Kulturë
Nga Tetova, me dashuri për Nënë Terezën
E diele, 15.08.2010, 03:21 PM
Nga Tetova, me dashuri për Nënë Terezën
100 portrete në 1
Nga Oliverta Lila
Me rastin e njëqindvjetorit të lindjes së humanistes shqiptare, Nënë Tereza, në Galerinë e Arteve në Tetovë, piktori Miftar Memeti ka ekspozuar portretin e saj gjigant. Piktura është realizuar nga 100 portrete të vogla të humanistes shqiptare. Pas kësaj, projekti i quajtur “100=1” do të ekspozohet edhe në kryeqendrat e tjera shqiptare, në Tiranë, Prishtinë dhe Shkup.
Piktori tetovar Miftar Memeti, ka vendosur të sjellë në këtë 100-vjetor të lindjes së shqiptares së madhe Nënë Tereza, një portret krejtësisht të veçantë të saj. Përmes 100 portreteve të vogla formohet një portret gjigant i saj. Bëhet fjalë për një punë të madhe, e cila ka nisur në muajin janar për të ardhur në kohë me përvjetorin e lindjes së humanistes shqiptare. Titulluar “100=1”, portretet, janë ekspozuar në Galerinë e Arteve në Tetovë me moton “Me dashuri për Nënën Terezë”. Më pas projekti do të ekspozohet edhe në kryeqendrat e tjera shqiptare, në Tiranë, Prishtinë dhe Shkup.
Z. Memeti, vetëm pak ditë më parë ju keni ekspozuar një portret të madh të Nënë Terezës, realizuar me 100 portrete të tjera të vogla. Pse zgjodhët pikërisht këtë formë paraqitjeje? Si lindi ideja?
Nuk është hera e parë që unë merrem me pikturimin-portretizimin e Nënës Terezës. Ky është projekti i katërt kushtuar saj. Gjithnjë, kam dashur të vij me ide e realizime të reja, kështu që 100-vjetori i lindjes, pra manifestimi i kësaj dite shekullore kërkonte një ide të veçantë. Nganjëherë më shkonte ndër mend të bëja një ekspozitë me punime të zgjedhura nga tre projektet e para siç janë: “Nënë Tereza për të varfrit”, projekt në kuadër të revistës “Brezi
Sa kohë është dashur për realizimin e këtij portreti?
Kjo ide kishte një rrezik se mund të dështonte për hir të kohës së caktuar, prej fillimit të muajit janar deri më 26 gusht 2010. Në bazë të planit duhej që një portret të bëhej për një ditë ose dy ditë, por falë këmbënguljes dhe vullnetit plani u realizua në kohë. Gjatë fazës fillestare të portretizimit lindi ideja e performancës: d.m.th të fotografohen pikturat-portret, të shndërrohen edhe në 100 portrete–kartolina, me qëllim që 100 mysafirët të gjejnë 100 kartolina në një panoramë të vetme, kështu që mysafirët të krijojnë mozaikun e tyre-portretin e Nënë Terezës, ta gjejnë si një ide të qëlluar kushtuar 100-vjetorit. Kjo ide me dha vullnet dhe detyrim ta mbaroj në kohë.
Cilësoheni si piktor i Nënë Terezës. Çfarë përfaqëson kjo figurë për ju?
Tani për tani, me realizimin e këtij projekti të katërt “100=1” sikur kam të drejtë të më quajnë piktori i Nënë Terezës. Shfrytëzoj rastin të them apo të përmend prof. Rexhep Ferin i cili kur shfletoi katalogun e ekspozitës “Humanizmi i shpalosur në art” tha: “Ti Miftar do të bësh shumë piktura të ndryshme, mirëpo mund të të mbajnë mend vetëm përmes portreteve të Nënës Terezë”.
Fatmir Sulejmani, i cili më së shumti ka ndjekur krijimtarinë time artistike duke përfshirë të gjitha llojet apo zhanret e pikturave të mia po ashtu ka shkruar tekstet e shumë ekspozitave në katalog “Gjakimi pas parajsës së humbur”, “Kujtesë për atë që s’është më”, “Humanizmi i shpalosur në art”, “Nënë Tereza për të varfrit” dhe në fund projektin “100=1” e quajti “Me dashuri për Nënën Terezë”. Kështu që më në fund Fatmir Sulejmani me rastin e hapjes së ekspozitës “100=1” më quajti “Piktori i Nënë Terezës-një pandan prej piktori i biografit më të njohur të saj, Dom Lush Gjergjit”. Është për t’u përmendur rasti kur unë pata takim zyrtar me të nderuarën zonjën Liri Berisha në Tiranë. Aty për gjysmë ore unë munda të prezantoj projektin e katërt “100=1”, katalogët e projekteve të ndryshme kushtuar Nënë Terezës dhe pikturave të tjera. Zonja Berisha më tha “sa munda të kuptoj nga veprat që pashë, them se mund të quheni piktor i Nënë Terezës, ashtu siç është Dom Lush Gjergji biograf i saj”. Nënë Tereza është figurë ku kanë gjetur frymëzim piktorë, skulptorë, poetë, shkrimtarë, politikanë, të pasur, por veçanërisht të varfrit dhe shumë të tjerë. Sa më përket mua, unë do të vazhdoj të pikturoj Nënë Terezën ngase është shumë ngjashme me nënën time të ndjerë. Kam edhe piktura të tilla ku figurën e Nënës Terezë e kam veshur (pikturuar) me teshat e nënës time dhe është shndërruar në pamjen e saj. Prandaj për të shprehur dashurinë dhe mallin ndaj nënës time të ndjerë, s’kam gjetur figurë më të madhe se ajo e Nënë Terezës.
Në Maqedoni mbeten ende pretendimet për origjinën e Nënë Terezës. A janë iniciativa të tilla private edhe një mesazh më shumë?
Siç thashë edhe më parë figura e Nënë Terezës ka dimensione të shumta. Figurën e madhe dëshiron ta përvetësojë çdokush. Secili ka të drejtë ta shprehë mendimin e vetë. Gonxhe Bojaxhiu është shqiptare. Sa më përket mua si piktor unë e shikoj në këndin njerëzor të humanizmit e përmes saj i bëj homazhe të gjitha nënave me krye nënën time. Katër projektet e mia kanë mesazhin se Nënë Tereza është shqiptare.
Sa shkon numri i portreteve që i keni kushtuar Nënë Terezës?
Numri i pikturave dhe portreteve që kam pikturuar deri më tani kushtuar nobelistes shqiptare duhet të jetë afro 200. Shumë portrete sot mund të gjenden nëpër vende të ndryshme të varura nëpër mure.
Si nisi qasja ndaj kësaj figure?
Qasja ndaj kësaj figure nisi në gazetën “Brezi
Pas disa viteve, duhet ta njihni në detaje portretin e Nënë Terezës. Çfarë reflekton artistikisht?
Është portret shumë i bukur parë në këndin e pikturimit. Ka elemente skenike, gjë të cilën e bën shamia e bardhë me vija të kaltra. Shamia e bardhë në kokë, që i bën hije mbi sytë e rrudhur nga mosha, dielli dhe lodhja e bëjnë të ngjashme me nënëloket tona shqiptare, të lodhura nga puna dhe pritja me shpresë se i kthehet djali apo nipi nga kurbeti. Parë në aspektin e historisë se artit portretet e grave plaka të pikturuara nga Rembranti të përkujtojnë Nënën Terezë.
Pas Tetovës, ku do të ekspozohet në vazhdim ky portret?
Pas Tetovës ky projekt “100=1” do të udhëtojë në Tiranë në datat 20-21 gusht. Ekspozita do të organizohet në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar. Ekspozita organizohet nga shoqata bamirëse “Nënë Tereza”. Pas kësaj, më datë 25 gusht ekspozita do të mbahet në Shkup në Muzeun e Qytetit.
Në këtë 100-vjetor të Nënë Terezës, cili do të ishte mesazhi që do t’i bashkëngjisnit këtij portreti?
Unë nuk di çfarë të them për t’i bashkangjitur një mesazh këtij portreti. Por kur përmendet emri Nënë Tereza të kujtohen punët e rënda vetëmohuese, punë që rrallëkush mund t’i përballojë, punë që bëhen vetëm përmes dy duarve e 10 gishtave. Portreti i madh “100=1” ka elemente të një pune të lodhshme me shumë durim. Prandaj i vetmi mesazh i këtij portreti është: dashuri, respekt dhe punë