E shtune, 05.10.2024, 02:08 AM (GMT+1)

Udhëpërshkrim » Gorica

Pëllumb Gorica: Karaburuni, magjia që sfidon

E marte, 06.09.2016, 06:37 PM


KARABURUNI, MAGJIA QË SFIDON ARKITEKTËT MË TË GUXIMSHËM

NGA PËLLUMB GORICA

Udhëtimet jashtë Tiranës, në fundjavë, në gjirin e natyrës së mrekullueshme të vendit tonë, janë sa të këndshme, dhe aq mbresëlënëse, sa kur kthehesh, pavarësisht nga lodhja fizike ndjehesh i ripërtërirë, e me një ndjenjë kënaqësie brenda vehtes. Sepse në këtë vapë përvëluese të verës ka edhe ca oaze qetësie. Deti i tërheq të gjithë të pushojnë brigjeve të tij.  Sidomos kur dita është e bukur e me diell, dhe e ngrohtë nën një qiell pafundësisht të kaltër, pa asnjë re, të jep mundësinë të shijosh udhëtimin drejt hapsirash të pashkelura për shumë syresh ndër ne.

Pjesë e një udhëtimi  drejt Vlorës

Mëngjesi ishte tepër premtues për një udhëtim drejt natyrës dhe detit. Është një nga ato mëngjese ku e ndjen të ngrohtin, por jo atë nxehtësinë që ka gjithmon ky muaj. Pikërisht ky mot ledhatar është prova e pakundërshtueshme e një dite të re. Qyteti zgjohet nga lëvizjet njerëzore dhe nga automjetet. Të jesh, në pritje të një udhëtimi të ri në vendet turistike është emocion më vete.

Tabelat e shkruara buzë rrugës me dritën e mrekullueshme të kësaj dite të urojnë një udhëtim të mbarë. Peisazhet ndryshojnë nga ndërtimet në të dy anët e rrugës, të cilat janë tregues i shpërthimit të vrullshëm të veprimtarisë ekonomike. Katrorët e fushave, përmasat e kodrave dhe lumenjve, fshatrat e shumtë e qytetet me radhë trazohen e formojnë një qilim shumëngjyrësh, po të përvëluar nga dielli i verës. Po udhëtojmë drejt Vlorës dhe shpesh na parakalojnë makina të shumta me shpejtësi. Vlora është një qytet me një histori madhështore, që kurrë nuk i kanë munguar kontributet e saj në dobi të kombit. Por si çdo qytet, që ka të veçantën e tij, Vlora me natyrën e pacaktuar në çdo stinë, por sidomos në verë është e vizitueshme nga shumë turistë. Zhurmat e makinave që kalonin bri nesh, zërat e kalimtarëve dhe murmërima e valëve të detit e bëjnë më kumbuese ardhjen tonë,si parathënie e një çlodhje të udhëtimit prej disa orësh. Por ajo që e bën të bukur qyetetin e Vlorës është pikërisht magjia e detit. Para syve ai shtrihet i kaltër si një pasqyrë gjigande. Në horizont spikasin kodra të veshura me ullinj dhe male hijerënda, të radhitur përbri njëri- tjetrit, e të mbështjellë nga një hartë resh të bardha. Ashtu si natyra që ka krijuar kufij të pakapërcyeshëm, malet dhe deti janë kurorë dhe vlera e vaçantë e Vlorës. Drita e pastër e qiellit e bën më të qartë pamjen e tij, ndërsa një fllad i lehtë e sillte më pranë jehonën e dallgëve. Anijet e ankoruara, varkat, çadrat dhe shezllongët e bëjnë më të padurueshme dëshirën të jesh pranë tij.

