Udhëpërshkrim » Gorica
Pëllumb Gorica: ''Liqeri'' i Lasgushit, parajsa e shpirtit tonë...
E diele, 03.06.2012, 10:32 AM
"LIQERI" I LASGUSHIT, PARAJSA E SHPIRTIT TONË...
PËRSHKRIM
NGA PËLLUMB GORICA
Natyra,
me peisazhet e saj magjike, të mrekullon. Një ndenjë e bukur dhe e këndshme
kënaqësie shoqëroi udhëtimin tonë drejt juglindjes mes një grupi miqsh të penës,
me të cilët shpesh jemi të pranishën në takime letrare.
Mëngjesi gëzimdhënës, plot
dritë, me aromë kundërmuese lulesh gjithfarësoj. Udhëtojmë luginës piktoreske të
Shkumbinit. Malet, me madhështinë e tyre, e rrethojnë luginën e thellë. Thyrjet
e relievit, diku me një ashpërsi tërheqëse e diku të mbytur nga deti i
gjelbërimit të drurëve të lartë e të shumëllojshëm me blerimin e
harlisur, i japin një bukuri të veçantë. Natyrë e magjishme shqiptare!
Kalojmë Elbasanin, Librazhdin, Përrenjasin. Makina
duket sikur fluturon në peizazhet interesante, që të emocionojnë për çdo
metër udhëtim. Herë pas here shfaqen e zhduken vendbanime të vogla, të shtrira
në shpate kodrash. Po gjithsesi, me gjarpërimet e saj është një rrugë që ecet shpejt.
Ajo kalon ngjitur rrjedhës së stërlashtë të lumit Shkumbin, gurgullues e i
kaltër si një shirit argjendi, me vërshimin e ujrave drejt detit
Adriatik.
Sapo
ngjit Qafën e Thanës, një ndjesi e këndshme të kaplon me malet e
hirta në horizont dhe liqenin e Ohrit. Një pejzazh magjeps si poezi a
telajo e pikturuar me ngjyra drite. Mes qiellit e tokës, ky liqen, një bukuri
që natyra e krijoi, zemër e bukurive të Ballkanit.
Re
puplore era i lodronte në hapësirën qiellore. Dielli, duke i sfiduar ato me
ndriçimin vezullues, derdhte rreze, të cilat, teksa përthyeheshin në pasqyrën
e liqenit, reflektonin mahnitjen e dashuruar të kësaj bukurie të papërshkruar. Me syrin
e aparatit fotografik e përjetojmë këtë pejzazh shushurimë e
patrajtshme e gjallesave të natyrës, freskipuhize që rrudhos pasqyrën e
liqenit, flatrim krahësh pulëbardha, silueta varkash që vozitin lehtë...
Kur vjen në një ditë të tillë, e shijon më bukur prarimin magjik të liqenit,
natyrën rrethqark tij. Kodrat, malet, vendbanimet, si roje, i shtrohen në
gjunjë. Qytetet e Ohrit, Strugës, Pogradecit, por edhe perlat turistikë Shën
Nauni, Lini, Driloni etj, me pejzazhet e tyre të mrekullueshme, të mahnitin veçanërisht
në ditë të kthejllta qiellore. Natën dritat e tyre vezullojnë yje uji në liqen.
Lini, me shtëpi të ngjeshura rreth kodrës, të rrethuara me pemë të llojeve të ndryshme,
të magjeps me pozicionin e tij tërheqës. Në peisazhin piktoresk buzë liqenit
ai ngjason si një vapor i ankoruar prej kohësh.
Ecim
drejt Pogradecit. Tablotë e natyrës kalojnë me radhë. I soditim këndshëm, duke
thithur ajrin e ëmbël të stinës. Buzë liqenit bari mbulon tokën si qilim i
blertë. Ndërtimet e shumta, shtëpi, lokale midis mozaikut të kulturave
bujqësore, pemëve frutore të gjelbëruara. Përballë shfaqet Shën Nauni, një tjetër
mrekulli e natyrës mbresëlënëse të liqenit. Dikur territori ynë. Fatkeqsisht,
historia kishte caktuar që të na shkëputej.
Pejzazhi
i Pogradecit, buzë liqenit, të krijon një kënaqësi të veçantë. Sigurisht të
pushton një ndjenjë, kur kthehesh pas shumë vitesh. Kam patur rastin të vizitoj
Pogradecin shumë herë në fillim të viteve ‘90. Godina të pakta disa katëshe,
rrugë të shkatërruara, parqet e rrënuara, dritat e venitura,… Qyteti sot
shfaqet akoma më i mrekullueshëm e impresionues. Ndërtimet e vjetra ndërthuren
me simbolet e reja të zhvillimit modern të këtij qyteti. Pallate shumëkatëshe
me modele të ndryshme arkitekturore, lokale, skulptura, parqe, shatërvanë, rrugë
të shtruara me standarte, të rrethuara nga të dy anët me blirë e drurë të tjerë
dekorativë.
Shijojmë me ecjaket tona pastërtinë, ngjyrat, flladin e liqenit. Koloriti i ngjyrave të stinës i jep një tjetër hijeshi Pogradecit. Rugët gumëzhijnë nga lëvizjet. Pogradecarët, banorë të dashur, të respektuar e mikpritës ndjehen të lumtur që janë nga ky vend kaq i bukur, me trashëgimi të pashtershme kulturore, historike e fisnike vlerash, që meritojnë pa dyshim vlerësim. Krenohen me qytetin e tyre, liqenin, figurat e njohura të tij, jo për forcë të zakonit, gjë, që nuk do të thotë me fjalë, por, se ky liqen është si një lloj pasqyre për Pogradecin dhe bukurinë e tij. Liqeni, burim frymëzimi shpirtëror për Lasgushin, poetin e pavdekshëm të këtij qyteti, që krijoi lidhje me artin e poezisë! Duke kundëruar liqenin, që llokoçit dallgët lehtë në breg me një zhurmim të këndshëm, në mëndje të vijnë vargje të Lasgushit:
“Liqeni
i shkretë e rrit tallazin porsi det
E
shpirtin duke më përcjellë më thotë se
Ah! Shih
sa është i thellë
Ky gjiri em që të patë pjellë”
Monumenti
i Lasgushit, i ngritur fare pranë liqenit, plot hir dhe pak metra më tutje
i Mitrush Kutelit, dy korifejve të penës, bij të këtij qyteti, përbëjnë simbolet
e Pogradecit. Natyrisht, Pogradeci, ky qytet poetik, është i
njohur edhe për festivalin e verës, pijes së preferuar të poetëve
ku derdhet tradita me ndjenjat supreme të fluturimeve vargje lirike. Nuk
mund të mos shkruash edhe për historinë e këtij qyteti. Në kujtesë vijnë
ato që kemi lexuar për lashtësinë. Dëshmohet përmes zbulimeve
arkeologjike se në lashtësi Pogradeci ishte qytet i fisit të Enkelejtëve. Në
një kodër të qytetit ndodhet kalaja e lashtë.
Të shkosh
në Pogradec e të mos vizitosh Drilonin është sikur të mos kesh ardhur aty. Driloni
është një nga perlat më të bukura të natyrës
shqiptare. Të pushton kënaqësia mes pejzazhit gjithë sharm! Dekori, me pafundësi
ngyrash, e sidomos me të blertën qetësuese të pyllit të vogël drurëlartë,
me shtrirje përgjatë ujrave të kristalta, ku pllaquriten pulbardhat, kundërmimi
i luleve, romantika mahnitëse aq edhe reale, mërmërima e lehtë e
flladit, një magjepsje, të cilit i bën përshtypje kujdo që vjen këtu. Natyrisht,
të shprehesh me shumë fjalë e gjithë ndjenja, imazhet të rrëmbejnë
befasishëm, duke shtuar këtu edhe përjetimin e simfonisë së cicërimave të zogjve.
Përballë këtij peizazhi të bukur e të mirmbajtur, ku spikatin edhe ndërtimet, e
trishtuar është ajo që vështron buzë liqenit, në Tushemisht. Një përzierje e
vorbullës së asaj që ne i themi zhvillim me ndërtime, por një betonizim pa
kriter buzë liqenit, duke ngushtuar hapësirat për plazh.
Në Drilon,
në çdo stinë te vitit shijon freskinë e mëngjezeve, puhizën e mbrëmjeve, qetësinë skajshmërisht.
- Edhe në
dimër gjen diçka interesante,- tregon Besniku, bashkëbiseduesi dhe miku ynë pogradecar.
Dhjetra barkafe, restorante e hotele të ambientuara me shije ofrojnë pushime,
por dhe zbavitje të këndshme, të peizazhit të mrekullueshëm, por kryesisht aty
mund të gjeni një shërbim të kulturuar dhe ajo që është me rëndësi, përkujdesjen
e veçantë. E preferojnë edhe për gatimet tradicionale sidomos koranit ,
peshkut që gjendet vetëm në liqenin e
Pogradecit.
S'ka si të mos jetë e bukur kjo perlë magjepse e natyrës shqiptare, kur ata që e vizitojnë gjejnë parajsën e shpirtit të vet!