Kulturë
POEZIA QË IA KTHEN KUPTIMIN LINDJES DHE VDEKJES...!
E diele, 22.08.2010, 03:19 PM
R e c e n s i o n
Sejdi BERISHA:
POEZIA QË IA KTHEN KUPTIMIN LINDJES DHE VDEKJES...!
(Tahir Bezhani: “Piskamë e heshtur”- poezi, botoi Nacional, Tiranë-2010)
Krijuesi e veçanërisht poeti, asnjëherë nuk është i qetë, bile edhe atëherë kur e rrethojnë fjalët më të bukura, fjalët më të ëmbla, sepse kënga i rri në zemër si kryeneç shpirti, e cila dëshiron të thotë e të tregojë gjithçka për jetën, e cila është enigmë dhe asnjëherë nuk mund të shpjegohet kurrë drejtë dhe as saktë. Në këtë formë të rrugëtimit e hasim edhe autorin e librit “Piskamë e heshtur”, Tahir Bezhanin, i cili sikur poezinë e ka atë pjesën më këmbëngulëse të mendimit, e që shpesh, as vet nuk e di se këtë pagjumësi moti e ka. Për këtë, dëshmojnë edhe tetë veprat tjera të botuara të këtij autori, që janë edhe të fushave të tjera.
Autori i kësaj vepre, në fillim, me kujtimet e pagjumë na imponon detyrimin për ta parafytyruar rrugëtimin nëpër të cilin defilojnë e zvarrën kujtimet e hidhura por edhe të mira dhe të rëndësishme të njeriut, që janë dëshmi e përplasjeve nëpër periudha, e mallit, i cili tradicionalisht ka qenë pjesë e këtij nënqielli prej nga vjen shkrimtari. Janë dëshmi e dhomave pa dritë, dhe kështu, çdo gjë duket se ka etje për dritë, për dashuri, ka pritje të çuditshme që stinët e motmotit për t’i bashkuar në histori e me histori. Janë këto pikturë dhe mozaik i papërfunduar i poetit, sepse, ai, jo pse nuk ia del që gjërat t’i mbarojë e përfundojë suksesshëm, por kështu madhështohet rrugëtimi, kurse shpirti shndërrohet në pelegrin, jo për ta gjetur pushimin, por për t’i gjetur dhe për t’i shpalosur fletët me shkronja gati të shlyera tek fshehtësitë ku qëndron heshtja e zërit, për t’ia kthyer fjalën zjarrit, për t’ia kthyer kuptimin lindjes dhe vdekjes, për t’iu bërë atyre vend meritor në copëzat e ditarit ende të papërfunduar.
Kur kënga rrugëton përmallshëm
Është kështu, sepse, në ciklin e parë të këtij libri, “Etja e lumit”, poeti përpiqet që përmes vargut të mishëruar me metaforën e lehtë, mbase, nëse mund të thuhet edhe subtile, të manovrojë dhe të shpjegojë tërë atë pezmin për sëmurjen e kohës, e cila ka prekur pjesët më të ndjeshme dhe më të shenjta të njeriut dhe të atdheut, duke i përplasur e copëtuar ato si gotën e zemërimit. Po ashtu, ka goditur edhe sofrën e poetit, me të cilën ai simbolizon jetën, qëndresën, familjen, edhe atdheun. Pra, me një fjalë, edhe trungun. Duke u mbështetur në të gjitha këto elemente karakteristike, poeti në asnjë moment nuk dorëzohet me heshtjen e vet, sepse: “Dielli po vie.../Për t’i ngrohë Engjëjt e vet”.
Në këtë aspekt, me gjithë këngën e ndrydhur, ai, diku në horizont e sheh dhe beson në udhëtimin e ri, në madhështinë dhe në lumturinë e njeriut. Nganjëherë, sikur e shohim edhe duke bredhur e duke gjurmuar si ndonjë arkeolog i vonuar në fushat dhe tokat e pashpresë dhe nëpër rrudhat e ballit, jo vetëm të tij. Mirëpo, ai mirë e di, për pikërisht edhe për atë arsye, edhe na imponon mllefin e tij, për të thënë se kënga dot nuk e lë dhembjen zvarrë, ngase nuk lejojnë damarët që rrahin përmallshëm, e unë do të thosha, plotë zemërim, për ta shprehur etjen e të pashprehurës. Kjo ndodhë kështu, sepse, në të gjitha rrafshet dhe pothuaj në të gjitha situatat, heshtja është zë, dhe, edhe atëherë kur nuk e di njeriu, ajo fluturon dhe ecën lirshëm për ta ndezur dritën e dritës por, njëkohësisht për ta shoqëruar edhe vetminë, e cila në zemrën e kësaj toke dhe kudo në te, prore ka qenë klithmë, e, në të njëjtën kohë edhe fanar për ta mos gabuar rrugën, për ta ruajtur dhe për ta mos rrënuar madhështinë, virtytin dhe amanetin e njeriut, eshtrat e të cilit, padyshim se e mbulojnë çdo pëllëmbë të kësaj toke aq të lashtë, aq të munduar dhe aq krenare
I theksova këto karakteristika, sepse, autori kështu, apo edhe në ndonjë formë tjetër, lexuesve ua ka prezantuar jo vetëm në “Piskamë e heshtur”. Ai, përmes vargjeve gjithnjë të begatuara me mesazhin dhe metaforën, por edhe me ndërtimin bukur të mirë esteto-letrar, na “shëtitë” nëpër shumë tema të tjera që i takojnë edhe përditshmërisë, e cila, edhe ajo shumë e godit poetin. Një gjë të tillë e vërejmë tek shumë poezi, si te “Zhgënjimi”, “Dua qetësi”, “Mos më lëndoni” etj., për çfarë, ai ligjëron: “...Kandilat rrinë ndezur/Në shpirtin tim/Plot ankth...”.
Reflektimi i kuptimit filozofik dhe i fatit të njeriut në poezi
Edhe atëherë kur veprën e lexojmë me respekt dhe me kujdes në të gjitha aspektet, edhe pse ndonjëherë na bëhet se autori nuk e “kreh” historinë, përkundrazi, vet vargjet dhe poezitë fuqishëm reflektojnë kuptimin e thellë filozofik në të cilin ngërthehet fati i njeriut dhe i shoqërisë, për çfarë, ai, sfidat e jetës përpiqet që t’ia atribuojë vetvetes, në mënyrë që të mos e ngarkojë askënd me gjëra të tilla. Mirëpo, gjatë rrugëtimit poetik, ai e sforcon konstatimin tim të sapo thënë, me vargjet: “Udha ime e kuqe zjarr/ Thellësi pafund/ Shpirti im çapkën”.
Kjo do të thotë, se edhe ndijimi poetik, por edhe soditjet, lëvizjet dhe përplasjet e të gjitha natyrave, autori sikur i detyron ato të korrespondojnë me njëra-tjetrën por edhe me lexuesin dhe me opinionin e gjerë. Dhe, pikërisht për këtë, dhembja, për çdo gjë e merr atë peshën e amanetit, por edhe të vetëdijesimit, si për të kaluarën e largët, e cila është histori, dhembje dhe krenari ende e pandriçuar sa duhet, edhe për të djeshmen të shpërthurur, edhe për të sotmen, e cila sikur rri galuc duke pritur dhe duke soditur veprimet dhe gabimet e njeriut, por edhe e nesërmja e cila do të jetë gjyqtarë dhe analizues i pa pardon, apo dashtë Zoti, do të jetë madhështia e të gjitha këtyre që i theksova, i historisë së njeriut. Duke pasur parasysh këtë, por edhe labirintet e jetës, që janë të pamëshirshëm, poeti, shtron domosdonë e dëlirësisë dhe të ndërgjegjësimit: “...E, anijet kur gjëmojnë nga lodhja/Spirancat bulasin si zë fëmijësh/Kur kërkojnë shpëtim...”.
Gjatë vargëzimit, poeti shpeshherë komunikon me vetveten, gjë kjo e cila dëshmon se ai nuk thurë vargje vetëm sa për të bërë poezi, apo për të krijuar hermetizëm dhe dilema poetike, dhe në këtë mënyrë për t’i zhvlerësuar vlerat artistike. Përkundrazi, gëzimet dhe vuajtjet janë ata faktorët që e ndërtojnë madhështinë e jetës, e kërkojnë të vërtetën e historisë, themelin e dashurisë dhe të vullnetit për të bërë çudira, të cilat mahnitin edhe atëherë kur loti bëhet rrugëtim, edhe atëherë kur zëri bëhet heshtje e heshtja fjalë që peshon e amshon çdo gjë. Duke u mbështetur në këtë parim, T. Bezhani, në të gjitha njësitë ciklike ka mbëltyer fidanin e urtisë dhe ka ndërtuar kështjellën e fjalës, e cila ruhet dhe konservohet por edhe arkivohet si dëshmitar i të gjitha rrjedhave, të cilat rrjedha e gëzojnë, e dëshpërojnë, e ngritin dhe mund ta rrënojnë njeriun dhe kohën e tij, për çfarë poeti thotë: “Çuditshëm koha qan/Në humbje të kota/... Sa shumë dhemb/Dëshmitë i mbulon koha/Qan plaga ime me kohën...”!
Ngacmimi dhe frymëzimi poetik-faktorë që përjetësojnë vargun dhe poezinë
Përmes kësaj forme të vargëzimit, poeti dëshiron të thotë edhe më shumë se që ia përthekon mendja atij dhe njeriut përgjithësisht, sepse, në këtë rrafsh, gjithmonë etja ka qenë shoqërues i padëshirueshëm por edhe i çuditshëm për atë që ka munguar e që mund të mungojë edhe tash. Andaj, rënkimi, ngacmimi dhe frymëzimi, gjithnjë janë synim dhe mëtim mesazhi sa më të fuqishëm, janë shpresë e këndimit, në mënyrë që nga zemra fjalët për t’i nxjerrë dhe radhitur sa më mirë që është e mundur, që gjërat mos t’i takojnë as heshtjes dhe as piskamës. Dhe se, pasqyra e fjetur e mendimit dhe e kohës të mos ngelet e tillë, apo edhe rastësisht të mos thyhet, sepse, kështu mund të varrosen “tapitë” e jetës së njeriut. Andaj, poeti me të drejtë na imponon pagjumësinë, ndrojtjen dhe trembjen e shpirtit të vet: “...Fjalët e zemrës i rendita/Zjarrshëm/Plot mall/Në imagjinatën time/Fluturojnë mendimet/Të fjetura frëngjive/ Nëpër kulla...”.
Dhe, posa t’i lexojmë, sidomos dy vargjet e fundit, fjalët: frëngji dhe kulla, para nesh sjellin kujtimin historik që vranë thellë ndërgjegjen për meditim jo vetëm për periudhat e shkurtra kohore dhe historike. Këto fjalë, provokojnë që vet lexuesi, të themi kushtimisht, të “kapërthuret” në to, dhe pastaj të debatojë dhe të polemizojë edhe me to edhe me vetveten! Pra, edhe në këtë aspekt, autori, përveç për ndërtimin e vargut, dëshmon edhe për mendimin e tij të thellë dhe të përjetuar për gjërat historiografike, duke lëshuar zërin e arsyes, se: ”Koha ndriçon dhimbshëm”, kurse “Jeta është një përrallë”, të cilën duhet respektuar, realizuar dhe analizuar në mënyrën sa më racionale që të jetë e mundshme.
Nata, jeta, heshtja, mali, deti, hëna, dielli dhe shprehje të tjera, poeti i përdor edhe si metaforë, por edhe si element thelbësor të mendimit dhe të këndimit poetik, që marrin peshën e ikonës apo edhe të pikturës më të përkryer, në të cilën qëndron dëshmia si e zënë peng, për çfarë, poeti di të vargëzojë edhe me peshën e mallit dhe të dhembjes, por edhe di ta mishërojë elementin qortues dhe satirik: “Ti moj hënë/Vetëm natën ndriçon/Të gjithë i rrezon/Herë-herë edhe mashtron/...Njërën anë e ndritë/Tjetrën terr e bënë...”!
Krahas të gjitha këtyre, autori i kësaj vepre, në spikamën e zemrës dhe të shpirtit e ka edhe dashurinë, kujtimin e dhembjen për familjen, për më të dashurit e vet, të cilët, jetës së tij i japin kuptim e shpresë, respekt e nderë: “Jam këtu/Mes jush/Në rrënjën time/Në zemrën e zemrës/Plot mall/Si zjarr/Që pëlcet shkëmbinj”. Ose, “...Kujtimet thyhen/Si në pasqyrë/Në sofër përherë/Një vend rri i zbraztë.../...Truall i rritës/Në buzëqeshje i vrarë...”(Poezitë: “Në Zogaj” dhe “Përsëri në vendlindje”. Ngjashëm ligjëron edhe te poezitë “Telefonata”, “I vetmuar”, “Në aeroport” etj.
Ndërsa, kurbeti, edhe kjo plagë shekullore, se le dot rehat poetin pa iu bashkuar edhe ky shumë e shumë poetëve të tjerë të të gjitha kohërave e periudhave, për të kënduar e për të shprehur dhembjen dhe mallin, që kanë peshë të veçantë dhe gjithnjë janë të mbyllur si tunxh në zemrat e atdhetarëve tanë të daktisur anë e këndë botës, por që, kudo që janë, vendlindja dhe atdheu janë ëndrra, shkrumbi, jeta dhe shenjtëria e tyre. Për këtë arsye, autori, pos tjerash, veprën e bën ndoshta shumë më me peshë edhe me vargjet: “... Vetëm shpirti e ndien/Flladin e valët/Në përqafim të vendlindjes/Në aromë tymi e zjarri/Edhe kur flenë”(Poezia: “Mall i kurbetçarit”).
Veç kësaj, ai e di vlerën dhe peshën e njeriut, për çfarë atë e shndërron në gjurmë krenarie. Ndërsa, duke lexuar vjershat e ciklit të fundit, T. Bezhani sikur bie ndesh me “qëndrimin” aq shqetësues për temat që e kanë grishur dhe e kanë bërë kryeneç e rebel jete. Ai, tani dot nuk përmbahet dhe zhgrehet në ëndrrën e dashurisë, e cila e detyron t’i thotë e t’i zbulojë intimet që nuk e kanë kursyer gjatë jetës, e që deri me tash ka qenë i përmbajtur dhe nuk i ka shprehur “fshehtësitë” e pakalueshme të dashurisë. Andaj, edhe në këtë moshë, ai dëshiron t’i shënojë disa nga flakërimet e tija, të cilat jo vetëm në këtë vepër, e bëjnë shtegtar me “shportë” në dorë, jo për të mbledhur dredhëza, por dashurinë për ta respektuar dhe kërkuar si bukën e kripën!
Dhe, më së miri, sikur intimen e nis, e zhvillon dhe e përmbyll me vargjet: “M/i falë sytë/Të fali këngën/Më falë puthjen//Ta fali zemrën/Mos më dhuro heshtjen/Se bëhem zjarr/Në hi shndërrohem/Mes nesh/Humbës nuk ka”!
Libri, “Piskamë e heshtur” i ngjanë një udhërrëfyesi të autorit, që përbrenda, mesazhi assesi nuk e humb peshën as fuqinë e vargut, i cili me të vërtetë është formulë e heshtjes për historinë e jetës, për jetën dhe përplasjet e saj dhe të njeriut. E, kjo mund të identifikohet jo vetëm me poetin, me njeriun, por edhe me atdheun, historia e të cilit është horizont në vete që do dritë, që kërkon diçka si melhem për t’i shëruar plagët, e që në këtë rrugëtim patjetër kërkon për të folur diç. E gjithë kjo reflekton madhështinë dhe virtytin e njeriut, i cili tani, me siguri se nuk do ta preferonte as piskamën por as heshtjen. Në këtë aspekt, autori i kësaj vepre, e fuqizon edhe moralin por edhe përgjegjësinë si dy faktorë paralel të jetës, duke ligjëruar: “Mos shkelni në lotin/Plagën time/Shpirti më dhemb/Ushqehet/Me bukën e kripën e sofrës sime/Shtruar plot vuajtje...”.
Andaj, kujtoj se vepra “Piskamë e heshtur” është edhe një kontribut i cili begaton vlerat tona kulturore dhe letërsinë kombëtare, e cila, po ashtu, kujtoj se do afirmim, respekt më të denjë dhe afrim më të madh reciprok. Po ashtu, edhe sot e kësaj dite është e nevojshme të theksohet se krijuesit, pra, edhe shkrimtarët, nuk janë vetëm ambasadorë të vlerave shpirtërore, por edhe ambasadorë të kombit. T’i mbështesim dhe t’i respektojmë ata!