Kulturë
ZGJIM NË PYJET E SOPOTIT
E diele, 22.08.2010, 11:33 AM
Vullnet Mato
ZGJIM NË PYJET E SOPOTIT
Nën tendën e gjelbër,
si shtegtar i natyrës së blertë,
rri e vështroj pyjet e gjerë
tek zgjohen nga gjumi,
në çastet kur horizonti i kuq
përvëloi majëmalet përpjetë
dhe nata arratiset
si arusha nga krisma e plumbit.
Agimi nxori syrin
nga vargjet malorë si dantella
dhe zuri të shtjerë me shigjeta
mbi muzgjet e brishta.
Pastaj dielli i kuqërremtë
filloi t'u lajë kaçurrelat
reve të hirta
që krihen të ulura mbi ahishta.
Nga fjetoret e pyllit
nisen varganet punëtore,
degët e thata kërcasin
nën gjurmët e tyre të rënda.
Duke shkelur hijet e spërkatura
me vesë agimore,
motosharrat e capinat
gjarpërojnë thellësive përbrenda.
Ketri shkoi të fshehë lajthitë
te kërpudhat e eshkës.
Zogjtë bishtkaltër çuçurisin
te foletë e milingonave të pyllit.
Qukapiku nga lart
më qëllon në kokë me bujashka
dhe humba mendjen
në zhurmërimin gazmor të zgjimit.