Udhëpërshkrim » Gorica
Pëllumb Gorica: Shpirti i flakëruar për Atdhenë!
E premte, 22.03.2013, 08:31 PM
SHPIRT I FLAKËRUAR PËR ATDHENË!
Mendime pas leximit të vëllimit poetik “Pikojnë heshtjet” të Nexhat Rexhës
NGA PËLLUMB GORICA
Heshtja
të vret! Të përvëlon shpirtin! Ajo flet me shumë se çdo gjë e nganjëherë të
mbyt në ndjesi, që shpërthejnë në formë të germëzuar. Heshja, që pikon dhimbje
dhe kujtesë, ravijëzohet në gërma të arta poetike, përmes shpirtit shpërthyes
të poetit Nexhat Rexha në vëllimin poetik “Pikojnë heshtjet”. Tematika
mbizotëruese në këtë vëllim poetik është ajo e atdhedashurisë, historisë
shekullore të Kosovës. Tituj figurativë të zgjedhur me finesë nga autori të
poezive,të tërheqin të futesh në labirintet e vargjeve, në të thënat
drejtpërdrejt të mendimeve apo dhe në të nënkuptuarat.
Në çdo
faqe të këtij vëllimi ecim përmes rrugës së gjatë e të mundimshme plot shpresë
e ëndrra të pashuara të popullit vital, idealet më të larta kombëtare të të
cilit frymojnë në gjenezën e tij. Ajo shprehet me një forcë të madhe dhimbjeje,
për këtë kohë të shkuar të zhgënjimit, që kërkojnë ta fshehin me "gomën e
harresës". Koha vërtet s’ka kthim pas,por nuk harron, veç ajo rregullon në
mënyrë perfekte që cdo gjë të kthehet në normalitet në të tashmen. Trojet
Arbërore s’u venitën kohërave, s’u zhdukën rrugëve gjarpëruese, kur historia
fliste me gjuhën e padrejtësisë, që, siç thotë autori:“ Ti i mendoje rrugët
drejt/po vijat gjarpëronin/gabimisht hartën e vdekjes/Konferencave Evropiane”.
E para
syve të tu shpaloset jeta e një populli, gjaku shqiptar i të cilit lëvrin ndër
deje breza me radhë, i papërzier, edhe pse, sikundër thotë poeti:“…në damarët e
nëntokës/dikush futi duart tinëzisht”.
Arti
poetik i Nexhat Rexhës flet me zërin e një shpirti patriotik, me krenarinë për
virtytet më të larta të shqiptarëve, ndër të cilat triumfon besa e dhënë për të
mos e lëshuar këtë truall në duar të armiqve, por për të qenë zotër të saj:“E
gjallë, e lodhur shtegtoi besa deri në këtë shekull”.
Lëndoi
okupimi serb. Kjo dhimbje edhe pse e shkuar, pruri lirinë e fituar me gjak,
liri, që të ngre lart, sa me lart në një fluturim, ku spikat shpresa për një
jetë të re. Ndaj shpirti i poetit nuk hesht, ai është i mbushur me etje e zjarr
në kalvarin e vuajtjeve të pashoqe të tokës mëmë:“i strukur pranë plasave të
gurëve në pritje të një shpirti pranveror”. Poeti, e ka parë, e ka përjetuar
kalvarin e gjatë të vuajtjeve të popullit të tij, e ka ndjerë deri në palcë atë
dhe është ndier krenar, kur më në fund, më 17 Shkurt 2008 u arrit Shpallja e
Pavarësisë, ditë, së cilës autori i thur vargje himn:Populli im hoqi pamjen e
mrrolur,
bashkë me
zymtësinë/shndërroi urrejtjen në dashuri.../Në muzeun e kujtesës
ruajtën/Vargjet e Shandor Petëfi/“Në qiell me gjakun tuaj do shënojmë/Se botën
mbretërit dot më s’e mashtrojnë’”.
Larmishmëria
e figuracionit poetik zotëron terrenin e pothuaj çdo poezie të poetit Nexhat
Rexha, duke u dhënë jetë vargjeve. Simbolika e tyre ka gjuhën e fjalëve më të
dashura, kur është fjala për shpresë, jetë. Përmes simbolikës së tij ai sjell
shiun, fijet e barit, simbolikë e begatisë, ripërtëritjes, pas pritjeve të
gjata zhuritëse:“Në skaj të turmës mashtruese /Pres shiun/Që do ta sjellë koha
ime”…/“Një shi pranvere pres/Për këto fije bari”…/“Në pranverë shiun kërkojmë”
apo “Të dashuruerit e stinëve me lule/bëjnë luftën për shiun”.
Autori
sjellë edhe përmes pemës së ullirit për të simbolizuar paqen, fjalën më hyjnore
të vëllazërimit midis njerëzve . "Nga degët e ullirit pikojnë heshtjet” e
diellin si simbolikë të lirisë e fitores ”Dhe ne kërkonim diellin
të kalojë
nëpër faqet tona”.
Metafora,
kryefjala e poezive të Nexhatit! E kudogjendur! Nuk mund të lexosh një poezi në
këtë vëllim poetik pa shijuar ëmbëlsinë e metaforave, finesën e tyre. Metafora
jo vetëm foljore, por edhe emërore, jo vetëm në trup të poezive, por edhe në
titujt e tyre. Sikur për një moment të ndalesh diku në një poezi, do të shijosh
magjinë e metaforave të Nexhatit: “ëndrrat trazojnë kujtesën; sirtarët e
kujtesës...; kur flet vetmia; lufta e hartave më kafshoi; krijon damkë
vrullshëm në shfrytëzim; engjëlli pikturonte këmishën e shkyer; erërave të
tymosura ia ndalëm hovin...”.
Poezia e
Nexhat Rexhës është e veçantë edhe përsa i përket metrikës. Aty, në atë varg,
ku mungon rima, e kompeson ritmi, aty ku fillon pak të errësohet mendimi,
shpejt e zbardh lirizmi i ngrohtë që rrëshqet si fllad mali:“Ti vetë më ke
thënë/Se ëndrrën do ta sjell/Për ty në çdo agim/
Nëse ke
durim o shpirt në trazim/Zjarrin në oxhak e ndezim bashkë.”
Prej
penës së Nexhatit vijnë të latuara bukur edhe epitetet, pothuajse i ndesh në
çdo varg, duke i dhënë forcë vargut dhe jetë mendimit të tij. “Hartë memece”,
“dinastitë e harbuara”, “rrugëve mashtruese”, “buzëqeshje kafshuese”, “dashuri
ziliqare”, “nisje kobzezë”, “gropë memece”, “gënjeshtër e ngrënë, “kafshimi i
verbër”, “ujëvarë e ngrirë”, “liri e lakuar”, “magji ngatërrestare”, etj.
Lakonizmi,
kadenca, harmonia midis mendimit dhe strukturës se vargjeve, të ben të
shprehesh se me vëllimin poetik “Pikojnë heshtjet”, shpirti i ndezur në emër të
kombit, stili i veçantë i të shkruarit, janë gur të vlefshëm e të qëndrushem të
themeleve krijuese të Nexhat Rexhës.