Udhëpërshkrim » Gorica
Pëllumb Gorica: Buzë liqenit, në qytetin e Lazgushit
E shtune, 06.07.2024, 07:00 PM
BUZË
LIQENIT, NË QYTETIN E LAZGUSHIT
NGA PËLLUMB GORICA
Sa herë udhëtoj drejt Ilirisë së Poshtme më zgjohet e më
madhohet ajo grimca e kënaqësisë me shpejtësi e ngutje marramendëse për t’u
kthyer në ortek kënaqësie. Një dëshirë që e kalon edhe forcën e pasionit.
Është Verë dhe ka shumë lëvizje njerëzish me autovetura,
furgonë, autobusë; madje edhe me mjete transporti mallrash...
Zbresim Qafën e Thanës (gjithmonë kam hapur sytë mos shikoj
ndonjë dru thane në anë të rrugës) lidhur me Nasradinin e famshëm të rrëfenjave
të mrekullueshme.
Në fakt toponimi është i lidhur ngushtësisht me hyjninë
Athina.
Në Lashtësi kjo hyjni në Gjuhën Ilire quhej Thana.
Por edhe mbase dikur do të ketë pasur ndonjë dru të tillë në atë qafë mali dhe i ka mbetur emri Qafa e Thanës.
Hapej liqeni me tërë bukurinë e tij
të mahnitshme si një pasqyrë gjigante.
Nuk mund të vazhdoj më tej pa qëndruar qoftë edhe disa çaste
përballë këtij peizazhi, të cilin nis dhe e sodis këndshëm (Nuk më pëlqen të
jem veç një kalimtar i rastit).
E shkel syrin e aparatit fotografik. Natyra dhe relievi më
duken më të bukur.
Syri të ylberet prej ngjyrave mistike të liqenit, që lozin
me ujërat e tij dhe të çojnë në meditime.
Liqeni i Ohrit (alias Pogradecit) i krijuar në zemrën e
bukurive të Ballkanit, është një bekim i perëndive të hershme.
E kanë quajtur Lychnidas, “Liqeni i Dritës”.
Ai të ngjan me atë vajzën lozonjare, e cila krihet dhe lahet
në çdo stinë, si e dashura e banorëve. Dashuri e
Enkelejdëve dhe Desaretëve; sikurse edhe banorëve të sotëm.
Ndanë ujërave të liqenit janë ngritur qendra banimi, të
cilat i shtrohen më gjunjë, si kostumet popullore (veçanërisht vezulluese
natën) nga spektri i shkëndijuar në mijëra drita.
Magjia e parrëfyer Lin
Lini vërtet ka magji ëndërronjëse dhe të tërheq në
lakonizmin e valëve liqenore. I pashoq në të gjitha: Nga historia dhe peizazhi.
Sa e largët dhe e afërt është koha; sa e pafund dhe
misterioze, aq e lexueshme dhe e prekshme është historia e Linit.
Vetë pozicioni i këtij
vendbanimi, i vendosur në një kodër buzë liqenit, të bën të besosh se mund të
jetë banuar që në kohrat e hershme.
Mendoj se këtu duhet të ketë qenë vendosur një nga qytetet e
lashtë që përmend historiani Polibi.
Daton hershëm, si i vetmi vendbanim (nga Qafë-Thana në
Plloçë) i cili mban edhe sot emrin e Linkidëve, duke i qëndruar presioneve të
të gjithë qytetërimeve që kanë kaluar.
Linin e bëjnë të veçantë gjurmët e një zbulimi epokal, që
nga kohët e Paleolitit (para 7500, ose rreth 5500 vjet Para Lindjes Krishtit)
vendbanimi i parë në Evropë me shtylla mbi ujë, buzë liqenit.
Legjendat thonë se ushtarët e Jul Çezarit, kur përshkonin
rrugën “Egnatia”, që nisej nga Durrahu, u mahnitën nga drita e diellit e cila
prekte dhe vezullonte një rrip të ngushtë toke që zhytej në liqen si pykë e një
trekëndëshi dybrinjënjëshëm.
Lyn i dias! Latinisht (lindi dita).
Dhe i mbeti për jetë të jetëve emri Lin, që ngjan si një
peizazh poetik, që të le një lloj ngrohtësie në shpirt.
Lini është një Parajsë në çdo cm katror të sipërfaqes së
tij: një tablo e rrallë që të fton (si një shami mikëpritëse) ku gjen
njerëzoren, veshjen e Natyrës me ngjyrën karakteristike të stinës.
Sa më shumë i afrohemi Linit, aq më joshës bëhet ajri, i
cili sikur e zbut të nxehtin e Verës.
Ecën në rrugën e ngushtë gjarpëruese
përmes shtëpive të vendosura në radhë.
Pushtohesh nga ndjesia e soditjes së arkitekturës ndërtimore
popullore shqiptare, të lulëzuar me shumëllojshmëri lulesh e pemësh, mbi të
cilat tashmë dallohen tabelat e emërtimeve të bujtinave “Bar” - eve, të
shkruara sipas mbiemrave, toponomastikës, apo dukurive të tij.
Dëgjon lehje qenësh, kakarisje pulash, të qeshurat me shpirt
të vajzave, kur ca djem u tregojnë me këmbë e duar historitë e bukura.
Shikon pulbardhat duke qëmtuar peshqit, tufat e rosave të
bardha si zambakë uji, që notojnë hareshëm, duke të sjellë në mendje peizazhet
e Vangjush Mios.
Shtëpitë e Linit (jo më shumë se dy kate) janë prej guri të
latuar, të lidhur me baltë të kuqërremtë.
Tipike janë ballkonet, të cilët janë përdorur gjerësisht për
të varur peshkun për tharje: detaj ky që përforcon edhe më shumë trashëgiminë e
Linit si një vendbanim peshkatarësh.
Deri në majën e kupolës së praruar të kishës së Shën -
Varvarës, kënga e mjelmave dhe kërcitjet e sqepave, e shtonin simfoninë e
tingujve të kambanës.
Shpirti të humbet në mistikën e saj e të bëhet se dëgjon
zëra shënjtorësh që zbukurojnë muret.
Mrekullohesh me mikpritjen e vendasve, me zejen e
peshkatarit, me talentin e shërbesës (turizmi familjar) dhe të nikoqirllëkun të
amvisave.
Por tingëlon e pafalshme mbajtja e bagëtive brenda në fshat,
që ndotin bukurinë sepse rrugët mbushen me jashtëqitje të tyre.
Nuk di çfarë të sjell më parë nga bisedat me njerëzit
paqësorë e të mirë të Linit, që e duan jetën, që përcjellin pozitivitet me
buzëqeshjen, me qytetarinë dhe fjalën e ngrohtë.
Me Naim Bicjen dhe Roland Sulollarin, biseda hyri në hullinë
e shqetësimeve të përditshme. Ata të rrëfejnë edhe histori që janë aq të fisme,
saqë mund t’i mbash gjatë në mendje.
Banorët e hershëm të Linit, për të siguruar takimet me
Perëndinë, kishin ngritur shtatë kisha. Mirëpo fati i keq deshi që Diktatura
t’i shkatërrojë, midis tyre edhe më të bukurën, kishën Paleokristiane të Shën -
Nikollës, me simbole mitike që besohet se ajo dikur dritën e Perëndisë e
shpërndante në pasqyrën e liqenit; por edhe i bekonte peshkatarët. Ndaj këta
edhe i faleshin shenjtërisht:
Aty edhe vinin kurora, martoheshin e më pas fëmijët i
lindnin të bukur.
Lart në kodrën - gadishull dëshmon një kult i rrënuar
(Bazilika Paleokristiane e Shën - Nikollës), edhe pse shumë pak nga ndërtesa e
saj ka mbetur më këmbë, ngaqë u shkatërruar më 1967.
Aty u ndërtua një bunkier, i kthyer sot në një faltore. Por
ruhet një mozaik i veçantë, i thurur me copëza të vogla gurësh e tulla të kuqe
gjithë ngjyra.
Mozaiku i përket shekullit IV-V, në periudhën e sundimit të
Perandorit Romak Justiniani dhe pasqyron zogj, peshq, bletë dhe pjergulla
hardhie me një kupë vere; simbole këto të jetës dhe civilizimit të lashtë të
Ilirëve.
Humb vështrimin në pasqyrën madhështore të liqenit, që
shndërrohet nga e purpurt në të kaltër; nga e gjelbër në të përhimtë.
Notonin zhurmshëm pushues, duke ngritur stërkala uji, që
shëndrisnin si vesë në rrezet e diellta.
Vajzat, ato çamarroke si shtojzovalle, dalin nga liqeni.
Pogradeci jetonte mes qetësisë, freskisë dhe frymës së dashurisë
Lum kush vjen këtu në
këtë qytet dhe mjerë ai që nuk kthehet kurrë!
Lazgush Poradeci
Ecim drejt Pogradecit,
qytetit që me klimën e tij të freskët ofron gjithçka, veçmas për moshën e
tretë.
Të merr sytë eleganca e lëkundjes së bimëve të grurit, si i
zënë në faj; ngashënjimi që përcjell një kalë i bardhë; një shitës peshku të
freskët liqeni, bashkë me nipin, në një fole degësh, i cili më më shumë është
kthyer në rrëfimtar për ata që nuk dinë të lexojnë tabelat dhe nuk dinë se nga
kanë ardhur e ku do shkojnë.
Është një dridhje që të përshkon mendjen e trupin dhe mund
të ngopesh me këtë qytet të freskët,
“palcërisht shqiptar” siç thotë Lasgushi i madh, saqë, kur erdhën Romakët, të
mahnitur nga bukuria i thanë Paradis “Parajsë’’: Pra, Parajsë e trëndafilëve
dhe e shëtitores çlodhëse buzë liqenit, ku puhiza dhe freskia e tij i bëjnë
karshillëk zhegut përcëllues të Tiranës.
Qytet i lakmuar në çdo stinë: në Pranverë, atëherë kur jeta
njerëzore, bimore, shtazore dhe çdo gjë, merr tjetër kuptim me fllade lulesh që
të parfumosin me aromë të këndshme; në Verën e nxehtë që freskohet në liqen; në
Vjeshtën me larmi ngjyrash; apo Dimrin, kur e mbulon vello e dëborës dhe
dallgët e llahtarisura si zemërimi i Zeusit, që rrahin frikshëm brigjet e
pafajshme të bregliqenit.
-Panorama e Pogradecit, - thotë miku im poet Agim Bajrami, -
të krijon një kënaqësi të veçantë, që të sjell
qetësi shpirtërore nën simfoninë e valëve dhe klithjen e pulbardhave.
Sigurisht të pushton një ndjenjë ndryshe kur kthehesh atje
pas shumë vitesh.
Kemi pasur rast ta vizitojmë Pogradecin shumë herë (para e
në fillim të Viteve ’90) ndaj edhe shumëllojshmëria e mbresave natyrshëm rrjedh
si ujëvarë…
Pogradecin jeton mes qetësisë, identitetit dhe frymës së dashurisë. E kanë
zgjedhur për të pushuar edhe udhëheqës, jo vetëm për bukuritë natyrore.
Mbi të gjitha, përzgjidhet se ka një popull që e ka traditë
punën, paqen, mikpritjen dhe edukatën qytetare;
ashtu siç historikisht ka qënë një trevë ku jetohet bukur.
Arkitektura e qytetit është pasuruar me pallate të larta, shtëpi-
vila, shatërvane, bar-kafene, restorante, rrugë, parqe, statuja, por edhe me
“arkitekturën” e shpirtrave njerëzorë.
Vijon soditjen dhe sytë të shkëlqejnë nga bukuria, harmonia,
rregullsia dhe gërshetimi i elementeve: trotuaret, stolat e ndjenjes, vendqëndrimet
e biçikletave, pemët, etj. Në qendër të Pogradecit,
ishte vendosur mozaiku “Iliria” bazuar në
gjetjet arkeologjike në Selcë të Poshtëme.
Lagjia e Goricës, me qoshet, copëzat dhe rrugicat, të kujton
Budapestin.
Në krye të saj dikur spikaste një kështjellë ilire, e
Enkelanës Antike, e cila daton si vendbanim që në Shek V - IV para Krishtit.
Në Toplec sheh drithërima romantike nga e kaluara dhe he
ngjyrat e errëta të së tashmes. Shtëpive të vjetra të Lasgushit dhe të Kutelit,
së cilës nuk i kanë mbetur më as themelet, ndëqrkohë që një grumbull
hedhurinash, së bashku me një çezmë ku shkruhet “Pandi Pasko - 1929”, janë të
vetmet gjurmë.
Pogradeci është një qytet që buron Muzë Poetike në çdo hap
që hedh.
Buzë liqenit të shfaqet statuja e një gruaje të hijshme:
fustangjatë, mëngëshpërvjelur.
Flokët ajo i kishte të krehura e “ujdisura” sipas modës së
Shekullit II. Më tej statuja e një bariu me fustanellë e fyell.
Te “Parku i Trëndafilëve” mrekullohem me ikonat e Letrave
Shqiptare, dy korifenjve të Letrave (në bronz):
Hyi i poezisë së papërsëritshme shqiptare, Lasgush Poradeci: Kapelja,
qenushi, bastuni, por, jo vetëm kaq që e bëjnë origjinalitetin e tij unikal.
Më tej (përballë) mjeshtëri i rrëfimit magjik të
Shqipërishtes, Mitrush Kuteli (ku ishin shkruar dhe fragmente nga veprat
e Lasgushit dhe të Mitrushit).
Sa herë që i shikoj, më krijohet një ndjesi sikur ata janë
shenjtorë.
Ecim buzë liqenit lasgushian.
Në bisedat tona ka diçka prej gjolit, diçka
prej bukurisë së tij.
Duke vështruar ujërat e qeta të liqenit, varkat dhe
pulbardhat përreth, i mbyll sytë të dëgjosh llastimet pllaquritëse të valëve
lozonjare, përzjerë me zhurmat e qytetit.
Varkat e përgjumura në breg, të kujtojnë arratisjen e
pogradecarëve në kohën e Diktaturës, të cilët mësynë tokën e premtuar.
Aty, pranë liqenit të bukur, plot me njerëz duke shëtitur,
kupton lidhjen e fortë që ka njeriu me ujin, si burim jetëdhënës, duke e
mbrojtur, kultivuar dhe ledhatuar me dashuri, si një foshnjë që kërkon
përkujdesje.
I këndshëm emërtimi i banorëve (si muzikë) me një theks të
lashtë që u pëlqen ta quajnë “gjoli “, edhe pse në poezi Lazgushi i
thotë “liqer”.
E, nëse thua “liqeri”, një strofë gurgullime të fjalëve
magjike të Lazgushit e këndoj sa herë që kjo mendja ime marroqe merr krahë e
fluturon në Pogradec.
Pra, ja! Pra, ja! Se dita
ndezi,
Se fundi ujit vetëtiti,
Se posi lajmëtar -
mëngjesi,
Del zogu - i bardh` i një
nositi…
Floçkat e ujërave kanë zbritur në
Volorekë (Drilon)
Unë e di se kush vjen në Pogradec nuk mund të mos largohet pa shkuar në
Volorekë. Kjo sepse ajo është një nga perlat më të veçanta të Natyrës
Shqiptare: plot jetë e poezi. Dh vetëm në përalla mund të jetë kaq bukur.
Pikërisht mes ujit, shpendëve, peshqve, aty ku fillon e hedh shtat pylli i virgjër.
- Voloreka, - thotë Besniku, miku ynë pogradecar, - të tërheq në çdo stinë: me qetësinë, kulturën
e shërbimit të kafeneve dhe restoranteve të zhytura në gjelbërim: me ndjesinë e bukur të mbushur me
aromë dhe ngjyra natyre.
I zhytur i gjithi në gjelbërim të harlisur, që ta rrëmben
e ta ngop syrin dhe shpirtin nga drurët e lartë: me parkun e vogël, ku rrezet e
Diellit e praronin ( shelgjet lotuse, të kujtojnë Arien e Dezdemonës) degët e
të cilëve krijonin harqe, si një pikturë që të rrëmben befasishëm, duke të
pushtuar shpirtërisht.
Të mrekullon romantika mahnitëse e luleve dhe mërmërima e flladit, së
bashku me simfonininë e cicërimave të zogjve nëpër pentagramet e pemëve.
Sapo afrohemi tek ura me dërrasa, vështrojmë nanuritjen e lumit Volorekë, me një qetësi Perendie. Një varg varkash me lopata, njëra pas tjetrës, të të gjitha ngjyrave, që rrëshqasin nëpër ujërat e kaltëra.
Në Volorekë ke bukurinë e qashtër, mjelmat që rrëshqisnin të qeta nëpër sipërfaqen e ujit, të zbardhura si pambuk.
Ato kryqëzonin qafat e tyre të gjata, sikur vallzojnë balet magjik.
Natyrisht vijnë si në
historinë e bukur të Tchaikovskyt, me shikimin e qetë e triumfues, teksa afrohen, shkundin flatrat e
tyre dhe llastohen gjithë elegance, teksa zgjasin sqepin, me pasthirrma, për të fituar
ushqimin.
Ujërat “zhubrosen” nga kërcimet e peshqve të vegjël, që fërgëllonin edhe
anës varkës sonë, si një turmë e uritur. Të mëdhenjtë,
hijerëndë, të mësuar me njerëzit, i afrohen bregut.
Disa fytyra të qeshura përballë, me qëndrime të
fisshme. Disa lëkundje të lehta në varkën prej teneqeje të ndryshkur.
Hipëm në një varkë të vogël që voziste butësisht mbi
ujërat e qeta, në shoqërinë e
mjellmave, duke shijuar paqen dhe bukurinë e peizazhit përreth...
Dielli dhe retë duket sikur të përkëdhelin, teksasa
merr frymë në ajër të pastër dhe ndjehesh i lirë e i shkujdesur: sikur Bota
është vetëm jotja.
Pak më tej Volorekës së bukur, puhiza që vinte nga liqeni me
tërë bukurinë e tij të mahnitshme, i tundte jelet e reve.
Tushemishti, një nga “fshatrat” më të bukur, dhe më të
pastër buzë liqenit. Me ndërtime të reja e të bukura. Me rrugë të drejta e të
pastra. Me kopshte të gjelbëruara, të zbukuruara, mes përzjerjes së vorbullës,
të asaj që ne i themi zhvillim në emër të progresit (nga betonizimi i
ndërtesave njëra pas tjetrës) që, edhe pse me nota optimiste për një turizëm
elitar, po shpërfytyrojnë bukurinë liqenore.
Tushemishtin rrjedha e ujërave, gjelbërimi i mrekullueshëm,
ushqimi i mirë, muzika në Bar- Kafenetë, restorantet, shtëpitë dhe hotelet, e
zbukurojnë këndshëm.
Begatia e Tushemishtit vjen nga burimet e pashtershme dhe
ujërat e liqenit.
Banorët njerëz mikpritës me kulturë, -hotele, bujtina, dhe
lokale fantastike…
Ulemi në një nga restorantet e shumta, që me prodhimet e
veçanta dhe nivelin e shërbimit nuk zhgënjen asnjëherë.
Peshkun e rrallë të ujërave të ftohta, Koranin, që mezi
kapet, e dallohet nga pikat e arta në lëkurë përpara se të të serviret në
pjatancën e ngrënies, të gatuar në
tavën me qepë, me ujë liqeni dhe me verë. Ose në tavë me arra me marinate që të
uron mirësardhjen, si një pikturë para së cilës nuk ke se si t’i rezistosh
padurimit që të përballesh me këtë ushqim, të cilin dinë ta shijojnë jo vetëm
klientët mbretër.
Mbi banak janë të rënditura llojet e shumta të verërave
tradicionale pogradecare.
Ne “duke kuvenduar”, si në një botë përralle, shijojmë një
drekë të shijshme, të shtruara me verën
(“Gjakun e Krishtit”, apo rakinë, “djersën e Muhametit”) siç thoshte Lasgushi
për këto lëngje të bekuara dhe me koranin e pjekur në qeramidhe.
Mandej gjarpëruam nëpër rrugicat e Tushemishtit.
“Teto Ollga” e filmit artistik të xhiruar në këtë fshat “Zonja nga
qyteti” (Violeta Manushi) ikona e Kinemasë Shqiptare, një figurë që
transformoi fshatin e vjetër Tushemisht në zonë Turistike, rrinte gati për përqafimet e fotot e
radhës, nga vizitorët.
* * *
Muzgu puth dritën e fundit të ditës. Fryn puhiza, nusëron
Hëna.
Përcillemi me klithma të lehta pulbardhash, që fluturojnë
bregut dhe me pllaqurima lopatash të peshkatarëve…
Jemi të dehur, por nuk e dimë nga se. Nga vera, nga ajri i
freskët, apo nga kjo Parajsë që ka falur Perëndia, e cila këndon vetveten si në
vargjet e Lasgush Poradecit?!
*Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Ndalohet kopjimi
apo riprodhimi i pjesshëm apo i plotë me çdo lloj mjeti apo forme, pa lejën me
shkrim të autorit.