Udhëpërshkrim » Gorica
Pëllumb Gorica: Rrëfim për moshën e ëndrrës
E merkure, 11.07.2012, 06:51 PM
RRËFIM PËR MOSHËN E ËNDRRËS
Vështrim rreth vëllimit poetik “Qirinjtë e Galaktikës” të poeteshës Iliriana Sulkuqi
NGA PËLLUMB GORICA
Çdo kush
lexon sipas shijes së tij. Nga rafti i librave të bibliotekës sime mora e
lexova librin me poezi “Qirinjtë e Galaktikës” të poeteshës elbasanase Iliriana
Sulkuqi, që jeton mes Amerikës e Shqipërisë. Iliriana, ashtu e imët, por
me një botë gjërash, që kanë aq shumë fisnikëri njerëzore, një poete me veçori
të stilit, të cilat burojnë nga temperamenti i saj, talenti e pjekuria
artistike, në krijimtarinë e saj,
vizaton me dorë të lirë marrëdhëniet e brishta njerëzore ku sundon malli e regëtin
dashuria.
“Qirinjtë
e Galaktikës” është një titull që tregon se poetja nuk është vetëm një det
ndjenjash që konkurrojnë në udhët e ndritura të galaktikës, por edhe shumë e
guximshme për t’u ndeshur me një realitet misterioz dhe për të nxjerrë aty temën
e poezisë që dëshiron. Ndaj asaj nuk i ka ngelur peng që, dashuria se bëri mal
të ishte maja:
“S’më bëri
diell, të isha rrezja,
S’më bëri
det të nisja dallgët.”
Kush janë
qirinjtë e galaktikës, që poetesha Iliriana Sulkuqi në këtë vëllim poetik
mundohet t’u kapë ndriçimin e të spërkasë ndjenjat dhe mendimet e të gjithë atyre
që duan të jetojnë e të ndryshojnë jetën? Pak dritë për të gjithë. Yjet e shumtë
të galaktikës ajo i ka shndërruar në qirinj, të cilët i mban të gjithë në duart
e saj dhe kërkon me çdo kusht të ndriçojë errësirën, të zbardhë zemrat, të ngrejë
lavdi heronjsh, të hapë varre të ndershëm njerëzish. Drita e qirinjve duhet të depërtojë
thellë deri tek madhështia e gruas dhe besimi i njerëzve te Zoti, ndaj Iliriana
deklaron se:
“Rrënjët
vijnë era tokë,
Kurse
toka erë grua,
Por “se
beson Zotin, ti vjedhë lotin”
Poezia e
Iliriana Sulkuqit është gëzimi dhe brenga, blerimi dhe thatësira, jeta dhe
vdekja, humanizmi dhe antihumanizmi. Fluturon mbi krahë ëndrrash në thellësi
horizontesh dhe kur duket se nuk ka më rikthim ajo shpejt zgjat dorën dhe kap
një brengë nëne ose bisedon me një mështekën dhe çuditet se si ajo ruan virgjërinë
në këtë kohë të trazuar. Ajo futet në arsyetime filozofike, udhëton në shtigje
të panjohur galaktikash pa u shkëputur asnjë çast nga realiteti i përditshëm
dhe nuk harron se mbi të gjitha është njerëzorja, njeriu që i jep kuptim jetës
e vdekjes. Aty ajo gjen edhe ferrin edhe parajsën, zbulon përditë në origjinën
mistike të prejardhjes së njeriut gabimin e Evës ndaj superioritetit mashkullor
të Adamit dhe ndeshjen e madhështisë midis dritës dhe errësirës, që kanë qenë gjithmonë
në shekuj në konflikt argumentues. Dhe kjo është dhënë në mënyrë sintetike, me
një argument poetik shumë të goditur në poezinë “Dialog engjëll djall dhe dy përgjigje”,që
edhe pse figuracioni ngjan si fjalë të përditshme, mesazhi është shumë fluid:
Engjëlli:
Besomë të dua si jetën.
Djalli
: Për cilën jetë të betohet?
dhe
vjen pas përgjigjes së Engjëllit, ajo e Djallit:
Djall,
hej djall e bir djalli,
s’ta
besoj të vërtetën.
Edhe
sikur të më ngresh nga varri.
Maskiliteti
dhe feminiteti ndeshen shpesh në poezinë e poeteshës Iliriana Sulkuqi, por më shumë
për të ngjizur harmoninë midis dy sekseve se sa për të krijuar ndarje, më shumë
si një domosdoshmëri për ardhmëri njerëzore e për zhvillim
jetësor. “Përse e pranojmë praninë tuaj?” pyet meshkujt e çuditur poetja.
Por kjo është një pyetje sugjestive sepse ajo shpejt jep përgjigjen:
Si në letrat
e bixhozit zi e kuq,
Si në fizikë
plus minus
Si
gjysmat e tokës me ditë e natë
Ne
qajmë dhembjen tonë të bukur
Ju
ikni të ç’burrëruar dhe kaq ….
E rritur
mes brengave të jetës, poetesha Iliriana Sulkuqi sikur ka edhe një farë ndrojtje,
ajo me vargun e saj shkel herë mbi qelqe dhe ruan mos thyen e herë sikur shkel
mbi gjemba e ruhet të mos quket. Ndaj ajo është si me mëdyshje në triptikun e
jetës. Rrobat e vajzërisë asaj si bëjnë më. Fustanin e nusërisë ajo s’e prek
dot, kurse “rrobat e gjyshes “ ajo nuk do t’i veshë më. Në tre vargje poetja ndërthur
poetikisht tri nyjet e jetës, që nuk janë lehtë të jetohen: Vajzërinë, nusërinë,
plakjen. Tri gjërat e bukura të jetës: Fëmijëria, rinia, pleqëria dhe që secila
ka të bukurat dhe të shëmtuarat e veta dhe duhet të jesh vërtet njeri me arsye,
të kesh lënë kocka në udhët e jetës që t’i jetosh e t’i meritosh ato tri mosha
që në fund të fundit përbëjnë atë libër të mrekullueshëm që quhet jetë.
Poetesha
nuk e duron dot boshllëkun, zbrazëtirën, ndarjen, mungesën e dashurisë njerëzore.
Vetëm një që e ka provuar një akt të tillë mund të shkruajë vargje të tilla me
peshë të rëndë e respekt të thellë për dashurinë jetësore:
Midis
meje dhe meje
Një fije
floku sa një kilometër
Hapësirë
Ku
lindet e rritet marshi im funebër.
Iliriana
Sulkuqi nuk ka kufizim në ndjenjat poetike. Dashurinë e ka për të gjithë, por ajo veçon dashurinë për nënën. Edhe
pse ka një dashuri për njeriun ajo ruan specifikën e qelqtë të dashurisë për të dashurin e saj. Vetëm
moshë nuk ka kjo poete ashtu si të gjithë poetët që misioni i tyre është në funksion
të pastërtisë dhe harmonisë natyrore e njerëzore, ndaj deklarimin e saj poetik
po e vëmë si mbyllje të këtyre shënimeve të shkurtra:
Ja kështu
i dashur mik
Poet
si unë - unë si të tjerët
Moshën
prej ëndrre kur e rrëfejmë
Se
kemi më vetëm për vete…