E enjte, 08.05.2025, 04:32 AM (GMT+1)

Kulturë

Nuri Plaku: Semantika e vdekjes

E diele, 15.08.2010, 09:58 PM


SEMANTIKA E VDEKJES

             

(Ismail Kadare. Darka e gabuar. Tiranë, Onufri, 2009)

 

Nga Nuri PLAKU

 

Romani “Darka e gabuar” i Kadaresë sjell përpos të tjerash edhe një vështrim interesant të trajtimit të vdekjes. Ai formon një shtrat të gjerë filozofik mbi të cilin thuret kuptimësia e ngjarjeve, ashtu si ndodh  edhe në vepra të tjera të këtij autori. Gjithë fabula e tij rrihet në një përplasje fatale midis të mirës absolute dhe të keqes absolute, ç’ka shpreh vet konturet e një digresioni bardh e zi të ngjarjeve të kohës. Shpesh fenomeni i vdekjes merr tek Kadareja edhe nuancat e një grotesku të vërtetë.

   Tek “Darka e gabuar” vdekja shfaqet që në momentet e para të konfliktit. Dikush nga qyteti, një guerilas i luftës partizane ka kryer një veprim aventuresk. I ka bërë pritë pararojës gjermane në hyrje të qytetit dhe ka gjuajtur mbi të duke lënë të plagosur tre ushtarë. Veprimi është aksion tipik luftarak, ndërsa pasojat e tij nxjerrin në skenë një fakt grotesk. Armikut, jo vetëm se nuk i është bërë pritë serioze, por edhe provokimi ka qenë fare sporadik. Askush nuk e ka marr përgjegjësinë e tij dhe ndëshkimi hakmarrës i ushtarakëve gjermanë presupozohet të bjerë mbi qytetin e gurtë, si një Borovë e dytë. Fill mbas këtij momenti, vdekja hyn në vetëdijen e qytetarëve si një ankth i tmerrshëm. Ajo vjen në qytet krejt papritur dhe si e tillë rrëmben të pamerituarën e tij. Një burrë në dhjetë shtëpi, njëlloj si ndëshkimet antike në rreshtat e legjioneve romake.  

   Teksa artileria gjermane po shpeshtonte vjelljen e zjarrit hakmarrës mbi qytet dhe njerëzit e strehuar nëpër bodrume prisnin të tmerruar rrafshimin e tij, diku në njërën prej shtëpive, ndodh diçka e çuditshme. “Dikush nga banorët, nga një pullaz që s’dihej mirë ku binte, kishte tundur një copë të bardhë, shkurt u kishte dhënë gjermanëve shenjën e dorëzimit”(Ismail Kadare. Darka e gabuar. Tiranë. Onufri, 2009, fq. 25) Aludohet gjithashtu edhe për një perde të bardhë që del prej erës nga kanatat e hapura të dritares dhe valvitej jashtë saj në shenjën e flamurit. Pikërisht kjo shenjë e bardhë është shtresimi i parë kuptimor i vdekjes. Ajo lidhet me orientimin logjik të dënimit kolektiv, duke e parë atë si një shkak të rastësishëm e të pa motivuar.

   Por, në psikologjinë e banorëve, ankthi dhe tmerri i saj përzihet hera herës edhe me ndjenjën e turpit. Vetëdija e njerëzve është tronditur aq shumë nga kjo ngjarje sa i bën ata të preken në nder. Shfaqet brerja e ndërgjegjes së tyre për t’u përballur me vdekjen në llogari të krenarisë. “Ishte e keqe, padyshim, por më e keqe se ajo vetë ishte e keqja tjetër, ajo që s’thuhej e që shkaktonte turpin…Shkurt ky qytet, që aq fort ishte mburrur se kishte jetuar burrërisht, qenkësh thënë të vdiste si grua.” (Po aty, fq. 23)

