Udhëpërshkrim » Gorica
Pëllumb Gorica: Qielli ngjyrë harresë
E hene, 16.07.2012, 07:17 PM
QIELLI NGJYRË HARRESË
POEZI
PËLLUMB GORICA
Shpirti im – një tempull
Në themele me rrënjë ëndrrash,
brenda meje gurë të sertë,
Me psherëtima këngë trishtilash,
Qiellit tim i çukas nëpër fletë.
Shpirti im - tempull, ku shpresat gjallojnë
nën flakëza të zbehta qiriri,
Jashtë meje, mes territ kërkojnë
trashëgiminë e rrënjëve te biri!
Mbi blloqe statujash, yjet ulen,
të ribëjnë një qiell prej drite,
Në jetë, veç perëndive u përulem.
S'ka gjë se sot ngjaj jashtë orbite.
Jam grimcë lirie e rebel i përjetshëm
me frymën e një të lodhuri përtërirë.
Në shkallët e shpirtit pulsoj etshëm
si oaz kryeneç në këtë shkretëtirë.
Në “pentagram”
Rrjedha e vargjeve kurrë nuk më thinjet,
në pentagramin e natyrës së arnuar,
Si një bard, kurrë nuk nginjet
shpresë e ëndrrës së filluar.
Nata shpesh yjet m’i fsheh,
Kur hëna s’derdh asnjë rreze dritë.
Si vetmitarët më pandeh,
po prapa dere i qëndroj pritë.
Me legjenda e mbështjell vetveten,
imazhe i gërvish pena,
Kërkoj prej qiellit të vertetën...
I pres mëngjezet mbi bedena.
Qielli ngjyrë harresë
Ajo kohë iku tashmë,
Si një zog vjeshte pa zë,
Ëndërr e pashpresë
Në një qiell pushtuar
nga ngjyrë “Harrese”.
Larg me heshtjen e kërrusur,
Nën një shteg, në mugëtirë.
Arsyen e errësirës humbur
Si fustan vejushe zi - nxirë.