Udhëpërshkrim » Gorica
Pëllumb Gorica: Jeta pulson dhe prej një zemre të ngrirë
E marte, 29.05.2012, 07:22 PM
JETA PULSON DHE PREJ NJË ZEMRE TË NGRIRË
Impresione për vëllimin poetik “Zemër e ngrirë” të Viktoria Xhako
Nga Pëllumb Gorica
Më ngriu zemra,
- thotë njeriu, sa herë ndodhet në të papritura të jetës. Një zemër e ngrirë
flet shumë. Flet me gjuhën e merakut e të shqetësimit për shokun e jetës. Me
gjuhën e luhatjeve të zhvillimeve në familje e shoqëri. Me zërin drithërues nga
situata rrënqethëse që ndodhin anekënd
botës.
“Zemër e ngrirë”
e pagëzon Viktoria Xhako librin e saj të parë me poezi. Poezia, titulluar
” Hape derën”, e, që në fakt hap këtë vëllim poetik, nuk është thirrje
pragmatiste që poetja i drejton kohës për t’u futur në të e për të
udhëtuar në labirinthet e jetës bashkë me shoqet e saj plot ëndrra e thinja.
Simbolika e saj nuk është thirrje që tingëllon fort për kohën që t’i hapë asaj
dyert e botës së madhe të poezisë e vargjet e saj, plot frymëzim, të marrin krahë
në kaltërsitë e muzës së frymëzimit. Vëllimi i saj i parë është një
sinjal, një trokitje me vargje në dyert e së ardhmes. Ajo ka për të thënë edhe
më shumë në botën e krijimit. Koha që jeton është e turbullt dhe kërkon
rezistencë, përkushtim, dije dhe guxim. Ndaj poetesha shkruan: “Por ky tufan
acar që vjen nga kaq larg / Rrënjët mban
fshehur në gjoksin tim”.
Jeta është e
shkurtër, ndaj lajtmotivi i poetes është se duhet të jetë dashuria e jo
urrejtja, ecja përpara e jo ngecja në vend, sinqeriteti e jo intringa e
xhelozia. Viktoria Xhako i jep jetë idesë njerëzore se bota është e madhe dhe
ka vend për të gjithë, se njeriu shpirtvogël stonon në vrullet e zhvillimit,
ndaj kudo, në natyrë e në shoqëri, duhet të jetë harmonia mbizotëruese: “Në
botën e madhe ka vend për të gjithë /Rrezja e diellit të gjithë i prek lehtë
/Luanin, lulen, malin , fluturën, / Edhe pse vetëm një rreze, por ajo është
jetë”.
Me poezitë e
saj, poetesha Viktoria Xhako, thekson se njeriu ka si mision kryesor ta jetojë
jetën me larminë dhe kompleksitetin e saj dhe jo thjesht të ekzistojë si qenie
biologjike dhe pse të arrish këtë nuk është e lehtë. “Të jetosh është si të
luftosh” – ka thënë Seneka. Një njeri që thjesht ka jetuar për veten
e tij, që nuk është ngacmuar nga një këngë gëzimi apo një klithmë faji, që
vetëm ka kërkuar të marrë nga shoqëria dhe asnjëherë të japë dashuri, ai është
një qenie që thjesht ka ndenjur në këtë botë. Të jetosh sipas poetes është që
të futesh në vorbullën e jetës, të krijosh profilin dhe personalitetin tënd.
Brenda vorbullës së jetës has gjithçka: lëvrin gjaku i ndërshëm dhe pasionet
e pandershmërisë, të ngre lart virtyti e të ul poshtë fati, të ndrit
zemrën fëmija e origjina, miku e shoku i vërtetë, të bën pritë pusia e pabesia.
Me emrin jetë, zë vend edhe miqësia e madhe, edhe fantazia e ndrydhur, edhe
dëshirat e parealizuara, dashuritë e pamundura. Të gjitha përjetohen, gdhenden
e skaliten monumentalisht në një zemër të ngrirë nëne. Ndaj ajo pëshpërin
e sfidon me zë tejet brilant e melankolik: “Vërma dorën përmbi zemër /E
dëgjon si rreh nga pak? / Regëtin në muzg të mbrëmjes / Përpëlitet mbushur
gjak”.
Poetesha ndjen
një boshllëk për gjithçka që nuk ka realizuar në jetë, për atë që nuk ka ecur
sipas dialektikës së zhvillimit e dëshirës së mirë të njerëzimit. Për gjithçka
që ka vrarë intriga e xhelozia. Ka ëndërruar, ajo, dashurinë e sinqertë dhe
shpesh i ka skërmitur dhëmbët tradhtia. Ka dashur të mbushë gjoksin me ajrin e
lirisë dhe sinqeritetit rinor. Edhe aty e ka stërmunduar me dhëmbje koke smogu
e pisllëku i një shoqërie të sëmurë. Viktoria Xhako ka dashur të këndojë me
thirrje zemre një këngë jete. Papritur ka ndjerë pranë një vajtim
vdekjeje. Pasi pyet sinqerisht e shqetsuar : “ Pse të ndodhë kështu? ”,
ka fshirë dy pika lot që i kanë rrëshqitur faqeve të ravijëzuara nga hallet,
dhe, me melankolinë e saj ka shkruar vargjet, duke i ngurosur të gjitha në
zemrën e saj prej gruaje e nëne. Kur një zemër e ngrirë fillon të shkrijë nga
dielli i ëndrrave dhe pranvera e shpresave, kthehet në oqean që përmbyt tërë
egoizmin dhe pandershmërinë e kësaj bote. S’ka dëshmi më të fortë se ajo
që shkruan zemra e nënës! Ajo shkruan me ngjyrën e kuqe të gjakut duke iu
drejtuar mikut të zemrës: “Ose jepja ti vetë kohës / Vetëm kujdes të
ruhet ngjyra e zemrës / Le të mbetet kjo fletë për kohët e ardhshme / Dëshmi e
vetme shkruar me të kuq”.
Meritë e
vargjeve të Viktoria Xhako është se ajo nuk bie në fatalizëm e nostalgji
përlotëse. Të gjitha plagët dhe ëndrrat, fëmijët dhe shoqet, dinamizmi i
gjithçkaje që pulson për zhvillimin, e bëjnë atë që të jetë e kujdesshme e
jetën ta ketë vazhdimisht nën kontroll, të mos e marrë jeta zvarrë e ta
përplasë nëpër honet e djallëzisë, por të jetë kurdoherë e matur,
largpamëse dhe brenda arsyes e dinjitetit njerëzor.
Ndaj, duke e metamorfozuar jetën si një kalë që ecën revan në udhë të pashkelura, poetesha Viktoria Xhako në mbyllje të vëllimit poetik “ Zemër e ngrirë” paraqitet si një rendëse dhe jetën e bën zap. Zemra e saj rreh vetëm për fitoren dhe kurrë për disfatën. Pulson për jetën dhe urren vdekjen: “Eja ti vrapo me mua / Ta arrijmë atë kalë / Ta mbaj fort shtrënguar frerësh / Sa të vij agimi bardhë”.