   Ky moment që lidhet me dualitetin ardhje - provokim të autokolonës gjermane dhe me idealin e tyre të qendresës, tashmë është kthyer në një dilemë. Qyteti nuk ishte përgatitur për këtë betejë, nuk kishte mobilizuar burrat në mbrojtje të tij dhe nuk i kishte strehuar gratë, të moshuarit dhe fëmijët në llagëmet e kalasë apo diku në mal, ashtu si kishte bërë në luftrat e tjera të mëparshme. Në ndërgjegjen e tij tashmë po kumbonte si trumpetë nji pyetje fatale: A duhej të pritej me luftë ushtria gjermane, apo të konsiderohej si kalimtare e thjeshtë?  Kadare konturon kështu trajtat historike të “Pseve” të mëdha politike mbi qellimet e gjermanëve dhe raportet e pushtimit të tyre me Shqipërinë. Brenda saj ka shumë moral, shumë filozofi dhe shumë bekim. Morali është ai i luftës së shprehur përmes pretendimeve nga të dyja krahët; kombëtaristëve dhe komunistëve, për Shqipërinë e madhe, për bashkimin e Kosovës dhe të Çamërisë, për armiqtë e betuar të atdheut dhe për krenarinë e luftëtarëve me yll të kuq në ball, shprehur aq bukur në vargjet e këngës; “Bijtë e Stalinit jemi ne/ Që derdhim gjakun anembanë/ Gjer të valojë përmbi dhe/ Flamuri drapër e Çekan.” Ndërsa filozofia shpreh një raport të dukshëm midis aventurës dhe realitetit të kësaj lufte, midis pretendimit aktual dhe perspektiv të saj e cila arrin deri në hedhjen e kutive të prezervativëve, bashkë me ndihmat e tjera nga aeroplanët anglezë. Kurse bekimi i përket frymës së paqes, përpjekjes sakrifikuese për shpëtimin e pengjeve dhe durimit stoik të vuajtjes njerëzore. Këtu fillojnë në roman shtresimet kuptimore të ngjarjes të cilat lidhen ngushtësisht me vdekjen.

   Vdekja del polivalente në simbolikën e saj dhe njëkohësisht  po aq groteske sa të vishet me vetëdije dhe funksionon në një dimension vertikal. Era e gjakut të pafajshëm  shpreh ngarkesën e ankthit të vdekjes teksa ushtria gjermane vërshon në qytet. Horizontalja tek ajo ende nuk është shfaqur. Ajo do të jetë e pastajme dhe e beftë, si një “rrëmbim skifteri” apo “kositje bari”, krejt e parëndësishme. Por “lopatat e varrit” para se t’i vërsulen dheut gërmojnë fillimisht në vetëdijen e qytetit për të parandaluar atë. “Lopatat” gërmojnë në mundësinë e eleminimit të saj. Ato lëvizin në duar të ndryshme duke shprehur në forma të ndryshme tmerrin e çastit. Realiteti i kësaj lufte shfaqet këtu simbolikisht dhe shumë specifik. Kadare do të pasqyrojë të gjitha trajtat dominuese të kohës me ngjarjet e saj më pikante. Romani i largohet asaj lloj vdekjeje heroike të prapaganduar nga socrealizmi së cilës i mohohej frika dhe tmerri. Kjo nuk do të thotë se vdekja nuk duhet të zhvishet nga kjo lloj veshje e natyrshme, por ajo komplikohej me veprimin. Tek vdekja “socrealiste” kemi një vetsakrifikim të mburrshëm të tipit kamikaz. Me çarçafin e  bardhë Kadare rrëzon një tabu të heroizmit masiv të cilën e ka dhënë më parë letërsia jonë me artifica letrare. Qyteti nuk del me “pushkë e kobure” “me gurë e thika” të luftojë gjermanin. Mençuria popullore e konsideron absurde këtë llojë sakrifice përballë një armiku të tillë aq të fuqishëm. Prandaj perdja e bardhë shfryn “tollombacen” e fryrë të patetizmit partizan dhe e bën qytetarin e asaj kohe ta shikoj realitetin me këmbë në tokë. Kjo është një nga vlerat e kësaj proze e dhënë qartazi nëpërmjet semantikës së vdekjes.

   Në proçesin e mëvonshëm vdekja në roman bëhet promotor i ngjarjeve të ardhëshme. Gjermanët grumbullojnë në sheshin e bashkisë tetëdhjetë burra dhe presin t’i shkojnë në plumb. Por “lopatat e varrit” ende nuk e kan prekur tokën. Ato janë kthyer befasisht në “flatra engjëlli” dhe flatrojnë në ambjentet e shtëpisë së një njeriu të vetëm, që bëhet papritur epiqendra e këtij qyteti, doktor Gurametos.