Ecim nëpër rrugën transballkanike që të nxirrte andej nga preferia e qytetit. Kalojmë Ujin e ftohtë, i cili është i njohur për pamjen e tij të mrekullueshme. Është një rrugë e gjallërueshme sidomos në verë, e mbushur me ndërtime që i ngjiten faqes së kodrës. Ato kanë mbirë gjithandej buzë detit, kryesisht në pallate shumëkatëshe dhe vezulluese, afër njëra-tjetrës aq sa të zihet fryma kur kalon përbri tyre. Por akoma pa kaluar tunelin e ujit të ftohtë ndesh një trafik në pak a shumë se normalja, dhe një kaos gjithë zhurma e pluhur të rrugës.

-Çfarë po bëjnë me këtë pjesë rruge? - pyesim një burrë të moshuar kur ndalojmë për pak çaste. Por në fjalët e tij ka një frymë revoltë, e cila është përgjigje e thatë si e çdokujt kur e pyet shpejt e shpejt.

-Po e shtrojmë, pasi ka vite që po zgjerohet dhe nuk dihet se kur do mbarojë.

Ndërsa dalim nga tuneli, të rëndon shikimin dendësia e ndërtimeve me komplekse të larta, ngjitur me njeri- tjetrën buzë detit deri tej Orikumit, e shumica prej tyre hotele. Pak më tutje, në Jonufër në vazhdën e surprizave të pakëndëshme të bien në sy ndërtime pa kriter, toka e kafshuar egërsisht, ndotje dhe plehra që hidhen vend e pa vend si diçka e zakontë. Natyrisht në buzë të rri pyetja: Kur do të mbarojnë një herë e mirë këto ndërtime të nëmura ?!...

Duhet ta ruajmë natyrën nga dëmtimet e të papërgjegjshmëve dhe përfituesve abuzivë, të cilët me egon e tyre po e shkatërrojnë atë, duke mos menduar për pasojat që vijnë sojesh. Të respektojmë natyrën, sepse, duke e shkatërruar atë nuk kemi të drejtë më pas të ankohemi. Jemi në dijeni të prishjes së këtyre ndërtimeve në emër të zhvillimit të turizmit dhe progresit. Por, sikurse ekzistojnë qënie njerzore që prodhojnë energji, drejtësi për të tjerët, e lenë gjurmë në emër të së mirës, në të njënjtin kohë ekzistojnë dhe qënie njerzore të tilla në emër ç’nderues të vlerave, të veshur e ngjeshur me pushtet, që vjedhin e shkatërrojnë natyrën, të mirën, të bukurën, e pasurive tona kombëtare.

Gjiri i Vlorës me natyrën interesante që ka përreth, ujërat e kristalta, plazhet e shumta i bëjnë pa dyshim vizitorët të kalojnë pushime të këndshme. Midis gjërave që afrohen këtu, vizitorët kanë mundësi zgjidhje jo vetëm duke u rrezitur në plazh, por edhe të eksplorojnë brigjet dhe panoramat e shumta të Gadishullit të Karaburunit, i cili nuk është larg, por shumë i dëshiruar besoj nga të gjithë.

Karaburuni, udhëtim në tokën e ndaluar të diktaturës

Po shkojmë drejt tij në një shëtitje në det si një vend ideal për pushime ditore, edhe pse në Shqipëri vende të bukura ka plot. Po pak dihet për vlerat e mëdha të tyre…

Vitet e fundit udhëtimi me anije e mjete të tjera lundruese këtu është kthyer në një destinacion të dëshirueshëm për pushuesit e shumtë që kanë preferuar brigjet e Vlorës, e sidomos për të gjithë ata që dëshirojnë t’i ikin rutinës dhe ritmit ditor të qyteteve të mëdha. Me shëtitjen romantike nëpër peisazhet e Karaburunit udhëtarët ndihen të gëzuar dhe të mrekulluar. Natyrish ardhja jonë këtu është një kënaqësi me të vërtetë e paharrueshme, edhe në një qëndrim që zgjat disa orë me risinë joshëse e të pashtershme në shpirt.

Karaburuni ka formën e gadishullit, ndaj emërtohet si i tillë, dhe është një prej atyre vendeve të lakmueshme. Një mal shkëmbor i rrethuar nga deti, me pak gjelbërim, dhe që të vret sytë me panoramë e tij gri. Kjo është përshtypja e parë e kujdo që e shkel dhe vështron natyrën e tij, blun e detit me afsh dielli nën pasqyrën e kaltër të qiellit. Tharmi i kësaj natyre duhet shfrytëzuar akoma  më shumë për të mirë në zhvillim të turizmit. Dikur para viteve ’90, por edhe vite më pas, Karaburuni dhe Sazani ishte një ëndërr për shumicën e shqiptarëve për të shkelur dhe pushuar pranë brigjeve të tij, por sa ëndërra nuk u realizuan dot atëherë, sepse këtë privilegj e kishin një pakicë. Të shkelje aty përbënte sekret ushtarak. Duhej lejë e posaçme nga Dega … Ndal, Zonë Kufitare !... Kur erdhi demokracia, (një kapërcyell që do të ishte i dhimbshëm), rrodhën në të ngjarje të rënda. Për të mbushur xhepat e skllevërve të parasë lulëzoi këtu me mënyrë të paligjshme e të rrezikshme biznesi i trafikut të qënieve njerzore drejt brigjeve italiane. Ishte koha kur shqiptarët, dhe jo vetëm ata, u dyndën për të gjetur rrugë të papërshtatshme të kalonin detin, të cilat shpesh ishin me humbje jetësh njerzore. Kjo gjëndje vazhdoi vite me radhë, dhe ne të gjithë i kujtojnë tragjeditë e rënda që ndodhën e u përjetuan aty. Deti është dëshmitar i humbjeve, të cilat jetojnë në dhimbjen e nënave dhe baballarëve, motrave e vëllezërve. Askush nuk mund të thotë se kjo ishte normale, ashtu sikundër mund të pranohej lejimi i këtij fenomeni nga pushteti i kohës. Shoqërisë njerzore i duhen kujtuar këto ngjarje. Harresa e tyre është gabim i madh. Asgjë nuk duhet harruar, sepse u bë e mundur të frenohej disi fenomeni. Erdhi një kohë që turizmi, i cili duhet të lulëzojë më shumë nga inisiativat private, edhe pse do të përballej me probleme, e pengesa absurde , siç ishte moratoriumi për ndalimin e mjeteve të vogla lundruese, ishte një dëm për zhvillimin e tij, duke ngritur përsëri mure të mbyllur për këto peisazhe të bukura.

Përmes  kaltërsive    Karaburunit

U ndalëm në Radhimë. Ishim pak metra larg detit që llokoçitej lehtë bregut. Një nga një zbritëm nga autobuzi për t’u gjendur pranë tij. Një fllad i këndshëm e gjallërues endej bregut që e dallgëzonte lehtë detin. Dielli i ngrohtë, por jo shumë i nxehtë. U akomoduam në anijen “Rexhina” për të pritur çastin e nisjes. Ajo është një anije e vogël udhëtarësh. Padurimi për t’u nisur çdokush e detyron të kërkojë shpjegime, por janë proçedurat e udhëtimit në det. Natyrisht ne e pritëm me kënaqësi këtë çast në një udhëtim eksplorues në Karaburun. Të gjendesh në det të hapur nën zhurmën ritmike të motorrit dhe dallgëve të vogla që përplaseshin, duke lënë pas gjurmë të shkumbëzuara është bukur, duke na dhënë mundësinë të shijonim udhëtimin. Herë- herë kreshtat e dallgëve përplaseshin beftas në trupit të anijes. Deti reflekton kaltërsinë me fuqinë e magjishme të madhështisë së tij. E kaltra e tij dhe e qiellit shkëlqente nga drita e diellit. Është dhe kjo pastërti e qiellit që kthjellon gjithçka; na bënte të shikonim me hollësi çdo gjë në breg, që edhe të nxisin dëshirën për t’i fotografuar. Natyra ka krijuar shkëmbinj që në kohëra i ka gërryer pa mëshirë deti me dallgë. Asnjë arkitekt, piktor sado i guximshëm qoftë s’do ia dilte dot mbanë të thurë mrekulli të tilla për syrin tonë. Thuajse asnjë nga ne nuk kishte udhëtuar këtu, dhe ndjesia e kuriozitetit, që të shkakton e panjohura e kësaj natyre të grish t’i vështrosh me shumë kënaqësi. Pamjet janë interesante me forma të shtresës shkëmbore shkallë - shkallë, ku gjire të fshehura të ftonin të pushoje. Pak përtej bregut, dhe në lartësitë e Karaburunit vraga rrugësh e përshkojnë atë, por ndesh edhe dëshmitë e ndërtimeve ushtarake, në ca godina të shkatërruara, bunkerë, tunele dhe qëndra zjarri, që socializmi i ndërtoi edhe këtu me shumicë, si në çdo pëllëmbë të Shqipërisë, të cilat të sjellin në kujtesë periudhën kur këtu popullohej vetëm nga ushtarët. Natyrisht është e kuptueshme se sot ato ndërtime fortifikuese nuk mund të jenë gjë tjetër përveçse gërmadha.

