Udhëpërshkrim » Gorica
Pëllumb Gorica: I lagur jam këtë mëngjes
E merkure, 19.11.2014, 07:22 PM
I LAGUR JAM KËTË MËNGJES
POEZI NGA PËLLUMB GORICA
NGA KY ZË I CALË
Pikëllohet zëri yt i bukur
dhe lexohet errësira e mbrëmjes,
në krisjet e pa cak kjo pasqyrë,
tregoi zigzaket e dhimbjes.
Ëndërra e një nate plot mall,
u harrua nga sytë e përlotur,
një zë i lodhur dhe i çalë,
nga koka e përulur, krahët e këputur.
Rënkimet humbasin mes dënesash,
çajnë muret e shtëpisë,
si fytyrë në kodra shpresash
kohë e humbur e dashurisë.
Fati s’do ta dijë për asgjë,
shoqëruar me pak pshertima,
duke ndjerë se kjo kohë kështu është,
si varg i lirë dhe jo me rima.
NË MUGËTIRË
O qiell i murrmë i kësaj dite,
që shpik jetën e marrosur,
të shoh pezull si një rreze,
këtë terr që s’ka të sosur.
I shfytyruar nga ankthi,
trishtuar nga e jotja heshtje,
që në kockë pranë më rri,
se një re e vogël vjeshte.
I LAGUR JAM KËTË MËNGJES
Në tokë si dëshiron përplaset shiu,
herë i butë e herë çirret si demon,
vjen nga retë kryeneçe e vetvetiu,
mbi tokë ndalet si një stacion.
E pres në sup kur vjen rrallë,
e nuk kam frikë nga ky rrëmbim,
ai tokën e puth me mall
e deh si lumi në uturim.
E vjen rrëke e re, e turbulluar,
pa merr përpara çdo gjë që gjen,
më vijnë kujtimet përherë syzgjuar,
Si këto rrënjë që ai sot po i rrëmben.
I lagur jam këtë mëngjes,
se përmbi flokë shiu ka vënë kurorë,
mos vallë
po
kjo zemër pyet e ëmbël më trazon.
Pas këtij shiu kërkoj ylberë,
të bëj me to vargun kristalor,
as shiu e as ti nuk më tremb,
as mëngjesi si hon i zi sterron.
KUJTIMI PËR TY
Shpesh fluturimthi më kthehet kujtimi,
që unë as mund ta fshij dot,
ashtu si yjet në qiell të pastër agimi,
më vijnë para syve sikur ka ndodhur sot.
Instiktivisht ti shëtit mbi shpirtin tim
e dihatja e fundit çuditërisht më lëviz,
me zëra që ngërdheshen pakuptim,
si skalion nga fusha e mërzisë.
Në rrugët që nisin e fundosen gabimisht,
kujton se lënduar më ke në dhimbje,
përzier me shijen e dimrit në gjumin e trishtë,
sërish malli ka shumë ndjesë e pritje.