Udhëpërshkrim » Gorica
Pëllumb Gorica: Si mund të veshë nimfa poezi...
E diele, 04.08.2013, 04:06 PM
VËZHGIM
SI MUND TE VESHË NIMFA - POEZI KOMBINEZONIN E PARASË?
NGA PËLLUMB GORICA
Të
krijosh komoditet për jetën, jo vetëm nga ana materiale, por edhe shpirtërore,
padyshim, miku më i mirë është libri, përmes së cilit çdokush sheh botën, duke
u pajisur jo vetëm me dije, por duke mbushur zbrazësinë shpirtërore, jo rrallë
herë, me anë të magjisë së fjalës, që vetëm pena e njerëzve të letrave di të dhurojë.
Edhe pse duhet pranuar se sot shumë pak lexohet libri artistik. Kompjuterizimi
dhe interneti, dominuese në këtë kohë si ekperiencë e re e me vlerë klasike, ka
krijuar “dembelosje” në përgjithësi. Kjo ka bërë të mundur që kontakti, me
librin, të jetë i paktë ose krejtësisht i mënjanuar. Zhvillimet e vrullshme të
realitetit drejt teknologjise dhe informacionit e kanë bërë njerëzimin të rendë
përpara për të sfiduar kohën. Në këtë hulli zhvillimi është e vështirë të
merresh me art.
Letërsia,
si krijimtari artistike, ka shumë gjini, si në prozë e poezi. Në fillimet e
tyre krijuesit, shkruajnë më shumë në poezi. Poezia është më e kapshme, më
prekshme, më e shpejtë. Ndez fillimisht si flakë kashte e pastaj djeg si
prushi. Duke qenë më e manovrueshme dhe më tërheqësë nga të gjithë llojet e
tjera të krijimtarisë, poezia i tërheq krijuesit dhe i fut pastaj në atë
labirinthin e krijimeve të tjera, ku ata piqen e rrihen në udhën e bukur, por
të vështirë të artit. Krijuesit në
përgjithësi e gjejnë veten më shumë tek poezia, sepse ajo ka emocionin, ritmin,
rendjen në një shtrat me dinamizmin e kohës, fokusi që thith tërë ndjenjat dhe
pasqyrohet në tempin e papërmbajtur. Kështu, të impresionuar nga kjo ndjenjë,
dalin edhe zbulohen edhe talentet e vërteta, duke u përpjekur të lëvrojnë edhe
tematika të tjera.
Edhe pse
talentët po shfaqen me krijime të mirfillta dhe po lenë gjurmët e tyre si
dëshmia më fisnike e ndjenjës, që vjen prej fjalës së përjetësisë se tyre
të krijimit, jo të gjithë gjejnë kushtet
dhe terrenin e përshtatshëm për t'i nxjerrë në pah vlerat e veprës së tyre të
shkruar. Në fakt katrahura e kohës nuk po i njeh të shumëpriturat krijime të
tyre. Në këtë realitet të prekshëm çdokush, që është i dashuruar pas fjalës së
shkruar bukur, ndien keqardhje përtej dhimbjes, tek sheh, që si mielli i
përzier me krundet, ashtu edhe talentet po anashkalohen prej krijuesëve
mediokër të mbështetur prej individëve redaktorë, botues e sekser, ngaqë në
këtë kohë, antikohë janë ndërtuar mardhënie interesi dhe kamercializmi, paraje
dhe shoqëri e sëmurë.
Me gjithë anomalitë e theksuara, vlerat letrare të talenteve, herët apo vone, dalin në sipërfaqe, duke e gdhendur emrin në mermerin klasik të memorialit të letersisë sonë, në të gjitha gjinitë në përgjithësi, sidomos në atë të poezisë në veçanti. Një shoqëri e shëndoshë matet edhe nga fakti se sa ndihmohen e përparojnë talentet. Për rolin paraprijës që ka, arti kërkon inkurajim, evidentim dhe financim. Ndaj jo vetëm të zbulohen, afirmohen me realizëm talentet, por edhe t’u krijohen hapësirat dhe klima e nevojshme për inkurajimin dhe konsolidimin e tyre si një pikënisje përkrahëse dhe dinamike të më të aftëve në ecjen e bukur të rrugës së vështirë të artit, që në të ardhmen të bëhen vërtet një vlerë e krijimtarisë sonë letrare.