Në shpellën e Haxhi Aliut, tmerrit të Venedikut dhe venecianëve

Po shkojmë drejt shpellës së Haxhi Alisë. Kush ishte ky Haxhi Alija ?! Mbase ndonjë pirat deti i zoti, mbase ndonjë shenjt i krijuar nga njerëzit … Ajo do ta pasuronte me tej udhëtimin tonë. Fundja ky ishte qëllimi i udhëtimit, zbulimi i vendeve interesante me përbërësit e kurtheve të natyrës. Atmosfera bëhet më gazmore kur të rinjtë nën tingujt e këngëve ritmike vallëzojnë. Ata të shpenguar duan të marrin sa më shumë kënaqësi nga ky udhëtim. Stafi i anijes i miqësuar me ne, sikurse ne me ata, të përkushtuar krejtësisht që udhëtimi në det të jetë i këndshëm, e shoqërojnë atë me tregime për detin, malin e Karaburunit, dhitë e egra dhe gjarpërinjtë helmues, shpellat, koralet, Majën e e Frëngut, etj. Kalojnë minutat mes këtyre bisedave të këndshme dhe ja ku iu afruam shpellës së famshme, që është disi larg, përballë ishullit të Sazanit. Masivi i tij në mes të detit, shfaq konturet aq qartë në një ashpërsi diku të veshur me drurë, e diku me fortifikime ushtarake.

-Pas pak do t’i afrohemi shpellës së njohur të Haxhi Alisë- flet nga kabina e anijes, Arbeni, kapiteni i saj. Patjetër bëhesh tepër kureshtar të mësosh nga ai për misteret e kësaj shpelle, që në lashtësi ka qënë një vendstrehim për piratët e detit. Por kur çdokush është përballë saj befasohet nga përmasat gjeometrike, e futur thellë barkut masiv të malit. Aty, ku bregu shkëmbor shtrihet pingul mbi det, të shfaqet zgavra e saj me mbi  30 metrash gjatësi. Hyrja e saj ka një lartësi mbi 10 metra, dhe është shpella më e madhe detare në Shqipëri. I mrekulluar nga emocionet që ndodhesh këtu, duke bërë ëndërrën realitet, dhe jo vetëm kaq, nuk i shmangesh ngasjes të eksplorosh labirinthet e saj.

Historia e kësaj shpelle është përmbledhur në një legjendë, që në thelbin e vet tregon për piratin Haxhi Aliu, mjaft i njohur i shekullit të XVII-të. Në këtë shpellë ai strehohej së bashku me anijet dhe njerëzit e tij. Ajo i ofronte atij vendin më të përshtatshëm për të sulmuar anijet turke, veneciane, dalmate, napolitane, etj dhe për të ruajtur mallrat e plaçkitura. Edhe pse legjenda i ka zmadhuar trimëritë e tij ajo ka ardhur deri në ditët tona ndërmjet rrëfimeve që tregojnë se Haxhi Aliu ishte një hero, dhe tmerr i anijeve të Venedikut, Venecianëve, të Anglisë e Napolit, dhe që nuk i trembej askujt në përleshjet me ushtri, e piratët nëpër Mesdhe. Ai ishte nga Ulqini dhe kishte mbaruar shkollë detarie në Stamboll. “Deti ishte shtëpi a ime-thoshte Haxhi Aliu,por pragu i kësaj shtëpie është toka. Dallgët e detit i kam jastëk për kokë, ato do të jenë dhe guri i varrit tim”. Interesante kjo histori që natyrisht tregon guximin e Haxhi Aliut. “ Një pirat turk me origjinë algjeriane nga Afrika i dërgon një letër Haxhi Aliut. “Arrnaut, hiqmu nga sytë, hiqmu nga udhët e detit! Unë jam më i fortë se ti. Përndryshe, do t’a rrjep lëkurën tënde dhe do ta bëj pergamen për të shkruar në të suret e Kuranit.” Me të marrë letrën Haxhiu ju përgjigj kështu: “Kafkën tënde unë do ta bëj kokë për çibukun tim. Dhe u nis Haxhi Aliu, ngriti velat për t’u ndeshur me piratin turk. Ai u hodh në anijen e tij dhe vrau çdokënd që i doli përpara. Piratin, që ia kërkonte lëkurën e zuri të gjallë, ia preu veshin me gjithë vath; pastaj atë vath ia nguli në hundë dhe ashtu e tërhiqte zvarrë nëpër kuvertë të anijes”. Thonë se Haxhi Aliu ky pirat i detit u vra me të birin nga venecianët dhe e varrosën në Sazan.

Impresione

Të ngarkuar me impresionet e Karaburunit, të shpellës së Haxhi Aliut dhe me këtë hapsirë me thyrje të bregut shkëmbor, e me gjire të vegjël si të vizatuar me dorë, ne vazhdojmë drejt Shën Vasilit. Ky gji i vogël prej vitesh është kthyer në një kënd të qetë. Aty ndodhet një kalatë për tu ankoruar anije të vogla, motobarka e skafe, duke u kthyer në një vend pushimi ditor me kushtet të përshtatshme, e që të bëjnë të ndjehesh i kënaqur. Dhe duke e shijuar këtë pushim nën ngopjen e nxehtësisë përvëluese të rrezeve të diellit, ne i u gëzuam fatit, se po pushonim në një gji të qetë, ku magjike është deti dhe kthjelltësia e tij. Jo më kot atje nuk kishte shumë pushues. Personalisht i adhuroj këto vende të bukura për pushime, me qetësinë mbretëruese përmbi çdo gjë tjetër. Natyrisht të kaplon një ndenjë kënaqësie e thellë me ajrin e freskët, i cili i farfuronte dallgët, duke e thithur me tërë mushkritë aromën e detit që të futet thellë në shpirt, të shoqëruar me rrezatimin e diellit, i cili shpërndante reflekse të shëndritshme. Është një gjë që edhe ata që s’janë poetë i bën të fantazojnë.

Ja përmes këtyre përjetimeve të bukura me miq, ngrohtësi, dritë, diell, det, natyrisht njeriu nuk ka se si të mos ndjehet i lumtur. Është një lumturi që buron më së shumti nga vet peisazhi i këtij vendi të gdhendur dhe të qendisur si me dorë nga nëna natyrë, e pikturuar me ngjyrën e dritës dhe penelin e detit.

Zamiri, bashkëshoqëruesi ynë nuk priti fundin e udhëtimit për të falenderuar ata që u bën pjesë e tij. Në fytyrat e të gjithëve endej një lodhje e lehtë, por edhe kënaqësia e një dite të kaluar këndshëm, mes erës, detit dhe magjisë së kaltër. Shpirti ynë kishte nisur që të rrihte nën ritmin e valëve, dhe jo më kot ne ishim në Karaburun.



(Vota: 6 . Mesatare: 2/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora