E enjte, 08.05.2025, 04:29 AM (GMT+1)

Kulturë

Çerkin Bytyçi: Vatër arsimore me vlerë shumëdimensionale

E diele, 15.08.2010, 09:58 PM


Disa nga nxënësit e Shkollës shqipe në Düsseldorf me rrethinë me mësimdhënësit Rifat e Nexhmije Hamiti
Disa nga nxënësit e Shkollës shqipe në Düsseldorf me rrethinë me mësimdhënësit Rifat e Nexhmije Hamiti

 

25 vjetë të veprimit të Shkollës shqipe në Düsseldorf me rrethinë

 

Vatër arsimore me vlerë shumëdimensionale

 

Nga Çerkin Bytyçi

 

Këto ditë, në qytetin e Düsseldorfit në Gjermani, përfundoi mësimi për nxënësit shqiptarë të cilët, edhe në këtë vit jubilar të kremtimit të 25-vjetorit të  funksionimit të sukseshëm të mësimit plotësues në gjuhën shqipe, arritën rezultate të rëndësishme në procesin mësimor dhe aktivitetet e lira.

 

Për veprimtarët e njërit nga Klubet e para dhe më aktive në Gjermani, “Emin Duraku” në Düsseldorf  si dhe për bashkatdhetarët e këtij nënqielli, dëshirë e synim i kahershëm, mëse 25 vite më parë,  ishte organizimi i veprimtarisë arsimore përkatësisht i shkollës shqipe. Atbotë, pas shumë përpjekjeve, me ndihmën e organeve arsimore gjermane, përkundër pengesave dhe shantazheve,  në qytetin Düsseldorf, qytet ky në të cilin jetonin shumë bashkatdhetarë  të vendosur që nga vitet 1970, më tetë gusht të vitit 1985, për herë të parë filloi punën shkolla e mësimit plotësues në gjuhën shqipe. Fillimisht, në shkollë, u regjistruan vetëm gjashtë nxënës me të cilët punonte mësimdhënësi Pal Përgjokaj. Ndërkaq, që nga fillimi i punës e deri në këtë vit shkollor, në bankat e kësaj shkolle, u ulën mëse 900 nxënës, fëmijë të mërguar nga treva të ndyshme shqiptare në këtë nënqiell të Landit të Nordrein Westfalisë, të cilët, me vullnetin dhe dëshirën e madhe, mësuan në gjuhën shqipe, për historinë kombëtare, gjeografinë e trojeve etnike dhe për kulturën dhe traditën tonë kombëtare. Të gjithë këta nxënës të zellshëm, nga të cilët shumë sish sot kryejn punë dhe detyra me rëndësi në fusha të ndryshme, flasin me admirim për dijen e marrë në këtë shkollë nga mësuesit e tyre që nuk kursyen asgjë për ti mësuar ata në gjuhën e ëmbël. Mësuan ata në Shkollën shqipe për të kultivuar atdhedashurinë, respektin për vendin ku jetojnë dhe forcimin e urëlidhjes së tyre në mes trojeve shqiptare dhe Gjermanisë mike.

Është vërtetë kënaqësi e madhe dhe nder i veçantë të punosh me nxënësit në diasporë, tua mëson atyre gjuhën shqipe dhe përmes organizimeve të shumta, t`iu mundëson fëmijëve mërgimtarë, të jenë shpeshherë sëbashku, në sport, në kulturë, në gara të diturisë, në sheti e pikniqe etj. Aktivitete këto që mundësojnë kultivim të denjë të traditës sonë të begatshme e të  idelave kombëtare dhe pasqyrojnë punën kolosale që zhvillohet sidomos në Nordrein Westfali, ku shkolla shqipe e Düsseldorfit, në një bashkëpunim të shkëlqyeshëm me shkollat e Wupertalit, Dortmundit, Gelsenkirchenit, Viersenit, Mülheimit, Sundernit, Essenit e të tjerat, është një shembull i organizimit të lakmueshëm, me nxënës e prindër tejet të interesuar. Kjo vatër jo vetëm arsimore, e mbështetur nga Qendra kulturore „Emin Duraku“ e asociacionet tjera, vazhdon me intensitetin e punës që s`ka të ndalur.

Në këtë organizim dhe sukses, impulse gjallëruese kan dhënë veprimtarët e shquar dhe mësimdhënësit e palodhur Rifat Hamiti e Nexhmije Hamiti, të cilët, pa u ndalur, mëse 20 vite, punojnë për të mirën e nxënësve të tyre, që dallohen në shumë sfera. Mund të thuhet se shkolla shqipe në Düseldorf me rrethinë është institucion me vlerë shumëdimensionale, veprimtaria tejet e suksesshme e të cilës, i bën të krenohen shumë bashkatdhetarë jo vetëm në Nordrein Westfali por edhe në mbarë Gjermaninë.

 

Në Düsseldorf, traditë e shkëlqyeshme e punës edukativo-arsimore

 

Para 25 vjetëve, shkollat u hapën në Düsseldorf dhe Dormagen. Në ditën e parë të mësimeve, u regjistruan vetëm disa nxënës të cilët rregullisht i ndiqnin mësimet. Kurse ky numër i nxënësve, nga viti në vit, rritej vazhdimisht e e me këtë u shtrua nevoja dhe u mundësua hapja e paraleleve të reja të mësimit në  shkollat në Kirfeldstrasse, Leneestrasse, Rather Kreuzweg, në Dormagen e Wuppertal.

Derisa ndihma e organeve gjermane nuk mungonte, shantazhet dhe pengesat që bënin organet konzulare të Jugosllavisë me paramendim të pengimit të procesit të organizimit të punës arsimore me nxënësit shqiptarë, ishin tejet të theksuara. Ky organizim u pengonte sepse e kishin tejet të qartë se shkolla mundëson aktivitete, tubime, kultivim të traditës kombëtare, zgjon emocionet dhe ngritë idelalet patriotike atdhedashëse të diasporës shqiptare.

Këto parime, shkolla shqipe në Düsseldorf, si edhe të gjitha shkollat tona në diasporë, në saje të punës së palodhshme të mësuesëve, interesimit të duhur të nxënësve dhe prindërve,  i realizuan me sukses dhe rezultatet e arritura jan evidente.

 

Aktivitetet e shumta-dëshmi e organizimit të mirë

 

Disa qindra organizime e manifestime të nxënësve, kulturore e sportive, gara të diturisë, takime të përbashkëta, ekspozita, orë letrare etj.,  dëshmojnë më së miri efektet pozitive dhe rëndësinë e veprimit të shkollës shqipe në Düsseldorf, e cila  në vazhdimësi reflektoi aktivitet dhe u bë shembull i një organizimi të mirëfilltë që i ngjan shkollës së dalluar në trevat shqiptare. Për këtë, kjo vatër e diturisë, u lavdërua shpeshëherë e u nderua me mirvnjohje të shumta.

Programet kulturore të nxënësve ndiqen me interesim të madh ngase ato përgatiten me zell dhe angazhim.

Poashtu, duhet theksuar se gjatë gjithë këtyre viteve të veprimit, nxënësit e Shkollës shqipe në Düsseldorf me rrethinë, zhvilluan edhe aksione të shumta humanitare për të ndihmuar të përvuajturit në trevat shqiptare. Aktivitetet e tilla, si thot mësimdhënësi Rifat Hamiti, erdhën në shprehje sidomos në vitet para, gjatë dhe pas luftës në Kosovë, me të cilat, në forma të shumta, u ndihmuan bashkëkombasit në atdhe. Ndërkaq, në Gjermani, nuk mund të paramendohet asnjë aktivitet i shkollës shqipe, pa pjesëmarrjen e nxënësve nga Düsseldorfi , Neussi e qytetet e afërta.

 

Düsseldorfi-qendra e parë e arsimimit të mesëm profesional të punëtorëve shqiptarë

 

Düsseldorfi, qendër e rëndësishme e koncentrimit të një numri të madh të punëtorëve shqiptarë, konsiderohet se është qyteti i parë në të cilin zuri fill tradita e organizimit të  arsimimit të mesëm profesional të punëtorëve shqiptarë. Në vitin shkollor 1977/78, me nismën e punëtorëve shqiptarë në Düsseldorf, Qendra arsimore e Entit për inkuadrim të Prishtinës, e hapi paralelen për arsimimin e mesëm profesional ku u përfshinë dhjetra punëtorë. Kjo paralele funksionoi deri në vitin 1979. Paraprakisht, u dhanë  inisiativa për  organizimin e arsimimit fillor të të rriturve. Kjo u realizua në vitin 1976/77, në bashkëpunim me Universitetin e Punëtorëve në Prishtinë kur në paralelen e hapur me seli në Truisdorf, u përfshin 60 punëtor.

 

Në Nordrein Westfali shkolla e parë shqipe në Gjermani

 

Vlen të përmendet se në Gjermani, shkolla shqipe, për herë të parë u organizua në Landin e Nordrein Westfalis. Në qytetin Euskirchen, përkatësisht në shkollën Paul Gerhard Grundschule, mësimi filloi që nga data 21 prill i vitit 1975. Ndërkaq, pas pak kohësh, përvec këtij grupi mësimor, u organizuan edhe katër grupe të tjera në qytetet Kuchenheim, Kall, Stotzeim dhe në Stollberg. Në secilin nga këto grupe, mësimet fillimisht i ndiqnin 4 deri 11 nxënës kurse nga dita në ditë numri i nxënësve shtohej vazhdimisht kurse procesin mësimor e zhvillonte mësimdhënësi  Faik Mehmeti, të cilin, organet arsimore të Kosovës, pas shumë kërkesave për të organizuar mësimin në gjuhën shqipe në Gjermani, e emëruan mësimdhënës në këto qytete.



(Vota: 8 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx