Kulturë
VARGJE PËR BLOOR STREET
E diele, 22.08.2010, 11:22 AM
MBRËMJA
Shkruaj në dritën e makinave
Që venë e vijnë.
Trëndafila të verdhë,të kuq mbijnë.
Mbijnë e çelin sy të qeshur,të bukur,
Sy nga inati të skuqur.
Të verdhët mbi fletën time ndritin.
Të kuqtë zemëruar tutje ikin.
Vargjet m'i rrëmbejnë me vete
Në autostradën e kësaj jete,
Buzë shtëpive,
Buzë ballkoneve,
Buzë dritareve,
Ku i pret sofra familjare,
Ku dita me ballin e saj të djersitur
Ëndërron jastëkun ëndërrqindisur;
Garazhi me qepenat metalike
Mbyll lodhjen e gjatë të kësaj dite.
NATA
Pyeta dritaren në mesnatë.
Më thuaj,ç' bën Bloor Street-i natën.
Dritarje hapi vetë kantën.
Bloor Street-i dritat s'i kishte shuar
Dhe semaforët rrinin zgjuar.
Një sy e mbyllnin,
Një sy ndriçonin.
Rrugën në heshtje e vështronin.
Lexonin gjurmët e asfaltit
Ku ishin gdhendur si me daltë
Dhe shpejtësitë,
Dhe frenimet,
Kënaqësitë
Dhe drithërimet..
Çdo gjë që dita e bekuar
E mbart mbi rrota si në duar
Dhe shpesh pas qelqit të veturës
I ngjan dhe ëndrrës dhe aventurës.
Bloor Street-i fle,
Bloor Street-i s' fle.
E gjen agimi me drita ndezur
Duke dremitur e duke dredhur.
MËNGJESI
Lindje-perëndim dielli ec.
Çapiten njerëzit.
Kësaj rruge çdo mëngjes
Lëviz universi i qytetit.
Nxitojnë,
Fluturojnë makinat,
Mbushur urbanët përplot.
Në dritaret ëndrrat gogësijnë.
Nëpër qelq rrëshqet një pikë lot.
Një puthje mbeti pa u ngopur.
Një ëndërr e frikshme u gris në mes.
Një mendim i ndotur
U spërkat i tëri me vesë.
Shkon makina e gjelbër e plehrave
Me kundërmimin e saj të kalbjes.
Autobuzi i shkollës i verdhë
Mbushur me ëndrrat e së ardhmes...
Filloi dita.
Mirëmëngjes Bloor Street!
Dielli me dushin e dritës
Gjurmët e natës spërndrit.
LËNDINA BUZË RRUGËS
Zhurm' e makinave lëkund fijet e barit
Fijet e barit dridhen me ritmin e motorëve.
Me syt' e luleshqerkave duke parë
Lëndina buzë rrugës po trishtohet.
Sa shtrenjt e paguani,kokëfortë
Nxitimin dhe ëndrrën e zhvillimit.
S' mendoni se shtruat nën rrotë
Qetësinë tuaj dhe idilin.
Të paktën,
Hidhni një vështrim rrëmbimthi,
Një fije bari t' ju përkëdhelë shpirtin,
Një luleshqerk' e brishtë erëmirë
Mes zhurmës e rrëmujës le t' ju mbijë.
DRENUSHA
Mes zhurmës dhe lëvizjes kaq zhurmuese,
Makinave,motorë
U gdhi mes njerëzve drenusha
Kurioze,flegra drithëruese.
Nuk dinë njerëzit me të ç' të bëjnë.
Ta kapin apo ta përzënë.
Përse mërziti,njerëz,
Ka ardhur vetëm t'ju kujtojë:
Ka në botë pyje ahu pishe.
Ka një botë që ju e prishët.
S' kthehet më.
Do mbetet për ju ëndërr,
Ëndërr,
Që u bë për ju një zhgjëndërr
Stolisur me reklama vetëtitse
Ku drenusha juaj jetë
Vetëvritet.
ZOGU
M' i rreh dritaret zhurm' e rrugës.
Bloor Street-i dit' e natë ushton.
Një uturimë e veturës.
Një ambulancë që rënkon.
Përroi i jetës përmbi rrota
Në veshët time po buçet.
Në boshtn' e vet vërtitet bota
Me ulërima ky planet.
Një zog i strukur nëpër fletë
Zu të këndojë,po guxon.
Ky shpirti im në atë degë
Ka veshur pendë dhe këndon.
As zhurm' e rrugës dhe planetit,
Bloor Street dhe yti ky rrëmet,
Këngën e brishtë të poetit
As dot s' e mbyt,as dot s' e vret.
Toronto,2010 Vangjush Ziko