   Doktori e ka ftuar udhëheqësin e ushtrisë  gjermane në shtëpinë e tij dhe aty zhvillohet “Darka e gabuar.” Komandanti gjerman dhe mjeku përballen me njeri tjetrin rreth tavolinës së ngrënies në një duel bisedor tepër të rrallë. Mjeku lufton me vdekjen duke operuar me të gjitha mënyrat për shpëtimin e pengjeve. Kurse tjetri duhet të shkelë mbi ligjet e luftës për të marrë një vendim të tillë. Biseda vazhdon të zhvillohet me këmbënguljen e të dyve duke arritur ta kthejë filozofinë e dialogut e të negociatave në një mundësi të suksesshme veprimi. Ky është momenti që e vesh këtë prozë me ngjyrat e modernitetit. Sepse jo vetëm i largohet trajtesave steriotipe të kohës së luftës, por sjell pikërisht këtë risi: negocimin.

 Në këtë aspekt historia jone e luftës ka lën gjurmë të përgjakura nga mungesa e kësaj filozofie. Cili ishte për kushtet historike të kohës “statusi” i vdekjeve masive? Cili ishte gjykimi i kohës për “darkat e gabuara?” Me këtë status i cili rrjedh nga interpretimi politik i qendrimit ndaj nazizmit bëhet edhe lidhja e doktor Gurametos me vdekjen e tetëdhjetë  pengjeve. Por pikërisht këtu e ka fillesën edhe vdekja e ardhëshme e tij. Pa e ditur as vet ai, nëpërmjet negocimit, ka bër thjeshtë një ndërrim vdekjesh. Një me tetëdhjetë. Të vetën me të tjerëve. Ky është një ligj i pashkruar i të “tanëve”.

   Por Kadare e kundërshton këtë lloj filozofie kufizuese të luftës, ushqyer nga verbëria e udhëheqësve pedant dhe përqas një praktikë të suksesshme me bazë humane. Ky është një tjetër shtresim që na shfaq vdekja në hapësirat e saj semantike dhe një tjetër prurje e vlershme në moralin e kësaj proze.

   Suksesi i filozofisë së komunikimit në “Darkën e gabuar”, është mjaft befasues. Ai synon zhdukjen e vijës horizontale të vdekjes.

  Por dueli i darkës ende vazhdon. Dy “ish studentët” flasin midis tyre vesh më vesh, në intimitetin e plotë të kujtimeve. Ndoshta kan folur edhe për enigmat, sepse edhe vet koloneli atë darkë po thurte një enigmë. Ndoshta të ngjajshme me atë të Sfinksit.  Mbase kanë qeshur të dy kur kan kujtuar mërinë e perëndive për dënimin e qytetit antik të Tebës. Edhe Gjirokastra ngjante atë natë me një Tebë të vërtetë, me mallkimin gjerman mbi supet e gurta, me kolonelin - Sfinks që bënte pyetjen enigmë “Kush qelloi?” dhe me Gurameton - Edip që e gjen përgjigjen e saj: “Askush!” E rëndësishme është se Sfinksi u mund. Por kjo nuk është një mundje e tipit të “urrave”, një “hedhje nga shkëmbi” si në legjendë, por një mundje e heshtur që lidhet me shpëtimin e jetës së pengjeve.

   Vdekja në këtë roman vishet edhe me një klimë të ndryshueshme stinore. “Moti” i saj përbëhet nga tre stinë; historike, filozofike dhe mitike.

Kadare ecën bindshëm përmes hapsirave “stinore” duke formuar një realitet artistik të përafërt me ngjarjet historike. Realja dhe surealja përplasen aq ashpër me njëra tjetrën sa “vetëtimat” e lëshuara prej tyre, ndriçojnë çdo skutë të rrjedhës kohore.

Cili ishte statusi i Shqipërisë gjatë Luftës së Dytë Botërore? Pyet autori. Studjuesit e historisë së diplomacisë shqiptare kanë ngritur tri pyetje të rëndësishme mbi këtë problem: Shqipëria një shtet anëtar i Boshtit fashist, aleat i Kombeve të Bashkuara Antifashiste apo shtet asnjanës? Dhe pamvarësisht tentativave të fqinjës sonë jugor për denigrimin e këtij statusi, ajo është përfshirë në anëtarësinë e Kombeve të Bashkuara Antifashiste. Kjo është një nga meritat e mëdha të kësaj lufte. Por ndërkohë edhe dënimi i doktorit është një nga abuzimet më të mëdha të politikës mbi qellimin e kësaj lufte.  Ky abuzim prek thelbin e sakrificës sublime të popullit tonë dhe na rrëfen enigmat e mëdha të asaj kohe. Në thelb negociatat e doktorit u dënuan prej gjykimit djallëzor të politikës, ç’ka do të thotë se sakrifica e tij për të shpëtuar tetëdhjetë pengjet nuk mund të pranohej.

 Vdekja e tij është një absurditet që shpreh degradimin e plotë të asaj politike. A mund ta dinte mjeku Gurameto këtë pasojë? Po! Ndoshta edhe jo! Por ai ishte njeri dhe mbante mbi vete dashurinë e qytetarëve të vetë të cilën e ktheu në përgjegjësi. Kjo përgjegjësi u shfaq si drama e intelektualit të kohës. Nëpërmjet kësaj semantike shfaqet edhe kjo vlerë e rëndësishme e kësaj proze.

   Stina” e mitit është një nga pjesët më të bukura të vdekjes. Ngjarjen e vesh tejendanë një mister hyjnor. “Darka e gabuar” lidhet me darkën e Krishtit me të njëjtën frymëmarrje paralele si edhe ajo. “Duke zbritur thellë e më thellë në kohë, disa u kujtuan për darkën e  Krishtit, siç tregohej në shkrimet e shenjta, të sigurtë se atje do të gjenin, më në fund enigmën. Ishin të gjitha në darkë: Krishti vetë, pikëllimi i tij hyjnor, apostujt, madje dhe Juda Iskarioti.” (Po aty, fq. 35)

  Kjo darkë jepet edhe si “Thëmbra e Akilit”. Aty përplaset nderi me besën, falja me dënimin, ideali politik me humanizmin, jeta me vdekjen. Përplasen kohët dhe kulturat, besimet dhe traditat, vëndet dhe popujt. Doktor Gurameno e ndjen thellë përgjegjësinë e tij. Ai bën çmos që pengjet të falen. Ardhja e gjermanëve, pavarësisht nga njohja e tij me komandantin e tyre është një dënim i ankthshëm me kthetrat e të cilit ai po lufton për ta çliruar qytetin. Por ai duhet të përballet me pabesinë e pritës. Komandanti gjerman është kapur fort pas këtij momenti dhe kërkon ta thyej rezistencën e tij.

“Më goditën pabesisht…Gurameto, tradhëtar, ku e ke besën tënde shqiptare, ku? (Po aty, fq.45)

   Ndërsa Gurameno veç mbrojtjes së besës si vlerë shqiptare mendon me shqetësim: “Tetëdhjetë pengje do ta lajnë atë gjak…Ndërsa ne hamë darkë, ata po mblidhen…portë më portë…” (Po aty, fq. 51)

    Edhe etnokultura shqiptare zë një vend lapidar në faqet e kësaj proze. Për herë të parë tradita jonë e normave dhe moralit mesjetar vihet në provë në një nga momentet më të rëndësishme të saj; qendrimi ndaj hebrejve. Një hebre midis një gjermani dhe një shqiptari në situatë lufte. Gjermani armik për vdekje, hebreu peng në rreshtin e pushkatimit, kurse shqiptari mik i gjermanit dhe strikt i nderit dhe i besës. “Doktor Gurameto i madh, ti më pret besë mua. Këtu ka një hebre.” (Po aty, fq. 64), “ulërin” së brendëshmi komandanti gjerman kur informohet për praninë e hebreut midis pengjeve.

 Por doktor Gurameto lufton të shpëtojë nga thonjtë e vdekjes hebrein Joel me të njëjtin pasion si edhe pengjet e tjerë shqiptar. Përpjekja për shpëtimin e tij krijon në roman një shtresim të veçantë të vdekjes; përplasjen e ideologjisë antisemitiste me besën shqiptare.

 “Kryqi i hekurt” është tepër i “rëndë” në ideologjinë e antisemitizmit hitlerian. Kjo është një e vërtetë historike që “vezullon” trishtueshëm dhe që autori i vë përball një tjetër “kryq të hekurt”, besën shqiptare. Besa është e vetmja mundësi ekuivalente e tij, ndaj Gurameto e thërret atë nga thellësia e mesjetës si një vlerë trashëgimie të fuqishme. “Ti e di, Fritz, që shqiptari nuk e dorëzon mikun. Hebreu është mik në këtë qytet. Ti e di që miku s’jepet.” (Po aty, fq. 65)

   Koloneli hesht! Doktori ndër të tjera i flet atij edhe në një gjuhë të vdekur, ndoshta për t’i kujtuar se edhe gjuhët e perandorive vdesin, kurse besa shqiptare nuk ka për të vdekur kurrë. Kjo është një gjetje shumë e efektshme në bisedën e të dyve.    

Liroi pengjet, Fritz! Përsëriti. Libera obsides!” (Po aty, fq.53)

Gjermani nervozohet befas. Ndoshta e ndjen se po merr goditjen e fundit të kundërshtarit, atë të pragepjes.

“Ti më dhe një urdhër në një gjuhë të vdekur, Ç’kuptim kishte kjo i dashur mik?” (Po aty, fq.53)

   Por efekti jepet gradualisht. Koloneli ndihet i dërrmuar përpara kultit të besës shqiptare. Pastaj ngrihet i heshtur dhe vendos në gramafon pllakën me muzikën e Shubertit ”Vajza dhe vdekja”. Ndoshta për të krijuar një paralele midis latinishtes së përdorur nga doktori dhe muzikës. Muzika e “vajzës...” ushton si një prelud mirëkuptimi. Mbi konturet e tij ngrihet piramida e mermertë e besës shqiptare. Joeli shpëton për hir të saj. Është ky personazh që e lidh realitetin e asaj darke me mesjetën, me besën e dhënë nëpërmjet edukimit të kanunit të Lek Dukagjinit duke e kthyer atë në një energji të pashtershme. Në asnjë faqe tjetër të letërsisë shqipe Lek Dukagjini nuk ka arritur të dalë më fitimtar sesa në këtë roman. Lek Dukagjini shqiptar përplaset këtu me fenomenin më të egër të historisë, antisemitizmin dhe “mund” përball tij, “Kryqin e hekurt” nazist. Kjo është një nga vlerat e jashtëzakonshme të kësaj proze. 

   Edhe fundi i darkës është veshur gjithashtu me vello vdekjeje. Kudo zotëron ankthi i saj hipotetik.

“Gjermanët e ngurosur, shtrirë të vdekur në sallon, dhe vajza e doktorit, që kujtonte se i kishte helmuar, dhe pastaj çngurosja njëri pas tjetrit, ringjallja si në pashkë, jo një, por e një skuadre krishtësh, lëre, ç’e kujton, s’ishte vetëm turp, por turp e mëkat bashkë.” (Po aty, fq. 72)

Nëpërmjet këtij pasazhi jepet depërtimi i vdekjes deri në mendësitë përfytyruese të njeriut dhe ndikimin e saj në të gjitha rrethanat. Ky depërtim është një tjetër element përbërës i semantikës së vdekjes.

    Kudo në roman vdekja po bëhet aq e dukshme dhe aq e prekshme, sa krijon pandërprerë klimën e saj të “stinës mitike”.

   Edhe takimi i mëvonshëm i doktorit me Veip Qorrin është një pjesë e kësaj “stine.” Veip Qorri parandjen enigmën që e shpreh në bejten e tij rrëngjethëse; “Doktor, ç’bëre atë natë/ Thirre meitin për darkë…”

 Gurameto shtanget nga kjo këngë. “Ti beson vërtet se atë natë…unë kam thirrur…për darkë…të vdekurin?”, (Po aty, fq.85). Pyetja e tij është më tepër një dyshim për vetveten sesa për tjetrin. Madje në vetvete ai ka dyshuar qysh atë natë kur koloneli përdorte maskë. Thënia e Veipit ishte një thënie orakulli që lidhej me hijen e Fritzit dhe e befason doktorin me vërtetësinë e saj. Kadare krijon kështu një parabol interesante me ftesën e dikurshme të doktorit i cili e kishte lënë mbi një varr të panjohur dhe më pas, i vdekuri kishte bujtur në shtëpi si i ftuar. Kemi trekohësitë e moshës së doktorit të shprehura shumë qartë në këtë parabol të cilat e veshin atë me një shoqërim të përhershëm vdekjeje; fëminia, mosha madhore dhe ajo pasmadhore. Duket sikur autori e ka ngritur jetën e këtij personazhi mbi një “trekëndësh” vdekjeje.

    Vdekja e zonjave është një tjetër befasi. Ajo përbën një shtresim kuptimor tepër interesant; atë të pasojave sociale të diktaturës komuniste. Vrasja e zonjave dhe intelektualëve të tipit të doktor Gurametos në këtë roman, del një raprezalje shumë herë më e madhe se ajo e tetëdhjetë burrave të rreshtuar nga masakra e ndaluar gjermane. Por ajo që të rrëngjeth më shumë te kjo vdekje është paraqitja e saj groteske. Zonjat bjen njëra pas tjetrës si në luftë, por në vend të plumbave të vërtetë mbi to zbrazen “plumbat” enigmatikë të një arme të re; e quajtur “shoqe”.  Kadare prek këtu si askush tjetër në letërsinë shqipe, rrënimin e vlerave kombëtare, prishjen e fisnikërisë, ajkës së kombit shqiptar. Kjo është një nga humbjet më të mëdha që shkaktoi sistemi komunist e cila do të donte vite e vite të tëra për tu rikuperuar. Sepse, “Për të sajuar zonja të tjera, shtëpive të mëdha, të vetmet që e dinin atë mjeshtëri, do t’u duheshin dhjetra a, ndoshta, qindra vjet.” (Po aty, fq.116). Pikërisht nëpërmjet kësaj vdekje, Kadare sjell një nga katrahurat e kohës, eleminimin e genit. Kjo përbën një tjetër shtresim kuptimor të vdekjes.Si pulëbardha që u kishte ikur koha, zonjat e qytetit binin njëra pas tjetrës, aty ku i zinte hera, fill pas britmës fatale: ”shoqe”!.. Zonja Mukades Janina, për të cilën flitej se kishte qenë ca kohë e fejuara e fshehtë e mbretit, u këput mu te mesi i Urës së Vjetër, në kohën që atentatorja, e trembur befas, u largua me vrap.  Një zonjë nga Çoçolët arriti të thoshte “s’jam shoqe!”, para se t’i binte të fikët, por të tjerat u rrëzuan pa thënë asgjë.” (Po aty, fq. 114)

   Duket se kjo “armë” ka vrar edhe zërin kryengritës të atyre të tetëdhjetëve që ju fal jeta nga ndërhyrja e doktor Gurametos. Heshtja e tyre shfaqet vrastare veçanërisht po të krahasohet me interesimin e hebreit Joel. Nga të tetëdhjetë pengjet e shpëtuar prej doktorit, vetëm Joeli interesohet pas çlirimit për pasojat e darkës së gabuar. Zëri i ndërgjegjes popullore shfaqet këtu si një shplarje truri nëpërmjet aludimit të rrem mbi lidhjet e doktorit me agjenturat e huaja.

   Është e çuditshme se mekanizmin e dënimeve makabre të diktaturës komuniste, Kadare e jep aq dukshëm edhe nëpërmjet pragvdekjeve. Intelektual të panumërt shqiptar, janë arrestuar dhe dënuar jo vetëm me akuza të rreme për bashkëpunime antikombëtare me agjenturat e huaja fantazma, por edhe për të “puthur” pragun e vdekjes së stisur. Arrestimi në spital i të sëmurit që ende nuk i kishte dalë narkoza ishte një pragvdekje, “Të dy Gurametot vunë duart në kokë. A jeni në vete, o njerëz, tjetri e ka plagën e hapur e ju doni ta lidhni.” (Po aty, fq. 92)

   Pranimi në punë i gjykatësve perandorakë është gjithashtu një tjetër dëshmi e fatalitetit social, pragvdekjes së përgjithshme. As gjermanët nuk i kishin pranuar të “treqintët orientalë” duke ju thënë se në Gjermani nuk përdoreshin të tilla metoda dhune. Ndërsa mbas çlirimit, “Ata, ndonëse vinin nga epoka të tjera, kishin kuptuar më mirë se gjithë zonjushat intelektuale të Shqipërisë thelbin e revolucionit; domosdoshmërinë e dhunës.” (Po aty, fq.94) Kemi këtu po të njëjtin këndvështrim të pragvdekjes pasqyruar nëpërmjet kontrastit të thellë midis dy kulturave; lindore dhe perëndimore. Por pikërisht në këtë kontrast shfaqet absurdi i orientimit ideologjik të Shqipërisë pas Luftës së Dytë Botërore, orientimi prolindor, i cili kishte në thelb po të njëjtat metoda operimi shtetëror si dhe kulturat e tij të mëparshme pararendëse mesjetare.

