E shtune, 05.10.2024, 02:23 AM (GMT+1)

Udhëpërshkrim » Gorica

Pëllumb Gorica: Kryeqendra e festës pagane

E enjte, 15.03.2018, 08:08 PM


“DITA E VERËS”, VETËM NË ELBASAN DUHET TË JESH NË KËTË DITË FESTE

Reportazh nga “kryeqendra” e festës pagane që mbledh më 14 mars dashamirësit e festimeve nga nga bota.

NGA PËLLUMB GORICA

“Për gjithë shokët asht Ditë Vere,

Dimni tem s’ka të mbaru

Ç’janë k’to lajme, k’to habere?

Ah, erdh koha me kalu…!.”

Isuf Myzyri

Gjithësaherë që nisem nëpër festa, ndjej emocione të papërshkueshme dhe, kur kthehem, kam mbartur me vete pasuri të pashlyeshme. Kështu ndodh dhe, saherë që marr rrugën drejt Elbasanit, në këtë qytet të lashtë, përfitoj risi e mbresa të reja, se “Dita e Verës” është kthyer në një manifestim të madh gëzimi,si një stafetë e bukur tradicionale që njëri brez ia dorëzon tjetrit. Dita e Verës, si një prej riteve më të lashta pagane është përcjellë, sa në antologjinë gojore popullore, aq edhe në plastikën e lëvizëshmërisë së jetës, si një dëshmi e kulturës sonë të lashtë. Në fashat e saj, ajo përshkohet nga tipari i i gëzimit njerëzor, që pasqyron kalimin e Dimrit, që mbyllte njerëzit brenda mureve të shtëpisë dhe ardhja e Pranverës, si përtëritje e natyrës.

Është rizgjim në punë, gëzim, lëvizje e jetës, shëndet e mirësi në familje, shoqëri, miqësi… Kur shkruaj që “Vetëm në Elbasan duhet të jesh këtë ditë!”, merret vesh që fjala është për datën 14 mars, si “Ditë Vere”, natyrshëm që nuk është festë vetëm për Elbasanin, por, në ngulmoj dhe bëj një thirrje (si majëkrahi, kur thonë në Veri), mendoj se nuk jam fare i njëanshëm, por jam krejt i drejtë. Elbasani,-mendoj unë,- ka jo vetëm “tapitë” e kësaj feste kaq të bukur, me “vulë të thatë prej noteri”, por dhe”hipotekën” e saj. Dhe aq e kanë bërë të tyren Elbasanasit këtë festë, sa, dhe, kur i shkruaj si emër të përgjithshëm, nuk guxoj t’i shkruaj me gërmë të vogël. Vetëm Elbasanasit ditën jo vetëm ta ruajnë këtë festë pagane, por dhe ta festojnë.

Në Elbasan, “KRYEQENDËR” e festës

U nisëm drejt Elbasanit që në mëngjes herët. E ndërsa makina jonë e vogël, brenda së cilës udhëtojmë tre vetë, i kaloi kthesat gjarpëruese të rrjedhës së lumit Erzen, u fut më pas në brendinë e tunelit të ndriçuar nga dritat e shumta. Më tej, shpejtesia e makinës u shoqërua me një jehonë tingujsh kaotikë që binin në veshët tanë për gjatë luginës të rrethuar nga të dy anët prej një formacioni mbrojtjeje natyrore të Krrabës. Mëngjesi ka nderë mbi supe mantelin e dritës dhe premton një ditë të, me një qiell ngjyrë blu, edhe pse gjurma e një mjegulle resh notonte lehtë e shoqëruar nga një fllad i ftohtë. Anës rrugës, vende – vende, lulet e bardha e të ndrojtura, duket sikur dhurojnë edhe ato dritë. Kanë buisur në degët e zhveshura të kurorave të kumbullave, të bajameve, të pjeshkëve e dardhave.

Bari i vesitur nga vesa e mëngjesit të mahniste dhe dukej si një qilim i gjelbërt, shtruar mb sipërfaqen e tokës; ndërsa degët e pishave të gjata e të gjelbërta era i tundtte lehtas. Të lumturon ringjallja e natyrës ripërtëritëse nga letargjia gjumashe dimërore. Kjo ringjallje, erdhi brenda makinës tonë që voziste e shtërnguar mes karvanit lumë të makinave që shpejtonin drejt Elbasanit. Janë të shumtë qytetarë nga gjithë Shqipëria që duan të festojnë në Elbasan. Sa mirë, kur i ndajmë bashkë gëzimet e festave tradicionale! Ka nga ata që udhëtojnë qindra- mijëra kilometra për të ardhur. Sidomos elbasanasit, të larguar në emigracion, kthehen me mall dhe fytyrat u shkëlqejnë, të festojnë këtë ditë kaq të veçantë, siç është “Dita e Verës”.

