Udhëpërshkrim » Gorica
Pëllumb Gorica: M’i zbardhi flokët koha
E hene, 21.04.2014, 07:32 PM
M’I ZBARDHI FLOKËT KOHA
POEZI NGA PËLLUMB GORICA
THYEN ËNDËRRA
Gjakmarrje, klithmë e tendosur,
gjakmarrje, tmerr mbi tmerr,
me frikë gjithë vendin ke pllakosur,
çdo ditë kufoma merr!
Kur të mendoj në gjoks më mblidhet,
një lëmsh, një makth nxehtësie.
Me plagë dita ofshan dhimbjet,
nën qiej perde zije.
E harroj ditën e diellin që thërret,
vetvetja më mbyllet brenda,
me lot gjaku ngop ti vdekjet,
si xham thyen ëndërra.
Të fundmet fjalë i mbledh me duar,
por kohërat s’më përgjigjen,
kjo kohë prej krismash është shurdhuar,
qirinjtë mes erës digjen.
M’I ZBARDHI FLOKËT KOHA
Rinia ime, mes vrullesh mbete
si kitarë e çakorduar,
këngë e çjerrë në vite,
me pengje të pashkruar.
Kur të kujtoj më zë mërzia…
Oh ç’kohë e parikthim!
Në gri e veshur nostalgjia,
revoltë gjer në shpërthim.
M’i zbardhi flokët kjo kohë,
me rrengje në çdo metër,
si udhëtari pa adresë,
s’më mbeti asgjë tjetër.
Shpirti s’ra si gjeth i tharë,
as si guri në pus,
ca ëndërra mbyllur në guackë,
më kot t’i ngjall i lus.
PËRGJIGJE NJË ISHMIKU
Ç’do shpirt i fortë, apo i trishtë,
S’e mban për miq derën mbyllur,
por ti ma mbylle tinëzisht
me shpirtin tënd limon të shtrydhur.
Tek unë edhe zogjtë vijnë, trokasin,
se dashuri kanë ndjerë përherë,
me cicërima fjalësh flasin,
miqësi e tyre më bën nder.
Ti je mësuar të bësh lajka,
shpeshherë me fraza plagjiturë.
Ku të zë dita, s’të kap darka,
me ty dhe kafja është torturë.
Kudo bredh, por i përlyer,
se ti me miq bën veç pazar,
“poet” me fjalë të importuar…
Me ty çdo rrugë e kam të ndarë.