Udhëpërshkrim » Gorica
Pëllumb Gorica: Humanizmi, virtyt i shqiptarëve ndër breza
E merkure, 04.07.2012, 04:05 PM
HUMANIZMI, VIRTYT I SHQIPTARËVE NDËR BREZA
NGA PËLLUMB GORICA
Historia është
dëshmitare jo vetëm e zhvillimeve të ndryshme jetësore, por edhe e mbartjes së vlerave
të një populli. Ndër shekuj shqiptarët i ka dalluar humanizmi, toleranca,
mikpritja, bujaria, virtyte që janë spikatur edhe në përiudha të vështira të jetës,
si evokime tradite.
Këto
vlera janë treguar jo vetëm për vëllezërit e një gjaku, shqiptarët e
Kosovës, të keqtrajtuar barbarisht nga makina vrastare e
lukunive serbe me krime monstruoze në këto 100 vitet e fundit apo edhe për
banorët çamë, të dëbuar nga trojet e tyre, prehë e masakrave të shovinistëve
grekë, por edhe duke strehuar e mbrojtur edhe të huajt, të pambrojtur, të vuajtur
e në mjerim, pasojë e përplasjeve të luftrave gllabëruese. Humanizmi, si
shembull karakteristik i virtyteve të shqiptarëve nuk harrohet në vitet e Luftës
Parë Botërore. Populli ynë strehoi muhaxhirët boshnjakë në këto ditë të vështira
të Luftës së Parë Botërore. Në vitin 1918 ushtarët austro-hungarezët, pas
humbjes së luftës, në një gjendje mjaft të mjerueshme, kockë e lëkurë, që të kujtonin
lypësat e rëndomtë të rrugëve, shqiptarët, nuk i lanë të vdisnin urie. Ato
vite për Shqipërinë u quajtën “uria e madhe", apo koha e nenmses ku
mungonin buka dhe sendet e tjera të ushqimeve, veshmbathjet dhe çdo gjë e
nevojshme. Të tjera fakte dhe dëshmi tregojnë për humanizmin e pashoq të shqiptarëve.
Strehimi dhe mbrojtja e hebrenjve prej ndjekjes nga bisha naziste që kërkonin
shfarosjen e tyre, qëndron në gurthemelet e shpirtgjerësisë së shqiptarit. Më
8 shtator 1943 Italia fashiste kapitulloi pa kushte dhe vendin e tyre e zunë forcat
naziste gjermane, që vërshuan drejt Shqipërisë, duke zënë pozicionet e lëna
bosh. Forcat gjermane, gjatë hyrjes në Shqipëri, mbollën terror në Jug, si në fshatrat
Borovë e Barmash, përkundrejt propogandës se nuk janë pushtues dhe se qëndrimi
i tyre ishte i përkohëshëm e kalimtar në Shqipëri. Pas kapitullimit
nazistët gjermanët nuk i konsideronin ushtarët dhe oficerët italianë të Italisë
fashiste si robër lufte, por tradhëtarë të boshtit, duke i vënë në grykën
e armëve, si fajtorë të humbjes së luftës në Gadishullin Ballkanik e Veriun e
Kontinentit Afrikan. Pas shpartallimit të ushtrisë italiane e fazhizmit, me
nacionalizmin e tij të tërbuar, shumë ushtarë e oficerë italianë në Shqipëri, në
pamundësi për ikje në vendin e tyre nën këtë terror e zhdukje, gjetën strehë e
përkrahje nga populli shqiptar. Një pjesë e tyre, në tentativë për t’u larguar
në Itali, u masakruan në ditët e para pas kapitullimit.
Kryesisht
banorët e zonave fshatare me tolerancën dhe shpirtbujarinë i mbrojtën dhe i
mbajtën gjallë nga kërcënimi i urisë, dimrit të egër të 1943-1944-trës,
ndjekjeve të nazistëve, të cilët me anë të dy operacioneve, të Dimrit dhe të Verës
së 1944-trës, nuk kishin mëshirë as për shqiptarët. Ky fakt nuk mund të shuhet
nga ndërgjegjjia e popullit tonë, si ditët më të rënda dhe për këtë perandori
pushtuese, me ushtarë të katandisur keq e më keq. Është mbresëlënës ky
humanizëm dhe me të vërtetë mirnjohës për këta fatkeq të gënjyer nga fazhizmi,
që erdhën si pushtues. Populli ynë u tregua jo hakmarrës kundrejt tyre, por i
strehoi, i mbrojti, duke mos harruar ç`kishin vuajtur nga pushtuesit fashistë,
luftërat, reprezaljet, djegiet, vrasjet, masakrat e tyre. Shqiptarët i
urryen si pushtues, por nuk i keqtajtuan ushtarët italianë dhe nuk u dorëzuan
asnjë prej tyre nazistëve gjermanë, të cilët, po t’i kapnin, do t’i vrisnin. Ata
ishin viktima, që i katandisi fazhizmi, duke i hedhur në këtë cep të Ballkanit.
Një pjesë e tyre u inkuadruan në Ushtrinë Nacional Çlirimtare Shqiptare, pjesë e
batalionit “Antonio Gramshi” të Brigadës së Parë Sulmuese.
Banorët e
krahinës së Sulovës së Elbasanit, si gjithë Shqipëria, me gjithë mjerimin
e ulur këmbëkryq dhe kushtet e vështira të luftës, strehuan dhjetëra ushtarë italianë,
duke i mbrojtur nga ndjekjet e nazistëve. Sulovarët ndanë copën e bukës, edhe
pse dikush nga këta ushtarë mirësinë e ktheu në tradhëti tek gjermanët. Dëshmitë,
si kujtime të kohës, vijnë nga bashkohës me copëza ngjarjesh, emra, veprime,
kontribute, karaktere të ushtarëve italianë. Mësuesi veteran, Riza Cërriku,
tregonte: “Ushtarët italianë u strehuan
në familjet e fshatarëve të mesëm, por edhe në familje të varfëra. Nga ana tjetër
shumica prej tyre treguan se ishin të interesuar të punonin, se s’dëshironin për
të luftuar. Kishte nga ata që në fshatrat e Sulovës treguan se ishin specialistë
të mirë si ndërtues, të cilët punonim mirë murin e gurit, por edhe punimet e
drurit” Ata ndërtuan shtëpi, hapën puse uji, vetullorë ullinjësh, shtruan
kalldrëme guri etj, që janë edhe sot, si një dëshmi e kësaj kohe, meritë e
punës nga këta ushtarë italianë. Në Linas, 6-7 prej tyre ndërtuan disa shtëpi,
që kanë mbetur të emërtuara deri vonë si shtëpitë e ushtarëve italianë. Po
ashtu, në Mollas, kujtohet se me shumë mundime hapën një pus uji, shtatëmbëdhjetë
metra të thellë, që përdoret edhe sot. Gjithashtu, ata bënin çdo lloj pune në ara,
duke ruajtur bagëtitë, mbjellë e krasitur drurë frutorë. Interesant është fakti,
se në Lumas, gjatë punës në një arë, zbuluan objekte të vjetra qeramike që i përkasin
një vendanimi me histori të lashtë. Ështe detyrimi ynë moral që t’i kujtojmë gjithmone
për shembullin e tyre të njerëzishëm familjet sulovare që i strehuan ushtarët
fatkeqë italianë. Në Selitë u strehuan në familjet e Ibrahim Sades, Dine Sades,
Refit Micit, Llan Sades etj. Në Linas, në familjet e Faslli Metushit, Kajo Hysës,
Gani Hoxhës, Hekur Metushit, Myftar Ragës. Në Kamuna në familjet e Çeç Cërrikut,
Halim Cërrikut, Nexhip Cërrikut, Zenun Cërrikut, Sherif Cërrikut, Ymer Cërrikut.
Në Mollas, në familjet e Rakip Gjinit, Rushit Gjinit, Qerim Çalës, Myslim Çalës,
Nuri, Kurtit, Ali Kurtit. Në Topojan, në familjet e Islam Mëhallës, Zyko Mëhallës,
Ali Hoxhës, Arif Mëhallës. Në Dragot, në familjet e Qazim Çalës, Riza Çalës,
Beqo Shkëmbit, Ramo Senjës, Dervish Senjës. Në Klos ,në familjet e Mehdi
Qevanit, Arif Memës, Rakip Xherisë, Fezo Xibrrakut, Asllan Vishkullit, Dervish Çalës.
Në Qyrkan, në familjen e Sherif Xibrrakut, Zyko Plakës. Në Qafë, në shtëpitë e
Isuf Qevanit, Fehta Mustës. Në Lumas, në familjet e Ali Shërmadhit, Sali Shërmadhit,
Mehmet Senjës. Në Floq, në familjet e Haxhi Kumrisë, Dule Tafës Hajredin Tafës,
etj. Në Banjë, në familjet e Sali Hoxhës, Aqif Hoxhës etj.
Ushtarët
dhe oficerët italianë disa muaj pas çlirimit të vendit, në pranverën e vitit 1945,
u rikthyen në atdheun e tyre, Italinë, pranë familjeve me kujtimet më të mira
dhe mirënjohjen edhe për banorët e krahinës së Sulovës, me dëshirën që një ditë
do takoheshin e do ta shpërblenin këtë humanizëm. Kur u larguan ata janë ndarë me
të qarë me banorët. Por rrethanat, që u krijuan në vitet e sistemit të egër
komunist, të mbylljes së tij me botën kapitaliste, ua keputën këtë lidhje dhe
kujtimet e tyre u zbehën në harresën e 50 viteve, të gjysmës së dytë të shekullit
që lamë pas.
Humanizmi i treguar nga sulovarët, si nga mbarë shqiptarët, na bën të ndjehemi krenarë për këtë vlerë që lëvrin në deje tek shqiptarët ndër breza.