Kulturë
IMAZHET E KUJTIMEVE TË DEGDISURA NËPËR KOHË
E diele, 22.08.2010, 12:22 PM
IMAZHET E KUJTIMEVE TË DEGDISURA NËPËR KOHË
(Bajram Sefaj, “RRËFENJA FLUIDE”, botim i shtëpisë botuese “Rozafa”, Prishtinë 2010)
Çdo fjalë, fjali, periudhë, ese e çka jot jetër, lindin nga mendja e krijuesit, i cili me të drejtë dhe mjeshtërisht nxjerr në pah veçoritë e së bukurës hyjnore - me dëshirë për të qarë në prehërin e vajit dhe të mallit për të bukurën engjëllore, e cila nuk mund t`i shmanget syrit të artistit e të mos vishet me fjalët ndër më të ngrohtat, që do ta vënin në sprovë secilin prej nesh.
Nga Remzi Limani
Libri më i ri i shkrimtarit dhe publicistit tonë, Bajram Sefaj, me të drejtë hapet me thënien e Eugene Ionesco i cili thotë: “Puna e artit, mbi të gjitha, është një aventurë e mendjes”. Në bazë të kësaj, duhet të themi se mendja e krijuesit e ndrit botën atëherë kur hynë në funksion. Kjo aksiomë, tek Sefaj, në vetvete rrokullisë botën e gjallë anëpranë udhëve dhe aleve të metropoleve të kësaj bote sa të ëmbël aq të hidhur…
Të gjitha rrugët e këtij universi, anipse me kahe të ndryshme, ato së bashku me artistin dhe fjalën e tij të shkruar takohen në një pikë të çatisë, ku prajshëm ledhatohet e Bukura e Dheut. Shtjellimi i ngjarjeve të ndryshme dhe peripecive të cilat i shtronte jeta para njeriut, ai, mjeshtërisht i zhvesh që nga syri e deri tek gishti i këmbës - duke i ikur metafores dhe surreales me qëllim që të t`i dhuroj lexuesit pashinë e vërtet të formave dhe detajeve mahnitëse të asaj që e krijoi Perendia - si lodrën më të kërkuar, më të dashur dhe më të rrezikshme për botën mashkullore. Pra, femra si qenie më vete është një labirint i panjohur dhe si e tillë, ajo ka aftësi të jashtëzakonshme për ta ndryshuar veten e saj dhe prap të mbetet e lakmueshme dhe e patjetërsueshme për botën naive të mashkullit. Femra është si hëna e cila çfarëdo forme që merr ajo ndrit në fytyrat tona. Andaj, autori i këtij libri, me plot të drejt na jep një pasqyrim të lakmueshëm, duke e veshur të bukurën femërore me dimensionin figurativ dhe poetik, për ta kuptuar dhe shijuar atë që quhet e bukur dhe engjëllore. Në këtë kuptim, kjo qasje e të shkruarit shkurteshqip lë të kuptojmë se Bajram Sefaj, qëmoti është zhveshur nga droja e botkuptimeve primitive dhe mediokritetit provencional. Në këtë kontekst, shkrimtari e do dhe e kultivon shprehjen dhe fjalën e lirë - pa e ngulfatur veten e tij dhe lexuesin kurioz për t`i përjetuar imazhet dhe sekuencat në sytë e një bote të harlisur dhe njëkohësisht të lakmuar, të cilën pa asnjë vështirësi mund ta imagjinojmë duke lexuar këtë libër i cili vjen si fresk dhe si relaks për t`u çliruar nga mendja dhe hijet e zeza të përditshmërisë së stërngarkuar me telashe ndër më të ndryshmet të jetës sonë e cila është duke përjetuar një ngërç në të gjitha segmentet e jetës. Pra, guximin intelektual dhe krijues të z. Sefaj, nuk e posedojnë shumë dhe, shumicës së krijuesve tanë dhe njeriut të rëndomt u mungon guximi për t`i thënë gjërat me emrat që i kanë… emra të cilët shumë kush i ka ënda t`i dëgjojnë dhe eventualisht tinëzisht t`i bëlbëzojnë nëpër dhomat e tyre të gjumit… Së këndejmi, duhet të shtojmë se kjo vepër dhe fjalëformimet ereotike në brendinë e tyre ngërthejnë edhe poetiken si vlerë letrare dhe vlerat e komunikimit të ndërsjellë, ku shkrimtari dhe lexuesi korrespondojnë pa ndonjë pengesë. Këtu, letrari ynë na servon të bukurën ashtu siç e sheh synari i kamerës dhe i mendjes së tij. Pra, pa asnjë dyshim, libri “Rrëfenja fluide” i autorit, Sefaj, në kaptinat e tij nuk e fsheh dorën e një krijuesi për t`ju qasur të vërtetës e cila shpërthen kudo në mendjet tona dhe momentet e jetës së njeriut (sidomos njeriut në megrim), e të mos na dhuroj fjalët e bukura siç ia ka enda atij dhe lexuesit. Këto mrekulli të shprehjeve artistike, padyshim se do e begatojnë dhe do e lartësojnë letërsinë tonë moderne, nagse vetëm nga fjalët të cilat pastër rrjedhin nëpër konturat e mendjes krijuese dhe sensi i shprehjeve të një lirie të plotë - janë brum i arrirë për të gatuar bukën e shkruar si ushqim dietal për mendjen dhe trupin e shëndoshë.
Në këtë libër, autori shtjellon edhe fatet e njerëzve tanë dhe të arriturat e tyre individuale, të cilët siç thotë autori: i ngjitën shkallët e avancimit, të përparimit dhe të progresit, me shpejtësi marramendëse në shumë fusha të jetës.
Bajram Sefaj (1941), vjen nga fshati Novosellë afër Pejës. Ky njeri i cili gjithmonë lutej ta zë gjumin mbi të bukrën, është gazetar, publicist dhe shkrimtar. Deri më tani ka të botuara mbi dhjetë vepra të gjinive të ndryshme: publicistikë, tregime, novela, vëllim me poezi dhe romane, një prej të cilëve, “Parisi kot”, është përkthye në rumanisht dhe i është botuar në Bukuresht, më 2007.
Ky pra, Bajram Sefaj, aktualisht jeton dhe krijon në Francë dhe në Kosovë, pa të cilën i zihet fryma dhe i tretet shikimi…