   Një dëshmi e tillë e kësaj katrahure është edhe hapja e guvës së Shanishasë pas njëqind e pesëdhjetë vjetësh. Hapja e saj për të dy doktorët “... e trandi qytetin më fort se gjithçka.” (Po aty, fq.123)

Ajo për të cilën dikur ishte ngritur edhe kënga e padeshifrueshme, “Guvë e zezë e Shanishasë/ Kur e pashë, mendjen lashë.”, ishte kthyer tashmë në një gojë dheu e hapur për të përpirë jetën e dy Gurametove të pafajshëm. Në gjysëmterrin e kësaj guve shfaqet vdekja në trajtat e saj më primitive. Gjurmët e saj duken mbi veglat e torturës veshur me ndryshkun e tyre barbar, mbi imazhin e Shanishasë “që vjen për të vdekur”, mbi vrimën e murit nga ku përgjonte dikur Aliu torturat e përdhunuesve të së motrës, zëvendësuar tashmë me përgjimin e tigrave të hetusisë e kudo tjetër.

     Kështu nëpërmjet kësaj semantike “lopatat e varrit” shfaqen sërisht duke prekur realisht dheun për një vdekje të vërtetë, atë të doktor Gurametos së madh në këmbim të sakrificës së tij të dikurshme për demostrimin e vlerave të veta humane. Vdekja vjen e “shetit” në galerat e kalasë duke  u mitizuar edhe më tepër akoma në radhët e kësaj proze.

   Në roman na jepen edhe fragmente vdekjesh të cilat vihen në funksion integral të motit “mitik” të vdekjes kryesore. “Kur rrëmbehet një grua thahet një krua”. “Aliu e shikonte të motrën që vinte për të vdekur”. Vajza e doktorit i shikon të ftuarit, “të gjithë kalorës e njëkohësisht të fejuar të vdekjes”. “Shefi i kulturës vret veten.”, etj.

   Por, krahas tyre, shfaqen edhe tre vdekje të tjera. Dy të largëta, të paprekshme por tepër ndikuese në zhvillimin e ngjarjeve të romanit; ajo e kolonelit gjerman, shokut të vërtetë të doktor Gurametos, Fritz von Schwabe që e ka humbur jetën në një spital të Ukrahinës dhe vdekja e Stalinit. Ndërsa vdekja e tretë është ajo e doktor Gurametos së vogël. Të treja këto ndikojnë ndjeshëm në shtresimet semantike të vdekjes kryesore, asaj të doktor Gurametos së madh.    

   Me vdekjen e kolonelit gjerman zbardhet çuditërisht enigma e darkës së gabuar. Mbetet vetëm enigma e “psesë” së trillit të beftë të komandantit gjerman Klausit për t’u paraqitur përpara doktorit si shoku i tij i vrarë. Nga kjo “pse” vërtetohet edhe profecia e Veip Qorrit si një fatkeqësi e ardhëshme e doktorit. Pikërisht te ky trill gjendet çelësi i dënimit të tij. “Përse t’i ndiheshe i barabartë me të vdekurin?” (Po aty, fq. 164) Ishte njëra nga pyetjet e shpeshta të hetuesve. Vetëm tani po e ndiente doktori se kamuflimi i dikurshëm i Klausit ishte një kumt vdekjeje, një mesazh i shkruar në jetën e tij me alfabetin e saj të zi. Ky mesazh lidhej me interpretimin e gabuar të “Darkës së gabuar”, me ngjalljen e dyshimit për bashkëpunim dhe infiltrimin e doktorit në agjenturat e huaja. Në këtë pikë përmbushet kështu edhe konvertimi i vdekjes së tij; një me tetëdhjetë.

    Ndërsa vdekja e Stalinit është aq tronditëse sa jehona e saj e hidhur përul popujt verbërisht. Edhe në thellësitë më të errëta të qelive ndihet përball saj tronditja shpirtërore e nomenklaturës së shtetit shqiptar. “Hetuesi e vështroi me përçmim. Ka vdekur Stalini, o njeri! A e merr vesh ti? Bota është përmbysur.” (Po aty, fq.199)

   Kemi këtu shfaqjen e një tjetër shtresimi semantik të vdekjes; raportin e saj me ideologjinë. Ky raport e bën vdekjen një ankth të popujve dhe shpreh bindjen e tyre të verbër ndaj diktaturave dhe diktatorëve. Nëpërmjet kësaj vdekje Kadare jep edhe lidhjen e “pavdekshme” të vendit tonë pas qerres staliniste. Po të lëmë një çast romanin dhe të ndjekim fillin historik të asaj kohe, hasim përkime të befasishme me shprehjen e ethëshme të “përmbysjes së botës.” Teksa udhëheqësi komunist dergjej në shtratin e vdekjes, në Shqipëri, bëheshin mbledhje dhe njerëzit detyroheshin të solidarizoheshin me partinë nëpërmjet një prononcimi butaforik. Secili duhej t’i  falte baba Stalinit disa nga vitet e jetës së tij. Njerëzit u futën në garë me njëri tjetrin se kush do të falte më shumë. Sa më shumë vite të falje aq më e pastër dilte figura morale dhe aq më i besuar bëheshe përpara partisë. Por ndodhi që në një nga këto mbledhje, një i moshuar ndiqte me frikë prononcimin e shokëve dhe i trembur se po ja merrnin edhe ato pak vite që i kishin ngelur, nuk u çua. Kjo ra në sy për keq dhe udhëheqja e detyroi të prononcohej. “Unë nuk kam më vite...tha duke u dridhur plaku, por... meqë i duhen baba Stalinit edhe nga unë, hajt se po i jap nja... gjashtë muaj nga jeta ime.” Ky ishte minimumi i kontributit dhe plaku u anatemua deri në antistalinist. Sa më shumë jetonte plaku aq më shumë ja kujtonin koronacërinë e tij për baba Stalinin.

   Trandja për vdekjen e udhëheqësit komunist paraqitet aq bukur sidomos në hetimin paradoksal të saj. “ Ai zhvillohej në të njëmbëdhjetë shtetet komunist, në njëzet e shtatë gjuhë, tridhjetë e nëntë dialekte, pa përmendur nëndialektet. Rreth katërqind mjekë të mbyllur në po aq biruça ndodheshin në hetim të pandërprerë.” (Po aty, fq.145)

   Kurse vdekja e doktor Gurametos së vogël është një akt fatal i pakonceptueshëm. Ajo zhbiron thelbin e krimit të ngritur në nivelin shtetëror për hir të politikës. Ajo shpreh një tjetër anë kuptimore, nivelin ordiner të shkaktarëve të saj. Dhe të trija këto vdekje “endin tabutin” në qeli për vdekjen kryesore në roman, atë të doktor Gurametos së madh.

   Me burgosjen e doktor Gurametos së madh Kadare dëshmon triumfin e dhunës në sistem. Sepse doktori ju përket njerëzve më të ndershëm që ka nxjerr ky vend, me merita humanizmi deri në sakrificë. Por pikërisht si i tillë ai e ka vendin në burg, sepse siç thotë edhe Tolstoi; “Kur dhuna e padrejtësitë bëhen sistem shtetëror, vendi i njerëzsve të ndershëm është burgu”.

   Humanizmi si vlerë e ushqen romanin me një konflikt të ashpër që mban edhe vdekjen në tension. Mjekut nuk i bëjnë atentat guerilasit e qytetit, as nuk i bëhet gjyqi partizan në një cep të “çarshisë.” Përkundrazi ai dënohet me ndërgjegjen e kohës dhe pushkatohet po prej saj. Dhe shkaku është akti i tij human, “dueli” me kolonelin gjerman zhvilluar në darkën e gabuar për shpëtimin e pengjeve.

  Në fund doktorit i shfaqet direkt imazhi i vdekjes. Është momenti kur makina e pushkatimit kalon bri varrezave të qytetit. Nga varri ku ai la dikur ftesën ngrihet sërisht i vdekuri për ta pritur. Doktori kërkon të thotë diçka duke treguar me dorë në drejtim të varreve por xhelatët nuk e kuptojnë. Jermi i përpjekjes së tij të fundit është mesazhi i kllapisë së një vdekjeje të parathënë që në fëmijërinë e tij të hershme. Ky është një mesazh mallkimi që shfaqet si një tjetër element semantik i vdekjes. Ky është një mallkim i parathënë së pari para profecisë së Veip Qorrit. Dhe, me këtë parathënie, Kadare “kopsit” shoqërinë e kohës në vet vdekjen e saj.

Nëpërmjet trajtimit të vdekjes Kadare ndërton në këtë roman një piramidë artistike, brenda së cilës kryen autopsinë e shoqërisë shqiptare përgjatë një periudhe ku vdekja e njeriut ngjanë aq shumë me një përrallë të tipit oriental.



(Vota: 3 . Mesatare: 2.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx