Kulturë
“Albanizma” e Sabri Hamitit – një pasaportë identiteti
E diele, 22.08.2010, 12:15 PM
“Albanizma” e Sabri Hamitit – një pasaportë identiteti
Nga Agron TUFA
Kujtesa e gjuhës
Me veprën “Albanizma” studiuesi dhe teoricieni i letërsisë Sabri Hamiti është i pari, deri më tash, që i është qasur veprave të krijimtarisë letrare si fenomene, të lidhura gjenetikisht me strukturën organike të identitetit kulturor. Ligjësitë e hetuara prej këndej, gjatë sprovës historike, shndërrohen, por të citojmë termin e akademikut, në konstanta, ose ndryshe - në thelbe universale, të letërsisë shqipe. Fenomenet letrare të bashkëshoqëruara me mjedisin semiotik marrin jetë origjinale, të pavarur, duke provokuar skema të “poetikës historike” nacionale.
Në librin e vet “Albanizma” Sabri Hamiti ka përcaktuar rolin dhe kufijtë e legjendës autoriale në procesin e krijimtarisë individuale, sipas një raporti të shumëfishtë dikotomik midis dialekteve, trashëgimisë kulturore të sferës së religjionit dhe krijmtarisë popullore, Qendrës dhe Provincës, fatalizmit dhe ishullimit, midis Toposit dhe Etnosit, për t’u nyjëtuar, sipas meje në një Etnotop të përbashkët kulturonacional. Ndërlikueshmëria strukturore e këtij Etnotopi eshtë simetrik dhe asimetrike dhe është i kushtëzuar me kodin gjentik kulturor të këtij nacioni.
Duke patur një përvojë të gjatë studimi të letërsisë shqipe, me këtë libër Sabri Hamiti ia afrohet, siç e dëshmon vetë, synimit për një “Poetikë historike të shqipes”.
Unë mendoj, pa patur drojë se mund të ekzagjeroj gjësend, se me këtë libër nis tek ne jetën e saj të pavarur shkenca e Historisë së Letërsisë shqipe, madje e një lloji tepër origjinal, me të gjitha detyrat e saj të posaçme, jashtë skemave dhe monotonive metodologjike.
Erudicioni i gjerë i akademik Sabri Hamitit, dijet e koklavitura dhe përpjekja e tij për të shterruar materialin nga sfera, nganjëherë të përlargëta nga njëra-tjetra të arealeve kulturore, dinamizmi intelektual që karakterizojnë edhe punimet e më parshme të shkencëtarit, koncentrohen në librin “Albanizma”, duke e bërë akseptimin e tij sot një ngjarje origjinale të jetës sonë frymore e shpirtërore.
Uniteti organik dhe thellësia me të cilën janë strukturuar çështjet kulturore të shumësisë dhe identitetit shqiptar, të kujtesës së gjuhës nëpërmjet teksteve të saj monumentale – Historia e Skënderbeut, Kanuni i Lekë Dukgjinit dhe Kangët e Kreshnikëve, statusi i veprave, autorëve, tjetërsia kulturore, autobiografia dhe misionarizmi, forca e argumenteve, shembujve dhe ilustrimeve, dhe më së mbrami instrumetari i pasur terminologjik i nocioneve e bëjnë “Albanizmën” e Sabri Hamitit – një lexim intelektual sa meditativ e filozofik, aq dhe emocional.
“Çështja është që gjuha ka kujtesë, - thotë Sabri Hamiti, - që trashëgimia letrare vjen si kod letrar e kod moral, të cilit nuk i shpëton shkrimtari trashëgimtar”, - vijon ai. Me librin “Albanizma” shtrohet për herë të parë një formulë, që hap sirtaret me të fshehtat e kësaj gjuhe në shkrimësinë letrare të shqipes, shkrimësi e cila, deri më tash, për hir të së vërtetës së thellë, që pas luftës së Dytë botërore, ka qenë historikisht e deformuar.
Mungesa e realizmit si formacion letrar
Duke e kundruar letërsinë shqipe të deritashme ndërmjet Ideologjisë dhe Utopisë, me diskurset përkatëse, heroin, figurën dhe tendencën, Sabri Hamiti hedh idenë e mungesës së realizmit në letërsinë tonë, por pa ia mohuar asaj shenjat dhe perspektivën e ardhshme realiste. Ideja është, sigurisht, provokuese, po të kemi parasysh se sa energji kanë shpenzuar kritika dhe studimet tona për të relizmin, romanin realist etj. Të paktën për letërsinë e pasluftës së dytë, ky konstatim i akademikut, duket paradoksal, pasi vepra të tëra të gjinisë romanit shqiptar janë kuptimësuar vetëmse nën çadrën e realizmit. Të paktën romanet (romani) e Jakov Xoxës, Petro Markos, Ismail Kadaresë, Kasëm Trebeshinës (5 vëllimet e “Kënga shqiptare”), Vath Koreshit, Zija Çelës apo Fatos Kongolit. Por jo. Sabri Hamiti konstaton se kurrëfarë realizmi nuk ka në letërsinë shqipe. Sigurisht polemika e replika parashikoj rreth kësaj çështje, madje tendenca ka për njëfarë ndrjeje/seleksioni midis veprave letrare të realizmit socialist dhe veprave thjesht realiste, që u shkruan përgjatë diktaturës komuniste. Ekziston madje prirja në diskurset shkencore, se gjoja, vlerat më të qenësishme letrare përgjatë kësaj periudhe, janë pikërisht veprat e prozës së gjatë, tregimi e novela, të cilat në pjesën dërrmuese nuk janë prekur nga dogma dhe skema e saj, duke ruajtur thjesht tiparin dominues realistik. Sidoqoftë e çkadoqoftë natyra e diskursit rreth kësaj çështje, pra, të mungesës së realizmit në letërsinë shqipe, unë mendoj se ia vlen dhe argumentet e Sabri Hamitit duket se nuk të lënë shans për të shkuar shumë larg në kundërshtëim. Të paktën për sa i përket periudhës së realizmit socialst ku kundërshtimet mund të jenë më të mëdha, pikërisht aty argumentet e kundërshtimit janë më të pakta.
Hamiti e ka argumentuar këtë periudhë nëpërmjet Tendencës që përfshin Autorin, Letërsinë misionare dhe Satirën. Kur autori bëhet funksion, thotë Hamiti, edhe letërsia e tij është e funksionalizuar. Po kështu as letërsia misionare për nga natyra dhe funksioni nuk merret me realen, ndërsa tallja e përqeshja që përbëjnë satirën, nuk është metoda më e përshtatshme për të njohur një ambient, një jetë, një botë.
Çfarë mbetet pra? Sipas N.J. Berkovskit Romantizmi është “Patosi i mundësive”. Ndërsa Hans Gynter, parametrat kryesorë të socrealizmit dhe estetikës totalitare i redukton kështu: “realizmi heroik”, “monumental”, apo “romantik”, çka e bën socrealizmin si formacion letrar e stilistik një surrogato të romantizmit. Një formulim tejet interesant ka dhënë Andrej Sinjavski (me pseudonimin Abraham Terc) – “realizmi socialist është një gjysmëart, gjysmëklasik, jo shumë socialist dhe aspak realist”.
Duke konstatuar dhe argumentuar mungesën e realizmit në letërsinë shqipe dhe në përgjithësi, duke grupuar e sistematizuar dukuri, procede e stile përgjatë gjithë trajektores historike të zhvillimeve letrare Sabri Hamiti e shkruan librin e vet “Albanizma” mu si një roman realist metafizik. Konstantet dhe universalet e librit janë hulumtuar dhe klasifikuar me një mendjekthjelltësi shkencore, pa asnjë plasaritje logjike, ku secili element është në orbitën e vet, me matricën dhe simbolin përkatës. “Albanizma” i ngjan një tabele të Mendelejevit, e cila mund të përplotësohet, por jo të tkurret.
Sfera e vëzhgimit shtesë
Në strategjinë e vet të ngërthimit total të peisazhit në zhvillet letrare shqiptare, Sabri Hamiti dallon modalitete rrethanore, kur autorët ndikojnë apo ndikohen në rrethana të caktuara dhe prodhojnë në letërsi një tip të caktuar tematikash nacionale. Ky model, të cilin akademiku e quan “okazionale”, bashkë me një model tjetër shkrimor, të “letërsisë misionare” në të cilën hetohen marrrëdhëniet e statusit të shkrimit midis autorit dhe lexuesit, - janë sfera shtesë – një mundësi më shumë për ta përfshirë peisazhin e shkrimeve shqipe. Janë koncepte për të cilat nuk ka menduar kush më parë, por produktiviteti i tyre, duke i paraqitur në ansambël me formacionet e tjera shkrimore, e pasuron dhe e dinamizon peisazhin letrar.
Atipike për repertorin e teksteve letrare të letërsisë shqipe janë paraqitja e krijimtarisë së Sami Frashërit, si alteritet kulturor, Zef Zorbës si alternativë e modernes dhe e At Zef Pllumit si i rebeluar i dyfishtë.
Sfera e zgjerimit shtesë të vëzhgimit duke na orientuar drejt teksteve më pak të njohura, apo të zbuluara së voni, e bën shumë më të koklavitur natyrën e formaconeve tekstore e stilistike të letërsisë shqipe. Për më tepër, ligjësitë që heton akademik Hamiti, paralajmërojnë se këto tipologji të shkrimit persëriten, madje mund të gjenden edhe autorë të tjerë që mund t’u përshtaten këtyre përfaqësuesve tipikë, duke e zgjeruar tipologjinë.
Rasti i alteritetit kulturor te Sami Frashëri, duke patur parasysh qenësinë e tij midis kulturave, përbën edhe tragjedinë e tij kulturore, me dilemat e dyzimit intelektual, nga njëra anë përkushtimin sa konkret, aq dhe futurologjik ndaj nacionalizmit shqiptar dhe, nga ana tjetër, me dëshirën për të komunikuar duke modernizuar një kulturë të huaj.
Alteriteti i Sami Frashërit mund të zbatohet dhe të formojë një paradigmë më vete, duke mbërritur deri në ditët tona e duke ngjallur diskurse mbi çështen e statusit të teksteve dhe të autorëve, që ndodhen midis krijimtarisë në gjuhën shqipe dhe në gjuhë të huaj, siç janë tekstet e Arshi Pipës, Isuf Luzajt, Elvira Dones, Ornela Vorpsit apo Anilda Ibrahimit, pasi dhe këta shkrimtarë, ashtu si Samiu, po të citojmë Hamitin “sa herë që hyjnë në qendër të njërës kulturë, kalojnë në periferi të kulturës tjetër.
Rasti i alternativës moderne të poezisë së Zef Zorbës në poezinë shqipe në Shqipëri, të cilit akademik Hamiti i ka kushtuar një studim më të thukët e më të posaçëm, duke na orientuar me disa teknika receptuese të kodeve ilustron faktin, se është krijuar edhe në diktaturë një letërsi e fshehtë, moderne, pa komunikuar me publikun, duke e kundërshtuar normën letrare si formë e si kuptim. Moskomunikimi me publikun më shumë se humbje për autorin, është humbje për lexuesin dhe letërsinë shqipe në tërësi, humbje e shansit për të patur një model, apo më saktë, pamundësia për të patur modele të tjera jashtë socrealizmit zyrtar
Rasti i rebelimit të dyfishtë të Zef Pllumit, i cili gjuhën e shpërnguli në rrafshin pragmatik (gjuha në veprim, paradoksalisht si avangardistët), zor se mund të ketë analog tjetër, megjithatë nuk mund përjashtohet mundësia e shkrimësisë së ngjashme me këtë model. Gjuha në veprim e at Zefit, është sfidë në të gjitha rrafshet e qenies, rebelim dhe rezistencë. Sabri Hamiti thotë: “Ai nuk e shkruan gjuhën amtare, por gjuhën e nanës. Termi nuk prek vetëm gjenezën, por edhe zhargonin e autenticitetit: nga fjalori, në forma e në sintaksë, për të dëshmuar një identitet gjuhësor. Diferencimi i tij në shkrim shkon deri në përmasat e ndeshjes ideologjike. Në proceset e montuara viktimat flasin gegnisht, kurse prokurorët e ndjekësit flasin toskërisht”.
Ka një moment në librin “Albanizma” kur autori pohon se është zënë ngushtë në mendimin, se çfarë mund t’i dhuronte një të huaji, diçka që të dëshmonte identitetin e kulturës shqiptare. Dhe Sabri Hamiti thotë se e ka zgjidhur këtë çështje të shenjave të identifikimit përballë të huajve: ai rekomandon për të huajt tri monumente të kulturës shqipe: Historinë e Skënderbeut të Barletit, Kanunin e Lekë Dukagjinit dhe Këngët kreshike.
Këtë vështirësi përpara të huajve e ka ndjerë në një mënyrë a në një tjetër gjithecili prej nesh, dhe receta e Sabri Hamitit është e artë dhe shpëtimtare. Por shpesh e më shpesh jam gjendur përballë filologëve, përkthyesve apo studiuesve të huaj, të cilët kërkojnë të dinë diçka më specifike për letërsinë shqipe. Pas leximit të “Albanizmës”, unë kam se ç‘tu rekomandoj... dhe për këtë e falenderoj autorin e saj, akademikun Sabri Hamiti.