E premte, 11.10.2024, 12:31 AM (GMT+1)

Udhëpërshkrim » Gorica

Pëllumb Gorica: Kanioni i Holtës - Mrekullia joshëse e natyrës

E diele, 06.10.2019, 01:47 PM



KANIONI I HOLTËS - MREKULLIA JOSHËSE E NATYRËS

Nga Pëllumb Gorica

Sa më shumë të udhëtosh, sidomos, larg nga qytetet e zhurmshme mes gjelbërimit, ajrit të pastër, ujit dhe diellit, si dhuratat më të çmuara që na ka falur Zoti, mund të shohësh në thelb Shqipërinë e (pa) njohur, me misteret gjeografike dhe historike, që ofron secila krahinë. Kur i shikon nga një kënd tjetër, i vlerëson dhe i ndjen në thellësi të shpirtit, duke rendur me dëshirë drejt të panjohurës.

Me përshtypjen e së bukurës

Është një ditë e bukur. Drita tërësore e qiellit në këtë freski mëngjesi na përshëndet me mjegullimën dhe valëzimet e avujve. Marrim një udhë të gjelbër drejt trevës së Gramshit. Përtej xhamave me vesë mëngjesi ajo rrëshqet, si në një film me xhiro të përshpejtuara. Treva e Gramshit është mjaft mikpritëse, me mikroklimën dhe elementët e mjedisit gjeografik, ku do të shohësh mrekulli që nuk i ke njohur. Aty do të gjesh masive të shumta shkëmbore me dekoret e tyre interesante, ujëvara, burime të freskëta e kuruese, liqene si perla, qetësi e erë flladitëse, që të mbush gjoksin në çdo metër katror, kanione e shpella dhe pastërti, që jo të gjitha zonat e Shqipërisë e kanë.

Devollin e stërlashtë i cili rridhte kushedi qëkur, herë në vërshimin e rrëmbyer e herë të shtruar me gjarpërime, tashmë dora e njeriut e ka shndërruar në H/C, me të gjithë infrastrukturën, si gjurmë e një ndërgjegjie tjetër kohore aty. Ndalemi për të shijuar panoramat buzë ujërave të liqenit të krijuar prej tij, ku në njërën anë shtrihet krahina e Sulovës, deri në këmbët e malit Tomorr (larg shihet edhe ai), dhe nga ana tjetër krahina e Shpatit me varg kodrinash magjepsëse që ngjiten shkallë-shkallë deri në malin Bukanik.

Prej këtej marrim kthesën e parë në të majtë, mbi një kodër të veshur me pisha, që nuk është më shumë së 10 kilometra të tjera deri te kanioni i Holtës, si një ujdhesë, e cila kalon afër rrjedhës së lumit me të njëjtin emër, që derdhet në liqenin e Banjës. Gurgullima e lehtë e ujit kristal, të vjen si një fllad në themelet e kënaqësisë, dhe ngjan si një polifoni e këngës së shpirtit të bukur punëtor, bujar e zemërmirë gramshiot. Prej shumë kohësh buzë kodrave e lumit janë ngritur fshatrat: Driza, Gjergjovina, Kotorri, Bardhaj, me shtëpi të vogla. Aty-këtu ndonjë shtëpi e tyre e ndërtuar rishtas, dy- trekatëshe, ku ngrinte pak shtatin e rrethuar nga pamje përplot ngjyra të vjeshtës, që prej ditësh ishte shtruar qetë-qetë, dhe e zbukuronte paqësisht natyrën. Para ca ditësh kishte rënë një shi i madh jetëdhënës për banorët, i cili kishte ngopur tokën dhe kishte freskuar natyrën. Ne përkëdhelemi nga kjo freski me aromën e frutave, duke na ëmbëlsuar më shumë ardhjen, ndërsa banorët i kishin përfshirë punët e stinës, në mbledhjen e prodhimeve dhe përgatitjen për mbjelljen e drithërave.

Pyjet e masakruar deri te çdo filiz i drurëve në vitet e marrëzisë allashqiptarçe të trazicionit (dikur kishte pyje të pafund) kanë nxjerrë zbuluar brinjët e ashpra në mijëra vjecarë të lartësive shkëmbore. Ato janë të karakterizuara nga thyerje gravitative deri në 90°, me karstite, me çarje si kanion, gjithashtu dhe në brendësi me gropa e shpella horizontale, të mbushura me mjegullën e së panjohurës.

Shpella e Kabashit përbën një objekt me vlera shkencore, pse jo kulturore dhe turistike. Ajo mendohet të jetë një nga shpellat e stërmëdha natyrore në Evropë. Të shkosh atje nevojitet një farë guximi për të eksploruar të gjitha kthinat e saj, ku nuk të mungon të vështrosh aq shumë mistere, që nuk i ke hasur më parë, me përshtypjen se ndodhesh në një tjetër dimension nga mrekullitë e stalagtiteve dhe stalagmiteve. Rreth saj ka edhe hamendje, që ngjallin kureshtje, të një dalje afër malit të Sopotit.

Shpalosja natyrore e lartësive shkëmbore të sjell afërmendsh, edhe gjurmët e kohëve prehistorike me “paralele historike”, që mbartin në veten e tyre qëndresën deri në kufijtë e të pamundurës për mbijetesë të banorëve në vendbanimet dhe fortifikimet. Mbi një shkëmb të lartë, nga ku përfton një lloj kundrimi të luginës dhe maleve rreth e rrotull vërehen gjurmë muresh, që dëshmojnë hershmërinë e një fortese me histori të veçantë e Shek. IV-III p.e.s. deri në Shek. XII-XIV e.s., e njohur edhe si kalaja e prijësit të kësaj treve, Gjorg Golemit. Të joshur nga legjendat dhe historitë gojore që vijnë nga thellësitë e kohërave, të cilat ruhen me fanatizëm gati-gati të shenjtë sa ka realitet sot, u lëshuan me pangopësinë e tyre, me “kuç e me maç”, me kazma e lopata, dhe aparate metalkërkuese për të gjetur thesare të çmuara. Ata nuk kanë lënë gur e mure të kësaj kalaje, shpella rreth e rrotull, vende të shenjta, varre, këmbëza urash të lashta, themele shtëpish të rrënuara e pragje portash (edhe sot gërmohet fshetas). Nëse nuk do të ishte shkatërruar do të kishim më të plotë muret e saj për “syrin” e vizitorit. Edhe në rrënimin e saj, kalaja e Tërvolit qëndron me madhështinë e një simboli qëndrestar të kësaj treve kundër pushtimit turk. Ndërsa në faqet e pingulta të Gurit të Grykës janë dy gjurmë kali, të mbetura si relike. Një nga legjenda thotë se ka fluturuar kali i Gjergjit nga Galigati e nguli thundrat këtu.

Natyra plot e njerëzit shkatërrues

Oshtima gurgulluese e ujërave që nuk njihte pengesa dhe vërshonte mes gurëve na ftoi për ta parë nga afër kanionin e Holtës, këtë monument të bukur natyror të trevës, e pse jo edhe të Shqipërisë. Sapo hyn brenda tij e shkel deri në pafundësi, mahnitesh me punën titanike të ujërave në një epokë gjeologjike të largët. Kur nuk na ndanin as 10 hapa para shpateve të pjerrëta shkëmbore, shquhet qartë një tabelë blu: “KANIONI I HOLTËS” MONUMENT NATYROR - MBROHET NGA SHTETI. Por, pas mijëra vjetësh që prej formimit ndjen një dhimbje nga “kuçedra e rizgjuar”, me tjetërsime të natyrës rreth tij, që po bëhen jo vetëm këtu, por kudo, nën maskën e “zhvillimit”, në miratim projektesh masakruese, pa kritere social-kulturore dhe mjedisore. E tregojnë muret dhe betonimi i një dige, që do të thotë se rreziku për ndërtimin e një HC, këtu, të cilët duan t’i marrin ujin e lumit, për ta futur në tuba e tunele, për të zhdukur ca nga ca bukurinë e egër të kanionit, dhe në mënyrë të pashmangshme, të shkatërrojnë turizmin që ka nisur të lulëzojë. Përballë vlerave natyrore dhe historike me të keqen, çdokush duhet të reflektojë me kurajo civile, pa asnjë kompromis për të marrë fund fuqia e një grushti njerëzish, politikanë dhe pushtetarë, demonë të shkatërrimit, të krimbur nga korrupsioni, kriminaliteti, vjedhja e mashtrimi, por edhe të çlirimit nga oligarkët që të zaptuar fund e krye prej babëzisë së tyre, me tendencat gllabëruese dhe mizore ndaj natyrës. Nuk munguan kundërshtimet e banorëve, por edhe të qytetarëve, intelektualëve e specialistëve të shumë fushave nga Tirana, Gramshi, Elbasani, të shoqatave për mbrojtjen e mjedisit, të preokupuar më shumë se të tjerët, që të ndërpriteshin punimet. Vlen të theksohet se strukturat e pushtetit lokal, duke qënë afër banorëve s’kanë ngurruar për asnjë çast të shprehin kundërshtimin e tyre, ndaj projektit shkatërrues të Holtës, që është një hap pas pavarsisht rrugës që ka zgjedhur biznesi.

Sidoqoftë, natyra e merr veten kur e lenë të qetë në punën e saj, në dashurinë që e duam me shpirt për ta mbajtur të paprekur, si bukuroshe që të lumturon, sepse, sa më shumë dhe më thellë e kuptojmë atë dhe pasurinë e saj, aq më shumë indinjohemi, nga heshtja e vëmendjes së shtetit. Përtej këtyre ndjenjave, janë edhe disa mësime që mund t’i nxjerrë lehtësisht çdo shqiptar për t'i mbajtur këto hapësira të paprekura. Aktet e provuara deri tani po tregojnë se nuk jemi miqësorë me natyrën dhe po vazhdoi kështu nuk do të mbetet asnjë rreze e tokës së paprekur në Shqipëri.

Të rrëmben mrekullia e pamjeve

Ne gjendemi të befasuar, nga shpatet shkëmbore të grykës depërtuese të Holtës, si mure të larta që variojnë nga 100 – 150 m, të cilat krijonin në vetvete një gjerësi të ngushtë 1.5 – 3 m dhe një gjatësi prej 2. 8 km. Kanioni i Holtës nuk është si ato të Skraparit, por ka edhe ai bukurinë e tij të egër, nga një çarje shkëmbore e pingultë gjeologjike, duke të paraqitur një konfiguracion nga më përralloret. Ardhja e vizitorëve e shkund nga paqja e përkohshme Kanionin e Holtës, sa edhe ne si ata u le një mbresë të madhe. Ata vizitorë të shumtë kishin qenë atje pak para nesh, dhe këtë e tregonin gjurmët e këmbëve të tyre. Mirëpo ndjen një dhimbje të thellë kur sheh mbeturinat e ushqimeve të konsumuara e të hedhura vend e pa vend.

Në trup të kanionit një urë e degraduar me dërrasa e kavo çeliku, që dikur lidhte njërin shpat me tjetrin, lëkundej lehtë nga një rrymë ajri, duke e bërë më arkaike pamjen.

Shenja të mbishkrimeve nëpër faqet shkëmbore, të kujtojnë rrezikun e rënies së gurëve. Ne bëhemi dëshmitarë të rrukullisjes, s’di sesa gurëve që binin nga lart para këmbëve tona. Ishte një tufë dhish që kalonin mbi shkëmbinjtë për në  kullotë dhe rrëzonin gurë. Ne duke e harruam këtë këshillë të kujdesit, mes emocioneve të njëpasnjëshme, nga dekoret e krijuara aq bukur, të ashpra e kërcënuese, për të nxjerrë herë pas here pasthirrma që dilnin nga thellësia e shpirtit.

Sa më tepër që ecën aq më shumë intrigues shfaqet kanioni, nga thyrjet e shkëmbinjve dhe dukuria karakteristike e gërryerjes, ku dallohen lehtaz edhe gjurmë të fosilizuara organizmash ujore, si guaska, yje, kërmilla dhe fletë me penjëza të barit e gjetheve të ngurtësuara, që ruajnë ende ngjyrë të bardhë, si dekor filigrani. Në përgjithësi shkëmbinjtë e Shqipërisë janë sendimentar prandaj kanë të gjitha fosile. Mjaft burime të pastra ushqenin rrjedhën e lumit të Holtës, që rridhnin nga plasat e shkëmbinjve, duke gurgulluar dhe shkumbëzuar furishëm nëpër gurët e lëmuar dhe të lëmyshkur diku çuditërisht me ngjyrë të bardhë, e njëkohësisht në një aromë squfuri që kishin formuar pellgje të vogla, njëri pas tjetrit, të përshtatshme për banja termale. Kur bien reshje shiu me intensitet të madh, ujërat e egërsuara e të turbullta marrin një pamje të frikshme, duke shkaktuar përmbytje, por edhe viktima në njerëz.

Frushullima e lehtë e freskisë nga gjelbërimi i drurëve që kanë hedhur shtat me stoicizmin e tyre rrënjë dalë nëpër shkëmbinj dhe cicërimat e zogjëve të malit, të cilët fluturonin shpengueshëm sipër kokave tona e thyenin heshtjen e madhështisë së kanionit. Ndërsa një qiell pa re, një blu e bukur e tij, që qëndronte mbi të i jepnin hije të rëndë. Ne pushtohemi nga gëzim i papërshkruar dhe nuk ndjejmë lodhje, por kënaqësi të thellë.

Të harruar pas bukurive që shpalosen joshëse nga format e shkëmbinjve ne ecim përmes një kaosi gurësh të mëdhenj dhe vende-vende të rrezikshme nga uji i grumbulluar; me guva të ngushta e të thella, të mjaftueshme vetëm për një bojë njeriu, që shtrihen në thellësi dhe shërbenin edhe si strofka të zogjve; më tej, pak përtej 1,5 kilometrave. Pamjet të vështira për t'u kaluar shtohen nëpër hullitë e rrezikshme që kërkojnë guxim dhe kujdes, që nuk ështe keq të jesh i tillë. E vërteta është se kureshtja na tërhiqte të shkonim gjithnjë përpara për të depërtuar më shumë në brendinë e tij, të mund të ndiejmë e të përjetojmë bukurinë e egër. Ne që jemi të apasionuar pas natyrës për të njohur misteret e saj nuk ngurrojmë nga sakrificat dhe vështirësitë, duke i sfiduar me guxim. Arritëm deri atje ku kanioni ngushtohej aq shumë, nga vandakë gurësh të madhësive të ndryshme, që krijonin vështirësi ecje në thellësitë e ngushta.

Kanioni i Holtës të rrëmben me mrekullinë e pamjeve dhe atë lloj egërsie të gurtë rreth vetes, të gdhendur nga nëna natyrë. E shkurtër dhe e përciptë ishte vizita, por mbresat e shumta që do të mbeten për një kohë të gjatë na mbështollën shpirtin me plot ndjesi të këndshme. Vetëm një zemër shkëmb, pa ndjenja të mirëfillta njerëzore, nuk do të mrekullohej, për të rizgjuar dëshirën që të rikthehemi përsëri.



(Vota: 13 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora