Udhëpërshkrim » Gorica
Pëllumb Gorica: Përpjetë liqenit të Vaut të Dejës
E premte, 14.10.2022, 08:00 PM
PËRPJETË LIQENIT TË VAUT TË DEJËS
Udhëpërshkrim nga Pëllumb Gorica
Udhëtimet
e papritura të japin më tepër emocione. Kënaqësia është e pa fund kur shkel për
herë të parë perlat e bukura, kur shijon qetësinë, freskinë, vështron ujërat,
gjelbërimin…, që të japin ca ndjesi, të cilat zbukurojnë shpirtin e udhëtarit.
E rëndësishme është të dish ta kundrosh, shijosh e vlerësosh.
Është
vjeshtë, një ditë e ngrohtë, që të kujton fundin e verës. Ecim drejt hapësirave
të panjohura të trevës së Shkodrës, të rrethuara nga një gjeografi mahnitëse,
ajër e pastërti, bollëk uji e frutash dhe një prej trevave hijerënda në
histori, e mbushur me vlera të jashtëzakonshme në art, kulturë, religjone,
ndërtime...
Rruga
gumëzhinte nga lëvizje, shikoja përreth... Sytë rrëshqisnin si në një film me
xhiro të përshpejtuara, në pamjet nën një qiell kaltërsie dhe diell që derdhte
dritë të florinjtë mbi gjithçka: shtëpi-vila, rrethuar nga kopshtie të vogla
dhe të sistemuara me nikoqirllëk. Tërheqëse në pamjen e parë të tyre me të
gjithë të mirat e Zotit. Mendja të vrapon te shtëpitë e sistemit komunist, që
ua mori frymën banorëve. Një çast ndalon i mrekulluar dhe s’ngopesh duke i
parë, si fëmijë ëndërrimtar që përhumbet në kopshte parajse.
Freskia
dallohej menjëherë, sapo morën rrugën drejt Mjedës. Befasohesh nga panorama
magjike që ndryshon pothuajse në çdo kilometër. Befasohesh edhe nga vendbanimet
anës rrugës, të baraslarguara dhe emërtimet e tyre të gjetura.
Rragami
dukej si këmbë e zgjatur reje. Natyra këtu ka dhuruar me tërë madhështinë e saj
bollëkun. Sheh toka të punuara në çdo cep dhe mirëqënie në shtëpitë. Ndonjë e
re, ndonjë e vjetër që ngrenë kokën në degët e shegëve, ftonjëve, dardhave,
hurmave me më shumë kokrra se gjethe dhe duken si diej që verdhëllojnë
shndritshëm, sa dielli kishte zbritur dhe po puthej me 'to. Në krahë le parcela
me gjelbërim vjeshtor, që ndërthuren nga gërshetat e rreshtave: të misrit,
fasules, domates, vreshtave dhe pemëve frutore në valëzime ngjyrash. Veçse mund
të them se hardhitë kishin një prodhim të bollshëm.
Pas
90-ës shumica e banorëve ikën drejt qyteteve për një jetë më dinjitoze, të
cilat në të vërtetë janë kthyer në makthe, sepse nuk gjendet në qytete rehatia
që të krijon gjelbërimi i këtushëm, qetësia, ujërat, ajri dhe syri i Natyrës.
Ecim
në një rrugë të ngushtë, gati rrugicë, që ndan arat, në fund të së cilës pas
kodrave të buta me gjelbërim shtrihet mbi një pjerrësi buzë liqenit të Vaut të
Dejës restoranti "Zemra e Ballkanit", i rrethuar me drunj dekorativë,
që të le përshtypjen e një fotografie.
Njeriu
në çdo kohë krijon kushte për një jetë normale dhe elementët bazë të jetës janë
shtëpia, uji, ushqimi, rruga dhe puna. Si kudo në Shqipëri, po ngrihen
restorante, bujtina dhe ferma agro-turistike: në bregdet, buzë liqeneve e
lumenjëve, në fusha, fshatra e qytete dhe veçanërisht në zonat malore. Po rikthehen
emigrantët për të investuar në tokat e veta, duke shpëtuar veten nga të qenit
argatë të grekut, italianit etj. Po çlirohen energji të fjetura dhe nuk ka më
bukur kur në kohën e një tollovie që ka kapluar këtë vend e këtë shoqëri,
shquhen njerëz pasionantë e të përkushtuar.
Astrit
Ahmataj (Tito) ka jetuar 16 vite në emigracion dhe me mund e dashuri hapi këtë
restorant, që bie në sy për gatimet cilësore të traditës së zonës e mbi të
gjitha për higjenën e pastër, shërbimin e kulturuar dhe çmimet e pranueshme. Të
mendosh pastaj që është i pari restorant në Rragam, dyerhapur, në shërbim të
turistëve dhe Astriti guida e parë aty.
Ndalesën
e parë këtu, si për t’u çlodhur nga rruga e gjatë. Adhuron topografinë e
natyrës, freskinë dhe bukuritë e fshehta të liqenit.
Poshtë
ujërave, tokat e përmbytura 50 vjet më parë, kur u ndërtua hidrocentrali i parë
i Vaut të Dejës mbi lumin Drin. Nga HEC i tij shndrit gjithë Shqipëria. Për
liqenin janë shkruar vepra letrare (romani “Kulla buzë liqenit”, poema “Qiriu i
fundit” drama “Përmbytja e madhe”, vepra këto të Kol Jakovës, në pikturë,
dokumentatarë, drama dhe librete operash (“Mrika” Prenk Jakova), këngë etj.
Liqeni
ka sjellë një përmirësim të mikroklimës së trevës, duke ndikuar në zhvillimin
dhe jo vetëm, që do të thotë shumë për banorët e sipas mundësive të ndërtojnë
jetën e tyre. Dimrave në kohë shirash ujërat e rrëmbyeshëm përmbytin fushat, të
mbjellat në 'to, stallat, pularitë, rrugët, shtëpitë e banimit të Nënshkodrës.
E
hedh vështrimin në hapsirën që shfaqet para syve. Qetësia vetë njeriun e bën të
heshtë kur shikon shpendët dhe peshqit që të bëjnë të dashurohesh pas tyre e
t’i fotografosh. Sheh dhjetra peshkatarë, që japin e marrin me grepat apo
rrjetat, sheh njerëz që futen edhe në ujë, ndërsa ca të tjerë me varka të
vogla, si felluket ilire, herë vetëm fillikat e herë nga dy a tre, shkojnë e
vijnë përgjatë pasqyrës së ujërave.
Dua
të veçoj këtu një tjetër mundësi: shëtitjen në liqen me varkë apo skaf në të
fshehtat e liqenit dhe brigjeve të tij, që fitojnë hapësirë tjetër, të
pakrahasuara me asgjë tjetër.
Qëndron
një çast me vështrimin mbi atë masiv uji të liqenit të Vaut të Dejës. Dikur
këtu rridhte Drini nëpër brigjet e bleruara me ara, lëndina, pyje e plot
vendbanime. Ai zhduku shumë bukuri dhe jetën me hovet e saj, por ka ofruar një
tjetër lloj peizazhi. Kjo zhdukje, një dëm i pallogaritshëm i kujtesës sonë
historike.
Krijimi
i liqenit krijoi edhe një ishull të vetmuar, një vend ku historitë dhe
legjendat janë të pafundme. Më interesantja dhe e pabesueshmja ishte ajo që na
treguan se një herë e një kohë ishte qytet.
I
bashkëngjitemi dëshirës për të udhëtuar në bukuritë magjepëse të ishullit të
Shurdhaut. Të tjerë ishin nisur drejt shpellave karstike të madhësive të
ndryshme (secila me histori të vetën).
Varka,
nga ato që transportojnë vizitorë, shkiste mbi ujin e liqenit të gjelbërt si
ulliri, ndërsa lundronte në pasqyrën e tij, bëhej më i kaltër, sa përnjimend të
dukej sikur fluturon në qiell.
Jemi
me fat që varkëtari, Lodovik Zefi, si një epikurian i sotëm, i dashuruar pas
natyrës, shoqërisë, gëzimit, është një shpirt i hapur, që gjen të veçantën, aty
ku një njeri i zakonshëm nuk i vë re. Ke kënaqësi të dëgjosh rrëfimet e tij të
këndshme për gjithçka që shihnim në këto brigje magjepëse të liqenit, malet që
lartohen drejt qiellit, shpellat, pyjet dhe kishat.
Eh,
sa shumë larmi relievi: ujëra, lugina dhe kodra të veshura nga gjelbërimi, diku
të thata dhe të prera nga sëpata, diku të harlisura. Cukali përballë me
madhështinë si në prrallë, shkëmbinjtë e thepisur që ngrihen si gunga; kulla me
banorë që jetonin si në Eposin e Kreshnikëve përmenden për bujari e mençuri, sa
udhëtarëve që rrugëtonin, u hapnin dyert me bujt edhe nëse ishin të panjohur.
Në vend të ujit u jepnin verë, u jepnin bukë e ushqime, duke dëshmuar kështu
vlerat dhe traditat e lashta të malësorëve.
Sipas
të thënave, aty ngriheshin manastire, që shpesh ishin edhe vende peligrinazhi,
ku shëronin shpirtrat e njerëzve, por sot mezi duken.
Ne
shohim edhe lartësinë malore Margjelo e më dukej sikur dëgjoja këngën
shkodrane:
Margjelo
mori margjelë,
çilma
syrin që m`ke mshelë,
o
Margjela e malësisë,
thuja
kangve që mban isë...
Ishulli
të ngjan me një diamant të shndritshëm përmbi ujërat e liqenit. Zbresim në breg
dhe ecim përgjatë mureve, që janë dëshmia më bindëse e ndërtimeve të një qyteti
mesjetar.
Dikur
në lashtësi (i banuar qysh në shekujt e 8-6 para lindjes së Krishtit) vendasit
i kanë thënë Sardë, qyteti i 366 altarëve. Pastaj emri në kohë ka marrë formën
e sotme, Shurdha, që mban të njëjtin kuptim fillestar, çka konfirmohet jo
thjesht përmes elementëve të ndërtimorë, por edhe dokumenteve që përcaktojnë
moshën dhe historinë e tij, një qytet që ka luajtur rol të rëndësishëm
strategjik, politik e kishtar.
Me
ndërtimin e liqenit të Vaut të Dejës, një pjesë e tij u mbyt, por do të
mbeteshin reliket e këtij qytërimi. Kalaja do të ruante muret dhe kishat e
shumta.
Ne
do t'i prekim këto gjurmë kokëforta të shkatërruar nga flaka e luftërave, të
zhytura mes gjembave, hithrave e ferrave. Do t'i rrëfejmë ca nga ca më poshtë
vlerat dhe çka syri vështron vendet e jashtëzakonshme të Sardës, mesjetën e saj
të banueshme dhe dhimbjen e harresës historike. Arkitektura e tyre tregon për
të parët tanë që përherë kanë ditur të zgjedhin vendet për të jetuar, anës
lumejve dhe afër burimeve të ujit, pasi “uji është jeta”...
Kureshtja
e shpenguar të sjellë në mendje ato që dinim për Sardën dhe qytetet
bregadrinase tepër të zhvilluara në Mesjetë, duke filluar nga Sapa, Danja,
Komani, Dushmani e deri në Va Spas. Kronikanët bizantinë në periudhën e
Mesjetës kanë shkruar për kështjella e qytete të fshira nga faqja e dheut,
kisha të djegura, grabitje dhe vrasje të shumta ndër popullsinë e tyre.
At
Bernardin Palaj thotë: “Sarda, Sardum asht Shurdhahu i sotëm, një ndër qytetet
e hershme iliriane. Straboni popullin e këtij qyteti e njeh si ndër ato fise,
që përbëjnë kombin ilirian në brigjet e Adriatikut...” (B. Palaj “Dioqeza e
Pultit”, Hylli i Dritës, 1943, nr. 4 - 5, faqe 188)
Ndërsa
Jeriçek shkruan: “Në kohën e pushtimit romak të fuqishëm ishin deasitiatët dhe
pranë tyre sardeatët (Sardasit) e të tjera vendbanime, të cilat nuk mund të
përcaktohen saktësisht”. (Jeriçek, “Historia e Serbëve”, faqe 42).
Në
shekullin XV Sarda ishte një qytet mjaft i zhvilluar. Këtu jetonin familja e
dukagjinëve. Princi Lek Dukagjini kishte rezistencën e tij të fortifikuar. Mbas
vdekjes së tij ky (qytet) shkatërrohet nga pushtuesit osmanë.
Tregohet
një histori për Sardën, se njëherë kur ishin takuar dy pleq e kishin pyetur
njeri-tjetrin se nga je: -unë jam nga pjesa e epërme. Po ti nga je: -unë jam
nga pjesa e poshtëme. Dhe çudia qëndron në faktin që në atë kohë ata nuk
njiheshin.
Në
vitin 877 Sarda ishte qendra më e rëndësishme e Pultit (Polatit). Ishte seli
ipeshkvore prej 1290 deri më 1460, që përmendet në një letër të Papës Celesti i
Parë (422'432 pas Krishtit) i cili ia dërgon ipeshkëve të Ilirisë në Konsilin e
Efizit më 15 mars 431.
Ndërsa
kalonim rrënojat e mureve të kalasë, që rrethonin qytetin e poshtëm dhe atë të
sipërm, Lodoviku tregoi legjendën e Portës së Kunorës, që mbante të ndarë
qytetarët e thjeshtë nga prijësit e tyre:
-Ata
djem që arrinin me kokë harkun, ishin gati për martesë për të mbajtur rracën të
pastër, ndërsa ata që ishin më të shkurtër, i dërgonin në luftë.
Sarda
ishte një nyje lidhëse rrugësh mes Shkodrës e Prizrenit, që lidhnin Adriatikun
me Veri-Lindjen, të përmendura nga kronikanët, por edhe memuarët e
priftërinjëve katolikë. Sipas kadastrës së vitit 1417, thuhet se nga Shkodra
dalin tre rrugë: Tartareske, Skiavoneske dhe e Kanarit. Tartareske është ajo e
Vaut të Dejës - Pukë - Qafë-Mali, Kukës e Prizren. Skiavoneske kalonte në tokat
sllave dhe e Kanarit që kishte drejtim lindor për në Sardë-Koman-Kabash-Raj,
por edhe në Qafë-Mali e Prizren.
Në
Sardë kishte një urë guri, të cilën na e bënë të ditur at Gjon Karma: “Ura mbi
Drì përpiqte motit Shurdhahun me Meshkallën, u kapte te Kisha e të Mbytunve në
shkrep të Meshkallës (At Gjon Karma “Ndër Malet Tona” faqe 182).
Kisha
“Të ngjiturit e Zojës në qiell”, që ishte seli ipeshkvore, kulmonte në
misteriozitetin e mjegullës kohë. Më bëri përshtypje emri i kishës, sa
Lodovikut i kërkoj një spjegim etiomitologjik dhe semantik të këtij emri, por
ai fillon e tregon legjendën e saj.
“Të
dielën e Pashkëve Shurdhaun (Sardën) e pushtuan turqit. Ata kishin tentuar disa
herë për ta pushtuar. Një grua plakë që ruante bagëtitë, u thotë se është e
lehtë për ta pushtuar. Komandanti i ushtrisë turke i premton një kalë me hejbe
me flori nëse tregon enigmën. Kështu të
dielën e Pashkëve luftëtarët e Shurdhaut dhe popullsia shkojnë për të festuar
në Katedralen e Mazrrekut e rrënuar
kaherë që, sipas të thënave, i takonte vitit 1200. (Thuhet se edhe Mazreku
ishte qytet me shtëpi afër njëra-tjetrës sa kalonte macja çati në çati. Në
Mazrrek nuk ka shkelur asnjëherë turku për ta pushtuar). Meqënëse ura e Shurdhahut
ishte e lëvizshme, ushtria turke depërtoi në ditën e Pashkëve dhe pasi e
pushtoi, i masakroi të gjithë. Ajo gjuajti me topa edhe kishën e Mazrekut.
Ishte e dielë dhe banorët ishin mbledhur brenda saj për meshë.”
Hyjmë
në portën e kishës “Të ngjiturit e Zojës në qiell”, sikur hyjmë në një tempull
të lashtë. Tregohet një legjendë tjetër interesante, por askush nuk ia ka vënë
veshin. Sot e kërkojnë, por nuk e gjejnë vendin ku ishte fshehur kumbanorja e
saj, apo të një kohe, jo shumë të largët për kambana të tjera, që u rrëmbyen
prej duarve të harbutëve.
Nën
një përjetim të romantikës natyrore, që të fisnikëron emocionet e
papërmbajtëshme, ne zbresim drejt një murishteje të përpirë nga bimësia dhe
shkurret. Shikon breshka të hutuara dhe zvarranikë, që dinë të fshihen me
mjeshtëri nga ne. Këtu ruhen edhe gjurmët e një varreze arbërore të shekullit
VI-VII.
Shurdhau
tashmë më dukej kaq i njohur. Muret, kishat, gjelbërimi, qetësia, shkuma e
bardhë që linte varka, pasqyra ujore që lag brigjet e bëri tufën e ndjenjave të
holla të bashkëshkruanin këtë përshkrim. Ende më dukej e pabesueshme që isha
atje.
*Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Ndalohet kopjimi
apo riprodhimi i pjesshëm apo i plotë me çdo lloj mjeti apo forme, pa lejën me
shkrim të autorit.