Udhëpërshkrim » Gorica
Gorica: Shpella e Pëllumbasit - monument natyror
E marte, 02.06.2015, 07:20 PM
Në hyrje të Shpellës së Pëllumbasit
NGA PËLLUMB GORICA
Shqipërisë natyra i ka dhuruar bollëk bukurish e pasurish, ndaj udhëtimet drejt tyre, në kuptimin më të gjërë, janë dije dhe domosdo një kënaqësi e veçantë. Kjo herë pas here me pasionin e udhëtarit dhe miqtë adhurues me zhvendos. Një nga bukuritë e shumta natyrore është Shpella e Zezë e Pëllumbasit, që ndodhet rreth 25 kilometra nga Tirana, në të majtë të luginës së lumit Erzen. Ajo, vitet e fundit, tek çdokush, po zgjon një kuriozitet të veçantë, e përherë e më tepër një vëmëndje për t’u vizituar.
Janë orët e para të mëngjesit. Në qiell lodrojnë bashkësi resh puplore si një gdhendje e zakonshme harte. Penelatat e dritës dhe freskia e bëjnë udhëtimin të këndshëm. Të udhëtosh në një ditë të tillë është vërtet kënaqësi, kur kalon edhe përmes një zone të populluar gjatë gjithë gjatësisë së saj, e ku ndihet më shumë dora e ndryshimit, jeta që zien gjallërisht. Këtu ndërtimet e shumta dhe të bukura i kundëron anë e kënd me tërë hollësitë shtrirë tej në hapsirat e ndara të rrugëve, fushave, kodrave. Gurgullima e lumit Erzen të shoqëron kilometra më tej dhe e ndjen thellë kur udhëton këtu. Erzeni është një prej rrjedhave ujore më piktoreske të Shqipërisë së Mesme, që gjatë stinës së përtëritjes vishet me një pamje gjelbërimi të harlisur deri në lartësitë e shpateve malore. Mendja dhe dora e njeriut i kanë zbukuruar edhe më shumë me ndërtime çlodhëse dhe kënaqësitë që pret të shijosh janë të shumta, por edhe njëkohësisht ndrydhje në shpirt për Tiranën e mbuluar nga smogu. Ndaj dhe bukuritë e rralla natyrore që të ofron lugina e Erzenit mbeten përherë potenciale për turizmin.
Udha gëlon nga trafiku i shumtë i makinave me hyrje- daljet për në Tiranë, ndërsa mikrobuzi me të cilin udhëtojmë ne mori kthesën manjtas, duke u ngjitur kodrave drejt Pëllumbasit. Mozaiku i peisazhit të gjelbëruar ndërron pas çdo kthese. S’mund të mos jesh i vëmëndshëm pa i vështruar aq mirë të veçantat e tij, teksa ngjitemi nëpër të përpjetën e një varg kodrinash të cilat ulen para rrjedhës gjithë dredha të Erzenit. Gjarpërimeve të rrugës mespërmes këtij peisazhi të mbuluar nga gjelbërimi natyror u shtohen edhe tokat e mbjella pëllëmbë për pëllëmbë dhe gjithfarë bimësh e drurësh frutorë, që nga ullinjtë me trungje gjithë gunga e kurorë të gjërë, arrat, qershitë, kumbullat e deri tek vreshtat e rinj. Ndërmjet tyre shtrihet vendbanimi i Pëllumbasit në një hapsirë të madhe e tërsisht të hapur nën këmbët e malit të Pashkasheshit, ku ashpërsia shkëmbore e tij i qëndron si mburojë. Jeta rrjedh këtu me gjithë dimesionin e saj edhe pse të shpalos një botë vështirësish me përpjekjet e banorëve për ta përballuar atë me punën në bujqësi e blektori.
Shpella e
Zezë e Pëllumbasit, kjo mrekulli natyrore përrallore ndodhet në lartësitë
shkëmbore të malit të Pashkasheshit. Le të vazhdojmë udhëtimin tonë drejt saj,
duke biseduar, në një udhë këmbësore tepër të ngushtë, që sa vinte bëhej më e
pjerrët. E mbrojtur nga parmakë druri
dhe e ngjitshme nëpër disa valëzime shkallaresh, të ndërtuara vitet e fundit
hijeshohej nga pylli i dendur i shkozave. Aty këtu stola prej druri të krijojnë
mundësinë të qëndrojmë për të bërë pushim e më mirë të themi të çpihemi pakëz
nga lodhja e ngjitjes së mundimëshme. Kush ka ardhur këtu e nuk është
mrekulluar nga madhështia e maleve të Pashkasheshit, Priskës (Skëterrës), dhe
Dajtit përbri, që ngrihen si një gardh madhështor në lindje të Tiranës dhe
pellgut të saj. Nga kjo lartësi mbisunduese, pamjet e hapsirave të largëta që
sheh syri shfaqen si në pëllëmbë të dorës deri tutje, e të duket vetja sikur do
të fluturosh. Tanimë ne jemi afër maleve dhe po udhëtojmë me vështrimin, duke i
soditur nën simfoninë e zërave të ndryshëm dhe erës që hedh valle me flatra
pëllumbash mbi kokat tona.
Nën pushtetin e emocioneve dhe kënaqësisë dalim nga shpella në një peisazh tjetër e shumë të pranueshëm për sytë tanë. Pastaj pa u ndalur morëm rrugën tatpjetë shpatit shkëmbor të mbushur me drurë të dendur, atje ku gurgullon lumi i kaltër i Erzenit. E tatpjeta nuk zgjat më shumë se 20 minuta, por e thepisur dendur. Lumi këtu e ndërpret shpatin shkëmbor në një grykë të ngushtë (Gryka e Skuranës). Rrjedha e ujit në kohëra i ka ronitur shkëmbinjtë, duke krijuar forma të ndryshme e të çuditëshme: ujvara me lartësi 3-10 m, pellgje pas pellgjesh e po ashtu kanione të vogla. Në të dyja anët një pyll drurësh të shumtë fëshfërin lehtë me freskinë e malit e së bashku me pamjet tërheqëse e tepër piktoreske të dhurojnë kënaqësi. Pas një orë çlodhje nëpër gurë e hijet e pemeve buzë lumit ujëpastër, pikërisht atëherë kur ndenja shpirtërore e përmbushi kënaqësinë e çlodhjes, morëm udhën përposht rrjedhës së Erzenit. Duke kapërcyer nga një gur tek tjetri, tatpjetë një shtegu të ngushtë dredha - dredha, që ndërpritej herë pas here nga një bimësi e harlisur kaluam ngjitur masive shkëmbore që lartësohen mjaft ashpër. Një udhë, e cila thuajse gjatë gjithë gjatësisë së saj ecën afër lumit, e shëndërrohej në një rrjedhë të vrullshme me brrylime të befta e të papritura. Më pas vazhduam në një pllajë të gjërë me drurë, që nuk janë aq të lartë, por të shumëllojshme dhe të kultivuara nga banorët, i kundërojmë endshëm të përshëndetur nga rrezet e diellit teksa përthyhen në shpatin shkëmbor të malit. Emocionohesh nga bukuria e natyrës, kënaqësia e ecjes dhe pushimit pak çaste këtu në një gjelbërim të tillë me ndjesinë e të qënit mik i saj. Si në çdo rast tjetër kur peisazhet e bukura dhe kjo na e hoqi lodhjen si me dorë. Këto janë disa nga mrekullitë e natyrës këtu, pasi ka dhe shumë të tjera, që përbëjnë pjesën më atraktive jo vetëm për një adhurues të natyrës, por edhe për një vizitor të thjeshtë. Na mbetet vetëm t’i admirojmë e sigurisht t’i fotografojmë.
E kemi shijuar bukurinë e këtyre peisazheve piktoreske, vetëm për pak orë, larg nga pluhuri i Tiranës dhe me vete kemi marrë kënaqësinë e një dite të veçantë. Sa më shumë që largohemi, aq më shumë ndjejmë brenda vetes gjelbërimin, aromën e luleve, gurgullimën e ujrave dhe rrahjen e krahëve të pëllumbave. Enigma e shpellës vazhdon në heshtje ta mbështjellë ende atë. Enigmë me krahë pëllumbash.
Lugina e Erzenit
Malet e Skorranës dhe Pashkasheshit
Rruga e mbrojtur nga parmakë druri
Hyrja e Shpellës së Zezë të Pëllumbasit
Stalagimite të shpellës
Stalaktite në brendësi
Kanioni i Erzenit
Ujvara të vogla
Nga një gur tek tjetri, shtegut të ngushtë