Udhëpërshkrim » Gorica
Pëllumb Gorica: Malli i tokës
E marte, 02.02.2016, 09:06 PM
MALLI I TOKËS
POEZI NGA PËLLUMB GORICA
MALLI I TOKËS
Pikojnë rrudha ylberesh,
si pikon shiu ndër supe,
dëshira të fton të nderesh,
e të turresh tutje me hope.
Eh, udhët trokitje zemre,
pjesë simfonie e pastër!
Vitet ikin pas një kënge,
qiejve u thith ajrin e kaltër.
Këtu kudo jam i pranishëm,
një syth prej peme të arrirë.
Edhe pse ndihem kaq i lirshëm,
gjoksin ma grish një humbëtirë.
Më vegon vetja si atëherë
dhe s’e mat me vite moshën,
shiu më lag pa u ndjerë,
malli më puthet me tokën.
ANATEMOJ MARRËZITË
Në udhëkryqe jetësore prek rebelime,
nën psherëtima ku marr ca brengosje,
vozitur pa fund symbyllur në mendime,
fle pabesia e rrugëtimeve pa njohje.
Në qorrsokakun e kohës paradoksale,
me bojëra qielli bëj një mozaik,
natën s’e shtyj si uji në kanale
dhe askund nuk shoh me frikë.
Në ndjenjën e gjykimit të paanë që shndrit
me dhimbje shmang heshtjet vrastare.
Kjo kohë çdo natë po më mërzit,
po unë për ta nuk pyes fare.
KITARA E JUSUF GËRVALLËS
Kur hidheshin furtunat lukuni mbi ne,
telat e kitarës përndiznin rrufe.
Si pëllumba qiellorë përqark një ujëvare,
lirisë i këndonin këta tela kitare.
Larg dhimbjes me kilometra plagosur,
shkreptinin si yllësi dëshira të papara.
Heronjtë rënkonin në varr, të pavarrosur,
për Kosovën me ëndrra të vrara.
MOS IA BËNI VARRIN PREJ DHEU
Erdhën me trenat e ngrirë nga larg
e zhurmat gjëmojnë te sytë e një plake.
Me fytyrë të zbehtë fle heshtja në prag,
por gjokset ndizen prej një flake ...
Mos ia bëni varrin prej plisash dheu,
as ta prekni me duar të pista, të pabesa.
Veç kopshtit të praruar ku një ditë ajrin preku,
me vesë mëngjesi i shkruani ca rreshta...!