Kulturë
Çerkin Bytyçi: U promovua libri i Dr.sc. Selami Sylejmani
E diele, 15.08.2010, 04:27 PM
Nga promovimi i librit “Sëmundjet e gjirit” të Dr. sc. Selami Sylejmani në “Skenën verore” të Ulqinit
Në kuadrin e manifestimit “Skena verore, Ulqini
U promovua libri i Dr.sc. Selami Sylejmani
Libri „Sëmundjet e gjirit“-libër për çdo familje
Nga Çerkin Bytyçi
Sheshi i muzeumeve në Kala të Ulqinit, ku po zhvillohet Festivali tradicional kulturor “Skena verore, Ulqini
Një mbrëmje tejet interesante, publikut të këtushëm, iu mundëusa sidomos më shtatë gusht, me çrast u promovua libri më i ri i njërit nga mantelbardhët tejet të angazhuar në sferën e shkencave të mjekësisë, Dr.sc. Selami Sylejmani nga Prizreni, me titull “Sëmundjet e gjirit”.
Promovimin e këtij libri tejet interesant dhe të domosdoshëm për çdo familje shqipfolëse, e organizuan Biblioteka-Qendra për Kulturë e Ulqinit, Bashkimi i Krijuesëve Shqiptarë në Malin e Zi dhe Shtëpia e Shëndetit me Maternitet e këtij qyteti, ku morën pjesë personaliete të shquara të mjeksisë e dashamir të librit. Nga Kosova, me këtë rast i pranishëm ishte Dr. sc. Zehadin Gashi. Fillimisht, përshëndeti udhëheqësja e bibliotekës së Ulqinit, Ardita Rama e cila e moderoi këtë mbrëmje kurse në emër të organizatorëve foli Prim.dr. Gani Karamanaga, kryetar i BKSHMZ.
Duke folur për vlerën shumëdimensionale të librit “Sëmundjet e gjirit” dhe përkushtimin e punën e palodhur e me vlerë shumë të madhe të autorit Dr.sc. Selami Sylejmani, redaktori shkencor i librit Prof.dr. Gjergj Minga, theksoi se, libri “Sëmundjet e gjirit” i drejtohet të gjithë opinionit publik jashtë fushës së gjinekologjisë onkologjike që të jenë syçelët, si për çdo anë të shëndetit të tyre, edhe për shëndetin e femrës (vajzës, gruas, nënës, gjyshes) në drejtim të një patologjie problemore siç janë sëmundjet e gjirit, në përgjithësi, dhe kanceri i gjirit, në veçanti. Ky doracak në radhë të parë i vajzave e grave shqiptare, jep mesazhe ku mpleksen domosdoshmëria e rritjes së kulturës shëndetësore në kuadrin po aq të domosdoshëm të rritjes së kulturës së përgjithshme dhe rrënjosja e mendimit se për shëndetin nuk duhet menduar vetëm kur e humbet atë, por gjatë gjithë jetës për ta forcuar atë, shëndetin, por edhe kur sëmundja ta prek shëndetin, të mos dorëzohesh por të luftosh me të gjitha forcat e shpirtit, të mendjes e të trupit, krahas dhe bashkë me mjekët.
Në këtë drejtim, libri lëshon si paralajmërim prej urtësisë njerëzore të shqiptarëve, të rrënjosur prej kohësh tek ta, sipas së cilës “Nuk është gjëja më e keqe e më e tmerrshme zbulimi i ndryshimeve por injorimi i tyre dhe më keq pajtimi me fatalitetin, dorëzimi shpirtëror, mendor e fizik para së keqes”. Me një kohë që gruaja falë arritjeve të mëdha e të vazhdueshme të mjekësisë bashkëkohore mund të bëjë gjithçka të mundshme në çdo etapë të sëmundjes, madje edhe në etapa të avancuara, çdo grua duhet të bëhet luftëtare këmbëngulëse dhe e vetëdijshme për shëndetin e vet, kundër sëmundjes, duke shmangur panikun, fatalizmin.
Në këtë drejtim libri “Semundjet e gjirit”, i Dr. sc Selami Sylejmanit, “merr” më shumë përgjegjësi, sa njerëzore e intelektuale - për të luftuar padijen, aq edhe profesionale mjekësore - për të luftuar në mënyrë të suksesshme sëmundjen, por tashmë bashkërisht, mjekë dhe të sëmura. Ai shndërrohet në një burim informacioni dhe udhërrëfyes të specializuar jo vetëm për të sëmurat, por edhe për studentët e mjekësisë, për mjekët e rinj e deri te mjekët specialistë jo të fushës së gjinekologjisë onkologjike. Me pak fjalë përgjithësuese, libri “Sëmundjet e gjirit” i drejtohet të gjithë opinionit publik jashtë fushës së gjinekologjisë onkologjike që të jenë syçelët, si për çdo anë të shëndetit të tyre, edhe për shëndetin e femrës (vajzës, gruas, nënës, gjyshes) në drejtim të një patologjie problemore siç janë sëmundjet e gjirit, në përgjithësi, dhe kanceri i gjirit, në veçanti.
Lidhur me rëndësin ë e lirbrit “Sëmundjet e gjirit” folën edhe Dr. Zylfije Duraku dhe Prof. dr. Simë Dobreci, të cilët e vlerësuan lartë materialin e përmbledhur në te, që siç theksuan, do të jet në shërbim të preventivës dhe shërimit të pacientëve.
Në fund të këtij promovimi, për të pranishmit u shfaq edhe një film dokumentar që është pjesë përbërëse e librit, i realizuar nga Dr.sc. Selami Sylejmani.
Duhet theksuar se librin “Sëmundjet e gjirit“ e botoi shtëpia botuese „Orbis“ në përkujdesje bashkëkohore teknike të realizuar nga Tahir Hoxha. Ndërkaq, recensues të librit janë Prof. dr. Ilir Gjylbegu, Prof. dr. Orion Gliozheni, Prof. dr. Rubena Moisiu, profesorë të Fakultetit të Mjekësisë në Universitetin e Tiranës, të cilët në parathënen e përbashkët shkruajnë se ky libër përmban një informacion bashkëkohor lidhur me sëmundjet beninje dhe malinje të gjirit, faktorët e rrezikut, masat parandaluese të kancerit të gjirit, metodat diagnostikuese dhe trajtimin e këtyre patologjive. Libri është shkruar me një gjuhë të thjeshtë e të kuptueshme, duke bërë kështu që edhe lexuesi i thjeshtë të mund të kuptojë problematikën në fjalë, pra, me fjalë të tjera, libri mund t’i shërbejë shumë mirë edhe popullatës në përgjithësi.
Prof.dr. Gjergj Minga, Prof. dr. Simë Dobreci dhe Dr. sc. Zehadin Gashi në promovimin e librit „Sëmundjet e gjirit“.