjykatave, mosregjistrimi i popullates etj.

Autori prek, përshkruan, argumenton e analizon edhe disa dobësi komunale të Vushtrrisë prej nga është autori, si: reagimi për Urën e Gurit dhe kalanë në Vushtrri, të futura padrejtësisht në dokumentin e  Ahtisarit, gjoja si Ura / Kalaja e Vojinoviqve, e cila bashkë me reagime të tjera, arriti ta ketë efektin e vet dhe të hiqet nga ai dokument, sepse u përket sh. III-V, para ardhjes së sllavëve në Ballkan. Ndër dobësi komunale trajtohet edhe mosngritja e shtatores së H. Prishtinës, figurës markante gjithëkombëtare të kohës së Rilindjes e pas saj, krah me atë të Azem Galicës, mosndërtimi i Urës së Gllavatinit, për shkak të moslejimit të serbëve të Prilluzhës, sepse aktivizohet rruga që bie përmes fshatit të tyre, etnikisht i pastër. 

Hilmi Saraçi edhe në këtë vepër publicistikash e ka shprehur individualitetin e vet krijues, temperamentin dhe aftësinë e të nuhaturit të çështjeve problematike që po e ngadalësojnë zhvillimin e shtetit dhe të shoqërisë kosovare. Shkrimet publicistike këtu synojnë hapjen e zgjerimin e opinioneve drejt zgjidhjes së mirëfilltë të çështjeve të ngutshme aktuale dhe të domosdoshme për zhvillimin normal të shtetësisë së Kosovës. Individualiteti i tij bie në sy në konceptimin e çështjeve, synimeve e qëllimeve për t’i përfillur argumentimet bindëse më thelbësore, tipike përgjithësuese, të domosdoshme për funksionimin e ideve jetësore  me rendësi aktuale jo vetëm shoqërore për shtetësinë e Kosovës. 

 

                



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx