E premte, 19.04.2024, 12:48 AM (GMT+1)

Udhëpërshkrim » Gorica

Pëllumb Gorica: ‘’Arratisje’’ larg Tiranës

E marte, 21.07.2020, 08:58 PM


..."ARRATISJE" LARG TIRANËS

“Më e mira është në udhëtim” Sadiu poet Persian

Nga Pëllumb Gorica

Të udhëtosh në të jashtëzakonshmen, që gjendet në Shqipërinë tjetër, të hijshmen, të paqtën, nuk e shpjegon me shumë fjalë, nga emocionet që përfton prej tablove të pafundme natyrore, të pikturuara aq bukur. Nga dëshira për të kërkuar atë të bën të “arratisesh” nga rutina e qytetit.

Në përgjithësi ne shqiptarët kemi krijuar varësi në disa gjëra pak të rëndësishme, si kafenetë, dhe nuk kemi shijuar asnjëherë gjërat me vlerë që na rrethojnë. I përfshirë nga ndjesia larg lodhjes, e shkaktuar nga përditshmëria, për të thyer monotoninë tej papërshtatshmërisë së realitetit, sot hapi im më solli, në një vend përrallor, te perla e Syrit të Ciklopit, në mrekullinë e pyllit, ajrit, blerimit, shkëmbinjve, ujit, midis Tiranës e Elbasanit.

U nisëm drejtë Syrit të Ciklopit. Bukuria e egër e tij, të fton bujarisht të çlodhesh, e sidomos në verë, ku nuk ndjehet vapë, por një freski e këndshme. Për Syrin e Ciklopit kisha dëgjuar shumë. Kisha parë dhjetëra fotografi e video nga vizitorë të ndryshëm. Me misterin e së panjohurës dëshira ishte e madhe për ta parë nga afër. Kur udhëton, si kudo në rrugët e Shqipërisë nuk mund të rrish pa shijuar, ndryshimet e krijuara nga njeriu, rrugët e reja, shtëpi e vila, restorante e hotele, pishina e kalçeto, të cilat mbijnë dhe zhduken përpara syve. Vështroj edhe peizazhet e mbjella me kultura bujqësore, drufrutorë e vreshta, atë djersën e njerëzve punëtorë, e më shumë pasurinë natyrore, me forma nga më të ndryshme të relievit, lumin Erzen që kullon me gurgullimën e argjendë, përrenjtë e liqenet, kodrinat e malet në një gjeomorfologji interesante, pyjet e lisave, pishave, shkozave, etj, që u bëjnë shoqëri kafshët e pyllit. Ato janë një thirrje për të rinjtë tanë, që të dalin nga kafenetë dhe t`i vizitojnë ato.

Përpara se të kalosh tunelin e Krrabës përgjatë rrugës plot me automjete drejt Elbasanit, të zbardhon rrëzë një shpati të sheshtë qyteza e Krrabës, një territor mineralmbajtës që mori jetë në fillim të viteve '40 të shekullit të kaluar nga një shoqëri italiane. Ndryshimet në kohë, pas viteve '45, me hapjen e puseve të rinj minerarë qymyrgurorë sollën lëvizje demografike me të ardhur nga fshatrat rreth saj; Mollagjesh, Krrabë e Vogël, Mamël, Skuterrë, Rozavere dhe Kllojkë, që jo vetem nga vendosja, por edhe si njerëz punëtorë e populluan dhe zhvilluan këtë qendër urbane të jetuar nga 3 mijë banorë.

Krraba dhe ish miniera nuk është ajo e dikurshmja. Ajo duke u përpëlitur në udhën e mbijetesës, është pakuar gjithnjë e më shumë nga madhështia e saj e dikurshme, e jo vetëm është drejt rrënimit, por përbën dhe rrezik të madh për jetën e banorëve e gjënë e gjallë atje, me grykat e hapura dhe gazrat që çlirohen. Thuajse të gjitha minierat në Shqipëri janë rrënuar pas mbylljes së tyre. Ato nuk janë më, siç ishin dikur, madje janë braktisur nga banorët. Ata pak, jetojnë në një shkretëtirë të harruar mes një hiçi të madh, që të trishtojnë dhe të bëjnë të revoltohesh nga tragjikja, e cila shfaqet e mprehtë, haptazi dhe në kuota sipërane. Ajo shpesh është e shpërndarë në mijëra thërrime e kur hedh sytë të dhemb shumë, nga djersa që u shpërdorua në mënyrën më të parespektuar e antihumane. Krraba, me ato pak pallate të ndërtuara me kontribut vullnetar është kthyer në një turmë e çpersonalizuar si kavie sociale, pasojë e trajtimit çnjerezor që u bëhet nga strukturat e të gjitha forcave politike, të cilët vijnë këtu për vota apo për t’u shfaqur në TV kur ndodhin fatkeqësi natyrore, e sjellin ndonjë pako ndihma. Dhe ajo që të trishton më shumë është fakti që janë aq të demotivuar për t`i parë ndonjë gjë të bukur jetës këtu, në mes të hiçit, edhe, pse i janë kthyer kultivimit të bimëve, drufrutorëve e mbarshtrimit të bagëtive, që ngjallin shpresë për ditë më të mira dhe ndryshim të cilësisë së jetesës. Por këta njerëz e shohin të ardhmen këtu me pesimizëm. Kopshte të mbjella me perime e drufrutorë dhe ndryshimet demokratike (rrugë, kafene, markete, shkolla), i shpërfytyron pamja e kasolleve të bagëtive ngjitur pas banesave, që janë simbol i gjallë i bashkëjetesës me banorët, të cilat kutërbojnë ngado erë plehu, dhera, e mbeturina aq të dukshme. Sigurisht i fshehin një rresht ndërtimesh të rrugës kryesore, që të mos duken.

Ndaj aty nuk mund të marrësh asnjë kënaqësi, por duket se nuk është kështu në lartësitë shkëmbore. Kur të shkel këmba në këto anë shikon sa mrekulli kanë përreth tyre banorët e Krrabës për t’i shfrytëzuar në dobi të zhvillimit të saj ekonomik. Pasi kemi lënë Krrabën, nuk duhet shumë kohë për të arritur në Syrin e Ciklopit (emrin nuk e dinë as banorët nga e ka marrë), në ngjitjen e përpjetë, nga shkëmbinj të zgavëruar nga gërryerjet, në të clat mbështetet Krraba e Vogël, me shtëpitë çati gri mes blerimit të drufrutorëve, e më së shumti me ullinj të lashtë, e kredhur në një heshtje pikëlluese. Ato në kohëra kanë favorizuar qëndresën e armatosur të banorëve të Krrabës, ku mëson edhe detaje mbresëlenëse të ruajtjes së vlerave etnokulturore e autoktone të Malësisë së Tiranës. Gjurmë historike të vendbanimeve të hershme ilire, të rrënuara nga koha gjenden të ruajtura deri në ditët e sotme. Në lartësitë e saj ka mure rrethuese të një kalaje ilire e antikitetit të vonë, që ishte pikë mjaft e rëndësishme strategjike, e cila kontrollonte luginën e Erzenit, e ndërtuar në kohën e Justinianit (shekulli i V pas Krishtit. Sipas historianit të tij, Prokopit të Çezaresë; “Mbrojtjen e Ilirisë e kishte kthyer në një çështje personale Justiniani i Madh, ku ndërtoi sisteme fortifikimi në të gjithë territorin e saj për ta mbrojtur nga inkursionet e barbarëve”. Realisht, sot kemi me dhjetëra rrënoja kështjellash, të kësaj periudhe në Shqipërinë veriore e të Mesme, të ndërtuara me urdhër të Justinianit, të cilat aty-këtu kanë gjurmë.

Krraba e Vogël është një vendbanim i mesjetës së hershme e pikë e rëndësishme strategjike që kontrollonte rrugën e karvaneve Tiranë-Elbasan. Rruga që ndjekim të çon në një tjetër vendbanim, të Skuterrës, që hijeshohej nga shumëllojshmëria e drufrutorëve; kumbulla, shegë, dardha, fiq që bënin hije, e nëpër trungjet e tyre kacavirreshin pjergulla me veshulë midis gjetheve, të rrethuaranga gardhe manaferrash, që ishin bërë për t’u këputur, por edhe bimë aromatike (çaj, salep, sherbelë, rigon, trëndelinë etj), dhe një vend i përshtatshëm për zhvillimin e blegtorisë, sidomos asaj të imët. Në një frymëmarrje pushuese udhëtojmë edhe në historinë e saj. Por, ndonjëherë ne shqiptarët të lodhur nga shumëllojshmëria e historive dhe luftrave, nuk duam të flasim më për to, kur vetë jeta jonë është luftë e përplasje në kohë, të asaj që ishte dikur, të asaj që jemi ndarë, e të asaj që po vjen. Interesant është historia e Skuterrës, me njerëz të thjeshtë, punëtorë, atdhedashës, të guximshëm, të sakrificës, të dashur, të përkushtuar ndaj përgjegjësive, fjalëmbël e mikpritës. Jeta këtu është ngritur me gjak. Pushtuesin ka ditur ta presë, me çarkun e ngrehur të pushkës. Skuterra e djegur dy herë: në vitin 1915 nga serbët dhe në vitin 1944 nga gjermanët mbijetoi, por tani po i harrohet edhe emri. Skuterrës nuk i kanë mbetur as dhjetë shtëpi në një varfërie të tejskajshme gjer në dhimbje, me shpirtin e djegur nga tharja e limfës së jetës punojnë ato copa arash, ashtu siç thotë fjala e urtë ia marrin me zor bukën tokës.

E vazhdojmë udhëtimin drejt grykës së Murdharit, nëpër një rrugë dredha – dredha e tepër të ngushtë, që sa vinte bëhej më e pjerrët, më keq se në një “udhë mushkash”, sa këmba të prek vetëm gurë të ronitur në kohëra e shkrepa tejmase të thepisur. Zbresim, aty, ku rrjedha e ujit të Murdhanit që gjarpëron e ka ndarë shpatin shkëmbor, duke krijuar një bukuri të veçantë. Na ledhaton fytyrat një puhizë e pastër me një freski dehëse. Syri s'mund të rrijë pa u ngacmuar edhe nga gjelbërimi i drurëve të dendur pyjor, që gërshetojnë degët e pemëve, për të formuar tunele gjelbërimi, me fëshfërimën e simfonisë së flladit mëngjesor, që së bashku me pamjet piktoreske të shkëmbinjve, të dhurojnë kënaqësi të tjera. E dëgjojmë cicërimën e zogjve, cërritjen e karkalecave dhe muzikën e gurgullimës së ujit ndaj shpejtojmë hapat. E pabesueshme çfarë bukurish krijon natyra. E kujton Naim Frashërin, që këndoi me aq afsh e zjarr për malet, fushat, pyjet, çukat, gerxhet e veçanërisht për lumenjtë e Shqipërisë.

Nga këto lartësi pamjet e hapësirave të largëta që sheh syri, të shfaqen si në pëllëmbë të dorës deri tutje, e të duket vetja sikur do të fluturosh. I kundrojmë endshëm të përshëndetur nga rrezet e diellit, teksa ato përthyhen në shpatin shkëmbor. Kush ka ardhur këtu e nuk është mrekulluar nga madhështia e maleve të Krrabës, Pashkasheshit, Priskës dhe Dajtit, që ngrihen si një gardh madhështor në lindje të Tiranës dhe pellgut të saj, e deri tej e më tej si në pëllëmbë të dorës. Thepisjet e malit të Pashkasheshit thyhen frikshëm nga zgafellat e lumit të Skerranës, që zbret potershëm e humnershëm herë nëpër zallishte e herë duke u shtyrë faqeve shkëmbore. Legjenda thotë se kur Skënderbeut i zunë pusi në qafën e Pashkasheshit, kali i tij e nuhati dhe u hodh nga një kep në tjetrin mbi lumin e Skerranës, në një distancë prej 500 metrash, duke ngulur thundrat matanë, në malin e Skuterrës. Sot vendasit u tregojnë kalimtarëve gjurmët e mpiksura të kalit, si relike në shkëmbin e fortë.

Syri ndesh një peizazh të degraduar, nga erozioni i fuqishëm i ujërave sipërfaqësorë mbi shkëmbinjtë flishorë me përmbajtje të madhe argjilore. Ato janë edhe pasojë e veprimtarisë së ndërhyrjes pa kriter të njeriut, veçanërisht i keqpërdorimit të bimësisë natyrore. Duke ecur shikon trungje dhe pemë të prera e dègjon uturimat e kamionëve dhe eskavatorëve me gërvimat e tyre, që ofshonin si kafshë mitike, dhe kafshonin shpatet shkëmbore për nxjerrjen e gurëve dhe grryerjen e shtratit të lumit të Murdhanit për të ndërtuar HEC-e. Murdhani sikur klithte nga dhimbja, që po i thajnë ujin duke e futur në tuba, sa të vjen të revoltohesh që po shkatërrohen edhe këto mrekulli nga babëzia e bizneseve gurore. Kur përballesh me këto pamje, gjendesh midis dy botëve, ku njeriu dhe natyra janë në mirëkuptim të plotë, dhe në atë, ku njeriu është i angazhuar në luftë kundër natyrës. Në një mënyrë a në një tjetër, deri këtu, të gjithë e kemi parë, prekur fenomenin e mësipërm kudo në Shqipëri, siç edhe e kemi pranuar pa dashjen tonë, të shndrrohet në shkatërrim, nga teknologjia që ka vrarë natyrën, duke i nxjerrë jashtë rropullitë e tokës sonë; duke zgavruar shpatet e kodrave dhe maleve, duke trazuar ujërat e lumenjëve, duke i poshtëruar e fëlliqur me plehra, e shkaktuar plagë pyjeve me prerje e zjarre. Sot njerëzit e fuqishëm kujtojnë se janë zotër e mund të bëjnë çfarë të duan me Natyrën. E ç'nuk është bërë të zhduken, ca nga ca monumentet e bukura. Natyra të ndëshkon rëndë. Shtëpitë në shumë zona fushore janë ngritur buzë lumenjëve, që shpesh janë përmbytur. Rrugët janë bllokuar nga gurët e shpateve shkëmborë. Ndaj të papërgjegjshmëve të shkatërrimit dhe tjetërsimit të natyrës shqiptare, dhe atyre me pushtet që kanë dhënë leje duhet të ngrihen për ndalimin e tyre.

Në rrokopujën dhe mish-mashin e përgjithshëm ku noton Shqipëria, ndoshta nuk janë bërë gjërat ashtu siç duhet, por e rëndësishme është që ky vend nuk është i panjohur si pak kohë më parë, por një oaz i qetë që vizitohet aq shumë nga adhurues të Natyrës. Këtë peizazh natyror tepër piktoresk herë pas here djem e vajza nga Tirana e Elbasani e gjallërojnë me kukurisje.

Uji, si lot i kthjellët bën shakatë e tij në një grykë të ngushtë e krijuar nga shkëputje tektonike në mijëra shekuj, e shplarë nga rrjedha e tij, herë nëpër gurët e herë mblidhen në pellgje, të cilat u ngjajnë pishinave, që nën shkëlqimin e argjendë të diellit krijojnë ylbere të çuditshme. Në njërin nga ato me formën si sy i madh dhe ujin e kulluar që ka (një nga pellgjet e mëdhenj), si një sy ciklopi, ndaj e kanë quajtur herët Syri i Ciklopit, një mister në të njëjtin kohë, me të veçantën e një etimologjie mitike, ku ta ka ënda të pushosh. Bukurinë këtij pellgu ia shtonin shkëmbinjtë, që shërbenin si sop i lartë për të bërë hedhje nga lartësia në ujë kokëngulthi. Ky ritual na grishi edhe ne të hidhemi e kridhemi në kaltërsinë e ujrave të pastra, që është tepër emocionuese.

Me t`u këputur nga pellgu uji zbret teposhtë nëpër gurët e stërmëdhenj me shushurimë, duke përkedhelur brigjet me valët e tij të ëmbla. E kundron lojën e shkumbëzuar të ujit në shtratin e ngushtë, që thellohet në kanion me brrylime të befta, me shpella e trajta piktoreske shkëmbore, ujvarat me lartësi 3-10 m, gropa të thellë e plot humnera përpirëse dhe govata të mbushura plot. Është e bukur për t`i parë dhe shijuar, por e vështirë për të shkuar thellë tyre.

Janë këto disa nga mrekullitë e natyrës këtu, pasi ka dhe shumë të tjera, që përbëjnë pjesën më qetësuese, jo vetëm për një adhurues të natyrës, por edhe për një vizitor të thjeshtë. Ujërat rrjedhin dhe shtojnë ndjesi të tilla, jetëdhënëse të realitetit gjeografik të luginës së Erzenit, që bashkëjeton me fushat, kodrat, e vendbanimet e shtrira përgjatë tij derisa derdhet në Detin Adriatik.

Pas çlodhjes nëpër gurë e hijet e pemëve buzë lumit ujëpastër, pikërisht atëherë kur ndjenja shpirtërore e përmbushi kënaqësinë e saj, si në çdo rast tjetër që shfaqet para syve, ky peizazh i Malësisë së Tiranës, na e hoqi lodhjen si me dorë.

U rikthyem në Tiranë, në shijen e një të diele të veçantë në këtë oaz bukurie mahnitëse të Syrit të Ciklopit. Duke hequr shëmtimin që i ka bërë babëzia e njeriut, çdo gjë tjetër është një magji e vërtetë, që nuk e shikon në asnjë vend tjetër. E kemi shijuar bukurinë piktoreske, duke u ”arratisur” vetëm pak orë larg nga pluhuri i Tiranës.



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora