Udhëpërshkrim » Gorica
Pëllumb Gorica: E shenjta Voskopojë
E diele, 31.10.2021, 07:00 PM
E SHENJTA VOSKOPOJË
Ekskluzive nga Pëllumb Gorica
Të
udhëtosh në Voskopojë, në këtë magji të shenjtë, duhet të përgatitesh
shpirtërisht, për të përballuar dhe shijuar bukuritë e saj. Voskopoja është
frymë e legjendës së begatë mesjetare, e veshur me vello mistike e përpjesëtime
të panatyrshme qytetërimi e zhvillimi ekonomik, i ushqimit shpirtëror të
kulturës dritë-art dhe historive të bujshme, që sot me fanatizëm ruajnë gjurmët
e tyre.
Kjo
nuk e step asnjëherë kureshtjen e njeriut për të mësuar nga historia e saj e
hershme dhe me kënaqësi, mund të shprehësh mbresat e tua me entuziazëm.
Është
një ditë e ngrohtë, fund tetori. E ndjen ajrin e freskët, sikur të jetë
pranverë. Ecën në fushën e Korçës dhe, pa e kaluar orën, duke medituar e
vëzhguar natyrën në të dyja anët e rrugës, makina përshkon Voskopin (Deapolin e
antik, qyteti i Zotit), përmes pishave, arave të mbjella e livadheve, ku
kullotnin tufa bagëtish.
Voskopoja
të shfaqet para syve krejt befas rrëzë maleve të Oparit. Sot, ashtu si
dikur me kultin e madhështisë, që vetë Perëndia i kishte vënë dorë, është
përveç se kënaqësi e të jetuarit dhe shtëpi mikpritëse për të gjithë, me një
lloj ngrohtësie në shpirt, që të afron pothuajse gjithçka, kjo është fare e
qartë, më pak se sa është vlera e vërtetë e saj.
Kumte nga historia e
largët
Voskopoja
ishte një qendër e rëndësishme e besimit ortodoks, të kulturës dhe historisë
shqiptare, në fillimet e qytetërimit urban, si shembulli më kuptimplotë i
vlerave. E kaluara historike dhe madhështore e saj, është një “kapërcim” i
jashtëzakonshëm kohor, me shumë pika të errëta e të pathëna, ngjyra të kohës,
shkëlqim dhe kulturë qytetare. Një vend ku dashuria njerëzore u shkatërrua, nga
ata që urrenin zhvillimin.
Dëshmohet
të ketë filluar të jetohet intensivisht në shekullin XIV. Sipas Martininianit
në Kodikun e Shën Prodhromit, si vit i themelimit të Voskopojës mbahet 1330.
Themeluesit e saj ishin nga familja e Muzakajve. Ajo tërhoqi drejt vetes
banorë, edhe nga etnia e vllehëve, që për nga identiteti dhe origjina, hyjnë në
popujt me rrënjë të lashta historike të Evropës, në gjuhë, zakone, besim,
tradita, kostume, antropologji etj. Në trojet shqiptare vllehët në fillim ishin
të vendosur në trevat e Korçës, Pogradecit, Përmetit, Kolonjës, Gramshit, etj.
Ata ngritën këtu dora-dorës Voskopojën dhe bijëzat e saj të qytetëruara:
Grabovën, Lllëngën, Niçën, Shipskë- Krushovën e Nikolicën, me njësi matëse të
mundshmes së një qyteti, për nga zhvillimi dhe kultura. Aty e kulturuan banorin
shekullor të tyre në binarët e paqes dhe të moralit.
Studiuesi
gjerman, Thunmann, shkruan se Voskopoja në kulmin e saj ka pas 30 mijë banorë.
Ndikimi
i lëvizjeve të mëdha përparimtare të iluminizmit europian të kohës e bëri
Voskopojën vatër të zjarrtë, ku shpërndahej kulturë dhe përflakje qytetërimi. E
thënë më qartë u krijua një qytet, me vlera të pashlyera të një ‘’përsosje’’,
që sot përfytyrohet mes heshtjes së padukshmërisë.
Akadamik
Aleks Buda e quante Voskopojën djep të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, me librat
e shtypshkronjën e themeluar në vitin 1720 nga murgu voskopojar Johan
Kostandini. Ata shkruanin, shtynin dhe botonin traktate të inspiruara nga
Decart, Liebnic etj. Është e njohur
biblioteka me dorëshkrime të shumta në greqisht dhe latinisht, me korifejtë
Teodor Kavalioti, me gramatikën katër gjuhëshe, mes tyre shqip e vllahçe,
sigurisht me shkronjat e kohës e më pas me shkronja latine nga Danil
Voskopojari, Boiagi etj. Kontributi i tyre është i paçmueshëm në jetën
historike, politike dhe ekonomike të shoqërisë shqiptare, duke u tretur për të
shëndoshur themelet e saj e, mbi të gjitha në ngarkesat e kohësisë për të
ndriçuar dije. Ndërsa Kadare do të shkuante se, Voskopoja ishte një mini Trojë,
ku zuri fill iluminizmi shqiptar, nga e para akademi në Ballkanin Perendimor
për shkenca që më 1744: psikologji, filozofi, astronomi, matematikë, fizikë,
gramatikë, theologjia e sofizëm, duke pajtuar petagogët më në zë e duke rritur
numrin e nxënësve që vinin nga familjet e shtresave të larta. Pa të nuk do
ishte as Korça që është sot, duke përfituar jo pak nga influenca e saj.
Lindi, lulëzoi, u
shua...
Voskopoja
ishte një krijesë e magjishme, një copëz drite që lindi e rrezatoi në errësirën
e shekujve me intesitet material e ndjesi njerëzore. Një gravurë në ballinën e
kishës së Shën Kollit tregon shtrirjen e dikurshme të Voskopojës me kupola
guri; sa që, befas, para syve të mendjes të konturohet historia e saj e madhe
dhe e bukur, me banorë që, duke jetuar në paqe e harmoni, si askund tjetër në
trojet shqiptare, me normat e qytetëruara, me bazë e drejtime ekonomike dhe
prirje për dije e kulturë; më rrugët e kalldrëmta që tingëllonin nga paktojt e
karvaneve, shtëpitë e gurta, të mbuluara me plloça e tjegulla romake, hanet, ku
bujtnin udhëtarë e tregëtarë, portat me qemer guri, sofatet dhe çezmat, kishat
me këmbanoret e tyre, ku banorët faleshin e respektonin simbolet e
krishterimit. Bukuria e natyrës, freskia e pyjeve dhe gurgullima e ujërave
unifikoi shpirtin e tyre. Begatia e saj u rrit e evuloi në mënyrë të
konsiderueshme. Familjet e mëdha të kohës zhvillonin një tregti, art, kulturë
dhe marëdhënie me qytete të tjera, duke e kthye në një qendër të lulëzimit
ekonomik me: banka, shoqëri sigurimesh, shtëpi për të vobektit, me zejet e
përpunimit të metaleve, në mjeshtërinë e leshpunuesve (derstilat), për guna,
velenca e veshje, të gëdhendjes së gurëve dhe drurëve, të përpunimit të
produkteve ushqimore, etj. Çdo krijim kishte dy ndjesi: ekonomike dhe
artistike. I patën rënë me karvane kuajsh dhe mushkash kryq e tërthor jo vetëm
territoreve rreth e qark, por
shfrytëzuan edhe hapësirat e gjëra të Ballkanit, që nga Serbia, Mali i Zi,
Bullgaria, Rumania, Greqia deri edhe në Turqi e Egjypt. Për t’u njohur nga të
tjerët kishin të gdhendur stemën e shqiponjës në mallrat që tregtonin në tërë
portet e Mesdheut, Napolit, Venedikut, Selanikut e Bosforit.
Në
kohën kur po dridhej Perandoria Osmane nga lëvizjet kombëtare (Voskopoja i
verboi me dritën rrezatuese) u egërsuan veprimet ndaj qytetërimit të saj.
Mënyra më mirë për ta shpërbërë, në formën më të dhimbshme, që dhimbja mund të
njohë, ishte djegia e shkatërrimi i pamëshirshëm i kësaj qëndre të iluminizmit
në Ballkan.
Në
një pllakë guri në Voskopojë lexon: “Në kujtim të viktimave gjatë tri djegieve
të Voskopojës 1769, 1789, 1916”, që shënuan fundin e lulëzimit të Voskopojës,
nga mëndjembrapshtësia e dashakeqësve turq e grekë dhe bejlerëve të Dangëllisë,
duke e ndëshkuar në altarin e vdekjes për së gjalli, nga njerëzit e deri te
gurët, (kufomat njerëzore dhe bagëtitë dergjeshin nëpër rrugë, ku thuhet se me
ditë të tëra edhe qentë janë shqyer me to), sa u kthye Voskopoja në një peizazh
të rrënuar dhe në një farë forme në errësirë letargjie.
Ata
që i shpëtuan asaj mizorie, e cila mund të krahasohet me ekzodin biblik të
popullit të Davidit, morën udhën, ashtu kuturu, në drejtime të ndryshme për të
mbjellë jetë të re në Korçë, Ohër, Manastir, Shkup, e më tej në Elbasan, Berat,
Vlorë, Kavajë, Durrës e deri në kodrat e Tiranës (sot Parku i Madh), ku paria e
qytetit u dha tokë për të ndërtuar shtëpitë dhe dyqanet, e njëkohësisht disa
kisha më kryesoren kishën e Shën Prokopit dhe kullën e Sahatit. Ata kishin
profesione të ndryshme si esnafë, bakërxhinj, kujunxhinj, terzinjë,
karvanxhinj, gurëgëdhendës, zdrukdhtarë etj, zeje këto për të cilat qytetet
kishin nevojë. Të tjerë të larguar, morën me vete edhe këmbanat për të siguruar
vetëqenien, atje ku u vendosën, në Lushnjë, Kuçovë e Fier. Ndërsa pjesa tjetër
për të gjetur valë të qeta në shpirt përmes vështirësish, me ndjenja e mendime
të fisnikërisë kapën fate të mpleksura, në tokat e Hungarisë, Austrisë,
Gjermanisë, Italisë, si vatra politike e kulturore të rëndësishme të Evropës së
asaj periudhe, duke ngritur atje perandorinë e kulturës dhe zhvillimit ekonomik
të tyre për të shkruar histori, duke kontribuar për institucionet dhe kulturën
e tyre kombëtare, në të gjitha fushat e mundshme, si bamirës filantropë,
bankierë, resturatorë me besimin, mirësinë, thjeshtësinë dhe edukatën e të
parëve, merita që bota e ditur nuk i ka mohuar. Ata ikën me logjikën pragmatike
të mbijetesës së qetë dhe kësisoj kthimi i kokës për të shkuarën, si heshtje
ndaj ndjeshmërisë për vendin, i bënte të lirë nga “skllavëria” që po kalonin trojet
shqiptare.
U
larguan nga Voskopoja dhe në mënyrë të pavetëdijshme të duket sikur ajo fjalia
e bukur, me të cilën nobelisti Gabriel Garsia Markesi e përmbyll romanin e tij
“Njëqind vjet vetmi”, për fiset e dënuara u shkon përshtat voskopojarëve “…nuk
u jepej asnjë fat tjetër këtu”.
Ngjarje
tronditëse të historisë së saj, të endin në përfytyrimin e një plage që kur e
gërvisht rrjedh hidhërim. Emri i Voskopojës është domethënës dhe e mban gjallë
atë histori dhe ata që banuan aty. Ajo edhe pse e djegur dhe shkatërruar nga
duar ogurzeza kurrë nuk e humbi erëmimin magjik, si një gur xhevahiri ndër
shekuj.
Arti e tregon bukurinë
Jo
gjithmonë e reja zhduk e le në harresë të vjetrën, atë simbolikë të lidhur me
historinë, ngjarjet, emrat, kohën, arkitekturën, artin e religjionin. Në
Voskopojë, krahas gërmadhave të mureve, të flasin me bukurinë e tyre, faltoret
e shenjta, këto monumente thesare me elementë ndërtimorë që datojnë, nga
shekulli XV deri në XVIII.
Teksa
i vështron kishat e stilit bazilikal, që kanë mbetur sa gishtat e dorës,
hyjnore e të magjishme, por edhe të mistershme, të mahnit arti i tyre i
pazakontë nga dora e David Selenicës, Kostandin Shpatarakut, vëllezërve Katro
(Çetiri), Konstandin Leromonakut, Kostandin dhe Athanas Zografit, që të ndikuar
nga shkolla fiorentine e pikturës, me afreskat, ikonografët, ikonostaset dhe
skulpturat e shdërruan Voskopojën në vezullim estetik dhe magji. Sa lutje kanë
dëgjuar muret e tyre, sa herë jehuan e ranë këmbanat dhe sa herë ikonat e
shenjtorëve, të pikturuar me dekore florale u vështruan me dashuri. I varfëroi
trauma e komunizmit, që jo vetëm përdhosi shënjtërinë e tyre, duke i përshtatur
në magazina prodhimesh e stane bagëtish, por dhe i grabiti e i shkatërroi
afreskat e ikonostaset koha e demokracisë. Noli në vitin 1906 shkruante me plot
krenari se në Voskopojë, vetëm në kishën e Shën Thanasit, ishin një mijë ikona.
Ecim
oborrit të gurtë, të pastër dhe mistik, ngjitur harqeve të zbukuruara me
ormanente në kishën e Shën Kollit. Mahnitesh nga arkitektura e saj, nga pllakat
gjithë rombe, të cilat koha i ka hirësuar e i ka bërë si retë e zeza në qiell
dhe rrasat e gurit që e mbulojnë, nga pikturat e panumërta dhe gdhendjet e
shumta. Hyjmë brenda kishës përmes portës së dekoruar ndritshëm. Vezullonte
flaka e kuqërremtë e qirinjve, që digjej pa pushim me një dritë të ngrohtë, ku
përvijoheshin ca hije të gjata, si magjia e misterit. Asgjë nuk pipëtinte
përveç llamburitjes së ngjyrave të afreskeve, që vetë Perëndia na e lejoi t’i
kemi trashëgimi deri në ditët e sotme. Përballë të shfaqet froni dhespotik. Po
aq e bukur është edhe kubeja e pikturuar me një gjuhë simbolike.
Ikonat
e shenjtorëve sikur të ndiqnin me sytë e tyre të lodhur nga shekujt dhe të
dhurojnë aq shumë emocione. Të pikturuara nga dora e artë e David Selenicës, në
çerekun e parë të shekullit XVIII, duke anashkaluar skemën bizantine të
pikturimit, këtu gjen figurat e të gjithë shenjtorëve të kishës ortodokse me në
krye Jesu Krishtin, Virgjëreshën Mari dhe apostujt. Duke vështruar veprën e
këtij piktori qiellor kemi këtu një nga veprat më të bukura të historisë së
pikturës sonë mesjetare, “Farëhedhësin” e afërt me njeriun e gjallë, me veshje
të kohës, të bujkut që e hedh farën e Perëndisë në tokë të mirë, me qëllim që
ajo të mbijë e të lëshojë bimë të shëndetshëm.
At
Thoma Samara, një prift i bëshëm, me rrobën e tij të zezë gjer në fund të
këmbëve dhe me një kryq të madh varur mbi gjoks, na priti e na përcolli me
dashamirësi. Nuk shterojnë temat e bisedës me të; për banorët e hershëm këtu
dhe jetën e tyre, për atmosferën shpirtërore brenda shpirtit të amshuar, për
mënyrën e të sjellurit dhe të vepruarit me kulturë. Njohuritë e tij historike,
të argumentuara përçojnë thellë rreze kuruese. Të duket sikur shfleton një
revistë dhe lexon devocionin, përuljen, besimin, përkushtimin, humanizmin,
thjeshtësinë, besnikërinë, paqëtimin e mirësisë, fjalës së ëmbël e balsamit të
shpirtrave.
-Në
kishat e Voskopojës, si gjithandej, -të thotë At Thomai, -mbruhej morali
dhe kurohej zemra e njerëzve për krijuesin e ringjalljen shpirtërore, ku
shkruhej e mësohej gjuha dhe edukohej për të mos u çnjerëzuar, ku edhe
përjetoheshin ritualet si naforja, vera apo meshat e pagëzimet. Sa dëshpëruese
do të ishte jeta nëse nuk do të egzistonte progresi i shpirtit pa dashurinë e
pa paqen për mbi dhe, në rrugëtimin e vështirë drejt përsosjes së vlerave. Kjo
ka qënë e është filozofia për të ndërtuar moralin njerëzor, ajo çka na mëson
jeta, të ndërtojmë marrëdhënie shoqërore përmes dashurisë për të bërë të paqtë
ndërgjegjen, moralin shekullor, që të mos ketë vend urrejtja.
Shumë
syresh, më të ngeshmit, ngjiten drejt një kodre ku gjendej kisha e Shën Ilias
(Profet Ilias). Ajo sikur të gozhdon me pamjen e zymtë. Këmbanorja e shkëputur
nga ndërtesa e saj lartësohej dhe të ngjante si një roje. Përreth saj shkurret
mbytnin rrënojat e ndërtimeve të hirnosura, nga koha e agjentët atmosferikë, që
të flisnin në shpirt me një hije trishtimi. Ato shpërndajnë përfytyrimin e një
jete të banuar. Në krah të derës së kishës qëndron një llamarinë e ndryshkur,
ku me vështirësi lexon: “Monument kulture i ndërtuar në shek.VI-IX. Mbrohet nga
shteti”, ndërsa një dry i varur me zinxhir mbyllte kanatat e saj. E shtyjmë
derën mes gërvimave të çjerra, që gati të rrëzohej para syve dhe futemi brenda.
Po sapo e kapërcen, shikon një botë trarësh, me cerga merimangash, aq sa ndjen
prekjen e pëlhurave të tyre në fytyrë. Nga çatia hynin rreze drite, të cilat
dukeshin si shigjeta të ndritura, që ndriçonin muret e zverdhura, që të jepnin
imazhin e mbetjeve të fosilizuar prej shekujsh, ku ende ruhen shenjtorë e ikona
të rrënuara, me një ngjyrë të zverdhur, që thërrasin për ndihmë. Ndërsa në
dysheme libra fetarë të shkalafitur përziheshin me copa suvaje dhe qirinj të
shformuar.
Kalojmë
urën e Shën Prodhromit atje pranë ish-kampit të pushimit, ku shfaqet Manastiri
i Shën Prodhromit, që zgjon kureshtjen për arkitekturën e rrallë, si një
kështjellë. I ngjitemi kodrës së rrethuar nga gjelbërimi i pishave së bashku me
turistë, prindër me fëmijë në krahë, të rinj, të cilët shpejtonin për të hyrë
në manastir. Kur futesh brenda ndjen se je duke udhëtuar në largësinë e katër
shekujve më parë, kur u ndërtua. Ai është rrezëllues me gurët e latuar. Aroma e
paqes e shpërndarë në çdo cep të tij, sikur përtërihet në ringjallje çdo 24
qershor në festën e Shën Marisë me panairin tregtar. Atë ditë, si asnjë ditë
tjetër, e ngjizur në shpirtin e njerëzve, shfaqet fryma magjike e tij në
kohëra.
Një Korçë në miniaturë
Zëra
të shkujdesur çapiten rrugicave, që të ngjajnë si duar të bardha njerëzish; në
restorantet, hotelet e bujtinat; në tregun e vogël të mbushur me fruta e perime
të stinës: arra, lajthi, rrush, ftonj, shegë, mollë të freskëta e të
përpunuara, oshaf, raki, bimë medicinale, si çaji i malit, sherebelë, djathë,
gjalp, gjizë e mjaltë dhe punimet me dorë e tezgja. Ne si bletët ngarkohemi me
to, madje plot.
Të
kaplon një ndjesi mirëqënie në Voskopojë. Përherë të bën përshtypje
natyrshmëria, një ndjenjësi e pabëzajtë e ndërtimeve të reja e të vjetra, sa
ngjajnë si një peizazh poetik, duke të kënaqur brenda tyre. Ato nuk janë jo
thjesht vepra ndërtimi, por më shumë vepra artistike, aq, sa mendja të vjen në
vend nga sugjestioni i utopisë dhe iluzionet e rrejshme të qyteteve tona, të
pushtuara nga ndotësia, zvetënimi dhe banaliteti i pa fund. Kur mrekullia ecën
paralel me vlerat e dorës së njeriut e thjeshtësisë dhe njëherazi gojëmbëlsisë
së tyre, edhe në atë që nuk preket prej bukurisë së syve, druaj të them se janë
aq shumë këtu teksa kultivojnë shije, mirësi, dashuri dhe natyrshmëri. Bukuria
arkitekturore dhe natyrore me elementët e qytetërimit, të aristokracisë së re
të qytetërimit të vjetër e hijeshojnë jetën e përditshme këtu, me mirsjelljen,
njerëzoren, punën e tyre, mimikën dhe zërat gazmorë (edhe me një buzëqeshje e
vleresojmë kujdesin e tyre). Ato patjetër janë frymëzuese për të kënaqur
vizitorët, që i bëjnë voskopojarët të vetëdijshëm për të kërkuar më shumë nga
vetja dhe të tjerët. Ndaj dhe përpiqen të ndërtojnë jetën dhe biznesin e tyre
në bazë të këtyre parimeve.
Në
Voskopojë shijon kuzhinën tradicionale, që është e vlersuar nga shërbimi i
kulturuar dhe cilësia e ushqimeve nepsndjellëse, krejt të freskëta, i gatimeve
tradicionale, si mishi i qengjit të pjekur në hell e sidomos i lakrorit të
famshëm në saç, me shijen e vet të palimituar.
Së
bashku me miqtë ulemi të çlodhemi në bujtinën Falo. E madhe, e bukur dhe e
gjitha në gur nga jashtë dhe brenda aq këndshëm, me shijet e së sotmes moderne,
aq sa është e vështirë të gjesh vend në fundjavë.
Biseda
rrjedh këndshëm, por edhe gotat e verës njëra pas tjetrës. Emocionet në kësisoj
rastesh bëjnë punën e tyre e mjaftojnë të ndizet atmosfera, sa eklipsohesh prej
dëshirës së zjarrtë për t'u dëfryer me tingujt e një kitare, që përcjellë zëri
i bukur i një të riu premtues nga këngë
të vjetra, por aq të dashura, mësuar e kënduar brez pas brezi. Të godasin në
shpirt dhe të lind dëshira të këndosh edhe ti me ato tingujt të ëmbël, që na
kujtojnë vitet e rinisë.
Në
Voskopojë pamë, prekëm dhe ndjemë historinë e saj, si një hoje plot me mjaltë
brenda mureve kokëfortë të shekujve. Me madhështinë që në formë e ruan edhe sot
është zonjë plot nur.
Të
gjitha të drejtat janë të rezervuara. Ndalohet kopjimi apo riprodhimi i
pjesshëm apo i plotë me çdo lloj mjeti apo forme, pa lejën me shkrim të
autorit.
Copyright
© Pëllumb Gorica & ZemraShqiptare.net