E enjte, 08.05.2025, 04:40 AM (GMT+1)

Kulturë

Daniel Gàzulli: Kur penda ngjyhet në zemër

E diele, 15.08.2010, 09:57 PM


Daniel Gàzulli

 

Kur penda ngjyhet në zemër

 

- Reflektime mbi një shkrim të Sejdi Berishës -

 

Nuk kam qenë kurrë në Plavë, Guci, Rrozhajë e mbarë ato vise. E megjithate më duket se i kam shkelë sa  herë, sikur i kam prekë me pëllambë ato gryka, lugina e shpate malesh. Më duket se jam përshëndetë sa herë me ata malësorë krenarë, themel i historisë kombëtare, por tashma pak të trishtë, pse po braktiset vendi, se po birret gjuha, sidomos prej të rijëve.

E tash që lexova e rilexova përshtypjet e udhëtimit të shkrimtarit Sejdi Berisha “TOKA QË TË MALLËNGJEN DHE TA MADHËSHTON HISTORINË...!”, mundem me thanë se, po, unë kam qenë atje, kam marrë frymë thellë në ato bjeshkë të cemta.

Sejdi Berisha me këte shkrim, ku penda asht ngjye në zemër e jo në mendje, na shpalosë bukurinë e thjeshtësisë së fjalës, rrëfimin e çliruem prej vargojëve të frazës së parafabrikueme që ndeshim përditë kudo që hidhet e zaza mbi të bardhë, dashuninë e dhimbjes dhe dhimbjen e dashunisë. Edhe pse përshkrimi prekë edhe ngjarje tragjike, si ato të viteve 1998/1998, shkrimtari ynë përcjell anën njerëzore të tyne tue iu shmangë patetikës pseodopatriotike.

Në një kohë ku mediat janë përmbytë me grindje banale, shfrime inatçore, kronika shtetarësh hajna, horlleqe të të ashtuquejtunve VIP-a, shkrimi i Sejdi Berishës duhet marrë si shembull didaktik i publiçistikës së mirëfilltë.

            Natyrshëm në shkrim rrjedh fjala e bukur shqipe, fatkeqëisht tashma pothuej e harrueme, si tek “për ta zhdjergur bulmetin në rrafsh”. Asht harrue fjala, pse mungojnë ata që nxirrnin bulmetin “për ta zhdjergur në rrafsh”. Po shkrimtari ynë as qorton, as trishtohet. Janë rrjedhët e kohës, na mëson. Edhe keqardhjen duket sikur do ta fshehi, aty edhe kur “rruga duket pothuaj tërësisht e shurdhër”. Ato bjeshkë e ato shtigje nuk kanë qenë kurrë të zhurmëshme, por shurdhimi pothuej i plotë nuk ka si të të mos sjellë njëfarë trishtimi. Ndoshta diçka ma shumë ai ndjen keqardhjen për ato tabela kufijsh që vazhdojnë me nda trojet tona, njerëzit tanë.

Duket sikur ajo natyre ende e virgjër i sjell edhe atë pasuni gjuhësore që pak nga pak po birret: “saora, me lotë të valë, jehu i gjuhës së nënës” etj. As aty ku matet mos me thanë gjithçka, prap gjuha rrjedh, pse ai i kundërven shëmtimit njerëzoren: “.... përkundër të gjitha këtyre skenave të llahtarshme, nis e të ëmbëlsohet shpirti kur të kujtohet mikpritja, hapja e dyerve të shtëpive”, dhe e zemrava, do të shtoja unë, “për popullin shqiptar të Kosovës”.

Historia dhe bukuritë e natyrës do të ishin pak pa mbukurinë e banorëve të asaj treve. Shtanget ai para ujit që bie rrëmbyshem te “Syni i Vashës”, para madhështisë së kreshtave të thepisuna, por ajo që i rrëmbush shpirtin e synin me lot, janë mikpritja e malësores tek restoerant “Kroji, ku të ardhunit nuk ndjehen klienta, po mysafirë; asht ai udhërrëfyesi që i falnderon se e pyeten kah binte rruga; asht mbi të gjitha ai djali i vogël, shpresë edhe për të ardhmen, me bluze e kuqe me shqiponjen e zezë në gjoks, ani se tashma te dyja dalë boje prej vjetrimit.

udhëtimin e tij të një dashunie prekëse, shkrimtarin e shoqnon drama e atij populli, drama e tij, drama jonë: pse “Gucia nuk bën të jetë qytezë e shurdhët”, pse “tek varrezat ... për anash ishte rritur bari” ... dhe ”... ua kishte “zënë” frymën shumë pllakave përkujtimore dhe varrezave të tjera” çka e trishton; e mbi të gjitha pse “...në shumicën e këtyre shtëpive qëndronin të “lëvarura” perdet dhe kapakët e dritareve. Nuk kisha dëshirë të bindem se ato janë të mbyllura, të vëna nën dry. Gjithnjë sikur e detyroja vetveten të bindem, se në dhomat e këtyre shtëpive janë duke pushuar banorët e këtushëm në këtë mesditë me vapë vere...”. Vetëm para heshtjes ai ligshtohet, pse e di që ku zotnon heshtja, nuk lëvron jeta. E ajo e shoqnon deri në fund, edhe atje, në Plavë, ku “Liqeni i kësaj qyteze mu duk i heshtur,... i urtë apo mbase edhe i pikëlluar! “

Shpresa, po, asht tek ai çunaku në Vuthaj me shqiponje ne gjoks.

E une do te shtoja, sidhe tek ata artistë që duen deri në dhimbje Atrdheun e tyne.

Falemnderit, Sejdi.   



(Vota: 20 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx