Udhëpërshkrim » Gorica
Pëllumb Gorica: Njerëzimi në përmendore me tri simbolika
E premte, 18.05.2012, 06:54 PM
NJERZIMI NË PËRMENDORE ME TRI SIMBOLIKA
Mendime për vëllimin me poezi “Qyqja në hanin e Ferrit” të poetit pejanë Mëhill Velaj.
NGA PËLLUMB GORICA
Me tri fjalë mund të thuash shumë. “Qyqja në hanin e
Ferrit” të poetit Mëhill Velaj është titull me tri fjalë,
që ngërthen në vetvete një simbolikë e cila nuk është e lehtë të dëshifrohet.
Qyqja simbolizon
vajin e vetmisë dhe të fatkeqësisë së madhe,si nostalgji therëse për atë
lumturi që ekzistonte dikur, por që erdhën dhe e vodhën arbitrarisht
padrejtësitë e kohës.
Hani, është vendstrehimi, vendfshehja e mistereve, e ëndrrave
të pafjetura , i kujtimeve të nxehta, që ndizen e pikojnë mall të përvëluar e
duan të ndjekin pas brezat.
Ferri, është
simboli i së keqes së përjetshme, i gjykimeve dhe ndëshkimeve shpirtërore
e fizike, i dhënies llogari për mëkatet e kryera nga çdo moshë në jetë.
Por merita
kryesore e poetit është se të tria këto si simbolikë e së keqes që jeton bashkë
me njerëzimin, i shpalos si ana tjetër e medalje së një jete që
gjen forca të mbijetojë e t’i mposhtë ato gjithmonë në dobi të së mirës
së njerëzimit. Poeti ka meritën e veçantë se të tria etapat e njerëzimit,
të kaluarën të tashmen dhe të ardhmen, i sheh të lidhura dialektikisht, duke
argumentuar artistikisht se asnjera nuk mund të ekzistojë pa tjetrë. Çdo komb,
familje, individ, çdo qenie e gjallë ka një të kaluar që përjetohet pozitivisht
ose negativisht në të tashmen, dhe përcillet në të ardhmen me lëngun jetësor.
Vëllimi me poezi
“Qyqja në hanin e ferrit” të poetit Mëhill Velaj është i konceptuar në pesë
cikle të lidhura organikisht me mesazhin e qartë se gjithçka në këtë botë është
ëndërr e shpresë, luftë e paqe, humbje e fitore,por asgjë nuk zhduket e humbet,
por tjetërsohet e përmirësohet në ardhmërinë e saj, duke mbajtur të pazbehur
vulën e kohës. Poeti gërmon në kujtime, për të rindezur traditën, e për t’i
mbushur brezat me krenarinë e ligjshme për këtë vend ku “rrodhën më shumë
lumenj gjaku se sa lumenj me ujë”.
Të shkruara në varg të bardhë dhe në një ritmikë këmbëngulëse, poezitë e vëllimit me poezi “Qyqja në hanin e ferrit” janë poezi me larmi tematike, me figuracion disi të errët, që nuk është i lehtë në të kuptuar. Me ritmin dhe metaforën e tyre, simbolikën e guximin e shprehjes, çdo varg i tyre kullon dhëmbje e mall për atdheun, shpaloset dëshira dhe mesazhi i madh, se pavarsisht pengesave e brengave jeta meriton të jetohet. Ndaj edhe pse i brengosur për gjithçka që nuk është realizuar, i përmalluar nga ndarja me atdheun e tij, riafirmon lidhjen e përjetshme me jetën si nocion biologjik e filozofik dhe me Kosovën e tij, nënë të pavdekshme kur shkruan:
“Unë do të vij
përsëri
E ardhmja e
fatit tim
Je ti Kosova ime
Emrin zemër ke”
Në vargjet e vëllimit poetik,“Qyqja në hanin e ferrit” të Mehill Velaj shprehet më së shumti edhe thelbi i dëshirës së madhe të poetit, për ta kthyer lotin në ëndërr, dhëmbjen në dashuri, dhe dëshpërimin në shpresë:
“Ende gjenim
guximin , forcën e brendshme”
Dhëmbjet dhe
humbjet tona ishin
Lotët e shpresës e të dashurisë”
Poeti njeh humbjen dhe pranon fatkeqësinë si një fenomen i natyrshëm që ndodh, pavarsisht nga dëshira jonë. Ai analizon të kaluarën dhe nxjerr mësim nga realiteti që jeton dhe pastaj thjeshtë e pa bujë, jo nga pozita e heroit apo e martirit, por të ushtarit që e do sinqerisht dhe sakrifikon për jetën:
“Dhimbjet dhe
humbjet tona ishin
Lotët e shpresës dhe të dashurisë”.
Dhe për ta garantuar e qartësuar më mirë këtë proçes të pashmangshëm, thërret në ndihmë zërin e të parëve:
“Dëgjojmë zërin
e largët të etërve:
Mos kini frikë
dhimbjen e vdekjen
Hapni portën e
së ardhmes
Aty do të gjeni PAQEN.
Malli e brenga, pengesa dhe vështirësia e ngacmojnë përtej njerzores poetin. Fakti që “qyqja këndonte vargun në një degë të thatë “ e bëjnë poetin “të varet në litarin e vargjeve”, por qartëson se ai këtë nuk e bën në emër të disfatës, por të optimizmit dhe ringjalljes, të përtëritjes së jetës. Poeti si një krijesë e shkrirë shpirt e mendim me mjedisin që e rrethon shkruan:
“Jeta është e
bukur
Jeta jam unë
Vargjet që i thur për të”
Poezia e Mehill Velaj është si një këngë e papërfunduar kurrë për jetën, si një ëndërr në zgjim. Ndaj kur i lexon ato vargje plot mëshirë e humanizëm, që rrezatojnë vetëm mall atdhedashurie e shpresë të ringjallur, që i thurin ditirambe ardhmërisë së bukur njerzore, të sjellin padashur në mendje mendimet e famëmadhes Nënë Terezë. Ja si shkruan poeti:
“ Ndjeni
dashuri, kur ju jepni dashuri
Jo vetëm kur ju
merrni
Drita është me
ju
Mos harroni.
Poeti pasi njeh deri në palcë gjithçka që ngërthen në vetvete nocioni jetë, mposht gjithçka që i kundërvihet njerzores dhe logjikës së zhvillimit, e drejton vështrimin nga e dashuria dhe humanizmi, dhe jep garanci për të ardhmen e njerëzimit dhe kombit të tij:
“Unë e di se
secili prej nesh nuk i beson më vdekjes
Unë e di atë,
sic nuk i besoj më vetë
Unë e di se
secili prej nesh udhëton drejt dashurisë patjetër
Ngulur thellë në themele të shtëpisë së vjetër”.
Çdo invid e komb ka një të kaluar, jeton një realitet e ka një të ardhme, por gjithmonë mbështjellë me specifikën e traditës e kulturës së tij. Kombi që i përket poeti e ka zgjedhur vetë rrugën e tij:
“Me eshtrat e
ngurosura shtruam rrugën e lirisë
Tabanin e përjetshëm të atdheut tim”
Dhe në një poezi tjetër vazhdon po me atë gjuhë e zemër “
“Jeta nuk është
shtrati me trëndafilla
Jeta është
vallja për tu kërcyer deri në fund
Jeta është e
mbushur me zhgënjime
Jeta ka mistere
energji trishtim, dashuri
Jeta është
dhuratë fat,tragjedi entuziasëm
Jeta është vetmi e sfidë.
Poezinë e Mehill
Velaj e ndez simbolika dhe e bën të ndjeshëm vargu i lëmuar me kujdes e i vënë
me siguri në vendin që i takon, si një gur kështjelle, dhe i jep ritminë e
koloritin e së veçantës gjuha e rrjedhshme edhe pa sforcime e zbukurime, por
edhe tematika e zgjedhur, rima e goditur e sidomos aliteracioni, e forca e
mendimit. Megjithatë poeti duhet të shmangë një përsëritje jo të justifikuar të
leksikut poetik e cila vihet re nga njëra poezi tek tjetra. Gjithashtu duhej
edhe një lidhje më organike të pesë cikleve në funksion të një tematike të
vetme duke e bërë vëllimin më të ngrohtë.
Rrallë mund të
gjesh metafora, simbole e krahasime të tilla si: “Varrosa shpirtin sallatë prej
thike”,“pranvera merr një lule nga lulet e mia”,“lotët e motrës vaditin
pluhurin e dëshpërimit”,“Mbi kokë qëndrojnë retë si flamuj argjendi”,“udhë me
krahë zogjsh”,“Sa ngushtë midis tokës dhe qiellit”,“E ardhmja ka ardhur në të
kaluarën”,“Delet kullotnin bar e gjak”,“Zgjoheshim nga një ëndërr e binim në
një tjetër”,“Fara u bë zogj që fluturuan në kaltërsi “,“me kohën nën sqetull”
etj, që bëjnë të gumëzhijë vargu për një kohë të gjatë e të lërë gjurmë të
pashlyeshme në mendje.
Por për poetin
është dashuria ajo që mban në këmbë njerëzimin, jetën dhe ai duke dashur
të fali vetëm dashuri, kërkon që të vdesi për të, si martir i saj.
Poeti e ka zgjedhur rrugën e tij, e ka përcaktuar në rrugën e fatit të cilën kërkon që të mbajë në buzë përjetsisht këngën e dashurisë pa bujë:
“Ky është fati
im
Të vdes duke kënduar “
Dhe s'ka fat më të bukur e më të madh, se ky. Fat që e pati Migjeni, Noli, Dantja, Hajne, Pëtefi, Gëtja, Esenini, Pushkini, Petrarka e shumë këngëtarë të tjerë të poezisë. Se ata që vdesin duke kënduar, në fakt nuk kanë vdekje kurrë.