Udhëpërshkrim » Gorica
Pëllumb Gorica: Jozefina Traboini - “Perandoria...
E marte, 24.12.2013, 07:21 PM
PERANDORIA E SHPIRTIT, MË E MADHJA PERANDORI
Mendime rreth vëllimit poetik “Perandoria e shpirtit”, të poeteshës shkodrane Jozefina Traboini
NGA PËLLUMB GORICA
Nëse do ta rimblidhja me dy fjalë gjithë mesazhin që sjell poetesha Jozefina Traboini në vëllimin e saj poetik “Perandoria e shpirtit”, ku midis vargjeve vibron ndjenjë e hollë artistike dhe estetike do të shprehesha: Dashuri e dhëmbje, themelet mbi të cilat ngrihet perandoria e përjetshme e shpirtit. Njeriu që ka shpresa dhe dashuri në shpirt është himnizues i përjetsisë. Një shpirt pa dashuri dhe dhëmbje, është një gur i thërmueshëm, që nuk mban dot mbi supet e tij asnjë lloj ngrehine e jo më një perandori. Të shkruash vargje, që rrezatojnë dashuri e dhimbje nuk është gjë e lehtë. Vetëm një poete që jeton të tashmen në çdo grimcë të saj, që retrospektivën e infiltron në damarët e dhimbjes e të ardhmen e ingranon në teleskopet e optimizmit dhe shpresës, si Jozefina Traboini mund ta bëjë një gjë të tillë. Titulli i librit intrigues që mbart një peshë të veçantë metaforike e që të zgjon interes.
Dashuria që buron nga vargjet e Jozefinës jo vetëm që eshtë një dashuri e dhimbshme, e sinqertë e njerëzore, por është edhe gjithëpërfshirëse. Ajo është dashuri për brezat dhe vendlindjen, për nënën e motrën, për vëllain e për fëmijët, për miqtë e për shokët, për lirinë e për fenë, për lulet e për femrën, për detin dhe për malin, për diellin dhe për hënën, për shkollën dhe për qiellin, për ajrin e pastër e për çdo pëllëmb vend që mban copëza nga jeta e saj brenda e jashtë atdheut. Por si rreze dielli e pashuar për poeten e mbi të gjitha mbetet dashuria për fëmijët, sepse ajo nuk është thjeshtë dashuri nëne për krijesat e saj, por dashuri për vazhdimësinë e brezave e përtëritjen e jetës. Me fjalë të zakonshme me një transparencë që prek edhe gurin Jozefina Traboini shkruan:
Ata janë ëngjëj
Për mua ata janë fryma
janë lodhja ime
janë qetsia ime.
Më thjesht, më bukur, më konçiozitet se kaq që ngërthen e shpreh gjithçka nuk mund të ketë. Ashtu siç respekton e vlerëson ghyshërit, të gjithë gjyshërit e botës:
Gjyshër!
Kur të bëhem unë gjyshe
A do të jem e mirë sa ju.
Barometri matës për vlerat e tyre është shumë njerzor, mjafton që edhe vetë poetja të bëhet aq e mirë sa ç’janë ata, gjyshërit, krenaria e brezave. Rrallë mund të shkruaj kush me një konçizitet të tillë që të mbajë brenda dashuri me peshë sa mallet kur ajo shkruan për motrën apo mbesat:
Unë kam edhe një hanë
e ka emrin Anë
apo edhe përkushtimi për mbesën: Viki ti je melankoni e brishtë.
E veçanta e këtij vëllimi poetik është se poetja vlerëson lidhjen e gjakut, farefisninë me një dashuri të sinqertë, duke deklamuar qartë se nuk vlerëson shtresat e larta shoqërore për servilizëm e interesa. E të vlerësosh familjen tënde tënde nuk ka gjë më të bukur e njerëzore. Vargjet janë herë deklamime moralizuese dhe herë dedikime të sinqerta shpirtërore, herë thirrje për t’u përsosur moralisht e herë krenari e ligjshme për arritjet e krejt fisit e rrethit të saj familjar. Është një përthyerje e gjetur dhe një larmi që të joshin letrat e urimit apo përshëndetjet e gëzuara në formë vjershërimi, që ajo bën për gati të gjithë të afërmit e saj. Edhe kur syri i vargut të saj mundohet të rrokë realitete jashtë rrethit farefisnor e ajo përsëri ndjen, përjeton, akumulon dhe rrezaton dashuri njerëzore deri në intimitet:
Me tingujt e tij
qaj të gjitha kohët
dhe ndaj kërkon që madhështia e Bethovenit ta shoqëroj gjer në varr. Dashurinë për atdheun dhe familjen poetja e shkrin me dashurinë për një pjesë të vendit të huaj siç është qyteti i Romës, ku ajo kaloi një pjesë të jetës së saj, ndaj shkruan:
Romë !
Atje ku unë linda filizat e mij
Ku rrita dy mrekulli
perandori shpirti.
Zemra e saj është aq e madhe sa kërkon të mbajë brenda gjithçka të mirë e fisnike, atdheun e vendlindjen e më duket se poetja e arrin kur shprehet për malësinë me burrat shtat lisa e për gruan si:
Zemër nëne
zonjë e gjithësisë.
Ajo me ndjenjë di të depërtojë në detajet e jetës ashtu siç di të futet në intimitetet e femrës që nga bluza e gjer tek parfumi, tek misioni i saj si nënë e pendesa që e ngacmon vazhdimisht për çdo gjë që nuk është vendosur mirë në jetë:
Pendesa çdo natë më prish gjumin
Pëshpëris në heshtje
lotohem pa u ndjerë.
Dhe pasi ajo ka rrokur tërë hapsirat, duke ngritur me të vërtetë Perandorinë e shpirtit, përsëri merakun e ka vetëm për të vërtetën, ajo është perandori që gjeneron të ardhmen:
E vërteta duhet të jetë moral
Dhe jo mister nëpër botë.
Me këto dy vargje monument për të vërtetën, poetesha shkodrane Jozefina Traboini e mbyll me shumë domethënie vëllimin e saj poetik. Shpirtit krijues të autores i urojmë suksese për vizionin e " Perandorisë së shpirtit".