E enjte, 08.05.2025, 04:29 AM (GMT+1)

Kulturë

Besim Muhadri: Trupi i Atdheut

E diele, 15.08.2010, 09:57 PM


Besim Muhadri

 

Poezi

 

TRUPI I ATDHEUT

 

 

KUR KËTEJ PARI RANË BARBARËT

 

Kur këtej pari ranë barbarët

Dhe ia dhanë britmës shkatrrimit

Përdhosjes barbarisë piromanisë

Atdheu im filloi të tundej e të të shkundej

Si ë kohën e  Ikjes së Madhe

Filloi tkurrja e Atdheut arratisja mosdurimi

Deri në pikëllim dhimbjeje

Barbarët ecnin të tërbuar

Me pangopësi karpatesh

E t’ia grahën sa deshën e si deshën, o burrë

Dhe shkatërruuan çdo gjë

Zunë e pëzunë me përdhunë

Gjithçka gjetën e vranë

Deri në katandisje

Gjithçka morën me vete deri dhe kujtimet

Atdheu im u dynd e t’u bë pikë e pesë

Tash nuk dihej ç’bëhej këtu

Barbarët lëpiheshin e shkriheshin vandalisht

Mbi trupin e Atdheut tim

Bënin çka donin  si në bahçe të babës

Trupin e tij e t’holluan e bënë sa një thupër

E t’i hynë punës pastaj ashtu si ditën dhe mundën

Barbarisht mizorisht karpatisht

Krejt në fund ia morën këngës barbare

Këngës së tyre të çmendurisë

Atdheu im mbytej e përmbytej

Në padukshmëri të thellë pikëllimi

Iknin, o iknin njerëzit nga Atdheu

Nga ndjekjet vdekjet vrasjet tërbimi

Emri i Atdheut tim harrohej e mbulohej

Nga tragjedi mosdurimi

Ndahej përçahej e thahej

I priteshin malet detrat i treteshin

Në Oqeanin e gllabërimit të madh

Vetëm që një ditë

Të mos flitej e përflitej

Për këtë dhê

As si për një histori të lashtë

  

PREJ PASHTRIKU A VRITET DIELLI

 

Monolog me Pjetër Bogdanin

 

1. Mallkimi i çuditshëm

 

Të gjithë ikim si një lukuni e shfrenuar

Detit të gjerë të vetmisë

Nëpër natë e nëpër ditë

Kohë e pa kohë

Zot e Diell mallkojmë

 

Ng atretemi kështu nga shkojmë

Nata është e gjatë dhe besë nuk ka

Çdo gjë është mbytur në këtë mot

E mallkim i çuditshëm ra mbi fytyrën e tokës

 

Vringëllimë e tmerrshme shpatash

Në fushën e gjerë të pritjes ndihet

 

Më thuaj pashë këtë tokë

Ç’na gjeti kështu o Zot

Treqind vjet kërkimi nëpër botë

E Ti askund askund, Imzot

 

2. Lodhja e fjalës

 

Zogjtë fluturojnë në hapësirën e keqe të ëndrrës

Këndojnë këngën e pikëllimit të madh

Prapa mbetet jehona e trishtimit

 

Qindra mote gërryhen garmadhat e shpirtit

Nëpër varre të shprishura kënge

Nëpër net çmendie të ikjes së madhe

Askush asnjë fjalë s’e thot

 

Na përgjuan na vranë

Në teh të shpatës së vdekjes

Dhe na i zhveshën malet e fisit

Trupin na përshkoi krahnezë amshimi të shprishur

 

3. Gjurmë

 

Një Zot e di ç’ndodhi këtu

Dashuri e lashtë dergjet në shtratin e vdekjes

Mbyllur kemi sy e veshë

Kënga e harrimit na duket e padukshme

 

Fytyrave tona të mërrolura

Natë çmendurie përpëlitet

Si një hije e rëndë mallkimi

 

Nuk është rrenë as trillim

Të gjithë sot më thonë e s’më donë

Më vrasin ngapak me braktisin

Me gjuajnë me pritje të lodhur

 

Më gjuajnë me shigjeta vdekjesh

Kur shqipet fluturonjë mbi Pashtrik

Duke kërkuar Kullën e flijimit të Madh

 

4. Udhëtim

 

Për ku jeni nisur sonte Imzot

Nëpër këtë natë të gjatë sa pritja

Nëpër këtë mot të keq si vdekja

 

Rrugët po i vret era

Re të zeza futojnë prapë

Anekënd rruzullit treten gjymtyrët tona

Dhe ëndërr e shprishur në shpirt lirie

 

Kështu ngrysim ditët jetën

Duke kërkuar aktin e kthimit

Në ftohtësi shpirtërash

Në pafundësi braktisjesh

 

5. Balli i nënës

 

Po ndizet flakë balli i Nënës

Në shtratin e dergjës së gjatë

Trerët lëngojnë e nuk ndihet kund ajo këngë

Te carani i votrës zjarri po shuhet

E po mbetet vetëm kujtimi

 

6. Qëndresë

 

Gur’ i moçëm s’ka luajtur nga rrënja

Në breg të pikëllimit heshtja djeg

Është ulur motra dhe pret vëllanë

Është ulur vasha dhe pret trimin

Nana ka dalë dhe shikon gjurmët

 

Imzot a është shprishur gjaku i Arbnit?

 

 

7. Prej Pashtriku a vritet Dielli

 

Prej Pashtriku a vritet Dielli

Për vetëm një fjalë

Për vetëm një ëndërr

 

Atje të Varri i Mirë

Janë ndalur njerëzia

Të falën për Ty

Dhe për vete të falen Imzot

 

Në lutjet e tyre paska shumë trishtim

 

Jashtë tokës së gjyshit a nxirret njeriu

Për t’u mërguar

Në kujtimin e harruar të këngës

 

Ku ta çojmë këtë këngë

Këtë emër të lashtë si ta ruajmë

Po Hasi a vdes a lodhet, bre burrë

A s’e sheh se po mbyllemi çdo ditë

Në vetminë tonë...

 

8. A harrohet fytyra e Nënës

 

Fytyra e Nënës a harrohet kaq lehtë

Për vetëm një ditë udhëtimi nëpër ankth

Pesëqind vjet legjendave vrastare helmin e pritjes kemi pirë

E harruar s’e kemi

 

Është pikëlluar dhe qielli

Në trishtimin e kësaj nate

Sirenat e godijeve të shpirtit bien

Në trupin e zhvarrosur në erërsirë

 

Nuk është lojë as përfytyrim i gabuar

Diell e Tokë këtu i pashë

Rrezet që përcëllojnë kraharorin tim

Dhe përplasen në fytryrën e tokës nënë

Lëshojnë një trohë dashurie për fisin

 

9. Natë e gjatë harrimi

 

Asnjë fije s’iu shqye perdja

Mallkuesve që vranë dashurinë

Dikund në këtë natë tretemi

Si zogj të harruar nëpër natë

 

Shtigjeve të ikjes ulemi

Dhe pimë helmin e harrimit

 

Imzot nata s’po zhduket

Në fërk të mëngjesit të falemi

Të lutemi për dashuri

Dhe për vete të lutemi

Imzot

 

10. Bukuria e Sibilave

 

Bukurinë e Sibilave e pashë në maje Pashtriku

Shqipet kur u nisën në shtegtim

 

Ulur në etjen e hasgurit vrava ndarjen

Shpirtin ma ndezi dashuria

Prehërin e nënës për të shijuar

 

Rreh sofrës së atdheut të ulemi

Të pimë gotën e ilaçit të kthimit

Për njerëzit tanë lutje të gjata bëmë

Që ta duam më shumë tokën dritën dhe vetveten

 

11. Ëndrra e kthimit

 

Shijen e bukës do të shijojmë

Kur të ulemi në sofrën e madhe

Gjithçka të jetë e shkuar e harruar

 

Sonte do të zgjohet Konsandini

Nëpër nëntë konaqe të kalojë

Hipur mbi atë kalë të bardhë shtegtimi

 

Shtigjeve të Pashtrikut do të vish dhe Ti Imzot

Me hartën e Gurit në dorë a në shpirt

Të na rrëfesh se si duhet dhe ruhet Atdheu

Se si mund të vdiset për të në çdo kohë

 

Nëpër mot me diell nëpër natë nëpër ditë

Të na vish këtu të na rrëfesh

Atë që quhet e Shenjtë

 

(1996-1998)



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx