E premte, 19.04.2024, 06:53 AM (GMT+1)

Udhëpërshkrim » Gorica

Pëllumb Gorica: Kruja - ky vend i të gjithave

E premte, 21.04.2023, 08:00 PM


KRUJA – KY VEND I TË GJITHAVE

NGA PËLLUMB GORICA

Ndonjëherë fjalët janë të pamjaftueshme për prekjen nga afër të vendeve historike dhe të vetë Historisë. Me të mbushim (aq sa mundim) përjetimet e këndshme nga vrapimi i kohës përherë në përshpejtim.

Kur është fjala për Krujën, të njohur për Historinë, Natyrën dhe Mistikën, që i përçon me aq shumë vlera krenarie e trimërie (si simbol i Shqipërisë) udhëtimi të zhyt në disa rrathë emocionesh, sepse Kruja nuk është një qytet dosido: Këtu çdo pëllëmbë toke ka një Histori.

Ecim përmes Fushë - Krujës, këtij qyteti që u bë i njohur kur e vizitoi presidenti amerikan Xhorxh Bush. Për nder të tij në sheshin kryesor është lartuar një statujë, e cila bie në sy, edhe pse e rrethuar nga shtëpi e pallate. Ecën dhe shkëmbehesh rrugës me plot makina të vogla, me kamionë dhe autobusë të agjencive turistike.

Është prill dhe përreth Natyra ka veshur gjelbërim. Ndërkohë që ngjisnim rrugën gjarpëruese përmes pishave, çlodhnim sytë me pamjen e bleruar përreth. Teqja (në Krastë) është kthyer si vend i shenjtë për besimtarët bektashianë. Ata dhuronin diçka në të holla sipas mundësisë duke prekur gjurmën e këmbës së mitizuar të Sari Salltëkut.

Edhe shoferët e SAUREL - ve të ngarkuara, që linin prapa mjegull tymi, domosdo i ndalonin makinat për nja dy minuta dhe niseshin përsëri për udhë; gjithçka e tillë, që t’u sillte mbarësi dhe t’i mbronte nga aksidentet.

Por, ah, përtej Krastës kodrinat e murrëtyera janë zhgarravitur rrëqethshëm (një kasaphanë natyrore) si një mollë e kafshuar. Një barbarizëm ky që as tre rrethimet e Osmanëve kundër Krujës nuk e kanë kryer. Nga fabrika e çimentos dhe guroret gëlqerore është krijuar një ndotje e lartë mjedisore, sepse tashmë blozon gjithçka.

Pasi merr kthesën e fundit, qyteti të shpaloset përpara syve, i shtrirë në shpatet e malit të Dyzet Krojeve, duke hedhur shtat në vetëdijen e tij shekullore me mentalitetin, ndjeshmërinë, shijet dhe rrjedhshmërinë karakteristike. Ndaj dhe emrin e ka marrë nga fjala “krue”.

Makina jonë ndaloi në të hyrë të qytetit për të zbritur disa udhëtarë. Zbrita edhe unë për ta bërë një pjesë të rrugës më këmbë, me vështrimin andej - këtej, atje ku shtrihet lagja “Abaze”, e “fshehur” në gjelbërimin e ullinjve shekullorë, që fëshfërinin lehtë, a thua se bisedonin midis tyre.

Aty në të majtë një rrugë dytësore e le qytetin mënjanë. Ajo shkon drejt Kroit të Nënës Mbretëreshë në Qafë Shtamë. Para syve shtrihej rrapi shekullor i Ballabanecit. Legjenda thotë se këtu, gjatë rrethimit të Krujës, Gjergj Aleksi ushtar i Gjergj Kastriotit vrau Ballaban pashë Baderën komandantin osman me origjinë shqiptare nga Batra e Martaneshit. Falë tradhëtisë së tij mbeti në analet e Historisë. Ballabani me taborin turk ngeci (nuk eci para).

Përshkohesh nga emocionet kur vështron statujën hijerendë të Heroit Kombëtar, Hyjnorit Gjergj Kastrioti, këtij mbrojtësi të Krishtërimit. Ai (jo vetëm aty, por gjithandej) i jep madhështi gjithë Shqiptarëve, me vulën e dëshmisë së përjetshme të kombit tonë.

(Jo më kot fqinjët tanë po përpiqen ta kenë të tyrin, duke pretenduar për prejardhjen e tij).

Mespërmes pazarit

Te Derexhiku (Pazari 400 - vjeçar) vizitorët (të huaj e vendas) krijonin një “trafik” të pëlqyeshëm. Ngadalësojmë hapat që të mos na shpëtojë asgjë nga bukuria magjike e tij, në atë rrugicë të ngushtë (jo më shumë se 150 m të gjatë) të shtruar me gurë të lëmuar nga ecjaket në të, saqë ngjasojnë si gurë të periudhës babilonase, edhe pse mund të mos jenë as shekullorë.

Nga të dy anët e asaj rruge, dyqane plot me mallra të çuditshme: ca të panjohura, ca të tjera plot me sende të ricikluara e të gatshme (turke, apo kineze) por edhe ndonjë produkt vendas nëpër to, njësoj sikur je duke vizituar një muze Arti të mirëfilltë. Në fakt, në çdo hap ka diçka të çuditshme (madje edhe të bukur) të paktën krejtësisht të ndryshme nga çdo gjë që shikon: gjerdanë, byzylykë, antikuare argjendi e bronzi; kostume popullore gjithë elegancë e ngjyra të lashta (si xhubleta) na befasuan; qëndisma, çorape, qylyma të endura në tezgjah gjithë ngjyra, si ato të lëndinave, apo velenxat flokëgjata, të bojatisura si në përralla.

Diku ushtrohet mjeshtria artizanale e prodhimit të qelesheve. Ajo që më kap syri është se njw vajzw mban në dorë një lëmsh tashmë të tjerrë dhe ndoshta po e rotullon fillin e  tjerrë drejtohet dhe bëhet më i lehtë për tu punuar me shtiza. Po ashtu prodhohen breza, unaza, varëse e vathë sermi; instrumente popullorë, si fyej, cyrla dyjare, çifteli, lahuta, dajre, gajde, pipza; punime në dru, në gur, në metal; djepe, arka grash, furka, boshte tjerrjeje, govata, spata; saçe, shtama balte, sofra, tenxhere metalike, okllai, magje, kupa, qypa, palaré, gjyma, legenë, lugë, tepsi, kusi, sini, guna, vedra, kërraba, shakuj, etj.

Vetiu pushtohesh nga një ndjenjë krenarie, saqë nuk mund të rezistosh pa blerë diçka.

Në një punishte tezgjahu një grua endte qilima me fije leshi dhe m’u kujtua Penelopa me pëlhurën e saj të përjetshme. Ndërsa zhurma e kovaçhanës më ndali të shihja zellin e kovaçit që rrihte hekurin nën flakën që hovitej në xixa përcëllonjëse.

Në kroin afër Kështjellës së Krujës ruhen edhe sot dy Emblema Heraldike të Familjeve Fisnike Shqiptare të Epokës së Gjergj Kastriotit (Stemat e Balshajve dhe Muzakajve) dhe një mbishkrim Turko-Arab i kohës së Gjon Kastriotit.

Përballë një murane të Lashtësisë, një burrë simpatik, që kam dëshirë ta portretizoj si rapsodin e ringjallur nga mjegullat e kohëve, këndonte nën tingujt e çiftelisë.

Sa bukur! Edhe pse jam nga Jugu (poshtë Shkumbinit) nuk mund të më mbushet shpirti vetëm me polifoninë dhe varietet e saj; pa çiftelinë, apo lahutën me Këngët Epike të Veriut. Jo më kot një miku im verior më thotë: “Po ti sikur je malësor Veriu”!

Te sheshi, para rrapit 500 - vjeçar të Taslloit, takohemi me studiuesin Baki Dollma. Në fjalët e tij dallohet krenaria për historinë e Krujës dhe figurën e Gjergj Kastriotit.

Aty- këtu ngrihen fragmente rrënojash të murit rrethues dhe Kulla e Sahatit që shërbente për vrojtim e sinjalizim në raste lufte. Para syve lartohet kulla e Xhamisë së Vjetër, ndërtuar në vitet 1478 – 1490, pas ardhjes së Turqve në Shqipëri. Është përdorur për nevojat e granizionit të kalasë. Ndryshe quhet xhamia e Sulltan Mehmet Fatihut.

Ka mendime se kështjella është ndërtuar mbi themelet e mureve të një vendbanimi të lashtë, ku është zbuluar edhe një varrezë e Kulturës Ilire.

Në shekullin XII Kruja ishte qëndër e Feudit Bizantin. Gjatë Mesjetës është rindërtuar disa here; veçanërisht pas tri Rrethimeve Osmane (1450, 1466, 1467) kur ata shkatërruan shtëpitë, krojet, kishat, dogjën lisat e lashtë dhe ullinjtë.

I bukur si arkitekturë muzeu Historik Gjergj Kastrioti. Mbresat e vizitës i ndërlidha me atë të poetit tonë të Rilindjes Naim Frashërit në muzeun e Vjenës, i cili kur kishte parë armët e kryetrimit Gjegj Kastrioti pat shkruar: “Sikur pashë Gjergjin”.

Edhe unë sot i vështrova reliket e kohës së sundimit të tij, të krijuara me një bukuri mahnitëse: stema, shpata e përkrenare; veshje kalorësiake (të derdhura në bronz) të figurës legjendare të Gjergj Kastriotit, si rrallëkush në Trojet Arbërore për ta quajtur hero të mbikohëshëm, që përshkoi si meteor i ndritshëm qiellin e Albanëve, duke bërë dritë në shekujt e robërisë osmane. Ato janë motivuese për secilin vizitor. Të dërgojnë në epokën e Historisë (së lavdishme) Arbërore, të qytetit që shndërrohet në simbolin e shpresës për liri.

Shikimin e kaloja pastaj nëpër muret: në Veprat e Artit: tablotë e betejave, bustet, statujat e skalitura në mermer të bardhë, artifaktet, numizmatikë, skulpturat, librat shumëgjuhëshe në shumëllojshmëri: Prozë, Poezi, Histori, deri te Enciklopedi.

Mendimi i parë që më erdhi duke dalë nga muzeu ishte: “Çfarë mrekullie, çfarë kënaqësie që erdhëm dhe e pamë përsëri”!

Qëndroj afër grykës së topit për të bërë fotografi, si edhe para “Muzeut Gjergj Kastrioti”, ku në një tabelë tregohen edhe distancat në km të Krujës me qytete dhe kryeqytete të Botës. Nga ballkoni i “Muzeut Gjergj Kastrioti” shfaqen pamje të qytetit.

Vështrimi do të ndalej edhe në shtëpinë muze (etnografike), aty ku qëndrojnë treqind vjet kulturë (ndoshta më shumë), të cilat përfaqësojnë Të kaluarën Krutane, doket e zakonet dhe mënyrën e jetesës. Është një shtëpi dykatëshe, me mure prej guri, me portën në qemer, me krua, etj.

Të flasin disa detaje që sikur duan të tregojnë se aty diku, në kthinën tjetër është dikush, që me dorën e praninë e tij, i jep kësaj shtëpie aq shije e lezet saqë rrallë e ke ndeshur më parë: qilimat me motive, kostumet popullore, mulliri i vajit, magjia, enët për prodhimin e bukës dhe bulmetrave, avlëmendi për endjen e qilimave; harqe trarësh, tavane të zbukuruar me ornamente, shkallë të drunjta që zbrisnin poshtë në oborr, saqë mbetesh pa fjalë. Ato tregojnë shijen e të zotëve të shtëpisë, të atyre që e ndërtuan (familja Toptani) por dhe të atyre që jetuan ndër vite dhe e mirëmbajtën (familja Kalaja).

Vendi i Shenjtë Sari Salltëk

Përtej Kroit të Lëdingut, sipër Barabitit, ngrihet Mali i Krujës, aq shtypës: sikur do të të bjerë mbi kokë, me një lartësi prej 1110 metra mbi qytet, sikur takohet me qiellin.

Rruga ngjitej përpjetës të majës së tij, nëpër një rrip të ngushtë të asfaltuar, që gjarpëron e rrethuar nga shkëmbinj ciklopikë, si një Vepër Arti e krijuar nga Zoti. Një masiv i thepisur me një karakteristik? të veçantë që ka formën e fytyrës së një koke madhështore ujku me gojën gjysëm të dukshme, hundën e prerë dhe buzën e hapur.

Në majë të malit syri rrok Sari Salltëkun, i cili përveçse një vend i shenjtë është edhe një bukuri natyrore:

Një godinë trekatëshe ngrihet si një monument; në një farë mënyre, shtëpi pritjeje për besimtarët. Odat e saj të shlodhjes, të mbushura me relike e ornamente orientale, të ftojnë për meditim. Të kujtohen historitë e teqeve të dikurshme, të cilat ishin kthyer në shtëpi mikëpritëse, sepse atje besimtarët gjenin zjarr, ushqim e shtrat për të fjetur.

Aty ndodhen edhe antenat e repetitorët (dhënësit) që duket sikur kërkojnë të zgjasin majën e malit. Më tej lëndinat e denja për argëtim perëndish, pisha, ahe dhe një dru (Arra e Gjergjit) shekullor, që krijonte një kurorë të madhe, me një hije të errët e të freskët.

Në shkëmbinjtë e malit misteri dhe legjendat ngërthehen. Natyra shkëmbore në më shumë së gjysmën e trojeve shqiptare ka qenë burim ushqyes i kultit të shpellave qysh në shoqëritë e hershme, si vendbanime të para.

Zbresim shkallët në shpellën e mbytur nga cerga merimangash dhe nxirë nga qirinjtë. Hapsira brenda saj është e tillë sa mund të strehohen një duzinë njerëzish. Ajo të befason edhe me burimin, ku uji është aq shumë i ftohtë. Para shpellës një Vepër Arti e rrallë: skulptura kushtuar Sari Salltëkut në bronx dhe një çezmë me një qemer të skalitur.

Ç’lidhje ka ky vend, kjo shpellë, në shkëmbin e ashpër?!

Besimtarët bektashinj të Krujës, tregon Fatmir Kasmi, kur feja u ndalua me ligj, ngjiteshin natën aty dhe bënin kurban bagëtie, ndiznin qiri në shpellë, mbushnin ujë te burimi dhe faleshin.

Fatmiri të zgjeron dijen rreth Bektashizmit, aq sa edhe rreth legjendës së shpellës së Sari Salltëkut:

Bektashizmi përfaqëson një Doktrinë Mistike Islame, që synon arritjen shpirtërore tek çdo qënie njerëzore për një afrim pranë Zotit. Ishin Persët që e përhapën. Efektet e kësaj Kulture në Shkencë e Art u përkrahën nga popujt e tjerë, kur misionarët e tyre ngritën tyrbet (teqet).

Themeluesi i Doktrinës Bektashiane ishte Haxhi Bektash Veliu që jetoi në fundin e Shekullit XIII dhe fillimin e Shekullit XIV, i cili angazhoi plot 320 Misionarë të Shenjtë, të cilët u shpërndanë në Azi të Vogël, Lindje të Mesme, Azi Qëndore, Afrikë Veriore Sahariane, në Ballkan, në Krime dhe në Kaukaz.

Përmendim misionarin Sari Salltëk, i cili erdhi në Arbëri në vitin 1325 dhe u strehua këtu, në këtë shpellë, e cila ruhet me fanatizëm edhe sot.

Ai kishte mbërritur në Krujë në kohën kur një kuçedër jetonte në shpellë dhe kërkonte nga banorët t’i blatonin çdo ditë një burrë dhe një grua.

I kishte ardhur radha vajzës së bukur të princit, e cila sypërlotur po i ngjitej malit për t’u flijuar. Ndeshi dervishin Sari Salltëk, që ecte kalldrëmeve të qytetit, i veshur me zhele e një degëz qiparisi në dorë, kurse në brez kishte ngjeshur një shpatë druri.

Pasi dervishi mori vesh atë që e priste vajzën, e shoqëroi për tek shpella. Vendi ishte tharë e përcëlluar nga Kuçedra. Vajza digjej nga etja. Dervishi plak kishte ngulur shpatën në shkëmb, nga ku kishte gurgulluar uji i freskët. Me shpatën e drunjtë, dervishi, i preu shtatë kokët e Kuçedrës që villnin flakë. Nuk pranoi ta merrte për grua bijën e princit, por kërkoi si shpërblim të jetonte në shpellën majë malit, duke jetuar në lutje e bamirësi. Këtu ai vazhdoi Misionin e tij Të shenjtë derisa ndërroi jetë. Me mushkën e tij, dervishi Sari Salltëk, që nga mali i Krujës, me katër hapa arriti Korfuzin. Legjenda thotë se ka pasur shtatë varre: Në Krastë të Krujës, në Pashtrik të Hasit, në Shën Naum, në Korfuz, në Kretë, në Kaliakra të Anadollit dhe Mostar të Bosnjës.

Fama e Sari Salltëkut u rrit jashtëzakonisht, pasi pranë varrit të tij besimtarëve u ndodhnin mrekulli dhe që atëherë u kthye Vend i Shenjtë.

***

Marrim rrugën e kthimit. Sari Salltëku është ballkoni prej ku syri të rrok qytetin e Krujës. Këtu janë të gjitha, natyra dhe historia, peizazhi dhe bukuria: Kalaja, Muzeu i Gjergj Kastriotit dhe Pazari; ullinjtë si ushtarë të çartur, liqenet e Barunit, të Zgërdheshit e më tej të Tapizëz, si njolla vezulluese. E me radhë: Dajti e Krraba dhe dritat e Tiranës, Rinasi, kodrat e Prezës, të Ishmit e Kepit të Rodonit. Më tutje Bishti i Pallës, deti Adriatik, që ndrit nga larg dhe Durrësi buzë tij.

Rruga e Kombit grisej nga dritat si një gjarpër i zjarrtë. Vështrimi të ndalet në Lagunën e Patokut, në Kurbin, Lezhë, Shëngjin e Velipojë, Ulqin dhe Alpet e Shqipërisë, që i përbashkojnë paralelet historike.



(Vota: 8 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora