E enjte, 08.05.2025, 06:19 AM (GMT+1)

Kulturë

Cikël poetik nga Anton Marku

E diele, 15.08.2010, 03:31 PM


Anton Marku u lind me 15 gusht 1971 në Gjakovë. Deri më tani ka botuar katër libra me poezi të cilët janë përkthyer edhe në gjuhën angleze dhe gjermane: ,,Cikloni i Dashurisë’’ (2000), ,,Gjurmë mbi Hije’’ (2002), ,,Dielli i Mesnatës‘‘ (2004) dhe ,,Vizioni Blu‘‘ (2010). Ai poashtu është prezantuar edhe në përmbledhjen me poezi të poetëve që jetojnë në Austri ,, Man fragst mich, ob ich bin‘‘ (,,Pyetem nëse jam‘‘ (2009). Anton Marku është edhe anëtar i Klubit Letrar ,,Gjon Nikollë Kazazi‘‘ në Gjakovë si dhe i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës.
 


LETËR DËRGUAR VETVETES

 

Jeto i lirë

Apostull i paqes

I lindur për qiellin

 

Në emër të dashurisë

Pranë vetes mbaj

Ngjyrat e shpirtit

 

Nisu vetëm atëherë

Kur zëri të tradhton

Vijës së kuqe

  

 

PA ADRESË

 

Dhembja ime mbeti atje

Ku gurët i rrokulliste era

 

Pas lashë zjarr veriu

Që na dogji të gjithëve nga pak

 

Loti më përcjelli detrave

I vetëm pa askënd pranë

 

Udhëkryqeve më përplasi

Jetë e shumëzuar me asgjë

 

Derisa bota po zvogëlohej

Në sytë e mi

 

 

AUTOPSI

 

Eja të flasim

Për të gjitha nga pak

 

Për aromën e shiut në ikje

Ngjyrat e dritës

Gjurmët e erës

 

Mes të bardhës dhe të zezës

Ka diçka më shumë

Se sa vetëm bardh e zi

 

 

MË FAL

 

Më fal e dashur

Që aq shumë të premtova

E aq pak të dhashë

 

Më fal

Nëse netët me mua ishin të gjata

Nëse puthjet ishin krejt çka pata

Të lutem më fal

 

Më fal

Nëse të dua shumë rrallë të thashë

Nëse ëndrrat në gjysmë t’i lashë

Të lutem më fal

 

Më fal e dashur

Që mëkatar isha nga brenda

E engjëll nga jashtë

 

Më fal

Të lutem më fal ...

 

 

TI NUK JE MË

 

Sa afër kam dhembjen

E ty sa larg

 

Më thuaj si të shëtitëm erërave

Pa ty

 

E të vdes

Në përqafimin tënd

 

Jeta nuk më mjafton

As sot as nesër as përgjithmonë

 

Sa e zbrazët

Gjithçka pa ty



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx