Kulturë
Mahmut Elez Mahmuti - Këqiku: ‘’Edhe në momentet më të vështira ty të kujtoj’’
E diele, 15.08.2010, 09:57 PM
Vendi i shtëpisë e trojeve tona, shigjeta tregon mesin e shtëpisë ku kemi jetuar me gëzime fëminore e rinore. Tash ajo nuk eksiston, për të ruhen kujtime të mira, të ëmbla e të dhembshme.Arat dhe pemët që duken në këmbë, na kanë mbajtur e na kanë dhanë jetë...
Mahmut Elez Mahmuti -KËQIKU:
NGA PARATHËNIA E LIBRIT :
“EDHE NË MOMENTET MË TË VËSHTIRA TY TË KUJTOJ”
Unë në moshën që jam, populli thotë “një këmbë mbi dhe e tjetra nën dhe”, megjithatë, kësaj pune nuk i dihet, se nuk është në dorën tonë. Po, po dua të them se njeriu si t’i kalojë të 80-tat, nuk ka kurgja të sigurtë.
Mbrenda këtyre 80 vjetëve të mia kam ec dhe kam mbajt mend. Në vjetët e fundit, kryesisht në Poloni, ku jetoj momentalisht me gruan time, pata kohë të shkruaj e t’i qes në letër të gjitha ato kujtime që më vlojnë në mendjen time, ashtu siç janë të mira e të këqija, të ëmbla e të hidhëta, të vërteta e të luhatshme... gjithfaresh.
Unë nuk kam as forcë as dije të mjaftueshme për ta bërë libër. Këto shkrimet e mija, të jetës sime, të Velegllavës e të velegllavasëve, ashtu siç i kam mbajtur në mend, pa ndonjë anim, pa ndonjë shtrembërim, pa ndonjë tendencë, pa ndonjë nënçmim po në mënyrë krejt të sinqertë e duke më shtyrë dashuria e madhe që kam për atë copë tokë që sot e quajmë Velegllavë, po ia dorëzoj Shkrimtarit – kusheririt tim Hysen Këqikut. E lus Zotin që t’i japin forcë, vullnet dhe përkushtim që këtë vepër timen që ka mbi 700 faqe, ta bëjë libër sepse jam i sigurtë se shumë gjëra që i kam shkruar vlejnë dhe janë të randësishme t’i dijnë edhe të tjerët.
Unë e kam lexuar ngadalë-ngadalë librin “Velia Glalua, ëndërr e ripërtërirë” të Hysen Këqikut. Po betohem në Zot se këtij njeriu krejt Velegllava i ka borxh se e ka bërë një punë shumë të madhe. Një punë që kurkush nuk e ka marrë me mend se dikush prej Velegllave, prej asaj Velegllave krejt të qitun “mbas shpine” prej hyqymeteve dhe regjimeve, del dikush e shkruan histori për atë vend të bukur, të pasur dhe të dhembshëm...
Ja pra doli një Hysen, i cili që në klasën e tretë fillore, prindi i tij me qëllim të kërkimit të një jete tjetër u shpërngul dhe Hyseni u rrit, u shkollua dhe u përgatit si intelektual në Kumanovë dhe një kohë prej disa deceniesh larg vendlindjes nuk ka pasë mundësi t’i përfshijë të gjitha ngjarjet ashtu siç kanë ndodh, ndoshta ashtu siç i kam parë unë me sytë e mi prej kur kam filluar për të ditur e për të mabajtur në mend.
Jeta e Hysenit i përngjan jetës sime. Brodhi ai e po bredh edhe unë andej – këndej pas gjallërimi, gjithmonë larg vendlindjes.
Kjo më shtyri që t’i bëhem vëlla Hysenit e të shkruaj edhe unë diçka për t’i dalur borxhit atij vendi, ku e kërkuam së pari ajrin, ujin, bukën dhe gjuhën tonë të pasure të vjetër shqipe. Kam bërë përpjekje që të mos shkruaj për ngjarjet që i ka përmend Hyseni përveç në përjashtim kontesti.
Nëse për kurgja tjetër, Hysenit ia pranoj durimin, këmbëngultësinë dhe përkushtimin që e ka pasë për ta përgatitur Gjenealogjinë e familjes së madhe të Vatë Lekë Fanit për të katër djemtë e djalit të tij Aliut (Hilës). Kjo është një amanet i madh që na kujton se kë kemi të gjakut tonë të trungut familjar.
Nuk e di se kush e ka bërë një vepër më të madhe për vendin e tij se Hyseni me Gjenealogjinë.
E kam lexuar edhe monografinë “Desivojca nëpër kohë” të tre autorëve Dr. Faik Shkodra, Dr. Sadri Shkodra dhe Hasan Bunjaku, dhe unë si plak që jam kam ardhur deri tek një përfundim se kështu ruhet dhe shkruhet historia jonë. Nëse ajo ka qenë dhe është e shkapërderdhur, duhet të grumbullohet kështu siç është grumbulluar në Monografi.
Unë shumë kam pasë lidhje me Desivojcën edhe në aspektin miqësor edhe në aspektin e udhëheqjes me fshatin tim prandaj, shumë gjëra përputhen me të vërtetën dhe mua m’ka ardhur mirë dhe më ka frymëzuar që edhe unë të bëj diçka më tepër për Velegllavën se Velegllava dhe Desivojca kanë pasë një histori të ngjashme.
Në krahasim me të gjitha fshatrat e tjera që e rrethojnë Velegllavën, jetën më të vështirë, për shumë arsye e ka pasë Velegllava se ka qenë problemi i rrugëve të cilat e lidhin dhe e integrojnë në hapësirë gjeografike një vend.
Velegllava si një vend i izoluar nga vendet e rajonit, e ka krijuar një jetë krejtë origjinale, shumë pak prej ndikimeve të të tjerëve. Prandaj, çdo krijim qoftë material, qoftë shpirtëror është i shpirtit autokton velegllavasë.
Velegllava si dhe katundet e tjera të Gallapit nuk janë shfrytëzuar nga mbledhësit e vlerave të krijuara dhe të trashiguara.
Fatkeqësia më e madhe është se sot ato vlera që dikur kanë mundur të mblidhen, nuk eksistojnë më. Eksistojnë ato që janë mbledhur në librin monografik të Hysen Këqikut, në këtë librin tim që po ia lë amanet Hysenit se përndryshe ata që i kanë ruajtur gjerat e vjetra, që i kanë thënë dhe interpretuar kanë vdekur. Gjeneratat e reja të lindura jashtë Velegllavës nuk i posedojnë më ato vlera por të vendit ku rriten, jetojnë dhe krijojnë në një frymë tjetër që është e imponuar prej kushteve të krijuara aty – të ndryshme nga Velegllava e dikurshme.
Më vjen për t’u habitur kur i marr pjesët e mullirit, se si ua ka gjetur populli ato emërtime krejt në shqip dhe në funksion të kryerjes së efektit praktik. Ose pjesët e alemive, të vekut e të shumë e shumë krijimeve tjera. Të gjitha ato i ka punuar me dorën e vet dhe i ka pagëzuar vetë si p.sh. boshti, çarku, guri, kryqi, koshi, çakalla, magjja, etj, etj. Pastaj një pjesë e rrumbullaktë që i vehet boshtit në fund për t’i dhën forcë rrotulluese e cila është punuar prej pjese të tjegullës e që e ka quajt gërrshak prej peshës gur + shak = gërshak. Furka, gafore dhe shpinore, shllunga e shumë fjalë të shumëta e që sot nuk përdoren, ka ruajtë forcën krijuese të njeriut të atij teritori.
Kur ndalem dhe i kujtoj mbrëmjet e dimrave të gjatë në Velegllavë që i kalonim me kënaqësinë më të madhe se sa sot me televizor, radio e tjerë. Jehonte kënga, melodia e fyellit, dudukut, kavallit, zamareve etj. Rrëfimi i ngjarjeve të ndryshme historike për trimëritë e të parëve tanë duke na frymëzonte neve, forcave të reja, që ato trimëri, besnikëri e fisnikëri t’i shprehnim në praktikë për të mirën e popullit e të vendit.
Festat e ndryshme që i pritnim me gëzim të madh na motivonin për t’i kremtuar sa më dinjitetshëm.
Shëngjergji, festa e jonë kryesore manifestohej me një mori elementesh siç po i thonë sot pagane po për ne kanë qenë frymëzuese dhe motivuese për punë dhe për të qenë sa më të dëgjueshëm e më të lidhur për familjen, për njëri - tjetrin e për vendin tonë.
Për ne atëherë kemi qenë shumë më të mëshirshëm, jo vetëm për njeri – tjetrin por edhe për kafshët shtëpiake me të cilat e bënim jetën e përbashkët.
Atë jetë që e krijonim me forcat tona shpirtërore dhe materiale shpesh na e prishnin dyndësit e ballkanit - hordhitë serbe që krijonin grupe urrfishë të armatosur e me plane të caktuara dilnin e na shkaktonin dëme edhe viktima.
Velegllava si një fshat i cili kufizohet me tri fshatra të katër komunave serbe i ra për borxh që të ballafaqohet me luftëra të shumëta, në të cilat gjithmonë tregoi forcën e madhe të bashkimit, të dashurisë për vendin dhe të unitetit vëllazëror.
Ngjarjet më të freskëta janë dy luftërat e vitit 1944 duke qenë vetëm një muaj larg njera-tjetrës. Nuk mbeti asnjë velegllavasë që e kishte forcën e përdorimit të armës pa marrë pjesë në luftën e parë dhe të dytë që gabimisht ende shumë historianë i quajnë Lufta e Kikës.
Edhe lufta e parë edhe ajo e dyta filluan në Velegllavë dhe forca kryesore e zjarrit të luftës u zbraz në Velegllavë e mbi familjet velegllavase. Prandaj, është e padrejtë dhe shtrembërim i së vërtetës historike të mos quhen Luftërat e Velegllavës...kurse të rënët të shpallen hero të popullit.
Kjo vepër, me siguri do ta ketë karakterin e një libri i cili flet për lëvizjet e mija aty – këtu nëpër vende të ndryshme të Evropës. Unë pajtohem se jetë të tillë kam pasë dhe po vazhdoj ta kem. Një histori avanturash ka pasë edhe secili banorë tjetër i Velegllavës dhe nëse flasim për ngjarjet e mia si edhe të të tjerëve kemi folur për ngjarjet që e kanë shoqëruar Velegllavën gjatë shekujve.
Të shkruash për vendlindjen është obligim ndaj një pjese të atdheut, të të parëve të saj që janë rrënjët tona. Parasegjithash është nder dhe obligim – larje borxhi që kemi për të, në një anë, kurse në antë tjetër nuk është lehtë dhe pa përgjegjësi.
Unë kam bërë përpjekje që të them diçka.
Rruga për të shkruar libër qoftë monografik, qoftë të fushave të tjera është e hapur.
Sipas mendimit tim duhet të jetë e mbyllur rruga për ata që urrejnë librat.