Udhëpërshkrim » Gorica
Pëllumb Gorica: Qyteti, jo vetëm i moçëm…
E marte, 20.02.2024, 09:00 PM
QYTETI, JO VETËM I MOÇËM…
NGA PËLLUMB
GORICA
Në Beratin e njohur prej nesh, atje ku takohen kohërat e
historisë, Antikiteti me Mesjetën dhe Koha e Re; artefaktet dhe arkitektura,
kultura njerëzore plot mite të etnogjenezës sonë me tempuj pellazgë e kisha
ilire-arbërore; huazime orientale turko-arabe me xhami muhamedane e teqe
bektashiane, udhëtimi gjithnjë e më shumë të rrëmben.
Sa herë je atje, të duket si për herë të parë edhe pse për
të qindtën herë rikthehesh i dashuruar që ta sodisësh nga afër ashtu si poeti
francez Lamartin, që gjithmonë kthehej në vendet ku kishte qëndruar më parë.
Qyteti hodhi rrënjë në trevën e Dasaretëve të lashtë, mbi
rrënojat e tempujve paganë, që daton dy mijë e katërqind vite më parë me kalanë
si një mishërim i qëndrueshëm i fuqisë mbrojtëse; kulla vrojtimi, portikë të
mëdhenj, gurë ciklopikë të ilirishtes...
Qyteti mori shumë emra, që humbën gjatë pushtimeve të egra.
“Antipatrea” quhej në kohëra që s’mbahen mend. Ndoshta qysh nga mitet, përrallat
dhe legjendat. Prej tyre quhej “bijë” e Zotit, vend i Atit – Zeus (më 216 para
Krishtit, kur e mori sundimtari i shtetit ilir, Skerdilaidi, gjatë Luftrave
Maqedono – Romake).
Njihej edhe me emrin ilir “Bargul” e “Partha”në kuptimin:
Bartha-Bardha. Polibi e lidhte me fjalën shqipe “I bardhë”. “Albanorum Oppidum”
u emërtua nga romakët që në shqip do të thotë “Fortesa e Ilirianëve”.
“Pulcheriopolis” e emërtuan në kohën e Bizantinëve. Ishte
koha kur qyteti vlerësohej aq i shkëlqyeshëm sa Pulheria, motra e perandorit
Teodori II (408 - 450) ia ndërroi emrin dhe e emërtoi “Pulheriopolis” (“Qyteti
i bukur”). Pulchreus (lat.) = i/e bukur.
Ndërsa Sllavët, kur e pushtuan si shumë vendbanime të tjera në trojet tona, të mahnitur me ndërtesat dhe bukurinë e natyrës së tij, e përshtatën në gjuhën e tyre me emrin “Beligrad”.
Më pas, në shekullin XV, osmanët dritën zeusiane e shndërruan në terrin islamiko - anadollak, duke ia ndryshuar emrin qytetit dhe e emërtuan “Berat” që do thotë ferman. Porta e Lartë nxori një ferman (dekret) që siguronte një qeverisje tolerante. Atëherë shtrohet pyetja: Përse osmanët e nxorën një ferman të veçantë për të qeverisur Beratin?! “Ndoshta edhe për faktin se aty janë të ruajtura dokumente të shkruara, shumë të vjetra, të cilat njihen si Kodikët e Beratit.
Berati ka trashëguar bukuri natyrore (një peizazh i
rrudhosur nga erërat prehistorike, prej shekujsh) saqë besoj tjetër zor se e
bën Perëndia më bukur. Një legjendë e ardhur nga Lashtësia Prehistorike tregon
për dy vellezër, të rinj, të bukur e të dashuruar marrëzisht me të njëjtën Zanë
të famshme për bukurinë e saj. Dhe ashtu, nga dashuria, pasioni dhe xhelozia,
si Menelau dhe Parisi për Helenën, nisën një luftë të ashpër për Zanën. Në
dyluftimin për jetë a vdekje me njëri-tjetrin kush do të fitonte Zanën?! Nga
goditjet me shpatë mbi shpinë, nga të gjitha anët, që i la i madhi Tomor (nga
Ta - Mar ta marrë njëri a ta marrë tjetri) i mbeti emri “Ta-mar.” ku më pas
shkronja “A” duket se evoluoi në “O”: Tomor) me prerje të thella, thela -
thela, që shtrihen në të njëjtën largësi nga njëra - tjetra, i thanë
Shpinërahur. “Para Viteve ’90 ishin shkruar shkronja të mëdha me gurë në disa
prerje, që të gjitha bashkë përbënin emrin e udhëheqësit të atëhershëm të
Shqiptarëve.”
Befas sërish, Shpinërahuri i jep goditjen përfundimtare
Tamarit me topuz në kokë. Në majë të tij i la një gropë të madhe, e cila zuri
dëborë të përjetshme. Zana, e cila e ndiqte dyluftimin e tyre mizor, mes lotësh
nuk mundi të duronte dot këtë tragjedi dhe iu lut perëndive ta ndalnin. I donte
të dy. Perënditë ndërhynë duke ngrirë gjithçka. Trupat e dy vëllezërve u
shndërruan në male. Tomori, plot kapriçio moti dhe legjenda, hesht në
madhështinë e tij mistike. Shpiragu e vështron nga larg. Zana qau pa pushim, deri
sa një ditë lotët e saj u shndërruan në ujvarë të rrëmbyeshme, e cila lindi një
lum të bukur (Osi -Osumi) i cili më shumë se ujë ka
rrjedhur legjenda të lashta. Mbi lumë u ngrit një urë. Aty erdhën dy palë
krushq me nuse mbi kalë. Të gjithë të armatosur. Çdo palë krushqish kishte të
drejtën të mos i pritej rruga.
Kush do kalonte i pari?!
Luftuan gjatë. Dhëndurët u bënë merak. Vajtën të kërkojnë
nuset. I gjetën të dyja në urë mbi kalë, rrethuar nga krushqit e vrarë. I dhanë
fjalën njëra - tjetrës të kenë 300 djem e vajza. I bënë, i martuan dhe nga ata
lindi qyteti.
Një shëtitje nëpër histori do të befasojë
Kalaja Ilire, me mure të cilët i rezistojnë ende shekujve,
ngjan me një qënie mitologjike. Të habit madhësia e saj, porse të shëtisësh atë
është si të shëtisësh në histori…
Me soditjen e një kureshtari, që e vështron përtej kohës, ne
ecim drejt portës së madhe të Kalasë. Duke kaptuar “pragun”e saj, të fanitet
një nga prijësit e qytetit, Mihal Komneni, i cili ka vizatuar emblemën e principatës
së tij…
I prek muret e lashta të kalasë, që jeta i ka bërë më
njerezore, më madhështore dhe më të kapshme, pëshpërisin murmurimat e së
shkuarës, vorbullimet që të marrin tutje e të çojnë tutje-tëhu përtej kohëve,
të cilat herë - herë ndriçoheshin nga flakërime luftrash, masakrash,
plaçkitjesh, epidemish...
Aty ke ndjesinë se dëgjon britmat e pushtuesve si përrenjtë
malorë që vërshonin dhe gjaku derdhej e skuqte gurët e saj, ndërkohë jeta
lajmëronte vazhdimësinë nëpërmjet të qarave të foshnjave të sapolindura. E,
megjithatë, ajo nga pesha e rrethimeve dhe betejave të pakufishme pa mundur ta
zhduknin, ndonëse e kanë sakatuar për të përvetësuar qytetërimin, pasuritë,
hyjnitë e tempujt meremetonte veten.
Kalaja ka dëshmuar fragmente të mrekullueshme të historisë
sonë të pluhurosur. Sa humbje e sa fitore u arritën aty, duke i bërë ballë
stuhive të turbullta të historisë!?! Sa hap e mbyll sytë u gjendëm majë
bedenave të kalasë. Kullat dhe muret qëndrojnë krenare, ku secili gur pasqyron
pragmatizmin e epokave. Aty gjenden gjashtë topa, dy prej të cilëve të prodhuar
në Venecia, një në Angli dhe tre në Turqi.
Qyteti dhe trojet arbërore arritën shkëlqime me dinastinë
Muzaka e mesjetës sonë të lavdishme: me një zhytje të thellë në histori, me një
zgjerim në gjeografi, në një hapsirë kohore që la pas emrin e saj. Historia e
Muzakajve në muzg të Mesjetës është e ndërthurur me të kaluarën e trazuar të
trojeve tona: e shënuar nga aleanca, konflikte dhe besnikëri. Teodor Muzaka,
emblema e kësaj dinastie princërore ka vulosur me shpirtin e vet fisnik
historinë e Beratit dhe trojeve të Arbërit.
Me sytë në gurët e lëmuar, në reliktet e kishave, në
shtëpitë me forma gjeometrike, në konakët që pëshpërisin përralla, në dyshemetë
dhe tavanet e zbukuruara me motive heraldike: një përzierje magjepsëse
historike. Në sheshin e kornizuar zhvillohet një pazar kulturor, pazar
shpirtëror (i suvenirëve dhe çikërimave) por edhe të tjera relikte të zejtarisë
interesante që, shtegtari, ngado që të ketë ardhur këtu (qoftë nga Evropa,
qoftë nga Bota e madhe) do të marrë diçka së bashku me kujtimet e paharruara
dhe mbresat e jashtëzakonshme e të papërshkrueshme.
Prej ballkonit të kalasë fotografojmë peizazhin befasues të
Beratit. Malet krejtësisht të këndshme në vetvete, të veshura me rrobën e
bardhë. Ja froni i Zotit Tomor, mali i Dodonës së Zeut, kodrat që jeshilojnë
prej ullinjve shekullor, rrugët e qytetit, çatitë e shtëpive me tjegulla të
kuqe, kambanoret e kishave dhe minaret e xhamive, brigjet e lumit Osum plot hijeshi.
Maja e Goricës rrethuar me gjelbërimin e pishave. Mbi majën e kalasë së
ndërtuar në kohën e Ilirisë së Lashtë, kanë mbetur rrënojat e dëmtuara nga
shekujt e largët, nga sulmet e pushtuesve dhe agjentët natyrorë.
I japin jetë shpirtërores
Në kala shfaqen ngrehinat e faltoreve, që rrëmbejnë kaltërsi
qiellore nga bronze kambanaresh. Ishin tridhjetë kisha ku çdo familje autoktone
përmbushte boshllëkun shpirtëror. Sot gjenden të ruajtura vetëm dhjetë. Ato,
ndërtesa përbëjnë margaritarët e arkitekturës fetare.
Muzeu “Onufri” në Kishën “Fjetja e Shën Mërisë” është
rindërtuar në themelet e një kishe pasbizantine. Me hajatin elegant çmohet në
shkallë ballkanike për origjinalitet. Brendësia e kësaj faltoreje të shenjtë
është përtej së bukurës. Aty ka afreske të purpurta nga dora dritë e Onufrit.
Ikonastasi i Kishës “Fjetja e Shën Mërisë” mban si datë vitin 1807, si një nga
veprat më të mira të shekujve XVII - XVIII, i krijuar nga mjeshtrit oparak të
drugdhendjes: Stefan Barka dhe Naum Ngjela. Po aty ishte banesa e mitropolitit
të Beratit, Kaninës dhe gjithë Myzeqesë, me disa karakteristika të stilit
barok.
Këmbët më çuan te kisha e “Shën Triadhës”, që përpos
ndjesisë së qetësisë ka një strukturë mbresëlënëse dhe unike.
Në kishën e “Shën Mitrit” pamja e gurëve të bardhë dhe arti
i gdhendjeve në dru të ikonastasit, të dhuron çaste qetësie dhe paqeje që
rrallëkund i gjen nëpër botë.
Në kishën e “Shën Vangjelizmoit”, me një arkitekturë të
veçantë, ngjyrat e ikonave të gjalla, ikonastasi i veshur me dru të gdhendur
lyer me llak ngjyrë ari, parmakët e drurit të gdhendur dhe kolona e mesit me
shkallët që gjarpëronin rreth saj, dukeshin një thesar i porsazbuluar.
Kisha e “Shën Kostandinit dhe Helenës.” Legjenda thotë se i
është kushtuar Elenës, nënës së perandorit Kostandin, që në udhëtimin në Tokën
e Shenjtë, në Jerusalem, u takua me historianin e kohës, Eusebio dhe ky i
tregoi historinë e Krishtit. Nga ai çast Elena, këshillohet me të birin
Kostandin nga Nishi (Naissus në Iliri) dhe kësisoj fillon krishtërimi në
Evropë. Kisha ka dysheme të shtruar me pllaka guri (me rombe) dhe në qëndër një
mozaik bizantin. Afër kishës ndodhet një bust i Kostandinit, në përmasa të
mëdha vetëm pjesa nga supet e sipër.
Më tej kisha e “Shën Shëngjergjit” ku janë zbuluar të
murosur dy kodikë (dorëshkrime pergamene biblike, të shkruar mbi lëkurë me
gërma ari ku sistemohen, përmblidhen ligjet ose rregullat e një qyteti).
Në kishën e “Shën Dëllisë” që i është kushtuar profetit
Ilia, nuk mund të mos provosh një ndjenjë të çuditshme adhurimi për afreskat që
kanë emrat e shenjtorëve të shkruar në Shqip.
Kisha e “Shën Vllahernës” e ngritur me rastin e fitores kundër anzhuinëve në fund të shekullit XIII është mbrojtur nga banorët në vitet, kur objektet e kultit nën thundrën e diktaturës ishin shkatërruar ose tjetërsuar.
Mangalemi “emblemë”
Erdhi një kohë dhe qyteti u shtri përtej atyre mureve të
kalasë, në lagje të tjera. Sakaq rritej, frymonte, ndryshonte, midis lumit dhe
kodrave. Banorët tejet krenarë sakrifikuan për ruajtjen e genit dhe
trashëgimisë kulturore. Kaq afër, kaq të prekshme, kaq shumë prani monumentesh,
kaq shumë histori, kaq shumë rrezatim…
Të pengohen sytë në rrëmujën e ndërtimit urban, të pallateve
të vjetra, të ndërtimeve të reja me arkitekturë moderne me ftohtësi të betontë.
Njëra prej ndërtesave më të bukura të qytetit (e ish – universitetit piramidë)
me kupolë si të kapitolit, e transformuar tashmë në hotel, farfuronte nga
dritat.
Zbresim nga kalaja nëpër “Shtegun e Eremiteve”, te shkëmbi i
thepisur, një peizazh piktoresk që duket pothuajse surreal, sikur do të binte
mbi kokë. Aty është kisha, një ndër të parat në Berat, emblematikja e
kryeengjëllit “Shën Mihali”, që lidhet me zgavra nëntokësore të ndërtuara nga
murgj heremitë. Kur dëgjon këmbanën aty, bekim merr. Këtu u mbajt meshë për
shenjtorin Shën Nikodhim, i cili u martirizua nga kadiu turk me prerje koke,
pasi refuzoi të mohonte Krishtin dhe të kthehej në besimin mysliman.
Mangalemi me pamjen miqësore, të qepur në shkëmb si në
telajo, të mahnit me bardhësinë dhe dritaret një mbi një në rresht, si
shkronjat e librit. I sheh ngado që hedh sytë: shtëpitë ikonike që kanë ruajtur
shumëçka nga tradita, me një hijeshi elegante, me faqe të bardha muresh,
çardakë të mëdhenj, çati të kuqe, rozeta tavanesh plot motive floreale, çezma,
ura, nartekse, ikonastasë, ikona, këmbanare, kupola bizantine, mozaikë, minare,
salla lutjesh, abdesa, qemere të qendisur me tulla, shpella heremitësh, porta
të gdhendura druri, tipologji oxhakësh, puse, koloneta qoshesh të drunjta,
sofate, oda, etj.
Në rrugën “Mihal Komneno”, gjendet edhe muzeu “Solomoni”,
një zbulim, gjetje, hulumtim, një ndihmesë me vlerë, me fakte, emra, ngjarje,
rrëfime, dokumente, dëshmi për hebrenjtë e Beratit. Këtu gjen Abrahamin dhe
Davidin, Solomonin dhe Moisiun... Në kohën e tragjedisë që solli murtaja
antisemite e Holokaustit, Berati strehoi, shpëtoi dhe mikpriti mbi 600 hebrenj;
tregoi virtyte, vlera, bujari, fisnikëri, qytetari, humanizëm…
Këmbët të çojnë pranë “Portës së Pashait”, portik i dyerve
të mëdha, e gdhendur në mermer të bardhë, me motive dekorative në formë të
dhëmbëzuar, ku në të majtë të saj spikasin dy basoreliev që paraqesin: Diellin
e stilizuar (Perëndia kryesore Ilire), gjarprin (Totem Ilir); ndërsa në të
djathtë konturet e një “Kali me shalë”. Në sheshin e Selamllëkut, sarajet e një
nga dyerve më të mëdha në Shqipëri, të Vrionasve. Eruditi Jusuf Vrioni
shkruante se Vrionasit janë një fis nga më të shekujshmit, të njohur ndryshe si
oxhak që rridhte prej paleologëve princërorë të Myzeqesë.
Nën retë e hirta, rrugët gëlonin nga njerëzit dhe makinat.
Duke ecur ngadalë përmes një rrugice me kokërdhokë gurësh të lëmuar ulemi në
një cep të një kafe qoshk ku shfaqej një pamje e mrekullueshme e gjysmës së
qytetit. Në krahë të saj Xhamia Mbret. Ndikimi i arkitekturës islame shikohet
në tavanin e saj. Adhuron rozetën e dekoruar me motive floristike dhe shkrime
nga citate të kuranit.
Lumi që ndan qytetin. Ura që bashkon lagjen Goricë me të.
Ujërat e lumit Osum rrjedhin në shtratin e tij shekullor
(nganjëherë rrëmbyeshëm e rrënimtar) si vetë jeta që rrjedh në kohë dhe në
hapësirë, për t’u bashkuar kilometra më poshtë me Devollin dhe së bashku
firmojnë Semanin. Ura ikonike, një kryevepër e mirëfilltë arkitekturore, si
fjongo e bardhë.
Ndalëm pranë saj. Një peizazh surreal: pemë të zhveshura,
gurë të skalitur kalldrëmi dhe shtatë harqet e lakuara që e hijeshojnë si
vetulla nusesh.
Qyteti dhe lumi prej shekujsh, kanë ruajtur afrinë, pandashmërinë
e, pothuajse, dashurinë mes tyre. Mbi kalldrëmin e saj të prekur nga troku i
shekujve, vallë, sa këmbë njerëzish, kuajsh, karrocash, kishin shkelur? Simbol
i historisë, të lidhjes së lagjeve të qytetit dhe ndërlidhjeve tregtare me
Përmetin, Gjirokastrën, Janinën e më tej, që është ndërtuar 300 vite më parë
prej pashait të Beratit, Ahmet Kurt Pasha, me haraç vendas dhe koncepte
arkitekturore osmane.
E kalojmë urën të përkëdhelur nga jehona e lumit Osum të
tejmbushur nga shirat e ditëve të fundit.
Zbresim buzë lumit, poshtë urës, të vëzhgoja këmbët, të
cilat prej shekujsh rrinë zhytur në ujin e ftohtë. Përtej madhështisë së saj
strukturore, një legjendë rrëfen për një dritare në njërën nga këmbët e urës që
kishte të fshehur një kukull të drunjtë (e mitit të murimit) që ajo të ishte e
qëndrueshme, të mos shembej. Atje hidhet kryqi në çdo 6 janar në ditën e Ujit
të bekuar. Simbolikisht, edhe në shkrimet e shenjta, nëpërmjet pagëzimit me
ujë, bëhet lidhja e trupit dhe shpirtit me frymën hyjnore... Bekoheshin ujërat
e lumit me Dritën e shenjtë që vjen nga kryqi, mbi të cilën u martirëzua Zoti
ynë, për të vërshuar në shpirtrat e njerëzve Mirësi, Paqe, Dashuri…
Pamjet e lagjes Goricë, të “qendisura” magjishëm, nuk ka se
si mos të të rrëmbejnë shikimin. Kalojmë duke e rrotulluar kokën sa andej-
këndej, në shtëpitë, ku historia ka rrënjë në çdo gur, në rrugicat e ngushta me
kalldrëm, në portat e drunjta dhe harqet. Herë-herë, tek i vështroj, kopshtet
plot pemë pa asnjë gjethe, më përfshijnë ndjesi të copëzave nga një botë
tjetër, që nuk është më. Rruga të çon në vende të çlodhesh e të pushosh, në
bujtinat ku, pos syve teksa vështron ornamentet plot dekorime, të kënaqësh edhe
gojën.
***
Qyteti hedh mbi supe mantelin e përhimtë të muzgut. Shtëpitë
një mbi një dritareve ndezin dritat e tyre dhe duket se çdo cep pëshpëritin
përralla dimri.
Një këngë pikuar nga pjalmi djaloshar që buçiste nga ndonjë
apo disa çakërqejf prej pijes alkoolike, të ngërthyer nga melankolia prekëse,
ndërsa ktheheshin me përtesë për në shtëpi, të kujton zanën, atë peizazh sa
idilik aq edhe romantik kur ajo priste djalin lozonjar të legjendës.
Aman po thërras
Hiç njeri s’dëgjon
Kur hyj në Mangalem
Në zemër më pikon…