Cila është ajo forcë e çuditshme që i shtyn të marrin udhën?! Respekti dhe dashuria për festën rituale të parëve dhe malli për tokën që i lindi për të gëzuar me të afërmit e tyre të dashur. Natyrisht, as largësia dhe as vështirësitë që kanë hasur andej ku punojnë e jetojnë, nuk i ka penguar që të vijnë. I mbërthyer në këto ndjesi, i relaksuar nga këngët që dëgjoj, tek i afrohem Elbasanit, hedh sytë mbi fushën e Bradasheshit. Shpirtin sikur ma shpon një gjemb, tek shoh atë “karakoll gjigant” të ashtuquajtur “çlirimi i dytë i Shqipërisë” që u bë, si të thuash, gogoli që hëngri jo vetëm ekonomikisht tërë vendin, por u bë një çerdhe mutacioni vrasës për gjithë klimën e Elbasanit. Pa menduar se zmadhoj, por në vizionin tim, Kombinati Metalurgjik “Çeliku i Partisë”, me metastazat e tij vrasëse, as më pak dhe as më shumë, është i ngjashëm me Çernobilin ukarainas.

Të vret sytë gërdalla skeletike dhe duket si përbindësh kërcënues në udhën drejt qytetit. Një regëtimë dhimbjeje më del nga shpirti, heq sytë për ta bërë dalje një pamje të tillë dhe, mbasi i jap një “shkundje” trupit, bëj sikur e harroj. Qyteti zgjohet me ndjesinë e bukur të festës të shumëpritur. E ndjen këtë gëzim, që nga shtëpitë e vjetra e deri tek pallatet shumëkatshe, por me gjithë madhështi, ngado që hedh sytë, në rrugët, sheshet, parqet, bar- kafetë, që gëlojnë nga njerëzit. Festojnë jo vetëm banorët e qytetit dhe zonave përreth tij, por edhe të vizitorëve nga të gjitha trevat shqiptare. Edhe zogjtë në cicërima përjetojnë entuziazmin e festës, duke fluturuar mbi ndërtesat e larta. Ndjesitë e këtyre çasteve, të përpira nga kënaqësia, të bëjnë të zbresësh nga makina dhe të zhytesh në rrjedhën e njerëzve të gëzuar. Fëmijëve të buzëqeshur u lexohen në fytyrë gëzimi e gjallëria dhe i japin festës një amplitudë më të larmishme. Në mes kësaj atmosfere, të krijuar nga kjo traditë e lashtë, përfshihesh nga emocione të bukura, dhe humbet në lumin e madh të veprimtarive gazmore.

Elbasani jehon nëpërmjet këngëve të vjetra e të reja dhe kthehet në një aeropag të madh koncertesh të këngëtarëve popullorë. Tek dëgjon këngët e bukura popullore elbasanase, ringjallen njëri-pas tjetrit, këngëtarët e vjetër dhe, mbi të gjithë, vjen i gjallë me qemanen e tij, Mbreti, Isuf Myzyri apo Usta Isufi e mandej, pas tij, Marie Dhama e Tahir Gruakuqi, vëllezërit Zena, Albert Tafani e të tjerë më të rinj. Për një çast, je nga je dhe je bërë elbasanas. Je “infektuar” nga “virusi” i festës dhe nga pritja aq bujare e Elbasanasve.

Libri që i duhet festës

Në mes kësaj atmosfere i përfshirë nga emocione të bukura, të mezazhit që përcjell festa në shpirt, si një mysafir i përhershëm, takoj miqtë e mi; Fatmirin, Lidën, Gëzimin, Ilirin, Vehapin dhe Ladin. Kënaqësinë, bukurinë, virtytet dhe madhështinë e shpirtit të tyre e lexon në bisedat e këndshme e plot dashamirësi, që nuk kanë kuptim pa bashkëndjenjën e traditës së lashtë. Fatmiri, me një gjest fisnik e po aq interesant e karakteristik të qytetarisë elbasanase, pasi të shtrin dorën, të uron: ‘‘Paçim një vit të mbarë dhe të qetë“. Vehapi me atë buzëqeshjen e tij përhershme në fytyrë të dhuron ballokumen e famshme të “Ditës së Verës”.

Pa më thoni:- A e gjeni kund, veç në Elbasan “Ballokumen e Elbasanit”? E falenderoj dhe nisim bisedën tonë për vlerat e krenarinë e kësaj feste tradicionale, që ua kanë lënë trashëgimi të parët. Iliri ndjehet tepër i përmallur. Ai ka ardhur nga Athina, ku jeton prej disa vitesh dhe nuk harron të vijë çdo Ditë Vere në Elbasan.

Por si njeri i librave (pa modesti, unë shkruaj libra), sikur bëhem pak më shumë mbresues, kur në këtë ditë feste shoh diçka të re: Shoqata “Durana” ka organizuar një panair libri. Kjo risi, sipas meje, ua zbukuron ballin organizuesëve. Është pema më e bukur që si stafetë do të japë fruta të ëmbla.

– I duhej ky panair Elbasanit, thotë Aqif Hysa, organizatori i panairit, – me vlera të rralla frymëzuese, kulturore, historike e morale, me kaq shumë personalitete të betonuara në murin e paharrueshëm të qytetit, edhe ‘’Ditës së Verës’’. Më prekës të bën ky panair, kur poetja e bukur, Iliriana Sulkuqi, ka ardhur që nga Amerika e largët vetëm e vetëm për të promovuar librin e saj poetik “Sot pagëzova dashurinë” në këtë ditë.

E ç’mund të kërkosh më shumë për të pasur mbresa, por me mendimet u futa thellë në zanafillën e kësaj feste pagane e cila ka ardhur deri në ditët tona.

Festa që u mbijetoi edhe pushtimeve, edhe fetarëve

Origjina e kremtimeve të kësaj feste me rite pagane te ne, më së shumti, është Çermenika (Kandavia), një krahinë afër Elbasanit, e cila është e banuar që në kohët e lashta parahistorike. Këtu qëniet mitike të indentifikuara dhe me kultin e perëndive gjatë periudhave parahistorike kanë lënë gjurmë në kujtesën e popullit. Duke hyjnizuar dukuritë që njerëzit e asaj kohe nuk dinin t’i shpjegonin, krijuan besime tek idhujt paganë, të lidhur ngushtë me rite. Një nga figurat e mitologjisë ishte Zana apo Diana, që jetonte pyjeve, ujëvarave, shpellave e lëndinave. Ajo ishte perëndia e pyjeve, e gjuetisë, dhe e gjithë Natyrës.

Zana sikurse perëndia ilire më e njohur, simbol bukurie, e kalonte kohën me festa, me muzikë, duke kënduar e hedhur valle mes luleve, shelgjeve, burimeve dhe ndjehej e pranohej si fatsjellëse e engjëllmbrojtës ndër banorët dhe ata i organizonin asaj festa, duke i blatuar dhurata. Kështu, duke buruar nga kulti i figurës mitologjike të Dianës, ritet pagane për nder të saj morën karakterin e mirëfilltë të një feste me pije, ushqime, lojëra, etj. Profesor Hasan Ceka do të shkruante: “Dita e Verës i kushtohej Dianës së Kandavëve, bukurisë së saj dhe ku dëshmohet karakteri pagan i festimit që lidhet me natyrën, me ndërrimin e stinës, ardhjen e pranverës, fillimin e punëve bujqësore”.

Me lindjen e formimin e qyteteve dhe gjatë periudhave të mëvonshme historike, festa u përhap duke u shtrirë më gjërë, si e gjithë shqiptarëve, ku ka ka nuanca festimesh të ndryshme, por shtratet e riteve kryesore janë njëlloj. Elbasani që në kohët e hershme, me pozitën gjeografike dhe si një stacion i rrugës Egnatia, me ecurinë në kohëra kësisoj, duke u kthyer në një qendër të zhvilluar në vazhdimësi, këtë festë pagane e mbështolli, e trashëgoi dhe e festoi më bukur për të shprehur shpirtin bujar të gëzimit.

Është mbresëlënëse se si kjo festë ka përshkuar shekujt. Ka përballuar mugëtirat e kohëve të vështira, sisteme shoqërore me fe e religjone të ndryshme, luftra e pushtime të të huajve duke prurë kulturat e tyre. Sidoqoftë, pushtuesit kurrë nuk arritën ta shprishin, ç’ish arrritur tradicionalisht. Nuk arritën ta tjetërsojnë as Fetë dhe as misonarët e tyre. Ajo “Dita e Verës” mbeti e bukur si në paganizmin e lashtë dhe asnjëherë nuk e humbi atë bukuri. Elbasanasit, kanë meritën e madhe se ruajtën atë nga cunami i kohëve.

Dhe tek i referohesh këtij fakti kaq domethënës, ia vlen, -them unë,- që të paktën këtë ditë, të jesh në Elbasan dhe ca më shumë: të jesh elbasanli! Asnjëherë dhe në kohën e diktaturës kjo festë nuk është ndëprerë. Ndaj them që në ballin e elbasanasve lexohet tradita. Kur erdhi demokracia, gëzimi qe në infinit. Dhe, sa herë që vjen kjo ditë, shpërthen gazi e hareja. Edhe pse tani, kjo festë është bërë si Mbarëkombëtare, të gjithë bëhen sy e veshë, se si festohet në Elbasan. Ballokumet shiten gjithandej, por janë larg, shumë larg nga Ballokumet e Elbasanit.

Fryma pagane e “Ditës së Verës”

Dita e Verës rrjedh nga thellësia e etnitetit të jetës sonë ilire me rite të bukura, të rrënjosura në vetëdijen e kohëve, që rrallë i gjen në ndonjë vend tjetër kaq të vyera. Në mbrëmje, majëkodrave ndizen zjarre për të dëbuar errësirën e Dimrit. Djemtë i kapërcejnë flakët, duke besuar se kështu marrin shëndet e fuqi dhe ky rit tregon zhdukjen e të këqiave, që kishte mbartur viti i kaluar. U bien zileve e këmborëve, trembin zhapikët, gjarpërinjtë e tërë të këqijat e Tokës. Vajzat përreth zjarrit këndojnë e hedhin valle për ardhjen e stinës së re.

Vendosin verore në qafat e duarve. Veroret janë një ndërthurje penjësh të kuq, të bardhë dhe të gjelbër, që simbolizojnë gjakun e brezave, pastërtinë e shpirtit dhe gjelbërimin e Natyrës. Shkrimtari elbasanas, Hyjni Ceka e konsideron veroren një distiktiv që elbasanasit e vendosin gjatë festimit të Ditës së Verës. Ato hiqen nga dora, kur vijnë dallëndyshet pas shtegtimit. Verorja ka fuqi mbrojtëse nga e liga. Gratë e prisnin mëngjesin me gatime për ditën e nesërme. Ziejnë misra, vezë, gatuajnë gjelin e detit, ballokumen, tavat me pistil, nxjerrin nga arkëzat: arrat, lajthitë, palat e fikut, shegët, mollët e ruajtura pikërisht për këtë ditë.

Po ashtu, pregatiten dhuratat për fëmijët, që njihet ndryshe edhe si shpërndarja e hiseve për ata, që të nesërmen në mëngjes trokasin në derën e shtëpisë për të uruar Ditën e Verës, ku u dhurohen ëmbëlsisht. Të moshuarit, me përpikmërinë e riteve, në mëngjesin e 14 marsit shpejtojnë të hapin derën për të sjellë bujari e mirësi. Bëhet stolisja e pragut të derës me degë bimësh, sytha e lule të çelura, por edhe një plis me bar. Gratë mbushin ujë të freskët, ku hedhin lule e degë të gjelbërta. Fëmijët spërkaten me këtë ujë. Me këtë ujë bëjnë zgjimin e fëmijëve e ,më pas, lajnë fytyrën. Bëhet spërkatja e themeleve të shtëpisë dhe bagëtive, pasi besohet se do të jenë më të shëndosha.

Këto rite bëhen mes një morie formulash urimi si: “Unë dimërova, ti vero!”, “Lulëzo si këto lule!”, “Të shkoftë Vera me shëndet!” etj. Vajzave u vendosem lule mbi jastëk. Në “Ditën e Verës” nuk punohej. As nuk pritej dru i njomë, apo filiz i ri, që do të thoshte se e reja e ka jetën e gjatë. Fëmijët ngjiteshin lart, nëpër sheshe, ku çel gjethi e avullon toka, ku cicërojnë zogjtë e lëvrijnë gjallesat e ku bari ka filluar të shpërthejë nga toka. Zënë e zhvillojnë lojërat e tyre popullore si: vrapime me kuaj, hedhje guri, mundje, ngjitje në pemë, etj; për të pasur shëndet e lumturi. Ata këndojnë e hedhin valle nën tingujt e fyejve, pipëzave, daulleve, nën shoqërinë e freskisë ripërtëritëse të natyrës. Vajzat përkëdhelin flokët e njëra- tjetrën e me këngë mbledhin lajmëtaret e pranverës, manushaqet dhe karakaftet, duke stolisur flokët me kurora lulesh.

Mirëseardhje e trokitur në rite

Duke i pranuar Elbasanit ‘‘autorësinë’’ e festë së Ditës së Verës, festimet janë zgjeruar dhe pusheti lokal apo ai qendror, janë inkuadruar në këtë event të bukur me investime kulturore dhe artistike apo sportive. Vite më parë, klubi letrar “Kostandin Kristoforidhi“ në Elbasan, i identifikuar me emrin e merituar të Milianov Kallupit i shtonte shkëlqim festës së Ditës së Verës, me festivalin poetik “Trëndafilat e Elbasanit”. Emocionet mes bukurive të qytetit, si natyrshmëri e takimeve të tilla, i shoqëronin vargjet e poetëve, të mbledhur bashkë me shpirtin e tyre plot lirizëm pranveror në “Lulishten e Poetëve”, ku dikur mbillej pema simbolike me emrin e një poeti. Por sot këto takime me këtë domethënie janë harruar dhe klubi letrar është i amullt sa pseudopoetët i gjen në ndonjë tavolinë lokali për të vrarë mërzinë e tyre me gota rakie.

Festa e ‘’Ditës së Verës’’ në Elbasan thith një angazhim moral e material dhe në thelb ruan traditën. Ajo vijon aq këndshëm me një repertor të pasur në familje, në shoqëri me një begati ushqimesh e me shumë rite pagane, blatime, shëtitje, këngë, etj. Ajo hyn në çdo shtëpi të këtij qyteti me një gëzim të veçantë dhe i pushton aq shumë, sa përgatitjet fillojnë shumë ditë më parë. Çdo familje përgatit ushqimet më të mira për këtë festë. Nënat dhe gjyshet gatuajnë, në heshtje e me një solemnitet për t’u përgëzuar e të ndërthurura me urime si: “T’u bëftë jeta behar”!, “Kështu të gjetë behari!”, etj gjithçka për një ditë të tillë, por më shumë ballokumet, që është ëmbëlsira më e veçantë e kësaj feste dhe karakteristike e Elbasanit, me gatimin nazik të saj.

Por më shumë se ditët e tjera, elbasanasit vrapojnë për të festuar me familjen, të afërmit; me miq e shokë në lëndina, në pyje dhe pranë gurgullimës së ujërave të lumit Shkumbin; atje te Rrapi i Mansit, Kroi i Kalit, Tepja, Ullini i Qejfit, Teferiçi, Shëngjoni i bekuar, Krastë, Çezma e Kasinës, Burimi i Bushekut, Çezma e Lepurit, etj. Kjo është edhe pjesa më e bukur e festës, si një forcë shpirtërore ripërtëritëse, jo vetëm në sytë e fëmijëve, mbushur me dritë gëzimi, por edhe në rrudhat e të moshuarve.

Ndaj, dhe, veç origjinalitetit, duke shtuar pak romantizëm në të, e ndjejnë gëzimin e festës, me bisedat e ngrohta, humorin shpotitës që t’i shkul të qeshurat nga thellësia e kraharorit.

Këtë ditë vetëm në Elbasan duhet të jesh! Sepse nuk është vetëm era e luleve dhe joshja e papërballushmja e ballokumeve të Elbasanit; nuk janë vetëm festimet, nuk është vetëm luhatja e zjarreve magjike pagane, që ndezeshin në kodrat e sheshet këtij qytetit, por është edhe vërshimi i një stine të tërë, që buron nga thellësitë e nëntokës dhe mbitokës, në trajtë gjethesh, gonxhes e lulesh shumëngjyrëshe, edhe buzëqeshja e vajzave, ndërrimi i ballokumeve, të cilët përbëjnë madhështinë e vërtetë të një folku të tërë shpirtëror, që simbolizon prologun e kësaj feste të mrekullueshme vetëm elbasanase.



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora